Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 2

"Pastaj u kthyem prapa dhe u nisëm nëpër shkretëtirë në drejtim të Detit të Kuq, ashtu si më pati thënë Zoti, dhe u sollëm rreth malit Seir për një kohë të gjatë.

Pastaj Zoti më foli duke thënë:

"Jeni sjellë mjaft rreth këtij mali; kthehuni nga veriu.

Dhe urdhëron popullin duke i thënë: Jeni duke kaluar kufirin e bijve të Ezaut, vëllezërve tuaj, që banojnë në Seir; ata do të kenë frikë nga ju; prandaj hapni sytë;

mos i provokoni, sepse nuk do t’ju jap asgjë nga vendi i tyre, as aq sa mund të shkelë një këmbë, sepse malin e Seirit ia kam dhënë Ezaut, si pronë të tij.

Do të blini me para prej tyre ushqimet që do të hani dhe do të blini gjithashtu me para ujin që do të pini.

Sepse Zoti, Perëndia yt, të ka bekuar në gjithë punën e duarve të tua; është kujdesur për udhëtimin tënd nëpër shkretëtirën e madhe. Zoti, Perëndia yt, ka qenë me ty gjatë këtyre dyzet viteve dhe asgjë nuk të ka munguar".

Kështu kaluam përtej bijve të Ezaut, vëllezërve tanë, që banonin në Seir dhe, duke evituar rrugën e Arabahut, si dhe Eliathin dhe Etsion-Geberin, u tërhoqëm dhe vazhduam duke kaluar nëpër shkretëtirën e Moabit.

Pastaj Zoti më tha: "Mos sulmo Moabin dhe mos lufto kundër tij, sepse nuk do të të jap asnjë pjesë të vendit të tyre si trashëgimi, duke qenë se u kam dhënë Arin si pronë pasardhësve të Lotit.

10 (Në kohët e kaluara këtu banonin Emimët, një popull i madh, i shumtë dhe trupmadh si Anakimët.

11 Edhe këta konsideroheshin gjigantë, ashtu si Anakimët; por Moabitët i quanin Emimë.

12 Seiri banohej në fillim nga Horejtë; por pasardhësit e Ezaut i dëbuan, i shkatërruan dhe u vendosën në vendin e tyre, ashtu si ka bërë Izraeli në vendin që zotëron dhe që i ka dhënë Zoti).

13 Tani çohuni dhe kaloni përroin e Zeredit". Kështu ne kapërcyem përroin e Zeredit.

14 Koha e nevojshme për të arritur nga Kadesh-Barnea deri në kalimin e përroit të Zeredit, ishte tridhjetë e tetë vjet, deri sa tërë brezi i luftëtarëve të zhdukej plotësisht nga kampi, ashtu si u qe betuar atyre Zoti.

15 Në fakt dora e Zotit qe kundër tyre për t’i asgjësuar nga kampi, deri sa të zhdukeshin.

16 Kështu, kur luftëtari i fundit vdiq në mes të popullit,

17 Zoti më foli duke thënë:

18 "Sot ti po bëhesh gati të kalosh kufirin e Moabit në Ar;

19  por duke iu afruar bijve të Amonit, mos i sulmo dhe mos u shpall luftë, sepse unë nuk do të jap asnjë pjesë të vendit të bijve të Amonit si trashëgimi, sepse ua kam dhënë bijve të Lotit si pronë të tyre".

20 (Edhe konsiderohej si një vend gjigantësh; në kohërat e kaluara këtu banonin gjigantë; por Amonitët i quanin Zamzumimë,

21 një popull i madh, i shumtë dhe shtatlartë si Anakimët; por Zoti i shkatërroi para Amonitëve, që i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre,

22 ashtu si kishte vepruar Zoti me pasardhësit e Ezaut që banonin në Seir, kur shkatërroi Horejtë përpara tyre. Ata i dëbuan dhe u vendosën në vendin e tyre deri në ditët tona.

23 Edhe Avejtë, që banonin në fshatrat deri në Gaza, u shkatërruan nga Kaftorejtë, që kidhin ardhur nga Kaftori, të cilët u vendosën në vendin e tyre).

24 "Çohuni, vihuni në marshim dhe kaloni përroin Arnon; ja, unë po e kaloj nën pushtetin tënd Sihonin, Amoreun, mbretin e Heshbonit, dhe vendin e tij; fillo ta shtiesh atë në dorë dhe shpalli luftë.

25 Sot do të filloj t’u kall frikën dhe terrorin tënd popujve nën tërë qiejt, të cilët do të dëgjojnë të flitet për ty, do të dridhen dhe do t’i zërë ankthi nga shkaku yt.

26 Atëherë nga shkretëtira e Kedemothit i dërgova lajmëtarë Sihonit, mbretit të Heshbonit, me propozime paqësore, për t’i thënë:

27 Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd; unë do të shkoj nëpër rrugën Mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas.

28 Ti do të më shesësh me para ushqimet që do të ha dhe do të më japësh me para ujin që do të pi; më lejo vetëm të kaloj me këmbë

29 (ashtu si kanë bërë për mua pasardhësit e Ezaut që banojnë në Seir dhe Moabitët që banojnë në Ar), deri sa unë të kem kaluar Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia ynë, na dha".

30 Por Sihoni, mbret i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim nëpër territorin e tij, sepse Zoti, Perëndia yt, i kishte ngurtësuar frymën dhe e kishte bërë kryeneç, për të ta dhënë në duart e tua, siç është pikërisht sot.

31 Dhe Zoti më tha: "Shiko, kam filluar të kaloj nën pushtetin tënd Sihonin dhe vendin e tij; fillo ta pushtosh, që ti të bëhesh zotëruesi i vendit të tij".

32 Atëherë Sihoni doli kundër nesh me gjithë njerëzit e tij, për t’u ndeshur në Jahats.

33 Por Zoti, Perëndia ynë, na e dha në dorë, dhe ne e mundëm atë, bijtë e tij dhe tërë njerëzit e tij.

34 Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij dhe shfarosëm burrat, gratë dhe fëmijët e çdo qyteti; nuk lamë gjallë asnjë.

35 Morëm si plaçkë vetëm bagëtinë dhe plaçkën e qyteteve që kishim pushtuar.

36 Nga Aroeri, që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në luginë, deri në Galaad, nuk pati asnjë qytet që të ishte shumë i fortë për ne; Zoti Perëndia ynë, na i dha të gjitha në dorën tonë.

37 Por nuk iu afrove vendit të bijve të Amonit, dhe asnjë vendi anës përroit Jabok, as qyteteve të vendit malor dhe tërë qëndrave që Zoti, Perëndiai ynë, na kishte ndaluar të sulmonim.

Psalmet 83-84

83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.

Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,

Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;

dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)

Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,

10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.

11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,

12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".

13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.

84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!

Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.

Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.

Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)

Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!

Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.

Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.

O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)

Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.

10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.

11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.

12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!

Isaia 30

30 "Mjerë bijtë rebelë, thotë Zoti, që bëjnë projekte që nuk vijnë nga unë, që lidhin aleanca, por pa Frymën time, për të grumbulluar mëkate mbi mëkate;

që shkojnë poshtë në Egjipt pa konsultuar më parë gojën time, për t’u përforcuar në forcën e Faraonit dhe për të kërkuar strehë në hijen e Egjiptit!

Por forca e Faraonit do të jetë turpi juaj dhe streha në hije të Egjiptit fatkeqësia juaj.

Sepse princat e tij kanë shkuar në Tsoan dhe ambasadorët e tij kanë arritur në Hanes.

Por do të turpërohen të gjithë nga një popull që nuk do t’u hyjë fare në punë, që nuk do t’iu japë asnjë ndihmë o përfitim, por vetëm turp dhe poshtërim.

Një profeci kundër kafshëve të Neghevit: nëpërmjet një vendi të mjeruar dhe plot ankthe, prej të cilit vijnë luanesha dhe luani, nepërka dhe gjarpëri i zjarrtë që fluturon, ata mbartin pasuritë e tyre mbi kurrizin e gomarëve dhe thesaret e tyre mbi kurrizin e deveve një populli prej të cilit nuk kanë për të përfituar asgjë.

Sepse ndihma e Egjiptit është e kotë dhe e padobishme, prandaj unë e quaj: "Rahab-Hem-Shebeth".

Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, për gjithnjë, përjetë.

Sepse ky është një popull rebel, janë bij gënjeshtarë, bij që nuk duan të dëgjojnë ligjin e Zotit,

10 që u thonë shikuesve: "Mos kini vegime," dhe profetëve: "Mos na profetizoni gjëra të vërteta, na tregoni gjëra të këndshme, na profetizoni gjëra mashtruese.

11 Dilni jashtë rruge, braktisni shtegun e drejtë, largoni nga sytë tona të Shenjtin e Izraelit!"".

12 Prandaj kështu thotë i Shenjti i Izraelit: "Me qenë se ju e përçmoni këtë fjalë dhe keni besim te shtypja dhe te ligësia, dhe mbështeteni mbi to,

13 kjo paudhësi do të jetë për ju si e çarë që rrezikon të rrëzohet, një dalje te një mur i lartë, rrëzimi i të cilit ndodh papritmas, në një çast,

14 dhe thyhet si një enë prej balte të pjekur, që dikush copëton pa mëshirë duke mos mundur të gjejë në copat e tij qoftë edhe një copë për të marrë zjarr në vatër ose për të marrë ujë nga sterna".

15 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti, i Shenjti i Izraelit: "Duke u kthyer tek unë dhe duke pushuar tek unë, do të shpëtoni; forca juaj qëndron në qetësinë dhe në besimin tuaj. Por ju nuk keni dashur,

16 madje keni thënë: "Jo, ne do të ikim me kuajt tanë!". Prandaj ju do të ikni. Dhe: "Do të shkojmë me kuaj të shpejtë!". Prandaj ata që do t’ju ndjekin do të jenë edhe më të shpejtë.

17 Një mijë prej jush do të ikin nën kërcënimin e një të vetmi; nën kërcënimin e pesë vetave do të ikni me vrap, deri sa të rrini si një hu mbi majën e një mali, si një flamur mbi një kodër".

18 Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai!

19 O popull i Sionit që banon në Jeruzalem, ti nuk do të qash më. Ai do të të bëj nder me siguri; duke dëgjuar zërin e britmës sate; sapo të të dëgjojë, do të përgjigjet.

20 Edhe sikur Zoti t’ju japë bukën e ankthit dhe ujin e shtypjes, megjithatë ata që të mësojnë nuk do të duhet të fshihen, dhe sytë e ty do të shohin mësuesit e tu.

21 Kur do të shkoni djathtas ose kur do të shkoni majtas, veshët e tu do të dëgjojnë prapa teje një fjalë që do të thotë: "Kjo është rruga, ecni në të!".

22 Konsiderojini si të papastra shëmbëlltyrat tuaja të gdhendura të veshura me argjend dhe shëmbëlltyrat tuaja prej metali të derdhur të veshura me ar; do t’i flakni tutje si një gjë e papastër, "Jashtë!," do t’u thoni atyre.

23 Atëherë ai do t’i japë shiun për farën tënde që do të kesh mbjellë në tokë; dhe buka që toka do të prodhojë do të jetë e shijshme dhe e bollshme; atë ditë bagëtia jote do të kullosë në kullota të gjera.

24 Qetë dhe gomarët që punojnë tokën do të hanë forazhin me kripë, të ajrosur me lopatën e drithit.

25 Mbi çdo mal të lartë dhe mbi çdo kodër të lartë do të ketë rrëke dhe rrjedha uji ditën e masakrës së madhe, kur do të rrëzohen kullat.

26 Drita e hënës do të jetë si drita e diellit, dhe drita e diellit do të jetë shtatë herë më e fortë, si drita e shtatë ditëve, ditën kur Zoti do të lidhë plagën e popullit të tij dhe do të shërojë plagën e shkaktuar nga goditjet e tij.

27 Ja, emri i Zotit vjen nga larg; zemërimi i tij është i zjarrtë dhe barra e tij e rëndë; buzët e tij janë plot indinjatë dhe gjuha e tij si një zjarr që të përpin;

28 fryma e tij është si një përrua që vërshon dhe që arrin deri në qafë për të shoshitur kombet me shoshën e shkatërrimit dhe për të vënë në nofullat e popujve një fre që t’i bëjë të përdalin.

29 Atëherë do t’ia merrni një këngë si natën kur kremtoni një festë; dhe do të keni gëzim në zemër, ashtu si ai që shkon me zërin e fyellit në malin e Zotit, në kështjellën e Izraelit.

30 Pastaj Zoti do të bëjë të dëgjohet zëri i tij madhështor dhe do të tregojë si godet me krahun e tij kur tërbohet zemërimi i tij, në flakën e një zjarri gllabërues, në mes shpërthimesh të furishme, uraganësh dhe breshëri gurësh.

31 Me qenë se Asiria do të goditet nga frika e zërit të Zotit, që do ta rrahë me shufër;

32 dhe çdo goditje që do të jepet me shkopin të cilin Zoti do të bëjë t’i bjerë mbi të, do të shoqërohet nga tingujt e dajreve dhe të qesteve. Ai do të luftojë kundër asaj duke tundur dorën në mënyrë kërcënuese.

33 Tofeti është përgatitur prej shumë kohe, ai është gati edhe për mbretin; ky e ka bërë të thellë dhe të gjerë; mbi turrën e druve për ta djegur ka zjarr dhe dru me shumicë; fryma e Zotit, si një rrymë squfuri, do ta ndezë.

Juda

Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit, të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht:

mëshira, paqja dhe dashuria u shumoftë në ju.

Shumë të dashur, ndërsa isha ngulmues që t’ju shkruaja për shpëtimin e përbashkët, ndjeva nevojën t’ju shkruaj juve, dhe t’ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe trasmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.

Sepse depërtuan ndërmjet jush disa njerëz, që qenë shënuar që moti për këtë dënim, të pabesë që e kthejnë hirin e Perëndisë tonë në imoralitet dhe mohojnë të vetmin Zotëri Perëndi, dhe Zotin tonë Jezu Krisht.

Dhe dua t’ju kujtoj, ndonëse tashmë i dini gjithë këto, se Zoti, pasi e shpëtoi popullin e tij nga vendi i Egjiptit, pastaj i shkatërroi ata që nuk besuan.

Ai i ruajti me pranga të përjetshme në errësirë për gjyqin e ditës së madhe, edhe engjëjt që nuk e ruajtën gjendjen e tyre të parë, po e lanë banimin e tyre,

posi Sodoma dhe Gomora edhe qytetet përreth, që u dhanë pas kurvërimit dhe u dhanë pas çoroditjesh seksuale, janë vënë përpara si shembull, duke pësuar ndëshkimin e një zjarri të përjetshëm;

në të njëjtën menyrë ndotin edhe këta ëndërrues mishin, përbuzin pushtetin dhe blasfemojnë kundër dinjiteteve.

Por kryeengjëlli Mikael, kur në kundërshtim me djallin debatonte për trupin e Moisiut, nuk guxoi të shqiptojë një gjykim fyes, por tha: “Zoti të qortoftë!.”

10 Kurse këta flasin keq për të gjitha gjërat që nuk i dinë, dhe për të gjitha gjërat që njohin në menyrë natyrale, si kafshë pa arësye, në këto gjëra prishin veten,

11 Mjerë ata, sepse kanë marrë rrugën e Kainit dhe u dhanë pas çoroditjes së Balaamit për fitim dhe mbaruan në rebelim e Koreut.

12 Këta janë njolla në agapit tuaja, kur hanë e pinë bashkë me ju pa druajtje duke kullotur veten e tyre; ata janë re pa ujë, të shtyrë andej këndej nga erërat, drurë vjeshte pa fruta, dyfish të vdekur, të shkulur me rrënjë,

13 valë deti të egra që shkumbëzojnë paudhësitë e tyre, yje të këputur për të cilët është ruajtur terri i errësirës për gjithmon.

14 Dhe për këta profetizoi edhe Enoku, i shtati pas Adamit, duke thënë: “Ja, Zoti erdhi me mijërat e tij të shenjtë,

15 për të bërë gjyqin kundër të gjithëve dhe për të bindur të gjithë të pabesët në mes tyre për të gjitha veprat e paudhësisë dhe për të gjitha fjalët fyese që mëkatarët e pabesë folën kundër tij.”

16 Këta janë murmuritës, që ankohen për fatin e tyre, që ecin sipas pasioneve të tyre; dhe goja e tyre flet fjalë krenarie dhe u bëjnë lajka njerëzve për dobi të vet.

17 Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht.

18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë.

19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.

20 Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë,

21 ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.

22 Dhe kini dhemshuri për njëri duke përdorur dallim,

23 por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi.

24 Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim,

25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.