M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të.
2 Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t’i bënte gjë.
3 Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak.
4 Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom".
5 Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"".
6 Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj".
7 Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t’i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë".
8 Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleçë para syve të tij dhe i poqi.
9 Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçët para tij, por Amnoni nuk pranoi t’i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë.
10 Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçët që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj.
11 Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime".
12 Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë!
13 Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje".
14 Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të.
15 Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!".
16 Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë.
17 Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj".
18 Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj.
19 Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur.
20 Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj.
21 Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë.
22 Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara.
23 Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit.
24 Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!".
25 Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij.
26 Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?".
27 Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit.
28 Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t’ju them: "Goditeni Amnonin!," ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!".
29 Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën.
30 Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre".
31 Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura.
32 Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara.
33 Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur,
34 dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit.
35 Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt".
36 Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe.
37 Absaloni kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij.
38 Kështu Absalimo ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet.
39 Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushulluar tanimë nga vdekja e Amnonit.
6 Dhe, duke qenë bashkëpunëtorë të tij, ju këshillojmë të mos e pranoni më kot hirin e Perëndisë,
2 sepse ai thotë: “Në kohë të pëlqyer unë të dëgjova dhe në ditë shpëtimi të ndihmova.” Ja, pra, koha e pëlqyer, ja, pra, dita e shpëtimit.
3 Ne nuk japim asnjë shkas për skandal në asnjë gjë, që të mos shahet shërbesa jonë;
4 por në çdo gjë e rekomandojmë veten tonë si shërbëtorë të Perëndisë në shumë vuajtje, në shtrëngime, në nevoja, në ngushtica,
5 në rrahje, në burgosje, në kryengritje, në mundime, në të pafjetura, në agjërime,
6 me pastërti, me njohuri, me durim, me mirësi, me Frymën e Shenjtë, me dashuri jo të shtirur,
7 me fjalën e së vërtetës, me fuqinë e Perëndisë, me armët e drejtësisë në të djathtë dhe në të majtë,
8 në lavdi dhe në çnderim, me emër të mirë dhe me emër të keq;
9 si gënjeshtarë, por të vërtetë; si të panjohur, por të njohur; si njerëz që vdesin, por ja, jetojmë; si të ndëshkuar, por jo të vrarë;
10 si të brengosur, por gjithmonë të gëzuar; si të varfër, por shumë veta i bëjmë të pasur; si njerëz që s’kanë kurrgjë, por kanë gjithçka.
11 Goja jonë u hap për ju, o Korintas, zemra jonë u bë e gjërë.
12 Ju nuk jeni ngushtë në ne, por ju jeni të ngushtë në zemrat tuaj.
13 Por në shkëmbim po ju flas si fëmijve, bëhuni të gjërë edhe ju.
14 Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrie ka drita me terrin?
15 Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin?
16 Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: “Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.”
17 Prandaj “dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj,
18 dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm.”
20 Ja, ndodhi në vitin e shtatë, më dhjetë të muajit të pestë, që disa nga pleqtë e Izraelit erdhën të konsultohen me Zotin dhe u ulën para meje.
2 Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:
3 "Bir njeriu, folu pleqve të Izraelit dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: A keni ardhur të më konsultoni? Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, nuk do të lejoj të konsultohem prej jush," thotë Zoti, Zoti.
4 "A do t’i gjykosh, a do t’i gjykosh, bir njeriu? Bëji të njohin veprimet e neveritshme të etërve të tyre,
5 dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ditën kur zgjodha Izraelin dhe ngrita dorën për betim pasardhësve të shtëpisë së Jakobit dhe e bëra veten të njohur në vendin e Egjiptit, ngrita dorën për betim me ta, duke thënë: "Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
6 Atë ditë ngrita dorën duke ju betuar atyre se do t’i nxirrja nga vendi i Egjiptit dhe do t’i çoja në një vend që kisha vëzhguar për ta ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve.
7 Pastaj u thashë atyre: Secili të flakë gjërat e neveritshme që janë para syve të tij dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
8 Por ata u rebeluan kundër meje dhe nuk deshën të më dëgjojnë; asnjë prej tyre nuk flaku gjërat e neveritshme që ishin para syve të tyre dhe nuk braktisi idhujt e Egjiptit. Atëherë vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në mes të vendit të Egjiptit.
9 Megjithatë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej para kombeve në mes të të cilëve ata ndodheshin, në sytë e të cilëve më kishin njohur, për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit.
10 Kështu i nxora nga vendi i Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë.
11 U dhashë atyre statutet e mia dhe u bëra të njohura dekretet e mia, duke respektuar të cilat, njeriu do të jetojë për ato.
12 Gjithashtu u dhashë atyre të shtunat e mia, me qëllim që të ishin një shënjë midis meje dhe atyre, dhe që të njihnin që unë jam Zoti që i shenjtëroj.
13 Por shtëpia e Izraelit u rebelua kundër meje në shkretëtirë; nuk eci sipas statuteve të mia dhe hodhi poshtë dekretet e mia, duke respektuar të cilat njeriu do të jetojë për ato, dhe përdhosën me të madhe të shtunat e mia. Kështu unë vendosa të hedh mbi ta zemërimin tim për ti zhdukur në shkretëtirë.
14 Megjithatë unë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve unë i kisha bërë të dalin nga Egjipti.
15 Ngrita madje dorën në shkretëtirë, duke u betuar se nuk do t’i bëja të hynin në vendin që u kisha dhënë atyre, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve,
16 sepse kishin hedhur poshtë dekretet e mia, nuk kishin ecur sipas statuteve të mia dhe kishin përdhosur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre shkonte pas idhujve të tyre.
17 Megjithatë syri im i fali nga shkatërrimi dhe nuk i shfarosa krejt në shkretëtirë.
18 Pastaj u thashë bijve të tyre në shkretëtirë: "Mos ecni sipas statuteve të etërve tuaj, mos respektoni dekretet e tyre dhe mos u ndotni me idhujt e tyre.
19 Unë jam Zoti, Perëndia juaj; ecni sipas statuteve të mia, respektoni dekretet e mia dhe i vini në praktikë,
20 shenjtëroni të shtunat e mia dhe ato le të jenë një shenjë midis meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj".
21 Por bijtë u rebeluan kundër meje; nuk ecën sipas statuteve të mia, nuk respektuan dekretet e mia për t’i vënë në jetë, duke i respektuar të cilat njeriu do të jetojë për to; përdhosën të shtunat e mia, dhe kështu vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë.
22 Megjithatë unë e tërhoqa dorën dhe veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve i kisha nxjerrë nga Egjipti.
23 Por ngrita dorën në shkretëtirë, duke u betuar që do t’i shpërndaja midis kombeve dhe do t’i hallakatja nëpër tërë vendet,
24 Sepse nuk vinin në jetë dekretet e mia, por i hidhnin poshtë statutet e mia, përdhosnin të shtunat e mia dhe sytë e tyre ishin drejtuar te idhujt e etërve të tyre.
25 Prandaj u dhashë statute jo të mira dhe dekrete me të cilat nuk mund të jetonin;
26 dhe i molepsa me vetë dhuratat e tyre, me qenë se ata kalonin nëpër zjarr çdo të parëlindur të tyre, për t’i katandisur në shkretim të plotë me qëllim që të pranonin që unë jam Zoti.
27 Prandaj bir njeriu, foli shtëpisë së Izraelit dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zotit. Etërit tuaj më kanë fyer edhe në këtë rast, duke u sjellë pabesisht me mua:
28 mbasi i futa në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar, ata i kthyen sytë në çdo kodër të lartë dhe në çdo dru gjetheshumë dhe atje ofruan flijimet e tyre dhe paraqitën ofertat e tyre provokuese; atje vunë parfumet e tyre me erë të këndshme dhe atje derdhën libacionet e tyre.
29 Atëherë u thashë atyre: Ç’është vendi i lartë në të cilin shkoni? Kështu vazhdojnë ta quajnë "vendi i lartë" deri ditën e sotme.
30 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: A doni të ndoteni duke ndjekur rrugën e etërve tuaj dhe të kurvëroheni me idhujt e tyre të urrejtshëm?
31 Në fakt kur ofroni dhuratat tuaja dhe kaloni nëpër zjarr bijt tuaj, ju e ndotni veten deri ditën e sotme me të gjithë idhujt tuaj. Prandaj nuk do të lejoj të konsultohem nga ju, o shtëpi e Izraelit. Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë nuk do të lejoj të konsultohem nga ju.
32 Dhe nuk do të ndodhë aspak ajo që ju shkon ndër mend, kur thoni: "Ne jemi si kombet, si familjet e vendeve të tjera, që i ngrenë kult drurit dhe gurit"".
33 "Siç ësthe e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë do të mbretëroj mbi ju me dorë të fortë, me krahun e shtrirë dhe me një tërbim të shfrenuar.
34 Do t’ju nxjerr nga mesi i popujve dhe do t’ju mbledh nga vendet në të cilët jeni shpërndarë me dorë të fortë, me krahë të shtrirë dhe me tërbim të shfrenuar,
35 dhe do t’ju çoj në shkretëtirën e popujve, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ju, ballë për ballë.
36 Ashtu siç e zbatova gjykimin tim mbi etërit tuaj në shkretëtirën e vendit të Egjiptit, kështu do ta zbatoj gjykimin tim mbi ju," thotë Zoti, Zoti.
37 "Do të bëj që të kaloni nën shufër dhe do t’ju kthej në detyrimet e besëlidhjes.
38 Do të ndaj nga ju rebelët dhe ata që janë të pabesë ndaj meje; do t’i nxjerr nga vendi ku banojnë, por nuk do të hyjnë në vendin e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.
39 Ju, pra, shtëpia e Izraelit," kështu flet Zoti, Zoti: "Shkoni, u shërbeni secili idhujve tuaj; por pastaj do të më dëgjoni dhe nuk do të përdhosni më emrin tim të shenjtë me dhuratat tuaja dhe me idhujt tuaj.
40 Sepse mbi malin tim të shenjtë, mbi malin e lartë të Izraelit," thotë Zoti, Zoti, "atje tërë shtëpia e Izraelit, të gjithë ata që do të jenë në vend, do të më shërbejnë; atje do të kënaqem me ta, do të kërkoj ofertat tuaja dhe dhuratat tuaja prodhimet e hershme së bashku më të gjitha sendet tuaja të shenjtëruara.
41 Unë do të kënaqem me ju si me një parfum me erë shumë të këndshme, kur do t’ju nxjerr nga mesi i popujve dhe t’ju mbledh nga vendet ku keni qenë shpërndarë; dhe do të shenjtërohem tek ju para syve të kombeve.
42 Ju do të pranoni që unë jam Zoti, kur do t’ju çoj në tokën e Izraelit, në vendin për të cilin kisha ngritur dorën dhe isha betuar t’ia jepja etërve tuaj.
43 Atje do të kujtoni sjelljen tuaj dhe të gjitha veprimet me të cilat jeni ndotur dhe do të ndjeni neveri për veten tuaj për të gjitha ligësitë që keni kryer.
44 Kështu do të pranoni që unë jam Zoti, kur do të veproj me ju për hir të emrit tim dhe jo sipas sjelljes suaj të keqe dhe as sipas veprimeve tuaja të korruptuara, o shtëpi e Izraelit," thotë Zoti, Zoti".
45
46
47
48
49
66 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës;
2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij.
3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty.
4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela)
5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve.
6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të.
7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela)
8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij.
9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen.
10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi.
11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona.
12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët.
13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia,
14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi.
15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela)
16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t’ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim.
17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time.
18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar.
19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime.
20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij.
67 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela)
2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve.
3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë.
4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t’i gjykosh drejt popujt dhe do t’i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela)
5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt.
6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë.
7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë.