M’Cheyne Bible Reading Plan
2 Duke iu afruar Davidit dita e vdekjes, ai urdhëroi të birin Salomon, duke i thënë:
2 "Unë jam duke shkuar atje ku shkojnë tërë banorët e tokës; prandaj tregohu i fortë dhe sillu si burrë!
3 Respekto urdhrat e Zotit, Perëndisë tënd, duke ecur në rrugët e tij, duke zbatuar në praktikë statutet e tij, urdhërimet e tij, dekretet e tij dhe porositë e tij, ashtu siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me qëllim që ti t’ia dalësh mbanë në të gjitha gjërat që do të bësh dhe nga çdo anë që të kthehesh,
4 dhe me qëllim që Zoti ta plotësojë premtimin që më ka bërë kur tha: "Në qoftë se bijtë e tu do të kujdesen për të ecur para meje me të vërtetë me gjithë zemër e me gjithë shpirt, nuk do të mungojë kurrë dikush mbi fronin e Izraelit".
5 Edhe ti e di ç’më ka bërë mua Joabi, bir i Tserujahut, dhe ç’u ka bërë dy krerëve të ushtrive të Izraelit, Abnerit, birit të Nerit, dhe Amas, birit të Jetherit, që ai i vrau; në kohë paqeje ka derdhur gjak lufte dhe ka njollosur me gjak lufte brezin që mbante në mes dhe sandalet që mbante në këmbë.
6 Vepro, pra me urti dhe mos lejo që flokët e tij të bardha të zbresin në paqe në Sheol.
7 Por trego mirësi me bijtë e Galaaditit Barzilai dhe ata të jenë ndër ata që hanë në tryezën tënde, sepse me një mirësi të njëllojtë ata erdhën tek unë kur po ikja me vrap para Absalomit, vëllait tënd.
8 Ja, pranë teje është edhe Shimei, bir i Beniaminitit Gera, nga Bahurimi. Ai shqiptoi një mallkim të tmerrshëm ditën që shkoja në Mahanaim, por pastaj zbriti të më takojë në Jordan dhe unë iu betova në emër të Zotit: "Nuk do të bëj të vdesësh nga shpata".
9 Tani, pra, mos e lër të pandëshkuar, sepse ti je njeri i urtë dhe di atë që duhet të bësh. Bëj që flokët e tij të bardha të zbresin të lyera me gjak në Sheol".
10 Kështu Davidin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit.
11 Davidi mbretëroi mbi Izrael dyzet vjet, shtatë vjet në Hebron dhe tridhjetë e tre vjet në Jeruzalem.
12 Pastaj Salomoni u ul mbi fronin e Davidit, atit të tij, dhe mbretëria e tij u vendos në mënyrë të qëndrueshme.
13 Adonijahu, bir i Hagithit, shkoi te Bath-Sheba, nëna e Salomonit. Kjo i tha: "A vjen me qëllime paqësore?". Ai u përgjigj: "Po, paqësore".
14 Pastaj shtoi: "Kam diçka për të të thënë". Ajo u përgjigj: "Thuaje, pra".
15 Kështu ai tha: "Ti e di që mbretëria më takonte mua dhe që tërë Izraeli priste që unë të mbretëroja. Por mbretëria m’u hoq dhe kaloi në duart e vëllait tim, sepse atij ia dha Zoti.
16 Tani do të të bëj një kërkesë, mos ma hidh poshtë". Ajo u përgjigj: Thuaje, praa".
17 Atëherë ai tha: "Të lutem, thuaji mbretit Salomon, i cili nuk të refuzon asgjë, që të më japë për grua Shunamiten Abishaga".
18 Bath-Sheba iu përgjigj: "Mirë! Do t’i flas mbretit në favorin tënd".
19 Bath-Sheba shkoi, pra, te mbreti Salomon për t’i folur në favor të Adonijahut. Mbreti u ngrit për t’i dalë përpara, u përul përpara saj, pastaj u ul në fronin e tij dhe urdhëroi që të vinin një fron tjetër për nënën e mbretit, dhe ajo u ul në të djathtë të tij.
20 Ajo tha: "Kam një kërkesë të vogël, mos ma refuzo". Mbreti iu përgjigj: Bëje, pra, kërkesën tënde, o nëna ime; unë nuk do ta refuzojj".
21 Atëherë ajo i tha: "Shunamitja Abishag t’i jepet si grua vëllait tënd Adonijah".
22 Mbreti Salomon iu përgjigj nënës së tij, duke i thënë: "Pse kërkon Shunamiten Abishag për Adonijahun? Kërko për të edhe mbretërinë, sepse ai është vëllai im madhor; kërkoje për të, për priftin Abiathar dhe për Joabin, birin e Tserujahut!".
23 Atëherë mbreti Salomon u betua në emër të Zotit, duke thënë: "Perëndia ma bëftë këtë edhe më keq në rast se Adonijahu nuk e ka thënë këtë fjalë duke vënë në rrezik jetën e tij!
24 Prandaj, tani, ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, i cili më ka caktuar, ka vendosur të ulem në fronin e atit tim David dhe më ka themeluar një shtëpi ashtu siç kishte premtuar, sot Adonijahu do të ekzekutohet!".
25 Kështu mbreti Salomon dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, që u hodh mbi Adonijahun dhe ky vdiq.
26 Pastaj mbreti i tha priftit Abiathar: "Shko në Anathoth në arat e tua, sepse ti meriton vdekjen; por unë nuk do të të bëj që të vdesësh sot, sepse ke i çuar arkën e Perëndisë, Zotit, përpara atit tim David dhe ke marrë pjesë në të gjitha vuajtjet e tij".
27 Kështu Salomoni largoi Abiatharin nga funksioni i priftit të Zotit me qëllim që të shkonte në vend fjala që Zoti kishte shqiptuar lidhur me shtëpinë e Elit në Shiloh.
28 Ndërkaq lajmi i kishte vajtur Joabit, sepse Joabi kishte ndjekur Adonijahun por nuk kishte ndjekur Absalomin. Prandaj ai u strehua në tabernakullin e Zotit dhe u kap pas brirëve të altarit.
29 Pastaj i thanë mbretit Salomon: "Joabi është strehuar në tabernakullin e Zotit dhe ndodhet pranë altarit". Atëherë Salomoni dërgoi Benajahun, birin e Jehojadit, duke i thënë: "Shko, godite!".
30 Kështu Benajahu hyri në tabernakullin e Zotit dhe i tha Joabit: "Dil jashtë!". Ai u përgjigj: "Jo, dua të vdes këtu!". Benajahu ia njoftoi ngjarjen mbretit, duke thënë: "Kështu foli Joabi dhe kështu m’u përgjigj".
31 Atëherë mbreti tha: "Bëj ashtu si të ka thënë ai: godite dhe varrose; kështu do të largosh prej meje dhe prej shtëpisë së atit tim gjakun që Joabi derdhi pa shkak.
32 Kështu Zoti do të hedhë mbi kokën e tij gjakun që ka derdhur, duke goditur dy njerëzit më të mirë dhe më të drejtë se ai dhe që i vrau me shpatë, pa dijeninë e atit tim David; është fjala për Abnerin, birin e Nerit, komandant i ushtrisë së Izraelit, dhe për Amasan, birin e Jetherit, komandant i ushtrisë së Judës.
33 Gjaku i tyre do të bjerë mbi kokën e Joabit dhe mbi kokën e pasardhësve të tij përjetë, por do të ketë paqe për gjithmonë nga ana e Zotit për Davidin, për pasardhësit e tij, për shtëpinë e tij dhe për fronin e tij".
34 Atëherë Benajahu, bir i Jehojadit, shkoi, e goditi dhe e vrau: dhe Joabi u varros në shtëpinë e tij, në shkretëtirë.
35 Në vend të tij mbreti caktoi si komandant të ushtrisë Benajahun, birin e Jehojadit, dhe vuri priftin Tsadok në vend të Abiatharit.
36 Pastaj mbreti dërgoi të thërrasin Shimein dhe i tha: "Ndërto një shtëpi në Jeruzalem dhe atje do të banosh, nuk do të dalësh më për të shkuar andej e këtej.
37 Ditën që ke për të dalë dhe ke për të kaluar përruan Kidron, dije me siguri që ke për të vdekur; gjaku yt do të bjerë mbi kokën tënde".
38 Shimei iu përgjigj kështu mbretit: "Mirë; shërbëtori yt do të bëjë ashtu si ka thënë mbreti, zotëria ime. Kështu Shimei qëndroi në Jeruzalem për një kohë të gjatë.
39 Por pas tre vjetëve ndodhi që dy shërbëtorë të Shimeit ikën pranë Akishit, birit të Makaahut, mbretit të Gathit. Këtë gjë ia njoftuan Shimeit dhe i thanë: "Ja, shërbëtorët e tu janë në Gath".
40 Atëherë Shimei u ngrit, shaloi gomarin e tij dhe shkoi në Gath për të kërkuar shërbëtorët e tij; Shimei shkoi atje dhe i ktheu shërbëtorët e tij nga Gathi.
41 Salamonit i thanë që Shimei kishte vajtur nga Jeruzalemi në Gath dhe se qe kthyer.
42 Atëherë mbreti dërgoi e thirri Shimein dhe i tha: "A nuk të vura të betoheshe në emër të Zotit dhe të kisha paralajmëruar solemnisht, duke të thënë: "Dije me siguri që ditën që do të dalësh andej këtej, ke për të vdekur". Dhe ti m’u përgjigje: "Fjala që dëgjova më shkon mbarë".
43 Pse, pra, nuk e respektove betimin që i bëre Zotit dhe urdhrin që të kishte dhënë?".
44 Mbreti i tha gjithashtu Shimeit: "Ti e di gjithë të keqen që i ke bërë Davidit, atit tim, dhe zemra jote është e ndërgjegjshme për këtë, prandaj Zoti do të bëjë që të bjerë mbi kokën tënde ligësia jote,
45 por mbreti Salomon ka për të qënë i bekuar dhe froni i Davidit do të jetë i qëndrueshëm përpara Zotit përjetë".
46 Pastraj mbreti i dha urdhër Benajahut, birit të Jehojadit, që doli e goditi Shimen dhe ky vdiq. Kështu mbeti e patundur mbretëria në duart e Salomonit.
6 Vëllezër, në qoftë se dikush bie në ndonjë faj, ju që jeni frymëror, lartësojeni me frymë butësie. Por ki kujdes veten tënde, se mos tundohesh edhe ti.
2 Mbani barrët e njëri-tjetrit dhe kështu do të përmbushni ligjin e Krishtit.
3 Sepse në qoftë se dikush mendon se është diçka, pa qenë asgjë, ai gënjen veten e vet.
4 Dhe secili të analizojë veprën e tij dhe atëherë do të ketë arsye të mburret vetëm për veten e tij dhe jo lidhur me tjetrin.
5 Sepse secili do të mbajë barrën e vet.
6 Ai që merr mësim në fjalën, le ta bëjë pjestar të të gjitha të mirave të tij atë që e mëson.
7 Mos u gënjeni: Perëndia nuk vihet dot në lojë, sepse ç’të mbjellë njeriu, atë edhe do të korrë.
8 Sepse ai që mbjell për mish të tij, do të korrë nga mishi i tij prishje, por ai që mbjell për Frymë, do të korrë nga Fryma jetë të përjetshme.
9 Le të mos lodhemi duke bërë të mirën; sepse, po të mos lodhemi, do të korrim në kohën e vet.
10 Prandaj, sa të kemi rast, le t’u bëjmë të mirën të gjithëve, por në radhë të parë atyre që janë në familjen e besimit.
11 Shikoni me çfarë shkronjash të mëdha ju kam shkruar me dorën time!
12 Të gjithë ata që duan të duken të mirë në mish, ju shtrëngojnë që të rrethpriteni vetëm që të mos përndiqeni për kryqin e Krishtit.
13 Sepse as vetë ata që rrethpriten nuk e zbatojnë ligjin, por duan që ju të rrethpriteni, që ata të mburren në mishin tuaj.
14 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mburrem me tjetër gjë, veç për kryqin e Zotit tonë Jezu Krisht, për të cilin bota është kryqëzuar tek unë edhe unë te bota.
15 Sepse në Jezu Krishtin as rrethprerja, as parrethprerja s’kanë ndonjë vlerë, por krijesa e re.
16 Dhe të gjithë ata që do të ecin sipas kësaj rregulle paçin paqe dhe mëshirë, e ashtu qoftë edhe për Izraelin e Perëndisë.
17 Tash e tutje askush të mos më trazojë, sepse unë mbaj në trupin tim shenjat e Zotit Jezus.
18 Vëllezër, hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.
33 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, folu bijve të popullit tënd dhe u thuaj atyre: Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar,
3 në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin,
4 kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet.
5 Ai ka dëgjuar zërin e borisë, por nuk i ka vënë veshin paralajmërimit, gjakun e tij do ta ketë mbi vete. Por ai që ka marrë parasysh paralajmërimin, do të shpëtojë jetën e tij.
6 Por në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, ky do të çohet tutje për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkoj llogari sogjetarit.
7 Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime.
8 Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri," dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkojë llogari dorës sate.
9 Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd.
10 Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?".
11 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?
12 Prandaj ti, bir njeriu, u thuaj bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë atë ditën e mëkatit të tij; po kështu pabesia e të pabesit nuk do ta rrëzojë ditën kur ai të largohet nga pabesia e tij, dhe i drejti nuk do të mund të jetojë për shkak të drejtësisë së tij ditën që do të kryejë mëkate.
13 Kur i them të drejtit që ke për të jetuar me siguri, në rast se ka besim në drejtësinë e vet dhe kryen paudhësinë, tërë veprimet e tij të drejta nuk do të kujtohen më, por ai do të vdesë për shkak të paudhësisë që ka kryer.
14 Përkundrazi, kur i them të pabesit: "Ti me siguri do të vdesësh," në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë,
15 në rast se i pabesi kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar, nuk ka për të vdekur.
16 Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.
17 Por bijt e popullit tënd thonë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë," ndërsa është rruga e tyre që nuk është e drejtë.
18 Kur i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi, për këtë ai do të vdesë.
19 Përkundrazi kur i pabesi largohet nga pabesia e tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, ai do të jetojë.
20 Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Unë do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve që ndjek, o shtëpi e Izraelit".
21 Vitin e dymbëdhjetë të robërisë sonë, muajin e dhjetë, ditën e pestë të muajit, ndodhi që arriti tek unë një i ikur nga Jeruzalemi dhe më tha: Qyteti është pushtuarr".
22 Një mbrëmje para se të vinte ikanaku, dora e Zotit u vu mbi mua dhe më kishte hapur gojën kështu, kur në mëngjes ai arriti tek unë, goja ime mbeti e hapur dhe nuk qeshë më memec.
23 Fjala e Zotit m’u drejtua pastaj, duke thënë:
24 "Bir njeriu, banorët e këtyre rrënojave në vendin e Izraelit thonë: Abrahami ishte vetëm dhe pati zotërimin e vendit, por ne jemi shumë dhee zotërimi i vendit na jepet neve".
25 Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ju hani mishin me gjakun, ngrini sytë nga idhujt tuaj, derdhni gjak dhe dëshironi të zotëroni vendin.
26 Ju mbështeteni te shpata juaj, kryeni gjëra të neveritshme, secili ndot gruan e fqinjit të tij dhe dëshironi të zotëroni vendin.
27 U thuaj kështu atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, ata që banojnë midis atyre rrënojave do të vriten nga shpata, ata që janë në fushë të hapur do t’ua jap për të ngrënë kafshëve dhe ata që janë në fortesa dhe në shpella do të vdesin nga murtaja.
28 Do ta katandis vendin në një mjerim dhe në shkreti, kryelartësia e forcës së tij do të ligështohet dhe kështu malet e Izraelit do të jenë aq të shkretuar sa që askush nuk do të kalojë më andej.
29 Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ta kem katandisur vendin në mjerim dhe në shkreti për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme që kanë kryer.
30 Sa për ty, bir njeriu, bijtë e popullit tënd flasin për ty pranë mureve dhe te pragu i shtëpive të tyre, i flasin njeri tjetrit, duke i thënë secili vëllait të tij: "Eja të dëgjosh cila është fjala që vjen nga Zoti".
31 Kështu vijnë te ti ashtu si bën njerëzia, ulen para teje ashtu si bën populli im dhe dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë; me gojën e tyre, pra, tregojnë dashuri të madhe, por zemra e tyre shkon pas fitimit të tyre të padrejtë.
32 Ja, ti je për ta si një këngë dashurie e dikujt që ka një zë të bukur dhe di t’i bjerë mirë një vegle; ata dëgjojnë fjalët e tua, por nuk i vënë në praktikë.
33 Dhe ja kur të ndodhë ajo gjë (dhe ja që po ndodh) do të pranojnë që në mes tyre ka pasur një profet".
81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.
2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.
3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.
4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.
5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;
6 "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.
7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)
8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!
9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.
10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.
11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.
12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.
13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!
14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.
15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.
16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".
82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.
2 Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)
3 Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.
4 Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.
5 Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.
6 Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.
7 Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".
8 Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.