Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Samuelit 24

24 Zemërimi i Zotit u ndez përsëri dhe ai nxiti Davidin kundër popullit, duke i thënë: "Shko të bësh regjistrimin e Izraelit dhe të Judës".

Kështu mbreti i tha Joabit, komandantit të ushtrisë që ishte me të: Shko nëpër të gjitha fiset e Izraelit, nga Dani deri në Beer-Sheba, dhee bëni regjistrimin e popullsisë që unë të di numrin e saj".

Joabi iu përgjigj mbretit: "Zoti, Perëndia yt, ta shumëzojë popullin njëqind herë më tepër nga ç’është dhe sytë e mbretit, të zotërisë tim, të mund ta shohin këtë gjë. Po pse mbreti, zotëria im, e dëshiron një gjë të tillë?".

Megjithatë urdhëri i mbretit iu imponua Joabit dhe krerëve të ushtrisë. Kështu Joabi dhe krerët e ushtrisë u larguan nga mbreti dhe shkuan të bëjnë regjistrimin e popullsisë së Izraelit.

Ata kaluan Jordanin dhe ngritën kampin e tyre në Aroer, në të djathtë të qytetit që ishte në mes të luginës së Gadit dhe në drejtim të Jezerit.

Pastaj shkuan në Galaad dhe në vendin e Tahtim-Hodshit; pastaj vajtën në Dan-Jaan dhe në rrethinat e Sidonit.

Shkuan edhe në kalanë e Tiros dhe në të gjitha qytetet e Hivejve dhe të Kananejve, dhe arritën në jug të Judës, deri në Beer-Sheba.

Kështu përshkuan tërë vendin dhe mbas nëntë muajsh e njëzet ditë u kthyen përsëri në Jeruzalem.

Joabi i dorëzoi mbretit shifrën e regjistrimit të popullsisë: kishte në Izrael tetëqind mijë njerëz të fortë, të aftë për të përdorur shpatën, por njerëzit e Judës ishin pesëqind mijë.

10 Por, mbasi bëri regjistrimin e popullsisë, zemra e Davidit e qortoi shumë rëndë atë dhe ai i tha Zotit: "Kam kryer një mëkat shumë të rëndë duke vepruar në këtë mënyrë; por tani, o Zot, shlyej paudhësinë e shërbëtorit tënd, sepse kam vepruar shumë pa mend".

11 Kur në mëngjes Davidi u ngrit, fjala e Zotit iu drejtua profetit Gad, shikuesit të Davidit, duke thënë:

12 "Shko e i thuaj Davidit: Kështu thotë i Zoti: "Unë të propozoj tri gjëra; zgjidh njerën prej tyre dhe unë do ta bëj atë për ty"".

13 Kështu Gadi shkoi te Davidi për t’i njoftuar ngjarjen dhe i tha: "A do që të vijnë për ty shtatë vjet zi buke në vendin tënd, apo tre vjet arratisje përpara armiqve që të ndjekin, apo tri ditë murtaje në vendin tënd? Tani mendohu dhe shiko pak se çfarë përgjigje duhet t’i jap atij që më ka dërguar".

14 Davidi i tha Gadit: "Gjendem në një situatë tërë ankth! Le të bie edhe në duart e Zotit, sepse dhembshuria e tij është e madhe, por mos rënça në duart e njerëzve!".

15 Kështu Zoti dërgoi murtajën në Izrael, nga ai mëngjes deri në kohën e caktuar. Shtatëdhjetë mijë veta të popullit vdiqën nga Dani deri në Beer-Sheba.

16 Ndërsa engjëlli e shtrinte dorën mbi Jeruzalem për ta shkatërruar, Zotit i erdhi keq për këtë fatkeqësi dhe i tha engjëllit që shfaroste popullin: "Mjaft! Tani tërhiqe dorën!". Engjëlli i Zoti ndodhej afër lëmit të Araunahut, Gebuseitit.

17 Kur Davidi pa engjëllin që godiste popullin, i tha Zotit: "Ja, unë kam kryer një mëkat, kam vepruar në mënyrë të padrejtë, por këto dele ç’kanë bërë? Prandaj dora jote të drejtohet kundër meje dhe kundër shtëpisë së atit tim!".

18 Atë ditë Gadi erdhi te Davidi dhe i tha: "Shko dhe ndërto një altar për Zotin në lëmin e Araunahut, Gebuseitit".

19 Kështu Davidi shkoi, simbas fjalës së Gadit, ashtu si kishte urdhëruar Zoti.

20 Araunahu shikoi dhe dalloi mbretin dhe shërbëtorët e tij që drejtoheshin nga ai; atëherë ai doli dhe u shtri para mbretit me fytyrën për tokë.

21 Pastaj Araunau tha: "Pse mbreti, zotëria im, ka ardhur te shërbëtori i tij?". Davidi u përgjigj: "Për të blerë nga ti këtë lëmë dhe për të ndërtuar mbi të një altar për Zotin, me qëllim që mjerimi të largohet nga populli".

22 Araunahu i tha Davidit: "Mbreti, zotëria im, le të marrë dhe të ofrojë atë që i pëlqen! Ja qetë e olokaustit; veglat e shirjes dhe zgjedha e qeve do të shërbejë si dru.

23 O mbret, të gjitha këto gjëra Araunahu ia fal mbretit". Pastaj Araunahu i tha mbretit: "Zoti, Perëndia yt, të qoftë i mbarë!".

24 Por mbreti iu përgjigj Araunahut: "Jo, unë do t’i blej këto gjëra nga ti me çmimin që kushtojnë, dhe nuk do t’i ofrojë Zotit, Perëndisë tim, olokauste që nuk më kushtojnë asgjë". Kështu Davidi bleu lëmin dhe qetë për pesëdhjetë sikla argjendi.

25 Pastaj Davidi ndërtoi në atë vend një altar për Zotin dhe ofroi olokauste dhe flijime falenderimi. Kështu Zoti mori parasysh lutjen e bërë nga vendi dhe mjerimi u largua nga populli i Izraelit.

Galatasve 4

Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,

por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,

por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: “Abba, Atë!.”

Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;

kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t’u nënshtroheni?

10 Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.

11 Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

12 O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s’më keni bërë asnjë të keqe.

13 Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;

14 dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s’patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.

15 Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m’i jepnit mua.

16 A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

17 Ata tregohen të zellshëm ndaj jush, por jo për qëllime të ndershme; madje ata duan t’ju shkëputin që të jeni të zellshëm ndaj tyre.

18 Mirë është të jesh gjithnjë i zellshëm për të mirë, dhe jo vetëm kur ndodhem midis jush.

19 Djemtë e mi, që unë i lind përsëri, derisa të formohet Krishti në ju!

20 Do të doja tashti të isha midis jush dhe ta ndryshoja tingullin e zërit tim, sepse jam ndërdyshas ndaj jush.

21 Po më thoni, ju që doni të jeni nën ligj, a nuk e dëgjoni ligjin?

22 Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij: një nga shërbëtorja dhe tjetri nga e lira.

23 Dhe ai që lindi nga shërbëtorja lindi sipas mishit, por ai që lindi nga e lira lindi për hir të premtimit.

24 Këto gjëra kanë një kuptim alegorik, sepse këto dy gra janë dy besëlidhje: një nga mali Sinai, që ngjiz për skllavëri, dhe është Agari.

25 Dhe Agari është mali Sinai në Arabi dhe i përgjigjet Jeruzalemit të kohës së sotme; dhe ajo është skllave me bijtë e saj.

26 Ndërsa Jeruzalemi nga lart është i lirë dhe është nëna e ne të gjithëve.

27 Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë, që nuk lind! Shpërthe dhe klith, ti që nuk i provon dhembjet e lindjes, sepse bijtë e së braktisurës do të jenë më të shumtë se të asaj që e kishte burrin.”

28 Kurse ne, o vëllezër, jemi bij të premtimit, sikundër ishte Isaku.

29 Po, sikurse atëherë ai që lindi sipas mishit përndiqte atë që kishte lindur sipas Frymës, kështu është edhe tani.

30 Po çfarë thotë shkrimi? “Dëboje skllaven dhe djalin e saj, sepse i biri i skllaves nuk mund të jetë trashëgimtar bashkë me djalin e së lirës.”

31 Kështu, pra, vëllezër, ne nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës.

Ezekieli 31

31 Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e tretë, ditën e parë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, i thuaj Faraonit, mbretit të Egjiptit dhe turmës së tij: Kujt i ngjet ti në madhështinë tënde?

Ja, Asiria jote ishte një kedër Libani, me degë të bukura, me hijen e një pylli, me trung të gjatë dhe me majë që ngrihej midis degëve të dëndura.

Ujrat e bënin të rritej, uji i nëndheshëm e kishte bërë të lartë, me lumenjtë e tij që rridhnin rreth e qark vendit ku ishte mbjellë, ndërsa u dërgonte rrëketë e tij tërë drurëve të fushës.

Prandaj lartësia e saj ishte ngritur mbi të gjithë drurët e fushës, degët e tij ishin shumuar, ato ishin zgjatur nga bollëku i ujrave gjatë rritjes së tij.

Tërë zogjtë e qiellit bënin folenë midis degëve të tij, tërë kafshët e fushës pillnin nën degët e tij, dhe të gjitha kombet e mëdhenj rrinin në hijen e tij.

Ishte i bukur në madhështinë e tij për gjatësinë e degëve të tij, sepse rrënja e tij ndodhej pranë ujrave të bollshme.

Kedrat nuk ia kalonin në kopshtin e Perëndisë, selvitë nuk arrinin të barazonin degët e tij dhe gështenjat nuk ishin as si degët e tij me gjethe; asnjë dru në kopshtin e Perëndisë nuk ishte i barabartë me të nga bukuria.

E kisha bërë të bukur në bollëkun e degëve të tij, prandaj e kishin zili të gjithë drurët e Edenit, që ndodheshin në kopshtin e Perëndisë".

10 Prandaj, kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se është ngritur në lartësi dhe ka vënë majën e tij ndër degë të dendura dhe zemra e tij u bë krenare për shkak të lartësisë së tij,

11 do ta jap në dorë të kombit më të fuqishëm, me qëllim që të bëjë me të çfarë i pëlqen; unë e përzura për shkak të ligësisë së tij.

12 Të huajt, më të tmerrshmit e kombeve, e prenë dhe e braktisën; degët e tij kanë rënë në male dhe në të gjitha luginat, degët e tij ndodhen të thyera pranë të gjitha rrjedhave ujore të vendit; tërë popujt e dheut kanë zbritur duke u larguar nga hija e tij dhe e kanë braktisur.

13 Mbi rrënojat e tij vijnë e qëndrojnë tërë zogjt e qiellit dhe mbi degët e tij janë të gjitha kafshët e fushës,

14 kështu që asnjë dru i mbjellë pranë ujrave të mos krenohet për lartësinë e tij, të mos e nxjerrë më majën e tij midis degëve të dëndura dhe që asnjë dru që pi ujë të ngrihet me forcën e tij mbi lartësinë e tij, sepse të gjithë i janë caktuar vdekjes, thellësive të tokës, midis bijve të njerëzve, midis atyre që zbresin në gropë".

15 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ditën që zbriti në Sheol e bëra ditë zie; për të e mbulova humnerën, ndala lumenjtë e tij dhe ujrat e mëdha u ndalën; për të mbajti zi Libani dhe për të u thanë gjithë drurët e fushës.

16 Me zhurmën e rënies së tij i bëra të dridhen kombet, kur e bëra të zbresë në Sheol bashkë me ata që zbresin në gropë; dhe në thellësitë e tokës u përdëlluan të gjitha drurët e Edenit, më të zgjedhurit dhe më të bukurit e Libanit, të gjithë ata që pinin ujrat.

17 Edhe ata zbritën bashkë me të në Sheol në mes të atyre që u vranë nga shpata, po, ata që ishin krahu i tij dhe qëndronin në hijen e tij në mes të kombeve.

18 Kujt i ngjan ti, pra, për nga lavdia dhe madhështia midis drurëve të Edenit? Megjithatë u plandose bashkë me drurët e Edenit në thellësitë e tokës; do të qëndrosh në mes të të parrethprerëve, bashkë me ata që janë vrarë nga shpata. Ja ç’do t’i ndodhë Faraonit dhe gjithë turmës së tij," thotë Zoti, Zoti.

Psalmet 79

79 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash.

Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave.

Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste.

Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark.

Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr?

Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd,

sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij.

Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur.

Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd.

10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu.

11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje.

12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot.

13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi.