M’Cheyne Bible Reading Plan
21 Në kohën e Davidit pati zi buke për tre vjet me radhë; Davidi kërkoi fytyrën e Zotit dhe Zoti i tha: "Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai i ka bërë të vdesin Gabaonitët".
2 Atëherë mbreti thirri Gabaonitët dhe u foli atyre. (Gabaonitët nuk u përkisnin bijve të Izraelit, por ishin mbeturina të Amorejve; bijtë e Izraelit ishin betuar se do t’i kursenin, por Sauli, në zellin e tij të madh për bijtë e Izraelit dhe të Judës, ishte orvatur t’i shfaroste).
3 Atherë Davidi u tha Gabaonitëve: "Çfarë duhet të bëj për ju dhe në ç’mënyrë duhet të veproj për të ndrequr gabimin e bërë, me qëllim që ju të bekoni trashëgiminë e Zotit?".
4 Gabaonitët u përgjigjën: "Ne nuk na intereson të kemi ar apo argjend nga Sauli apo nga shtëpia e tij, as duhet të vrisni për ne ndonjë njeri në Izrael". Mbreti tha: "Atë që kërkoni, unë do ta bëj për ju".
5 Ata iu përgjigjën mbretit: "Për njeriun që na ka konsumuar dhe që ka menduar të na shfarosë për të na zhdukur nga tërë territori i Izraelit,
6 të na dorëzohen shtatë burra nga trashëgimtarët e tij dhe ne do t’i varim përpara Zotit në Gibeah të Saulit, që është i zgjedhuri i Zotit". Mbreti tha: "Do t’jua dorëzoj".
7 Mbreti e kurseu Mefoboshethin, birin e Jonatanit, bir të Saulit, për shkak të betimit të Zotit që ekzistonte midis tyre, midis Davidit dhe Jonathanit, birit të Saulit.
8 Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait,
9 dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit.
10 Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qendruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin mbi ta gjatë ditës dhe egërsirat e fushave të afroheshin natën.
11 Kur i treguan Davidit atë që kishte bërë Ritspah, bija e Ajahut, konkubinë e Saulit,
12 Davidi shkoi të marrë eshtrat e Saulit dhe ato të Jonathanit, birit të tij, nga banorët e Jabeshit të Galaadit, që i kishin marrë me vete nga sheshi i Beth-Shanit, ku Filistejt i kishin varur kur kishin mundur Saulin në Gilboa.
13 Ai solli që andej eshtrat e Saulit dhe ato të birit të tij, Jonatanit, dhe u mblodhën edhe eshtrat e atyre që ishin varur.
14 Eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit, birit të tij, u varrosën në vendin e Beniaminit, në Tselah, në varret e Kishit, atit të Saulit. Kështu bënë të gjitha ato që mbreti kishte urdhëruar. Pas kësaj Perëndia dëgjoi lutjen që u bë për vendin.
15 Filistejtë i shpallën përsëri luftë Izraelit dhe Davidi zbriti me gjithë shërbëtorët e tij për të luftuar kundër Filistejve; dhe Davidi u lodh;
16 Ishbi-Benobi, një nga pasardhësit e gjigantëve që kishte një shtizë që peshonte treqind sikla bronzi dhe mbante në brez një shpatë të re, kishte ndër mend të vriste Davidin;
17 por Abishai, bir i Tserujahut, shkoi në ndihmë të mbretit, goditi Filisteun dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit u betuan: "Ti nuk do të dalësh më me ne për të luftuar dhe nuk do ta shuash llambën e Izraelit".
18 Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve.
19 U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit.
20 U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.
21 Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau.
22 Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij.
1 Pali, apostull (jo nga njerëzit, as me anë të njeriut, por nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Perëndisë Atit, që e ringjalli prej së vdekurish),
2 dhe gjithë vëllezërit që janë me mua, kishave të Galatisë:
3 Paçi hir e paqe nga Perëndia Ati dhe nga Zoti ynë Jezu Krishti,
4 që e dha veten e tij për mëkatet tona, për të na shpëtuar nga kjo kohë e mbrapshtë, sipas vullnetit të Perëndisë, Atit tonë,
5 i cili pastë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.
6 Çuditëm që kaluat kaq shpejt nga ai që ju thirri ju me anë të hirit të Krishtit, në një ungjill tjetër,
7 i cili nuk është tjetër; por ka disa njerëz që ju turbullojnë dhe që duan ta shtrëmbërojnë ungjillin e Krishtit.
8 Por, edhe sikur ne ose një engjëll i qiellit t’ju predikonte një ungjill të ndryshëm nga ai që ju kemi predikuar, qoftë i mallkuar.
9 Ashtu si e thamë më përpara, po e them përsëri: Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar.
10 Sepse unë tani vallë kërkoj të fitoj miratimin e njerëzve apo të Perëndisë? Apo kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Sepse, po të kërkoja t’u pëlqej njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit.
11 Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni se ungjilli që është shpallur nga unë, nuk është sipas njeriut,
12 sepse unë nuk e kam marrë as e kam mësuar nga ndonjë njeri, por e kam marrë nëpërmjet një zbulese nga Jezu Krishti.
13 Sepse ju keni dëgjuar për sjelljen time të atëhershme në judaizëm, si e përndiqja me egërsi të madhe kishën e Perëndisë dhe e shkatërroja.
14 Dhe si përparoja në judaizëm më tepër se shumë bashkëkohës të kombit tim, duke qenë jashtëzakonisht i zellshëm për traditat e etërve të mi.
15 Po, kur i pëlqeu Perëndisë, që më kishte ndarë që nga barku i nënës dhe më thirri me anë të hirit të tij,
16 që të zbulojë në mua Birin e tij, që unë t’ua shpall midis joçifutëve, unë nuk mora menjëherë këshill nga mish dhe gjak,
17 as nuk u ngjita në Jeruzalem tek ata që ishin apostuj përpara meje, por shkova në Arabi dhe u ktheva përsëri në Damask.
18 Pastaj, pas tre vjetësh, u ngjita në Jeruzalem për të takuar Pjetrin dhe ndenja me të pesëmbëdhjetë ditë.
19 Dhe nuk pashë asnjë nga apostujt e tjerë, përveç Jakobit, vëllait të Zotit.
20 Dhe në këto që po ju shkruaj, ja, përpara Perëndisë, nuk gënjej.
21 Pastaj shkova në krahinat e Sirisë dhe të Kilikisë.
22 Por unë personalisht isha i panjohur nga kishat e Judesë, që janë në Krisht,
23 po ato kishin dëgjuar vetëm: “Ai që na persekutonte më përpara, tani po shpall atë besim që ai shkatërronte,”
24 dhe përlëvdonin Perëndinë për shkakun tim.
28 Fjala e Zotit mu drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, i thuaj princit të Tiros: Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se zemra jote është ngritur dhe ke thënë: "Unë jam një perëndi; unë ulem mbi një fron perëndish në zemrën e deteve," ndërsa je një njeri dhe jo një perëndi, ndonëse e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë.
3 Ja, ti je më i urtë se Danieli, asnjë sekret nuk mbetet i fshehur për ty.
4 Me diturinë tënde dhe zgjuarësinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua;
5 me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur".
6 Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë,
7 prandaj ja, unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme; këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde.
8 Do të të zbresin në gropë dhe ti do të vdesësh nga vdekja e atyre që janë shpuar në zemër të deteve.
9 A do të vazhdosh të thuash: "Unë jam një perëndi," përpara atij që do të të vrasë? Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë.
10 Ti do të vdesësh nga vdekja e të parrethprerëve, nga dora e huaj, sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti.
11 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
12 "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria.
13 Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me lloj lloj gurësh të çmuar: rubina, topaze, diamante, krizolit oniks, diaspre, safire, karbonke, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove.
14 Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri.
15 Ti ishe i përsosur në rrugët e tua qysh nga dita që u krijove, deri sa nuk u zbulua te ti çoroditja.
16 Nga shkaku i bollëkut të tregtisë sate, u mbushe me dhunë dhe mëkatove; prandaj të kam përzënë si një profan nga mali i Perëndisë dhe të kam shkatërruar, o kerubin mbrojtës në mes gurësh zjarri.
17 Zemra jote ishte ngritur për bukurinë tënde; ke korruptuar diturinë tënde për shkak të shkëlqimit tënd. Unë po të hedh për tokë, po të vë përpara mbretërve, me qëllim që të të shohin.
18 Në morinë e paudhësive të tua, me ligësinë e tregtisë sate ke përdhosur shenjtëroret e tua. Prandaj nxora nga mesi yt një zjarr që të ka gllabëruar, dhe të kam katandisur në hi mbi tokë përpara syve të atyre që të shikonin.
19 Tërë ata që të njihnin ndër popujt mbeten të habitur prej teje; je bërë objekt tmerri dhe nuk do të ekzistosh kurrë më".
20 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
21 "Bir njeriu, kthe fytyrën drejt Sidonit dhe profetizo kundër tij,
22 dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Sidon, dhe do të përvëlohem në mes teje. Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të zbatoj në mes të tij gjykimet e mia dhe do të shënjtërohem tek ai.
23 Do të dërgoj mbi të murtajën dhe gjak në rrugët e tij; në mes të tij do të bien të vrarët nga shpata, dërguar nga çdo anë kundër saj. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti.
24 Dhe nuk do të ketë më për shtëpinë e Izraelit asnjë gjemb apo ferrë që midis gjithë fqinjve të tij që e përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Zoti".
25 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të kem grumbulluar ata të shtëpisë së Izraelit nga mesi i popujve ndër të cilët janë shpërndarë dhe të shenjtërohem tek ata në sytë e kombeve, ata do të banojnë në vendin e tyre, që i dhashë shërbëtorit Jakob.
26 Do të banojnë të sigurt, do të ndërtojnë shtëpi dhe do të mbjellin vreshta; po, do të banojnë të sigurt, kur do të zbatoj gjykimet e mia mbi të gjithë ata që i përçmojnë. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre".
77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.
2 Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.
3 Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)
4 Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.
5 Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.
6 Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.
7 A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?
8 Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?
9 Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)
10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,
12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.
13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.
17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.