Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Samuelit 28

28 Ato ditë Filistejtë mblodhën ushtrinë e tyre për të luftuar Izraelin. Atëherë Akishi i tha Davidit: "Dije mirë që duhet të dalësh të luftosh bashkë me mua, ti dhe njerëzit e tu".

Davidi iu përgjegj Akishit: "Ti me siguri ke për të parë atë që do të bëjë shërbëtori yt". Atëherë Akishi i tha Davidit: "Mirë, pra, unë do të të bëhem roje personale për gjithnjë".

Samueli kishte vdekur dhe gjithë Izraeli e kishte qarë, e kishin varrosur në Ramah, në qytetin e tij. Dhe Sauli kishte përzënë nga vendi mediumet dhe shortarët.

Kështu Filistejtë u mblodhën dhe erdhën të fushojnë në Shunem, ndërsa Sauli mblodhi tërë Izraelin dhe fushoi në Gilboa.

Kur Sauli pa ushtrinë e Filistejve pati frikë dhe zemra e tij u drodh fortë.

Kështu Sauli i kërkoi këshillë Zotit dhe Zoti nuk iu përgjegj as me anë të ëndrrave, as nëpërmjet Urimit dhe as me anë të profetëve.

Atëherë Sauli u tha shërbëtorëve të tij: "Më gjeni një grua që të jetë mediume, me qëllim që unë të mund të shkoj tek ajo për t’u këshilluar". Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, në En-Dor ka një grua që është mediume".

Kështu Sauli u vesh ndryshe për të mos u njohur dhe u nis me dy burra. Arritën tek ajo grua natën dhe Sauli i tha: "Bëj një shortari për mua, të lutem, me një seancë spiritizmi dhe më thirr atë që do të të them".

Gruaja iu përgjegj: "Ja, ti e di ç’ka bërë Sauli; ai i ka shfarosur nga vendi mediumet dhe shortarët. Pse i ngre një grackë jetës sime, për të shkaktuar vdekjen time?".

10 Atëherë Sauli iu betua në emër të Zotit, duke thënë: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, asnjë ndëshkim nuk do të kesh për këtë!".

11 Gruaja i tha: "Cilin duhet të të nxjerr?". Ai i tha: "Më nxirr Samuelin".

12 Kur pa Samuelin, gruaja bërtiti me zë të lartë; dhe gruaja i tha Saulit: "Pse më mashtrove? Ti je Sauli!".

13 Mbreti iu përgjegj: "Mos ki frikë; çfarë shikon?". Gruaja i tha Saulit: Shoh një qenie mbinjerëzore që ngrihet nga tokaa".

14 Ai e pyeti: "Ç’formë ka?". Ajo u përgjegj: "Éshtë një plak që po ngjitet dhe është mbështjellë me një mantel". Atëherë Sauli kuptoi se ishte Samueli, u përul me fytyrën për tokë dhe ra përmbys.

15 Samueli i tha Saulit: "Pse më shqetësove duke bërë që të dal?". Sauli iu përgjegj: "Ndodhem në një ankth të madh, sepse Filistejtë më luftojnë dhe Perëndia është larguar nga unë, dhe nuk më përgjigjet më as me anë të profetëve as me anë të ëndrrave; prandaj të thirra, që ti të më tregosh se çfarë duhet të bëj".

16 Samueli i tha: "Pse këshillohesh me mua, në qoftë se Zoti është larguar nga ti dhe është bërë armiku yt?

17 Zoti veproi ashtu siç kishte thënë nëpërmjet meje. Zoti e shkëputi mbretërinë nga duart e tua dhe ia dha një tjetri, Davidit,

18 sepse nuk iu binde zërit të Zotit dhe nuk zbatove në jetë zemërimin e thellë të tij kundër Amalekut; për këtë arsye Zoti të bëri sot këtë gjë.

19 Zoti do ta japë edhe Izraelin bashkë me ty në duart e Filistejve; nesër ti dhe bijtë e tu do të jeni me mua. Zoti do të japë gjithashtu ushtrinë e Izraelit në duart e Filistejve.

20 Atëherë Sauli ra menjëherë për së gjati për tokë, sepse ishte trembur shumë nga fjalët e Samuelit; ai kishte qenë edhe më parë pa fuqi, sepse nuk kishte ngrënë tërë atë ditë dhe tërë atë natë.

21 Gruaja iu afrua Saulit dhe duke e parë të tmerruar fare, i tha: "Ja, shërbëtorja jote iu bind zërit tënd; unë vura në rrezik jetën time për t’iu bindur fjalëve që më the.

22 Prandaj dëgjo edhe ti zërin e shërbëtores sate dhe lermë të vë para teje një copë buke; ha, sepse kështu do të marrësh fuqi për ta rifilluar rrugën".

23 Por ai refuzoi dhe tha: "Nuk do të ha". Por shërbëtorët e tij bashkë me gruan ngulën këmbë dhe ai i dëgjoi; kështu u ngrit nga toka dhe u ul në shtrat.

24 Gruaja kishte në shtëpi një viç të majmë; e theri shpejt e shpejt, pastaj mori miellin, gatoi brumin dhe përgatiti disa bukë pa maja.

25 I vuri këto ushqime Saulit dhe shërbëtorëve të tij, dhe ata i hëngrën; pastaj u ngritën dhe u nisën po atë natë.

1 e Korintasve 9

A s’jam unë apostull? A s’jam unë i lirë? Po a nuk e pashë Jezu Krishtin, Zotin tonë? A nuk jeni ju vepra ime në Zotin?

Në qoftë se për të tjerët nuk jam apostull, së paku për ju unë jam; sepse ju jeni vula e apostullimit tim në Zotin.

Kjo është mbrojtja ime ndaj atyre që më hetojnë.

A nuk kemi edhe ne të drejtë të hamë e të pimë?

A nuk kemi edhe ne të drejtë të marrim me vete një bashkëshorte, që të jetë motër në besim, sikurse edhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, edhe Kefa?

Apo vetëm unë dhe Barnaba nuk kemi të drejtë të mos punojmë?

Kush, vallë, shkon në luftë me shpenzimet e veta? Kush mbjell vresht dhe nuk ha nga fryti i tij? Kush kullot një tufë dhe nuk ha nga qumështi i tufës?

A i them këto si njeri? A nuk i thotë këto edhe ligji?

Sepse në ligjin e Moisiut është shkru-ar: “Mos ia lidh gojën kaut që shin.” A u merrka Perëndia me qetë, vallë?

10 Apo e thotë këtë për ne? Vërtetë për ne janë shkruar, sepse kush lëron duhet të lërojë me shpresë, dhe kush shin, duhet të shijë me shpresë që të marrë atë që shpreson.

11 Në qoftë se ne kemi mbjellë midis jush gjërat frymërore, a është gjë e madhe nëse korrim të mirat tuaja materiale?

12 Në qoftë se të tjerë kanë pjesë të kësaj të drejte mbi ju, a nuk do ta kishim ne shumë më tepër? Po ne nuk e përdornim këtë të drejtë; po durojmë çdo gjë, për të mos i vënë asnjë pengesë ungjillit të Krishtit.

13 Nuk e dini ju se ata që kryejnë shërbesën e shenjtë hanë nga gjërat e tempullit, dhe ata që i shërbejnë altarit marrin pjesë nga të mirat e altarit?

14 Kështu edhe Zoti urdhëroi që ata që shpallin ungjillin, nga ungjilli të rrojnë.

15 Por unë nuk përdora asnjë nga këto gjëra as nuk i shkrova, që kështu të më bëhet, sepse për mua është më mirë të vdes se sa dikush ta bëjë të kotë të mburrurit tim.

16 Sepse, në qoftë se unë predikoj ungjillin, s’ka asgjë që unë të mburrem, sepse kjo është një nevojë që më është ngarkuar; edhe mjerë unë, po nuk predikova ungjillin!

17 Sepse, po e bëra këtë vullnetarisht, do të kem një pagë; por po ta bëj kundër dëshirës, mbetet gjithnjë një detyrë që më është besuar.

18 Cila, pra, është paga ime? Që, duke predikuar ungjillin ta bëj ungjillin të ofruar falas, pa e përdorur për keq pushtetin tim në ungjillin.

19 Sepse, ndonëse jam i liruar nga të gjithë, e bëra vetën time shërbëtor të të gjithëve që të fitoj sa më shumë njerëz.

20 Kështu e kam bërë vetën time Jude me Judenjtë për t’i fituar Judenjtë; e kam bërë veten time si një që është nën ligj me ata që janë nën ligj për t’i fituar ata që janë nën ligj;

21 me ata që janë pa ligj e kam bërë veten time si pa ligj (ndonëse nuk isha pa ligjin e Zotit, por nën ligjin e Krishtit), për të fituar ata që janë pa ligj.

22 E kam bërë veten time të dobët me të dobëtit, për të fituar të dobëtit; e kam bërë veten time gjithçka për të gjithë, që të mund të shpëtoj me çdo mënyrë disa njerëz.

23 Dhe këtë e bëj për hir të ungjillit, që të bëhem edhe unë pjestar i tij.

24 A nuk e dini se ata që vrapojnë në pistë, vërtetë vrapojnë të gjithë, por vetëm një e fiton çmimin? Vraponi në mënyrë që ta merrni.

25 Dhe kushdo që merr pjesë në garë kontrollon veten në të gjitha; dhe ata e bëjnë këtë për të marrë një kurorë që prishet, kurse ne për një kurorë që nuk prishet.

26 Unë, pra, vrapoj, por jo sikur jam i pasigurt; kështu luftoj, por jo sikur rrah erën;

27 madje e mundoj trupin tim dhe e nënshtroj, se mos, pasi t’u kem predikuar të tjerëve, të bëhem për t’u përjashtuar.

Ezekieli 7

Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Dhe ti, bir njeriu, kështu i thotë Zoti, Zoti, vendit të Izraelit: Fundi! Erdhi fundi në të katër skajet e vendit.

Tani të kërcënon fundi dhe unë do të dërgoj kundër teje zemërimin tim, do të të gjykoj sipas rrugëve të tua dhe do të hedh mbi ty tërë veprimet e tua të neveritshme.

Syri im nuk do të të kursejë dhe nuk do të kem mëshirë për ty, por do të hedh mbi ty rrugët e tua dhe veprimet e tua të neveritshme do të jenë në mes teje; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Një gjëmë, një gjëmë e paparë, ja ku erdhi.

Fundi erdhi, fundi erdhi. U zgjua për ty; ja, erdhi.

Erdhi mbi ty shkatërrimi, o banor i vendit. Koha erdhi; është e afërt dita e halleve dhe jo ajo e britmave të gëzimit ndër male.

Tani, pas pak, do të derdh mbi ty tërbimin tim dhe do ta shfryj mbi ty zemërimin tim, do të të gjykoj sipas rrugëve të tua dhe do të të ngarkoj të gjitha veprimet e tua të neveritshme.

Syri im nuk do të të kursejë dhe nuk do të kem mëshirë, por do të bëj që të të bien mbi ty rrugët e tua dhe veprimet e tua të neveritshme do të jenë në mes teje; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti që godet.

10 Ja dita, ja ku arriti. Erdhi shkatërrimi. Thupra lulëzoi, kryelartësia buloi.

11 Dhuna është shtuar si një thupër pabesie. Nuk do të mbetet asnjë prej tyre, asnjë nga moria e tyre, asnjë prej tyre; nuk do të ketë asnjë vajtim për ta.

12 Koha erdhi, dita po afrohet. Kush blen të mos gëzohet, kush shet të mos hidhërohet, sepse një zëmërim i zjarrtë kërcënon gjithë morinë e tyre.

13 Sepse ai që shet nuk do të zotërojë atë që ka shitur, edhe sikur të mbetet i gjallë, sepse vegimi përfshin tërë morinë e tyre dhe nuk do të hiqet, dhe askush nuk do të mund të ruajë jetën e vet, duke jetuar në paudhësi.

14 I kanë rënë borisë, dhe të gjithë janë gati, por asnjë nuk shkon në betejë, sepse afshi i zemërimit tim është kundër tërë morisë së tyre.

15 Nga jashtë shpata, nga brenda murtaja dhe uria. Kush është ndër ara do të vdesë nga shpata, kush është në qytet do të gllabërohet nga murtaja dhe nga uria.

16 Por ikanakët që do të arrijnë të shpëtojnë do të rrinë ndër male si pëllumbat e luginës, të gjithë duke rënkuar për shkak të paudhësisë së vet.

17 Të gjitha duart do të bëhen të dobëta dhe tërë gjunjët do të bëhen të dobët si uji.

18 Do të vishen me thasë dhe frika do t’i mbulojë, turpi do të jetë mbi të gjitha fytyrat dhe shogësia mbi tërë kokat e tyre.

19 Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi. Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t’i shpëtojnë ditën e zemërimit të Zotit; nuk do të mund të ngopin shpirtin e tyre as të mbushin barkun e tyre, sepse paudhësia e tyre është bërë shkak pengese.

20 Kanë nxjerrë nga bukuria e stolive të tyre shkas kryelartësie; kanë përftuar figura nga neveritë e tyre dhe nga idhujt e tyre të urrejtshëm. Prandaj do t’i bëj ata një ndyrësi,

21 dhe do t’i lë pra në duart e të huajve dhe plaçkë për të pabesët e dheut që do t’i përdhosin.

22 Do të largoj prej tyre fytyrën time dhe ata do të përdhosin vendin tim sekret; do të hyjnë njerëz që përdorin dhunën dhe do ta përdhosin.

23 Përgatit një zinxhir, sepse vendi është plot me krime gjaku dhe qyteti është plot dhunë.

24 Do të sjell kombe të këqija që do të shtien në dorë shtëpitë e tyre; do ta ul kryelartësinë e të fuqishmëve dhe vendet e tyre të shenjta do të përdhosen.

25 Shkatërrimi po vjen. Ata do të kërkojnë paqe, por nuk do të ketë.

26 Do të ketë fatkeqësi të njëpasnjëshme, lajme të këqija pas lajmesh të këqija. Atëherë do t’i kërkojnë një vegim një profeti, por ligji do t’i mungojë priftit dhe këshillit të pleqve.

27 Mbreti do të jetë në zi, princi do të vishet me rroba dëshpërimi dhe duart e popullit të vendit do t’i pushtojë frika. Unë do t’i trajtoj sipas sjelljes së tyre dhe do t’i gjykoj sipas gjykimeve të tyre; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

Psalmet 45

45 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë.

Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi.

Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote,

dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme.

Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit.

Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie.

Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu.

Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë.

Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri.

10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd,

11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt.

12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.

13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar.

14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty.

15 Ato do t’i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit.

16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t’i bësh princa për tërë tokën.

17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë.