M’Cheyne Bible Reading Plan
20 Ndodhej aty një keqbërës i quajtur Sheba, bir i Bikrit, një Beniaminit, i cili i ra borisë dhe tha: "Nuk kemi asnjë pjesë me Davidin dhe asnjë trashëgimi me birin e Isait! O Izraelitë, secili të shkojë në çadrën e vet".
2 Kështu tërë njerëzit e Izraelit e braktisën Davidin për të ndjekur Shebin, birin e Bikrit. Por njerëzit e Judës mbetën të bashkuar me mbretin e tyre dhe e shoqëruan nga Jordani deri në Jeruzalem.
3 Kur mbreti David hyri në shtëpinë e tij në Jeruzalem, i mori të dhjetë konkubinat që kishte lënë për të ruajtur shtëpinë dhe i vendosi në një banesë të mbikqyrur; ai i mbante ato, por nuk hynte te ato; kështu ato mbetën të mbyllura deri ditën e vdekjes së tyre, në një gjendje vejërie.
4 Pastaj mbreti i tha Amasas: "Më mblidh njerëzit e Judës brenda tri ditëve dhe ti vetë të jesh këtu".
5 Amasa u nis, pra, për të mbledhur njerëzit e Judës, por vonoi tej afatit të caktuar.
6 Atëherë Davidi i tha Abishait: "Sheba, biri i Bikrit, do të na bëjë më keq se Absalomi; merr shërbëtorët e zotërisë tënd dhe ndiqe që të mos shtjerë në dorë qytete të fortifikuara dhe të na shpëtojë".
7 Nën komandën e tij shkuan njerëzit e Joabit: Kerethejtë, Pelethejtë dhe tërë njerëzit më trima; dolën nga Jeruzalemi për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.
8 Kur ata arritën pranë gurit të madh që është në Gabaon, Amasa u doli përpara. Joabi kishte veshur një uniformë ushtarake, mbi të cilën kishte brezin me një shpatë në këllëfin e ngritur me ijet; ndërsa po ecte përpara, shpata i ra.
9 Joabi i tha Amasas: "A je mirë, vëllai im?". Pastaj Joabi me dorën e djathtë e kapi Amasan nga mjekra për ta puthur.
10 Amasa nuk vuri re shpatën që Joabi kishte në dorën tjetër; me të ai e goditi në bark dhe përbrëndësat e barkut u përhapën për tokë pa e goditur për së dyti, dhe ai vdiq. Pastaj Joabi dhe i vëllai Abishai filluan të ndiqnin Sheban, birin e Bikrit.
11 Ndërkaq njeri prej të rinjve të Joabit kishte mbetur pranë Amasas dhe thoshte: "Kush e do Joabin dhe kush është për Davidin le të shkojnë pas Joabit!".
12 Por Amasa po përpëlitej në gjak, në mes të rrugës. Kur ai njeri vuri re që tërë populli po ndalej, e tërhoqi zvarrë Amasan jashtë rrugës në një fushë dhe i hodhi sipër një mantel, sepse të gjithë ata që i afroheshin ndaleshin.
13 Kur u hoq nga rruga, të gjithë vazhduan pas Joabit për të ndjekur Sheban, birin e Bikrit.
14 Joabi kaloi në të gjitha fiset e Izraelit deri në Abel dhe në Beth-Maakah. Të gjithë Berejtë u mblodhën dhe i shkuan pas.
15 Shkuan pastaj të rrethojnë Sheban në Abel të Beth-Maakahut dhe ndërtuan kundër qytetit një ledh prej dheu që ngrihej pranë mureve; tërë njerëzit që ishin me Joabin përpiqeshin të dëmtonin muret për t’i rrëzuar.
16 Atëherë një grua e urtë thirri nga qyteti: "Dëgjoni, dëgjoni! Ju lutem, i thoni Joabit të afrohet, sepse dua t’i flas!".
17 Kur iu afrua, gruaja e pyeti: "A je ti Joabi?". Ai u përgjigj: "Jam unë". Atëherë ajo i tha: "Dëgjo fjalët e shërbëtores sate". Ai u përgjigj: Po dëgjojj".
18 Ajo vazhdoi: "Dikur e kishin zakon të thonin: "Do t’i kërkojmë këshillë Abelit," sepse kështu problemi ishte i zgjidhur.
19 Jemi në një nga qytetet më paqësore e më besnike të Izraelit; dhe ti kërkon të shkatërrosh një qytet që është një nënë në Izrael. Pse kërkon të shkatërrosh trashëgiminë e Zotit?".
20 Joabi u përgjigj: "Qoftë larg, larg meje mendimi i shkatërrimit dhe i shkretimit.
21 Punët nuk qëndrojnë kështu; një njeri nga krahina malore e Efraimit i quajtur Sheba, bir i Bikrit, ka ngritur dorën kundër mbretit, kundër Davidit. Më dorëzoni vetëm atë dhe unë do të largohem nga qyteti". Gruaja i tha Joabit: "Ja, koka e tij do të hidhet nga muri".
22 Atëherë gruaja; me urtësinë e saj, iu drejtua tërë popullit; kështu ia prenë kokën Shebas, birit të Bikrit, dhe ia hodhën Joabit. Ky urdhëroi t’i bien borisë dhe të gjithë u larguan nga qyteti dhe secili shkoi në çadrën e vet. Pastaj Joabi u kthye në Jeruzalem pranë mbretit.
23 Joabi ishte në krye të gjithë ushtrisë së Izraelit; Benajahu, bir i Jehojadit, ndodhej në krye të Kerethejve dhe të Pelethejve.
24 Adorami merrej me haraçet; Jozafati, bir i Ahiludit, ushtronte funksionin e kançelierit;
25 Sheva ishte sekretar; Tsadoku dhe Abiathari ishin priftërinj;
26 dhe Ira i Jairit ishte kryeministri i Davidit.
13 Ja, kjo është e treta herë që po vij te ju. “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve.”
2 E thashë edhe më parë, kur isha i pranishëm te ju për të dytën herë, dhe po e them tani që jam larg jush. Po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara dhe të gjithë të tjerëve se, po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri.
3 Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua; dhe ai s’është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në ju.
4 Sepse, megjithëse ai u kryqëzua në dobësinë e tij, ai po rron nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ndaj nesh.
5 Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar.
6 Por unë shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi të përjashtuar.
7 Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë të keqe, jo që të dukemi të miratuar, por që ju të bëni atë që është e mirë edhe sikur ne të ishim të përjashtuar.
8 Ne në fakt nuk kemi asnjë forcë kundër së vërtetës, por vetëm pro së vërtetës.
9 Sepse ne gëzohemi kur jemi të dobët dhe ju jeni të fortë; dhe ne lutemi edhe për këtë: për përsosjen tuaj.
10 Prandaj i shkruaj këto gjëra, kur jam larg jush, që, kur të jem i pranishëm, të mos sillem me ashpërsi, sipas autoritetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar e jo për të prishur.
11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, përsosuni, ngushëllohuni, jini të një mendje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.
12 Përshëndetni njeri tjetrin me një puthje të shenjtë,
13 të gjithë shenjtorët ju përshëndesin.
14 Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. Amen.
27 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Ti, bir njeriu, ngri për Tiron një vajtim,
3 dhe i thuaj Tiros: O ti që je vendosur në hyrje të detit, ti që bën tregti me popujt në shumë ishuj, kështu thotë Zoti, Zoti: O Tiro, ti ke thënë: "Unë jam i një bukurie të përsosur".
4 Kufijtë e tu janë në zemër të deteve; ndërtuesit e tu të kanë dhënë një bukuri të përsosur.
5 E kanë bërë tërë lëndën e anijeve të tua me qipariset e Senirit, kanë marrë kedra të Libanit për të bërë direkun tënd kryesor;
6 dhe i kanë bërë lopatat e tua me lis të Bashanit, e kanë bërë urën tënde me dru pylli të inkrustuar me fildish të sjellë nga ishujtë e Kitimit.
7 Ishte prej liri të hollë të Egjiptit, e punuar me qëndisje, vela që ke shpalosur, që të të shërbente si flamur; ajo që të mbulonte ishte prej hiacinti dhe prej purpre dhe vinte nga ishujt e Elishahut.
8 Banorët e Sidonit dhe të Arvadit ishin vozitësit e tu; të urtët e tu, o Tiro, ishin te ti; ata ishin pilotët e tu.
9 Te ti ishin pleqtë e Gebalit dhe specialistët e tij për të riparuar tërë të çarat e tua; te ti ishin tërë anijet e detit dhe detarët e tyre për të shkëmbyer mallrat e tua.
10 Ata të Persisë, të Ludit dhe të Putit ishin në ushtrinë tënde, si luftëtarë; ata varnin te ti mburojën dhe përkrenaren dhe të jepnin shkëlqim.
11 Bijtë e Arvadit dhe ushtria jote ishin përreth mureve të tua dhe njerëz trima qëndronin mbi kullat e tua; ata i varnin mburojat e tyre përreth mureve të tua; ata e bënin kështu të përsosur bukurinë tënde.
12 Tarshishi tregtonte me ty për shkak të bollëkut të pasurive të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepte argjend, hekur, kallaj dhe plumb.
13 Edhe Javani, Tubali dhe Mesheku bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin njerëzore dhe vegla prej bronzi.
14 Ata të shtëpisë së Togarmahut të jepnin në këmbim të mallrave të tua kuaj qëniet për tërheqje, kuaj vrapimi dhe mushka.
15 Bijtë e Dedanit bënin tregti me ty; tregtia e shumë ishujve kalonte nga duart e tua; si shpërblim të jepnin dhëmbë fildishi dhe abanoz.
16 Siria bënte tregti me ty për shkak të bollëkut të prodhimeve të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepnin gurë të çmuar, purpur, stofa të qëndisur, pëlhura hiri të hollë, koral dhe rubin.
17 Juda dhe vendi i Izraelit tregtonin me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin grurë të Minithit, parfume, mjaltë, vaj dhe balsam.
18 Damasku bënte tregti me ty për shkak të numrit të madh të prodhimeve të tua dhe për bollëkun e pasurive të tua me verë të Helbonit dhe me lesh të bardhë.
19 Vedani dhe Javani sillnin nga Uzahu prodhime në këmbim të mallrave të tua; hekuri i punuar, kasia dhe kallami aromatik ishin ndër mallrat e tua të këmbimit.
20 Dedani tregtonte me ty veshje për të kalëruar.
21 Arabia dhe tërë princat e Kedarit bënin tregti me ty, duke bërë me ty shkëmbime në qengja, deshë dhe cjep.
22 Tregtarët e Shebas dhe të Ramahut bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua ata të jepnin të gjitha aromat më të mira, lloj lloj gurësh të çmuar dhe ar.
23 Herani, Kanehu, Edeni, tregtarët e Shebas, të Asirisë dhe të Kilmadit bënin tregti me ty.
24 Në këmbim të mallrave të tua shkëmbenin me ty sende luksi, mantele të purpurta, stofa të qëndisura, arka rrobash të ndryshme, të lidhura me litarë.
25 Anijet e Tarshishit transportonin mallrat e tua. Kështu u mbushe dhe u pasurove me të madhe në zemër të deteve.
26 Vozitësit e tu të kanë çuar mbi shumë ujra, por era e lindjes të ka shkatërruar në zemër të deteve.
27 Pasuritë e tua, mallrat e tua, prodhimet e tua, detarët e tu, pilotët e tu, ata që ndreqnin të çarat, trafikantët e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë te ti dhe gjithë ajo mori që është mes teje do të bien në zemër të deteve ditën e shkatërrimit tënd.
28 Nga zhurma e britmës së pilotëve të tu fushat e hapura do të dridhen;
29 tërë ata që përdorin lopatën, detarët dhe tërë pilotët e detit do të zbresin nga anijet e tyre dhe do të mbeten në breg.
30 Do të bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre mbi ty; do të klithin me trishtim, do të hedhin pluhur mbi kokën e tyre, do të rrokullisen në pluhur.
31 Për shkakun tënd do të rruajnë kokën, do të vishen me thasë dhe do të qajnë për ty me trishtim të shpirtit, me një dhembje të thellë.
32 Në ankthin e tyre do të ngrenë për ty një vajtim dhe do të vajtojnë për ty: "Kush është si Tiro, e shkatërruar në mes të detit?".
33 Kur mallrat e tua dilnin nga detet, ngopje shumë popuj; me bollëkun e pasurive dhe të mallrave të tua pasuroje mbretërit e tokës.
34 Por kur u theve nga detet në thellësinë e ujrave, mallrat e tua dhe tërë moria e njerëzve në mes teje kanë rënë.
35 Të gjithë banorët e ishujve janë habitur prej teje; mbretërit e tyre i ka zënë një frikë e madhe, pamja e tyre është e tronditur.
36 Tregtarët midis popujve fishkëllejnë mbi ty; je bërë një llahtarë dhe nuk do të ekzistosh më".
75 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua.
2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi.
3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela)
4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!," dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë!
5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë".
6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira.
7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin.
8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin.
9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t’i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit.
10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet.
76 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael.
2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion.
3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela)
4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë.
5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij.
6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur.
7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh?
8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti,
9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela)
10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre.
11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t’i çojnë dhurata të Tmerrshmit.
12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës.