M’Cheyne Bible Reading Plan
6 Davidi i mblodhi përsëri gjithë burrat më të zgjedhur të Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë veta.
2 Pastaj u ngrit dhe shkoi me gjithë popullin që ishte me të nga Baale e Judës, për të transportuar që andej arkën e Perëndisë me vete emrin e Zotit të ushtrive, që rri midis kerubinëve.
3 Dhe e vendosën arkën e Perëndisë mbi një qerre të re dhe e hoqën nga shtëpia e Abinabadit që ishte mbi kodër; Uzahu dhe Ahio, bij të Abinadabit, ngisnin qerren e re.
4 Kështu e hoqën arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte mbi kodër, dhe Ahio ecte përpara arkës.
5 Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit u binin para Zotit lloj lloj veglash prej druri të selvisë, qesteve, harpave, dajreve, sistrave dhe cembaleve.
6 Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt arkës së Perëndisë dhe e mbajti atë, sepse qetë u penguan.
7 Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Uzahut, dhe Perëndia e goditi për fajin e tij; ai vdiq në atë vend pranë arkës së Perëndisë.
8 Davidi u trishtua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull, duke goditur Uzahun. Kështu ai vend u quajt Perets-Uzah edhe sot e kësaj dite.
9 Davidi pati frikë atë ditë nga Zoti dhe tha: "Si mund të vijë tek unë arka e të Zotit?".
10 Kështu Davidi nuk deshi ta mbartë arkën e Zotit pranë vetes së tij në qytetin e Davidit, por e transferoi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi.
11 Arka e Zotit mbeti tre muaj në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi, dhe Zoti bekoi Obed-Edomin dhe tërë shtëpinë e tij.
12 Atëherë i thanë mbretit David: "Zoti ka bekuar shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që është pronë e tij, për shkak të arkës së Perëndisë". Atëherë Davidi shkoi dhe e mbarti me gëzim arkën e Perëndisë nga shtëpia e Obed-Edomit në qytetin e Davidit.
13 Kur ata që mbartnin arkën e Zotit bënë gjashtë hapa, ai flijoi një ka dhe një viç të majmë.
14 Davidi hidhte valle me gjithë forcat e tija përpara Zotit, duke veshur një efod prej liri.
15 Kështu Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit mbartën arkën e të Zotit me thirrje gëzimi dhe duke u rënë borive.
16 Por ndodhi që, ndërsa arka e Zotit po hynte në qytetin e Davidit, Mikal, bija e Saulit, duke shikuar nga dritarja, pa mbretin David që po hidhej dhe kërcente përpara Zotit dhe e përçmoi në zemrën e saj.
17 Kështu, sollën arkën e Zotit dhe e vendosën në vendin e saj, në mesin e çadrës që Davidi kishte ngritur për të. Pastaj Davidi ofroi olokauste dhe flijime falenderimi përpara Zotit.
18 Kur mbaroi së ofruari olokaustet dhe flijimet e falenderimit, Davidi bekoi popullin në emër të Zotit të ushtrive,
19 dhe i shpërndau tërë popullit, gjithë turmës së Izraelit, burra dhe gra, secilit prej tyre nga një kulaç, nga një racion mishi dhe një sasi rrush të thatë.
20 Ndërsa Davidi po kthehej për të bekuar familjen e tij, Mikal, bija e Saulit, i doli përpara Davidit dhe i tha: "Sa i nderuar ka qënë sot mbreti i Izraelit që u zbulua para syve të shërbëtoreve të shërbëtorëve të tij, ashtu siç do të zbulohej një harbut!".
21 Atëherë Davidi iu përgjigj Mikalit: "E bëra përpara Zotit që më ka zgjedhur në vend të atit tënd dhe të tërë shtëpisë së tij për të më vendosur princ të Izraelit, të popullit të Zotit; prandaj bëra festë përpara Zotit.
22 Prandaj do ta ul veten edhe më poshtë dhe do të bëhem më i pavlerë në sytë e mi; por lidhur me shërbëtoret për të cilat më fole, unë do të nderohem pikërisht prej tyre".
23 Mikal, bija e Saulit, nuk pati fëmijë deri ditën e vdekjes së saj.
16 Sa për të mbledhurit e ndihmave për shenjtorët, bëni edhe ju ashtu si i urdhërova kishat e Galatisë.
2 Të parën ditë të çdo jave, secili nga ju le të vërë mënjanë aq sa mundet sipas të ardhurave të tij, që, kur të vij, të mos bëhen atëherë mbledhje ndihmash.
3 Edhe, kur të vij, ata që ju do të miratoni, unë do t’i dërgoj me letra, që të çojnë në Jeruzalem dhuratën tuaj bujare.
4 Dhe po të jetë e udhës që të shkoj vetë, ata do të shkon me mua.
5 Edhe unë do të vij te ju, pasi të kem kaluar nëpër Maqedoni.
6 Dhe ndoshta do të rri te ju, ose edhe të dimëroj, që ju të më përcillni kudo që të shkoj.
7 Sepse kësaj here nuk dua t’ju shoh vetëm kalimthi, por shpresoj të rri pak kohë pranë jush, në dashtë Zoti.
8 Dhe unë do të rri në Efes deri për Rrëshajët,
9 sepse m’u hap një derë e madhe dhe e efektshme, dhe kundërshtarë ka shumë.
10 Tani, nëse vjen Timoteu, kujdesuni që të rrijë me ju pa druajtje, sepse ai punon për veprën e Zotit ashtu si unë.
11 Pra, asnjë të mos e përçmojë, por përcilleni në paqe që të vijë tek unë, sepse e pres bashkë me vëllezërit.
12 Sa për vëllanë Apol, iu luta shumë që të vijë tek ju bashkë me vëllezërit, por ai s’deshi kurrsesi të vinte tani; por do të vijë kur ta ketë volinë.
13 Rrini zgjuar, qëndroni të palëkundshëm në besim, silluni si burrat, jini të fortë.
14 Dhe çdo gjë që bëni, ta bëni me dashuri!
15 Tani, o vëllezër (ju e njihni familjen e Stefanas që është fryti i parë i Akaisë dhe që i janë kushtuar shërbesës së shenjtorëve),
16 ju bëj thirrje që t’u nënshtroheni edhe ju atyreve dhe kujtdo që punon dhe mundohet në punën tonë të përbashkët.
17 Edhe gëzohem për ardhjen e Stefanas, të Fortunatit dhe të Akaikut, sepse ata e plotësuan mungesën tuaj,
18 sepse e freskuan frymën tim dhe tuajin; prandaj nderoni njerëz të tillë.
19 Kishat e Azisë ju përshëndesin; Akuila dhe Prishila, bashkë me kishën që është në shtëpi të tyre, ju përshendesin shumë në Zotin.
20 Të gjithë vëllezërit ju përshëndesin; përshëndetni njëri-tjetrin me një puthje të shenjtë.
21 Të fala me shëndet me dorën time, të Palit.
22 Nëse ndokush nuk e do Zotin Jezu Krisht, qoftë mallkuar! Maranatha a.
23 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju.
24 Dashuria ime qoftë me ju të gjithë në Krishtin Jezu. Amen.
14 Pastaj erdhën tek unë disa pleq të Izraelit dhe u ulën para meje.
2 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
3 "Bir njeriu, këta njerëz kanë ngritur idhujt e tyre në zemrën e tyre dhe kanë vënë para tyre pengesën që i bën të bien në paudhësi. A do ta lë veten të konsultohem prej tyre?
4 Prandaj folu dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Cilido qoftë nga shtëpia e Izraelit që i ngre idhujt e tij në zemrën e tij, dhe vë para vetes pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, do t’i përgjigjem unë, Zoti, lidhur me këtë, sipas morisë së idhujve të tij,
5 për të ndikuar në zemrën e atyre të shtëpisë së Izraelit që janë larguar prej meje për shkak të të gjithë idhujve të tyre.
6 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Konvertohuni, largohuni nga idhujtë tuaj dhe hiqni fytyrën nga të gjitha gjërat tuaja të neveritshme.
7 Sepse, në qoftë se një njeri çfardo i shtëpisë së Izraelit apo disa të huaj që banojnë në Izrael largohen nga unë, ngre idhujt e tij në zemrën e tij dhe vë para tij pengesën që e bën të bjerë në paudhësi dhe pastaj vjen te profeti, që të konsultohet me mua nëpërmjet atij, unë, do t’i përgjigjem unë, Zoti, nga vetja ime.
8 Do të kthej fytyrën time kundër këtij njeriu, do ta bëj një shënjë dhe një proverb dhe do ta shfaros në mes të popullit tim; atëherë do pranoni që unë jam Zoti.
9 Por në rast se profeti lë të mashtrohet dhe thotë ndonjë fjalë, unë, Zoti e kam bërë për vete këtë profet; do të shtrij dorën pastaj kundër tij dhe do ta shkatërroj në mes të popullit tim të Izraelit.
10 Që të dy do të vuajnë dënimin e paudhësisë së tyre; dënimi i profetit do të jetë i barabartë me dënimim e atij që e konsulton,
11 me qëllim që ata të shtëpisë së Izraelit të mos shkojnë duke u endur larg meje, të mos ndoten më nga të gjitha shkeljet e tyre, por të jenë populli im dhe unë të jem Perëndia i tyre," thotë Zoti, Zoti.
12 Fjala e Zotit mu drejtua akoma, duke thënë:
13 "Bir njeriu, në qoftë se një vend mëkaton kundër meje duke qenë vazhdimisht i pabesë, unë do të shtrij dorën time kundër tij, do t’i ndërpres përkrahjen e bukës, do t’i dërgoj kundra urinë dhe do të shfaros njerëzit dhe kafshët.
14 Edhe sikur në mes tyre të ishin këta tre burra, Noeu, Danieli dhe Jobi, për shkak të drejtësisë së tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre," thotë Zoti, Zoti.
15 "Por në rast se do të bëja që nëpër këtë vend të kalonin kafshë të egra që ta shpopullonin dhe ai të bëhej një shkreti ku askush nuk do të kalonte për shkak të këtyre kafshëve,
16 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat; do të shpëtonin vetëm veten e tyre, por vendi do të ishte një shkreti.
17 Ose sikur të sillja shpatën kundër këtij vendi dhe të thoja: "Le të kalojë shpata nëpër vend," dhe të shfaroste njerëz dhe kafshë,
18 edhe sikur në mes tyre të ishin ata tre burra, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "ata nuk do të shpëtonin as bijtë, as bijat e tyre, por vetëm veten e tyre.
19 Ose sikur të dërgoja kundër atij vendi murtajën dhe të derdhja mbi të zemërimin tim duke bërë kërdinë dhe duke shfarosur njerëz dhe kafshë,
20 edhe sikur në mes tyre të ishin Noeu, Danieli dhe Jobi, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti "ata nuk do të shpëtonin as bijtë as bijat, për drejtësinë e tyre do të shpëtonin vetëm veten e tyre".
21 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "E njëjta gjë do të ndodhë kur të dërgoj kundër Jeruzalemit katër gjykatësit e mi të tmerrshëm, shpatën, urinë, kafshët e egra dhe murtajën për të shfarosur njerëz dhe kafshë.
22 Por ja, do të lihet një mbeturinë që do të çohet jashtë, bij dhe bija; ata do të vijnë tek ju dhe ju do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Atëherë do të ngushëlloheni nga e keqja që solla mbi Jeruzalemin, për të gjitha ato që solla mbi të.
23 Ata do t’ju ngushëllojnë kur do të shikoni sjelljen e tyre dhe veprimet e tyre. Kështu do të pranoni që jo pa të drejtë bëra atë që bëra në mes të tij," thotë Zoti, Zoti.
55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.
2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,
3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.
4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.
5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.
6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.
7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)
8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".
9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.
10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.
11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.
12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.
13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.
14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.
15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.
16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.
17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.
18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.
19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)
20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.
21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.
22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.
23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.