M’Cheyne Bible Reading Plan
29 Filistejtë i mblodhën tërë forcat e tyre në Afek, ndërsa Izralitët e ngritën kampin e tyre pranë burimit të Jezreelit.
2 Princat e Filistejve ecnin me qindëshet dhe mijëshet e tyre, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij ecnin në praparojë me Akishin.
3 Atëherë krerët e Filistejve thanë: "Çfarë po bëjnë kështu këta Hebrenj?". Akishi iu përgjegj krerëve të Filistejve: "A nuk është ky Davidi, shërbëtori i Saulit, i mbretit të Izraelit, që ka qenë me mua këto ditë o këto vite? Tek ai nuk kam gjetur asnjë të metë të madhe nga dita e dezertimit të tij e deri më sot!".
4 Por krerët e Filistejve u zemëruan me të dhe i thanë: "Ktheje prapa atë njeri me qëllim që të kthehet në vendin që i ke caktuar. Të mos vijë të luftojë me ne që të mos na bëhet armiku ynë gjatë betejës. Si mund ta rifitojë ai favorin e zotërisë së tij, veçse me kokën e këtyre njerëzve?
5 Nuk është ky Davidi për të cilin këndonin në kor në vallet, duke thënë: Sauli ka vrarë mijëshen e tij dhe Davidi dhjetë mijëshen e tij??"".
6 Atëherë Akishi thirri Davidin dhe i tha: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ti je një njeri i drejtë dhe shoh me kënaqësi ecejakun tënd me mua në ushtri, sepse nuk kam gjetur asgjë të keqe që prej ditës që ti erdhe e deri më sot; por ty nuk të përlqejnë princat.
7 Prandaj kthehu prapa dhe shko në paqe, mos bëj asgjë që nuk u pëlqen princave të Filistejve.
8 Davidi i tha Akishit: "Çfarë kam bërë dhe çfarë ke gjetur te shërbëtori yt prej ditës që erdha me ty e deri më sot, që të më pengojnë të luftoj kundër armiqve të mbretit, zotërisë tim?".
9 Akishi iu përgjegj Davidit, duke thënë: "E kupton që për sytë e mi ti je i këndshëm si një engjëll i Perëndisë; por princat e Filistejve kanë thënë: Ai nuk duhet të marrë pjesë me ne në betejë!!".
10
11 Kështu Davidi dhe njerëzit e tij u ngritën herët në mëngjes për t’u nisur dhe për t’u kthyer në vendin e Filistejve. Filistejtë përkundrazi shkuan në Jezreel.
30 Kur Davidi dhe njerëzt e tij arritën në Tsiklag ditën e tretë, Amalekitët kishin kryer një plaçkitje në Negev dhe në Tsiklag; kishin pushtuar Tsiklagun dhe i kishin vënë zjarrin;
2 kishin zënë robër gratë dhe tërë ata që ndodheshin aty, të vegjël a të rritur; nuk kishin vrarë asnjeri, por i kishin marrë me vete dhe kishin shkuar.
3 Kur Davidi dhe njerëzit e tij arritën në qytet, ja, qyteti ishte shkatërruar nga zjarri, dhe gratë, bijtë dhe bijat e tyre i kishin marrë me vete si robër.
4 Atëherë Davidi dhe tërë ata që ishin me të ngritën zërin dhe qanë, deri sa nuk patën forcë të qajnë.
5 Dy bashkëshortet e Davidit, Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, e cila kishte qënë bashkëshorte e Nabalit, figuronin gjithashtu midis robërve.
6 Davidi ishte shqetësuar shumë se njerëzit flisnin për ta vrarë atë me gurë, sepse të gjithë e kishin shpirtin të trishtuar për shkak të bijve dhe të bijave të tyre; por Davidi u forcua tek Zoti, Perëndia i tij.
7 Pastaj Davidi i tha priftit Abiathar, birit të Ahimelekut: "Të lutem, më sill efodin". Abiathari i solli efodin Davidit.
8 Kështu Davidi u këshillua me Zotin dhe e pyeti: "A duhet ta ndjek këtë bandë? Do ta arrij?". Zoti iu përgjegj: "Ndiqe, sepse do ta arrish me siguri dhe do të rimarrësh pa tjetër çdo gjë".
9 Kështu Davidi u nis me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete dhe arriti në përruan Besor, ku u ndalën ata që kishin mbetur prapa;
10 por Davidi vazhdoi ndjekjen me katërqind njerëz, kurse dyqind mbetën prapa, sepse ishin tepër të lodhur për të kapërcyer përruan e Besorit.
11 Gjetën në fushë një Egjiptas dhe ia çuan Davidit. I dhanë bukë për të ngrënë dhe ujë për të pirë;
12 i dhanë gjithashtu një copë bukë fiku dhe dy vile rrushi. Pasi hëngri, ai e mblodhi veten, sepse nuk kishte ngrënë bukë as nuk kishte pirë ujë tri ditë e tri netë me radhë.
13 Davidi e pyeti: "Ti kujt i përket dhe nga vjen?". Ai u përgjegj: "Jam një egjiptas i ri, shërbëtor i një Amalekiti; pronari im më braktisi, sepse tri ditë më parë u sëmura.
14 Kemi bërë një plaçkitje në jug të Kerethejve, në territorin e Judës dhe në jug të Tsalebit, dhe i kemi vënë zjarrin Tsiklagut".
15 Davidi i tha: "A mund të më çosh poshtë ku ndodhet kjo bandë?". Ai u përgjegj: "Betomu në emër të Perëndisë që nuk do të më vrasësh dhe nuk do të më dorëzosh në duart e pronarit tim, dhe unë do të çoj poshtë, aty ku gjendet kjo bandë".
16 Dhe e çoi poshtë; dhe ja Amalekitët ishin shpërndarë në të gjithë vendin; hanin, pinin dhe bënin festë për plaçkën e madhe që kishin sjellë nga vendi i Filistejve dhe nga vendi u Judës.
17 Davidi i sulmoi nga muzgu deri në mbrëmjen e ditës tjetër; asnjeri prej tyre nuk shpëtoi, përveç katërqind të rinjve që u hipën deveve dhe ia mbathën.
18 Kështu Davidi rimori të gjitha ato që Amalekitët kishin marrë me vete; Davidi gjeti edhe dy gratë e tij.
19 Kështu ata nuk humbën asgjë, as të vegjëlit as të rriturit, as bijtë as bijat, as plaçkat dhe as ndonjë gjë tjetër që u kishin marrë. Davidi i rimori të gjitha.
20 Kështu Davidi shtiu në dorë kopetë e bagëtisë së imët dhe tufat e bagëtisë së trashë; dhe ata që ecnin para bagëtive thonin: "Kjo është plaçka e Davidit!".
21 Pastaj Davidi arriti te dyqind njerëzit që kishin qenë tepër të lodhur për të shkuar pas Davidit që ai i kishte lënë në përruan e Besorit. Këta i dolën para Davidit dhe njerëzve që ishin me të. Kështu Davidi iu afrua atyre dhe i përshëndeti.
22 Atëherë tërë njerëzit e këqij dhe të poshtër që kishin shkuar me Davdin filluan të thonë: "Me qenë se këta nuk erdhën me ne; nuk do t’u japim asgjë nga plaçka që kemi shtënë në dorë, përveç grave dhe fëmijve të secilit; t’i marrin dhe të ikin!".
23 Por Davidi tha: "Mos u sillni kështu, o vëllezërit e mi, me atë që Zoti na ka dhënë duke na mbrojtur dhe duke vënë në duart tona bandën që kishte ardhur kundër nesh.
24 Po kush do t’ju dëgjojë në këtë propozim? E njëjtë ka për të qenë pjesa e atij që shkon për të luftuar dhe e atij që rri pranë plaçkave; do t’i ndajmë pjesët bashkë".
25 Qysh prej asaj dite u veprua kështu; Davidi e bëri atë statut dhe normë për Izraelin deri në ditën e sotme.
26 Kur Davidi u kthye në Tsiklag, një pjesë të plaçkës ua dërgoi pleqve të Judës, miq të tij, duke thënë: "Ja një dhuratë e ardhur nga plaçka që u morëm armiqve të Zotit".
27 U dërgoi atyre të Bethelit, të Ramothit të Negevit dhe atyre të Jatirit,
28 atyre të Areorit, atyre të Sifmothit, atyre të Eshtemoas,
29 atyre të Rakalit, atyre të qyteteve të Jerameelitëve dhe atyre të qyteteve të Kenejve,
30 atyre të Hormahut, atyre të Kor-Ashanit, atyre të Athakut,
31 atyre të Hebronit dhe atyre të të gjithë vendeve nga kishte kaluar Davidi me njerëzit e tij.
10 Sepse, o vëllezër, unë nuk dua që ju të mos edini se gjithë etërit tanë ishin nën renë, dhe të gjithë shkuan nëpër det,
2 dhe të gjithë u pagëzuan për Moisinë në re dhe në det,
3 të gjithë hëngrën të njëjtën ushqim frymëror,
4 dhe të gjithë pinë të njëjtën pije frymërore, sepse pinin prej shkëmbi frymëror që i ndiqte; edhe ky shkëmb ishte Krishti.
5 Por Perëndia nuk pëlqeu shumicën prej tyre; sepse ranë të vdekur në shkretëtirë.
6 Dhe këto u bënë si shembuj për ne, që ne të mos dëshirojmë gjëra të liga, ashtu si dëshiruan ata,
7 dhe që të mos bëheni idhujtarë si disa nga ata, sikurse është shkruar: “Populli u ul që të hajë dhe të pijë, dhe u ngrit për të luajtur.”
8 Dhe të mos kurvërojmë, ashtu si kurvëruan disa nga ata edhe ranë të vdekur në një ditë njëzet e tre mijë.
9 Dhe të mos e tundojmë Krishtin, ashtu si e tunduan disa nga ata dhe u vranë nga gjarpërinjtë.
10 Dhe mos u ankoni, ashtu si u ankuan disa nga ata, dhe u vranë nga shkatërruesi.
11 Dhe të gjitha këto gjëra u ndodhën atyre si shëmbull, dhe janë shkruar për paralajmërimin tonë, për ne që jemi në mbarim të epokët.
12 Prandaj ai që mendon se qëndron më këmbë, le të shohë se mos bjerë.
13 Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që t’ju tundojnë përtej fuqive tuaja, por me tundimin do t’ju japë dhe rrugë dalje, që ju të mund ta përballoni.
14 Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.
15 Po ju flas si të mënçur, gjykojeni ju atë që them:
16 kupa e bekimit, që ne bekojmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në gjakun e Krishtit? Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit?
17 Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.
18 Shikoni Izraelin sipas mishit: ata që hanë flijimet a nuk janë pjesëmarrës të altarit?
19 Çfarë them, pra? Se idhulli është diçka? Apo se ajo që u është flijuar idhujve është diçka?
20 Jo, por them se gjërat që flijojnë johebrenjtë, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë; tani unë nuk dua që ju të keni pjesë me demonët.
21 Ju nuk mund të pini kupën e Zotit dhe kupën e demonëve; ju nuk mund të merrni pjesë në tryezën e Zotit dhe në tryezën e demonëve.
22 A duam ne të provokojmë Zotin deri në xhelozi? A jemi ne më të fortë se ai?
23 Gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është dobishme; gjithçka më lejohet, por jo çdo gjë ndërton.
24 Askush të mos kërkojë interesin e vet, por atë të tjetrit.
25 Hani çdo gjë që shitet te kasapi, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes,
26 sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”
27 Dhe në qoftë se ndonjë jobesimtar ju fton dhe ju doni të shkoni, hani çdo gjë që t’u vihet përpara, pa bërë pyetje për shkak të ndërgjegjes.
28 Por në qoftë se dikush ju thotë: “Kjo është nga flijim idhujsh,” mos hani, për atë që ju paralajmëroi dhe për shkak të ndërgjegjes, sepse “toka është e Zotit dhe gjithçka që ajo përmban.”
29 Dhe them ndërgjegje, por jo tënden, por të tjetrit. Sepse përse të gjykohet liria ime nga ndërgjegja e një tjetri?
30 Në qoftë se unë marr pjesë me falenderim, pse të shahem për atë gjë, për të cilin falenderoj?
31 Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t’i bëni për lavdinë e Perëndisë.
32 Mos u bëni shkak skandali as për Judenj, as për Grekë, as për kishën e Perëndisë;
33 sikurse edhe unë vetë përpiqem t’u pëlqej të gjithëve në çdo gjë, nuk kërkoj përfitimin tim, por të të shumtëve, që të shpëtohen.
8 Në vitin e shtatë, në muajin e gjashtë, më pesë të muajit, ndodhi që, ndërsa isha ulur në shtëpinë time dhe pleqtë e Judës ishin ulur përballë meje, dora e Zotit, Zotit, ra në atë vend mbi mua.
2 Unë shikova, dhe ja, një figurë njeriu me pamje zjarri; nga sa i përngjanin ijët e tij nga poshtë dukeshin prej zjarri, dhe nga sa i përngjanin ijët e tij lart dukeshin të shkëlqyera si ngjyra e bronzit inkandeshent.
3 Ai shtriu një formë dore dhe më kapi nga një tufë e flokëve të mi, dhe Fryma më ngriti midis tokës dhe qiellit dhe më çoi në vegime të Perëndisë në Jeruzalem, në hyrje të portës së brendëshme që shikon nga veriu, ku ndodhej idhulli i xhelozisë, që shkakton xhelozinë.
4 Dhe ja, atje ndodhej lavdia e Perëndisë të Izraelit, e ngjashme me vegimin që kisha parë në fushë.
5 Pastaj ai më tha: "Bir njeriu, ço tani sytë e tu në drejtim të veriut". Kështu i ngrita sytë drejt veriut dhe ja, në veri të portës së altarit, pikërisht në hyrje, ishte idhulli i xhelozisë.
6 Dhe ai më tha: "Bir njeriu, shikon atë që bëjnë këta, veprimet e rënda të neveritshme që kryen këtu shtëpia e Izraelit dhe që më bëjnë të largohem nga shenjtërorja ime? Por ti do të shikosh veprime edhe më të rënda të neveritshme".
7 Kështu ai më çoi në hyrjen e oborrit. Unë shikova dhe ja, një vrimë në mur.
8 Atëherë ai më tha: "Bir njeriu, bëj një vrimë në mur". Kështu bëra një vrimë në mur, dhe ja, një hapje.
9 Ai më tha: "Hyr dhe shiko gjërat e neveritshme që këta po kryejnë këtu".
10 Kështu hyra për të parë, dhe ja, lloj lloj rrëshqanorë dhe kafshë të neveritshme si dhe tërë idhujt e shtëpisë së Izraelit të riprodhuara rreth e rrotull mbi mur.
11 Dhe para tyre rrinin shtatëdhjetë burra nga pleqtë e shtëpisë së Izraelit, dhe në mes tyre ishte Jaazaniahu, biri i Shafanit, secili me temjanicën e vet prej së cilës dilte një re e dendur temjani.
12 Pastaj më tha: "Bir njeriu, a ke parë atë që bëjnë pleqtë e shtëpisë së Izraelit në errësirë, secili në dhomën e figurave të tij? Në fakt thonë: Zoti nuk na shikon, Zoti e ka braktisur vendinn"".
13 Pastaj më tha: "Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme që ata po kryejnë".
14 Atëherë më çoi në hyrjen e portës së shtëpisë të Zotit, që është nga veriu; dhe ja, atje ishin ulur gra që qanin Tamuzin.
15 Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? Ti do të shikosh gjëra edhe më të neveritshme nga këto".
16 Atëherë më çoi në oborrin e brendshëm të shtëpisë të Zotit; dhe ja, në hyrje të tempullit të Zotit, midis portikut dhe altarit, ishin rreth njëzetepesë burra, me kurriz të kthyer nga tempulli i Zotit dhe fytyrë të kthyer nga lindja, që adhuronin diellin nga lindja.
17 Pastaj më tha: "A e pe, bir njeriu? A është vallë një gjë e vogël për shtëpinë e Judës të kryejë gjërat e neveritshme që ajo bën këtu? Në fakt ata e kanë mbushur vendin me dhunë dhe kanë provokuar disa herë zemërimin tim. Dhe ja, e çojnë degën te hunda.
18 Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj".
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.