M’Cheyne Bible Reading Plan
19 Pastaj i thanë Joabit: "Ja, mbreti qan dhe mban zi për Absalomin".
2 Kështu fitorja atë ditë u shndërrua në zi për të gjithë popullin, sepse populli dëgjoi atë ditë të thuhet: "Mbreti është i dëshpëruar për shkak të birit të tij".
3 Atë ditë populli hyri fshehurazi në qytet, ashtu si largohen fshehurazi dhe tërë turp ata që ia mbathin gjatë betejës.
4 Mbreti kishte mbuluar fytyrën dhe bërtiste me zë të lartë: "O biri im Absalom, o Absalom, biri im, biri im!".
5 Atëherë Joabi hyri në shtëpi të mbretit dhe tha: "Ti sot mbulon me turp fytyrën e të gjithë njerëve që në këtë ditë shpëtuan jetën tënde, atë të bijve dhe të bijave të tua, jetën e bashkëshortes dhe të konkubinave të tua,
6 sepse ti dashuron ata që të urrejnë dhe urren ata që të duan; sot ke treguar qartë që komandantët dhe ushtarët nuk kanë asnjë vlerë për ty; dhe tani kuptoj se, po të ishte gjallë Absalomi dhe ne të ishim këtë ditë të tërë të vdekur, atëherë do të ishe i kënaqur.
7 Tani, pra, çohu dil dhe foli zemrës së shërbëtorëve të tu, sepse betohem në emër të Zotit se, po nuk dole, asnjeri nuk do të qëndrojë me ty këtë natë; dhe kjo do të ishte fatkeqësia më e madhe që të ka rënë që kur ishe i ri e deri më sot".
8 Atëherë mbreti u ngrit dhe u ul te porta; dhe kjo iu njoftua tërë popullit, duke thënë: "Ja, mbreti është ulur te porta". Kështu tërë populli doli në prani të mbretit. Ndërkaq ata të Izraelit kishin ikur secili në çadrën e vet.
9 Në të gjitha fiset e Izraelit populli i tërë diskutonte dhe thoshte: Mbreti na çliroi nga duart e armiqve tanë dhe na shpëtoi nga duart ee Filistejve; dhe tani i është dashur të ikë nga vendi për shkak të Absalomit.
10 Por Absalomi, të cilin ne e kishim vajosur mbret mbi ne, vdiq në betejë. Dhe tani pse nuk flisni për kthimin e mbretit?".
11 Atëherë mbreti David dërgoi t’u thotë priftërinjve Tsadok dhe Abiathar: Foluni pleqve të Judës dhe u thoni atyre: "Pse ju duhet të jeni të fundit për kthimin e mbretit në shtëpinë e tij, sepse bisedat e tërë Izraelit kanë arritur deri te mbreti, pikërisht në këtë shtëpi?
12 Ju jeni vëllezër të mi, ju jeni kocka dhe mishi im. Pse duhet të jeni të fundit në kthimin e mbretit?".
13 Dhe i thoni Amasas: "A nuk je ti kocka dhe mishi im? Këtë më bëftë Perëndia, madje edhe më keq, në rast se ti nuk bëhesh për gjithnjë komandanti i ushtrisë në vend të Joabit".
14 Kështu Davidi anoi zemrën e të gjithë njerëzve të Judës, sikur të ishte zemra e një njeriu të vetëm; prandaj ata i dërguan t’i thonë mbretit: Kthehu ti me gjithë shërbëtorët e tuu".
15 Atëherë mbreti u kthye dhe arriti në Jordan; dhe ata të Judës erdhën në Gilgal për t’i dalë përpara mbretit dhe për t’i siguruar kalimin e Jordanit.
16 Beniaminiti Shimei, bir i Geras, që ishte nga Bahurimi, nxitoi me njerëzit e Judës t’i dalë përpara Davidit.
17 Ai kishte me vete një mijë njerëz të Beniaminit dhe Tsiban, shërbëtorin e shtëpisë së Saulit, me pesëmbëdhjetë bijtë e tij dhe njëzet shërbëtorët e tij. Ata e kaluan Jordanin para mbretit.
18 Ata kaluan me trap për ta çuar matanë familjen e mbretit dhe për të bërë atë që u dukej e mirë për mbretin. Ndërkaq Shimei, bir i Geras, ra përmbys përpara mbretit, në çastin kur ai kalonte Jordanin,
19 Dhe i tha mbretit: "Mos më ngarko me asnjë faj, imzot, dhe harro të keqen që shërbëtori yt ka bërë ditën që mbreti, zotëria im, dilte nga Jeruzalemi; mbreti të mos e ketë parasysh.
20 Sepse shërbëtori yt pranon se ka mëkatuar. Dhe ja, sot kam qenë i pari i tërë shtëpisë së Jozefit që i dal përpara mbretit, zotërisë tim".
21 Por Abishai, bir i Tserujahut, filloi të thotë: A nuk duhet të dënohet me vdekje Shimei, sepse ka mallkuar njeriun e vajosur nga Zoti?".
22 Davidi tha: "Ç’marrëdhënie kam unë me ju, bijtë e Tserujahut, që sot u treguat kundërshtarë të mi? A mund ta dënosh sot me vdekje dikë në Izrael? A nuk e di, vallë që sot jam mbret i Izraelit?".
23 Pastaj mbreti i tha Shimeit: "Ti nuk ke për të vdekur!". Dhe mbreti iu betua atij për këtë.
24 Edhe Mefiboshethi, nip i Saulit, i doli përpara mbretit. Ai nuk i kishte mjekuar këmbët, nuk e kishte rruar mjekrën dhe nuk i kishte larë rrobat nga dita që kishte ikur mbreti deri në kthimin e tij në paqe.
25 Kur arriti nga Jeruzalemi për të takuar mbretin, ky i tha: "Pse nuk erdhe me mua, Mefibosheth?".
26 Ai u përgjigj: "O mbret, imzot, shërbëtori im më mashtroi, sepse shërbëtori yt kishte thënë: "Unë do të shaloj gomarin, do të hip mbi të dhe do të shkoj me mbretin," sepse shërbëtori yt është çalaman.
27 Përveç kësaj, ai ka shpifur kundër shërbëtorit tënd pranë mbretit, zotërisë sime; por mbreti, zotëria im, është si një engjëll i Perëndisë; bëj, pra, atë që do të të pëlqejë.
28 Në fakt tërë ata të shtëpisë së atit tim nuk meritojnë tjetër gjë veç vdekjes përpara mbretit, zotërisë tim; megjithatë ti e kishe caktuar shërbëtorin tënd ndër ata që hanin në tryezën tënde. Prandaj çfarë të drejte tjetër do të kisha për t’i bërtitur mbretit?".
29 Mbreti i tha: "Nuk është nevoja të shtosh fjalë të tjera. Unë kam vendosur; Ti dhe Tsiba ndajini tokat".
30 Atëherë Mefiboshethi iu përgjigj mbretit: "Le t’i marrë të gjitha, sepse mbreti, zotëria im, u kthye në paqe në shtëpinë e tij".
31 Edhe Galaaditi Barzilaj zbriti nga Rogelimi dhe kaloi Jordanin bashkë me mbretin, për ta shoqëruar matanë Jordanit.
32 Barzilaj ishte shumë i vjetër, tetëdhjetë vjeç; ai e kishte furnizuar me ushqime mbretin kur ky ndodhej në Mahanaim, sepse ishte shumë i pasur.
33 Mbreti i tha Barzialit: "Eja me mua matanë lumit dhe unë do të kujdesem për ushqimin tënd pranë meje në Jeruzalem".
34 Por Barzilaj iu përgjigj mbretit: "Sa vjet jetë më kanë mbetur akoma që unë të shkoj me mbretin në Jeruzalem?
35 Tani unë jam tetëdhjetë vjeç; a mund të dalloj akoma atë që është e mirë nga ajo që është e keqe? A mund ta shijojë akoma shërbëtori yt atë që ha o atë që pi? A mund të dëgjojë unë akoma zërin e këngëtarëve dhe të këngëtareve. Pse shërbëtori yt duhet t’i bëhet barrë mbretit, zotërisë tim?
36 Shërbëtori yt do të shkojë me mbretin matanë Jordanit për një copë rrugë; po pse mbreti duhet të ma lajë me një shpërblim të tillë?
37 Por lëre shërbëtorin tënd të kthehet prapa dhe që unë të mund të vdes në qytetin tim pranë varrit të atit tim dhe të nënës sime! Por ja shërbëtori yt Kimham; le të vijë ai me mbretin, zotërinë tim, dhe bëj për të atë që do të të pëlqej".
38 Mbreti u përgjigj: "Kimhami do të vijë me mua dhe unë do të bëj për të atë që do të të pëlqejë ty; po, unë do të bëj për ty të gjitha ato që më kërkon".
39 Kështu tërë populli kaloi Jordanin dhe e kaloi edhe mbreti. Pastaj mbreti e puthi Barzilain dhe e bekoi, dhe ai u kthye në shtëpinë e vet.
40 Mbreti vazhdoi rrugën në drejtim të Gilgalit, i shoqëruar nga Kimhami. Tërë populli i Judës e përcolli mbretin dhe kështu bëri edhe gjysma e popullit të Izraelit.
41 Atëherë tërë Izraelitët erdhën te mbreti dhe i thanë: "Pse vëllezërit tanë, njerëzit e Judës, të kanë marrë fshehurazi dhe kanë bërë të kalojnë Jordanin mbreti, familja e tij dhe të gjithë njerëzit e Davidit?".
42 Tërë njerëzit e Judës iu përgjigjën njerëzve të Izraelit: "Sepse mbreti është fisi ynë i afërt. Pse zemëroheni për këtë? Mos kemi ngrënë, vallë me shpenzimet e mbretit, ose na ka dhënë ndonjëherë dhurata?".
43 Por njerëzit e Izraelit iu përgjigjën njerëzve të Judës, duke thënë: Ne na takojnë dhjetë pjesë të mbretit, prandaj Davidi është më tepër yni see sa juaji; për çfarë arësye na keni përçmuar? Nuk kemi qenë ne të parët që propozuam kthimin e mbretit tonë?". Por fjala e njerëzve të Judës ishte më e ashpër se ajo e njerëzve të Izraelit.
12 Sigurisht nuk kam dobi nga të mburrurit; prandaj do t’ia filloj me vegimet dhe zbulesat e Zotit.
2 Unë njoh një njeri në Krishtin, i cili, para katërmbëdhjetë vjetësh (a ishte në trup, a ishte jashtë trupit, nuk e di; Perëndia e di), u rrëmbye gjer në të tretin qiell.
3 Dhe e di se ai njeri (a me trupin ose pa trupin, nuk e di, Perëndia e di),
4 u rrëmbye në parajsë dhe dëgjoi fjalë të patregueshme, që nuk është e lejuar të thuhen nga njeri.
5 Për atë njeri unë do të krenohem, por nuk do të krenohem për veten time, veç se për dobësitë e mia.
6 Edhe sikur të doja të krenohesha, nuk do të isha i marrë, sepse do të flisja të vërtetën; por nuk e bëj këtë, se mos ndonjë më çmon më tepër nga ajo që më sheh, a më tepër nga ajo që dëgjon nga unë.
7 Dhe, që të mos më rritet mendja për shkak të jashtëzakonshmërisë së zbulesave, m’u dha një gjëmb në mish, një engjëll i Satanit, për të më rënë me grushta, që të mos mbahem me të madh.
8 Lidhur me këtë iu luta tri herë Zotit që ta largonte nga unë.
9 Por ai më tha: “Hiri im të mjafton, sepse fuqia ime përsoset në dobësi.” Prandaj me kënaqësi të madhe do të krenohem më tepër për dobësitë e mia, që fuqia e Krishtit të rrijë tek unë.
10 Prandaj unë kënaqem në dobësi, në fyerje, në nevoja, në përndjekje, në ngushtica për shkak të Krishtit, sepse, kur jam i dobët, atëherë jam i fortë.
11 U bëra i marrë duke u mburrur; ju më shtrënguat, sepse u desh që ju të më rekomandoni, sepse nuk qeshë aspak më poshtë se apostujt e lartë, edhe pse unë nuk jam asgjë.
12 Shenjat e apostullit u vërtetuan ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe çudira.
13 Vallë nëse ju mbetët prapa, pra, nga kishat e tjera, rveç se në faktin se unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë gabim.
14 Ja, kjo është e treta herë që jam gati të vij te ju, dhe nuk dua t’ju bëhem barrë, sepse s’kërkoj pasuritë tuaja, por juve; sepse bijtë nuk e kanë për detyrë të mbledhin për prindërit, por prindërit për bijtë.
15 Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithse ju dua më fort dhe më doni më pak.
16 Ashtu qoftë! Unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë, duke qenë dinak ju zura me dredhi.
17 Mos përfitova vallë ndonjë gjë nga ju me anë të ndonjë që dërgova te ju?
18 Unë iu luta Titit dhe me të dërgova edhe këtë vëlla. Mos përfitoi gjë Titi nga ju? A nuk kemi ecur me të njëjtin frymë dhe në të njëjtat gjurmë?
19 A mendoni përsëri se ne kërkojmë të justifikohemi para jush? Ne flasim përpara Perëndisë, në Krishtin, dhe të gjitha këto, o fort të dashur, janë për ndërtimin tuaj.
20 Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, shpërthime, përgojime, insinuata, kryelartësi, ose trazira midis jush;
21 se mos kur të vijë sërish, Perëndia im do të më përulë në mes tuaj dhe unë do të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk u penduan për fëlliqësinë, kurvërinë dhe shthurjen që praktikuan.
26 Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, që fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:
2 "Bir njeriu, duke qenë se Tiro ka folur kundër Jeruzalemit: "Ah, Ah! Porta e popujve është thyer, ajo është drejtuar nga unë; unë do të mbushem tani që ajo është prishur"".
3 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Tiro. Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe, ashtu si deti bën të ngrihen valët e tij.
4 Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur.
5 Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit, sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti; "do të plaçkitet nga kombet;
6 edhe bijat e tij që janë në fshat do të vriten nga shpata; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
7 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish.
8 Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash.
9 Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij.
10 Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë.
11 Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen.
12 Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde.
13 Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më.
14 Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti".
15 Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt?
16 Atëherë princat e detit do të zbresin nga fronet e tyre, do të heqin mantelet e tyre dhe do të heqin rrobat e tyre të qëndisura; do të vishen me drithërim, do të ulen për tokë, do të dridhen në çdo çast dhe do të jenë të tronditur thellë për ty.
17 Do të ngrenë një vajtim për ty dhe do të thonë: "Si je zhdukur, ti që ishe banuar nga princat e detit, qytet i famshëm, që ishe aq i fuqishëm në det? Ti dhe banorët e tu u kallje tmerrin gjithë atyre që banonin atje.
18 Tani ishujt do të dridhen ditën e rënies sate, ishujt e detit do të tmerrohen nga fundi yt"".
19 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të të bëj një qytet të shkretë si qytetet që nuk kanë banorë dhe kur të bëj të ngjitet humnera mbi ty dhe ujërat e mëdha të të mbulojnë,
20 atëherë do të zbresësh me ata që zbresin në gropë, midis popullit të dikurshëm, do të të bëj të rrish në thellësitë e tokës, në vende të shkretuara qysh prej lashtësisë, me ata që zbresin në gropë me qëllim që ti të mos banohesh më, por do të jap shkëlqim mbi tokën e të gjallëve.
21 Do të bëj një tmerr dhe nuk do të jesh më; do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë kurrë më," thotë Zoti, Zoti.
74 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate?
2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar.
3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore.
4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj.
5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli.
6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij.
7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë.
8 Kanë thënë në zemër të tyre: "T’i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend.
9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur.
10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë?
11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji.
12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë.
13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat.
14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës.
15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm.
16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin.
17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin.
18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd.
19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu.
20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune.
21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd.
22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën.
23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell.