M’Cheyne Bible Reading Plan
10 Mbas këtyre gjërave, mbreti i bijve të Amonit vdiq dhe biri i tij Hanun mbretëroi në vend të tij.
2 Davidi tha: "Unë dua të sillem me Hanunin, birin e Nahashit, me po atë dashamirësi që i ati tregoi ndaj meje". Kështu Davidi dërgoi shërbëtorët e tij për ta ngushëlluar për humbjen e atit. Por kur shërbëtorët e Davidit arritën në vendin e bijve të Amonit,
3 krerët e bijve të Amonit i thanë Hanunit, zotërisë së tyre: "Beson me të vërtetë që Davidi të ka dërguar njerëz për ngushëllim për të nderuar atin tënd? A nuk të ka dërguar përkundrazi shërbëtorët e tij për të vëzhguar qytetin, për të spiunuar dhe për të shkatërruar atë?".
4 Atëherë Hanuni i zuri shërbëtorët e Davidit, i detyroi të rruajnë gjysmën e mjekrës dhe të presin për gjysmë rrobat e tyre deri në vithe, pastaj i la të shkojnë.
5 I informuar për këtë ngjarje, Davidi dërgoi disa persona për t’i takuar, sepse këta njerëz e ndjenin veten shumë të turpëruar. Mbreti dërgoi t’u thonë: "Rrini në Jeriko sa t’ju rritet mjekra, pastaj do të ktheheni".
6 Kur bijtë Amonit e kuptuan që ishin bërë të urryer për Davidin, dërguan të rekrutojnë njëzet mijë këmbësorë te Sirët e Beth-Rehobit dhe te Sirët e Tsobas, një mijë njerëz të mbretit të Maakahut dhe dymbëdhjetë mijë nga njerëzit e Tobit.
7 Me të dëgjuar këtë lajm, Davidi dërgoi kundër tyre Joabin me gjithë ushtrinë e njerëzve trima.
8 Bijtë e Amonit dolën dhe u renditën për betejë në hyrjen e portës së qytetit, ndërsa Sirët e Tsobas dhe të Rehobit, dhe njerëzit e Tobit dhe të Maakahut u rreshtuan në fushë të hapur.
9 Kur Joabi e kuptoi se kundër tij ishin dy fronte beteje, njeri nga përpara dhe tjetri nga prapa, ai zgjodhi disa nga njerëzit më të mirë të Izraelit dhe i renditi për betejë kundër Sirëve;
10 Pjesën tjetër të njerëzve e la në duart e vëllait të tij Abishai për t’i renditur kundër bijve të Amonit.
11 Pastaj i tha: "Në qoftë se Sirët janë më të fortë se unë, ti do të më vish në ndihmë; por në qoftë se bijtë e Amonit janë më të fortë se ti, atëherë unë do të të vij në ndihmë.
12 Tregohu guximtar dhe të jemi të fortë për të mbrojtur popullin tonë dhe qytetet e Perëndisë tonë; dhe Zoti të bëjë atë që i pëlqen".
13 Pastaj Joabi me gjithë njerëzit e tij ecën përpara për të luftuar kundër Sirëve; por këta ikën para tij.
14 Kur bijtë e Amonit panë që Sirët kishin ikur, ua mbathën edhe ata para Abishait dhe hynë përsëri në qytet. Atëherë Joabi u kthye nga ekspedita kundër bijve të Amonit dhe erdhi në Jeruzalem.
15 Kur Sirët panë që ishin mundur nga Izraeli, u mblodhën të tërë.
16 Hadadezeri dërgoi lajmëtarë për të sjellë Sirët që ishin matanë Lumit. Ata arritën në Helam, me komandantin e ushtrisë të Hadedezerit, Shobakun, në krye.
17 Kur Davidi u njoftua për këtë gjë, mblodhi tërë Izraelin, kaloi Jordanin dhe arriti në Helam. Sirët u radhitën kundër Davidit dhe nisën betejën.
18 Por Sirët ua mbathën përpara Izraelit; dhe Davidi vrau nga Sirët njerëzit e shtatëqind qerreve dhe dyzet mijë kalorës, goditi Shobakun, komandantin e ushtrisë së tyre, i cili vdiq në atë vend.
19 Kur tërë mbretërit vasalë të Hadadezerit e panë që ishin mundur nga Izraeli, bënë paqe me Izraelin dhe iu nënshtruan atij. Kështu Sirët patën frikë të ndihmonin akoma bijtë e Amonit.
3 A fillojmë përsëri të rekomandojmë veten tonë? Apo mos kemi nevojë, si disa, për letra rekomandimi për ju ose për rekomandime nga ana juaj?
2 Ju jeni letra jonë, e shkruar në zemrat tona, e njohur dhe e lexuar nga të gjithë njerëzit,
3 duke qenë manifestuar se jeni një letër e Krishtit, e hartuar me anë të shërbesës sonë, dhe e shkruar jo me bojë, por me Frymën e Perëndisë së gjallë, dhe jo mbi rrasa guri, por mbi rrasa të një zemre mishi.
4 Dhe këtë besim ne e kemi në Perëndinë me anë të Krishtit;
5 jo se jemi të aftë prej vetiu të kuptojmë ndonjë gjë sikur vjen nga vetja jonë, por aftësia jonë vjen nga Perëndia,
6 i cili na bëri të aftë të jemi shërbëtorë të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë.
7 Dhe, në qoftë se shërbimi i vdekjes, që ishte gdhendur me shkronja mbi gurë, qe i lavdishëm aq sa bijtë e Izraelit nuk mund të vështronin me sy fytyrën e Moisiut, për shkak të lavdisë së pamjes së tij, që duhet të anullohej,
8 sa më i lavdishëm do të jetë shërbimi i Frymës?
9 Sepse, nëse shërbimi i dënimit qe rrethuar me lavdi, shumë më tepër do të teprojë në lavdi shërbimi i drejtësisë.
10 Sepse ç’ka është lavdëruar nuk është lavdëruar nga kjo pikëpamje, për shkak të asaj lavdie që e kapërcen çdo masë.
11 Sepse, në qoftë se ajo që duhet të anullohej u rrethua me lavdi, ajo që mbetet do të jetë shumë më e lavdishme.
12 Duke pasur, pra, një shpresë të tillë, flasim me shumë guxim,
13 dhe jo si Moisiu, i cili vinte një vel mbi fytyrën e vet, që bijtë e Izraelit të mos vështronin me sy fundin e asaj që duhej të anullohej.
14 Por mendjet e tyre u errën; sepse, në leximin e besëlidhjes së vjetër, po ky vel mbetet pa u hequr, sepse veli anullohet në Krishtin.
15 Por deri më sot, kur lexohet Moisiu, një vel mbetet mbi zemrat e tyre.
16 Por kur Izraeli të kthehet te Zoti, veli do të hiqet.
17 Sepse Zoti është Fryma, dhe atje ku është Fryma e Zotit, atje është liria.
18 Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, posi prej Frymës së Zotit.
17 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, propozo një enigmë dhe i trego një shëmbëlltyrë shtëpisë së Izraelit, dhe thuaji:
3 Kështu thotë Zoti, Zoti: Një shqiponjë e madhe me fletë të mëdha dhe me pendë të gjata, e mbuluar me pupla të ngjyrave të ndryshme, shkoi në Liban dhe këputi majën e një kedri;
4 këputi degëzën e tij më të lartë, e çoi në një vend tregëtie dhe e vendosi në një qytet tregtarësh.
5 Pastaj mori pak farë të vendit dhe e mbolli në një arë pjellore; e vendosi këtë pranë ujrave të bollshme dhe e mbolli si një shelg.
6 Ajo u rrit dhe u bë një hardhi e madhe, por e ulët, degët e së cilës ishin kthyer nga shqiponja, kurse rrënjët ishin poshtë saj. Kështu u bë një hardhi që lëshoi degë dhe gjethe.
7 Por na ishte një shqiponjë tjetër e madhe, me ali të mëdha dhe me shumë pendë; dhe ja, kjo hardhi i ktheu rrënjët e saj drejt asaj dhe i shtriu degët e saj drejt asaj me qëllim që të vaditij nga brazda ku ishte mbjellë.
8 Ajo ishte mbjellë në një tokë të mirë, pranë ujrave të bollshme, me qëllim që të lëshonte degë, të jepte fryte dhe të bëhej një hardhi e mrekullueshme.
9 Thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: A do të mund të shkojë mbarë? A nuk do t’i shrrënjosë shqiponja rrënjët e saj dhe nuk do t’i presë frytet e saj që ta lërë të thahet? Kështu tërë gjethet që ka do të thahen. Nuk do të duhet shumë forcë as shumë njerëz për ta shkulur me rrënjë.
10 Ja, ajo është e mbjellë. A mund të shkojë mbarë? Mos vallë do të thahet krejt kur do të preket nga era e lindjes? Do të thahet në brazdën ku ishte rritur!".
11 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:
12 "I thuaj, pra, kësaj shtëpie rebele: Nuk e merrni vesh çfarë kuptimi kanë këto gjëra? U thuaj atyre: Ja mbreti i Babilonisë erdhi në Jeruzalem, zuri mbretin dhe krerët dhe i çoi me vete në Babiloni.
13 Pastaj mori një prej gjaku mbretëror, lidhi një besëlidhje me të dhe e vuri të betohet. Ai mori me vete edhe burrat e fuqishëm të vendit,
14 me qëllim që mbretëria të binte dhe jo të ngrihej, por, duke respektuar besëlidhjen e tij, të mund të ishte i qëndrueshëm.
15 Por ky u rebelua kundër tij duke dërguar ambasadorët e tij në Egjipt, me qëllim që t’i jepnin kuaj dhe shumë njerëz. A mund t’i shkojë mbarë, a mund të shpëtojë ai që ka bërë gjëra të tilla? A mund të shkelë besëlidhjen dhe megjithatë të shpëtojë?
16 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ai do të vdesë në vendin ku rri mbreti që e ka bërë mbret dhe betimin e të cilit ai ka përçmuar duke shkelur edhe besëlidhjen, afër tij, në mes të Babilonisë.
17 Faraoni nuk do t’i japë ndihmë me ushtrinë e tij të fuqishme dhe me aq njerëz në luftë, kur do të ngrenë ledhe dhe do të ndërtojnë kulla për të shfarosur shumë jetë njerëzore.
18 Ai ka përçmuar betimin duke shkelur besëlidhjen; megjithatë, ja, mbasi dha dorën, ka bërë tërë këto gjëra. Ai nuk do të shpëtojë".
19 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, betimin tim që ai ka përçmuar dhe besëlidhjen time që ai ka shkelur, do të bëj që të bien mbi kokën e tij.
20 Do të shtrij mbi të rrjetën time dhe do të kapet në lakun tim. Do ta çoj në Babiloni dhe aty do të ekzekutoj mbi të vendimin për tradhëtinë e kryer kundër meje.
21 Tërë ikanakët bashkë me formacionet e tij do të bien nga shpata, ndërsa ata që do të shpëtojnë do të shpërndahen në drejtim të të gjitha erërave. Kështu do të pranoni që unë, Zoti, kam folur".
22 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të marr një degëz nga maja e kedrit më të lartë dhe do ta mbjell; nga maja e degëve të tij të reja do të këpus një degëz të njomë dhe do ta mbjell mbi një mal të lartë dhe të ngritur.
23 Do ta mbjell mbi malin e lartë të Izraelit; do të lëshoj degë, do të bëj fryte dhe do të bëhet një kedër i mrekullueshëm. Nën të do të banojnë zogj të çdo lloji; ata do të banojnë nën hijen e degëve të tij.
24 Kështu tërë drurët e fushës do të mësojnë se unë, Zoti, kam ulur drurin e lartë dhe kam ngritur drurin e ulët, kam bërë të thahet druri i gjelbër dhe të mbijë druri i thatë. Unë Zoti, kam folur dhe do ta bëj".
60 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.
2 Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.
3 Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.
4 Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)
5 Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.
6 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.
7 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;
8 Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".
9 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?
10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?
11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.
12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.
61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.
2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,
3 sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.
4 Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)
5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.
6 Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.
7 Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.
8 Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.