Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Samuelit 2

Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?". Zoti iu përgjigj: "Shko". Davidi e pyeti: "Ku të shkoj?". Zoti u përgjigj: "Në Hebron".

Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, Jezreeliten Ahinoam dhe Karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.

Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit.

Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin.

Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t’u thënë: "Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur!

Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t’ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë.

Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj".

Ndërkohë Abneri, bir i Nerit, komandant i ushtrisë së Saulit, mori Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe e çoi në Mahanaim;

dhe e bëri mbret të Galaadit, të Ashuritëve, të Jezreelit, të Efraimit, të Beniaminit dhe të tërë Izraelit.

10 Ish-Boshethi, bir i Saulit, ishte dyzet vjeç kur filloi të mbretërojë mbi Izrael dhe mbretërimi i tij vazhdoi dy vjet. Por shtëpia e Judës shkonte pas Davidit.

11 Koha që Davidi mbretëroi në Hebron mbi shtëpinë e Judës ishte shtatë vjet e gjashtë muaj.

12 Ndërkaq Abneri, bir i Nerit, dhe shërbëtorët e Ish-Boshethit, birit të Saulit, lëvizën nga Mahanaim në drejtim të Gabaonit.

13 Edhe Joabi, biri i Tserujahut dhe shërbëtorët e Davidit lëvizën dhe i takuan pranë hauzit të Gabaonit. Kështu u ndalën njera palë nga njera anë e hauzit dhe tjetra nga ana tjetër.

14 Atëherë Abneri i tha Joabit: "Le të çohen të rinjtë dhe të dalin para nesh". Joabi u përgjigj: "Po, le të çohen".

15 Kështu u ngritën dhe dolën përpara në numër të barabartë: dymbëdhjetë për Beniaminin dhe për Ish-Boshethin, birin e Saulit, dhe dymbëdhjetë nga shërbëtorët e Davidit.

16 Secili kapi kundërshtarin e tij nga koka dhe i futi shpatën në ije; kështu ranë të gjithë bashkë. Ky vend u quajt për këtë arësye fusha e njerëzve të fortë; gjendet në Gabaon.

17 Po atë ditë u zhvillua një betejë shumë e ashpër në të cilën Abneri me njerëzit e Izraelit u mund nga shërbëtorët e Davidit.

18 Dhe aty ishin tre djemtë e Tserujahut: Joabi, Abishai dhe Asaheli; dhe Asaheli ishte i shpejtë si një gazelë fushe.

19 Asaheli filloi të ndiqte Abnderin pa u kthyer as djathtas, as majtas pas Abnerit.

20 Pastaj Abneri u kthye prapa dhe tha: "Je ti, Asahel?". Ai u përgjigj: Jam unëë".

21 Abneri i tha: "Kthehu djathtas ose majtas, kap një nga të rinjtë dhe merrja armët!". Por Asaheli nuk deshi të hiqte dorë nga ndjekja e tij.

22 Abneri i tha përsëri Asahelit: "Hiq dorë nga ndjekja. Pse më detyron të të shtrij për tokë? Si do të mund ta shikoj atëherë në fytyrë vëllanë tënd Joab?".

23 Por ai nuk pranoi të ndërrojë rrugë; prandaj Abneri me pjesën e prasme të shtizës e goditi në pjesën e poshtme të barkut dhe shtiza i doli nga pas; ai ra për tokë dhe vdiq në vend; dhe tërë ata që kalonin nga vendi ku Asaheli kishte rënë dhe kishte vdekur ndaleshin.

24 Por Joabi dhe Abishai e ndoqën Abnerin; kur perëndoi dielli ata arritën në qafën e Amahut, që ndodhet përballë Giahut, në rrugën e shkretëtirës së Gabaonit.

25 Bijtë e Beniamnit u mblodhën pas duke formuar një grup të vetëm dhe u ndalën në majë të një kodre.

26 Atëherë Abneri thirri Joabin dhe tha: "Shpata, vallë duhet të gllabërojë gjithnjë? Nuk e di ti që në fund do të ketë hidhërim? Vallë, kur do ta urdhërosh popullin të mos ndjekë më vëllezërit e tij?".

27 Joabi u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Perëndia jeton, po të mos kishe folur ti, populli nuk do të kishte hequr dorë nga ndjekja e vëllezërve të tij deri në mëngjes".

28 Atëherë Joabi i ra borisë dhe tërë populli u ndal, nuk e ndoqi më Izraelin dhe hoqi dorë nga luftimi.

29 Abneri dhe njerëzit e tij ecën gjithë atë natë nëpër Abrahun, kapërcyen Jordanin, kaluan tërë Bithronin dhe arritën në Mahanaim.

30 Edhe Joabi u kthye nga ndjekja e shërbëtorëve të Abnerit dhe mblodhi tërë popullin; Davidit i mungonin nëntëmbëdhjetë veta dhe Asaheli.

31 Por shërbëtorët e Davidit kishin vrarë treqind e gjashtëdhjetë veta të Beniaminit dhe Abnerit.

32 Pastaj çuan Asahelin dhe e varrosën në varrin e atit të tij, që ndodhet në Betlem. Pas kësaj Joabi dhe njerëzit e tij ecën tërë natën dhe arritën në Hebron në të gdhirë.

1 e Korintasve 13

13 Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon ose si cimbali që tingëllon.

Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.

Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!

Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset,

nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;

nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën,

i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë.

Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet,

sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.

10 Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që është e pjesshme do të shfuqizohet.

11 Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë, arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat fëminore.

12 Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe; tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë ashtu sikurse njihem.

13 Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por më e madhja nga këto është dashuria.

Ezekieli 11

11 Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në portën lindore të shtëpisë të Zotit që shikon nga lindja; dhe ja, në hyrje të portës kishte njëzet e pesë burra, ndër të cilët pashë Jaazaniahun, birin e Azurit, dhe Pelatiahun, birin e Benajahut, krerë të popullit.

Ai më tha: "Bir njeriu, këta janë ata njerëz që kurdisin të keqen dhe japin këshilla të këqija në këtë qytet.

Ata thonë: "Koha nuk është e afërt. Të ndërtojmë shtëpi! Ky qytet është kusia dhe ne jemi mishi".

Prandaj profetizo kundër tyre, profetizo, bir njeriu".

Pastaj Fryma e Zotit ra mbi mua dhe më tha: "Thuaj: Kështu thotë Zoti: Ju thoni kështu, o shtëpi e Izraelit, dhe unë i njoh gjërat që ju shkojnë në mend.

Ju i keni shumuar ata që keni goditur për vdekje në këtë qytet dhe keni mbushur me të vdekur rrugët e tij".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ata që keni vrarë dhe që i keni bërë tog në mes të saj janë mishi dhe ky qytet është kusia, por unë do t’ju nxjerr nga mesi i tij.

Ju keni frikë nga shpata dhe unë do të sjell mbi ju shpatën," thotë Zoti, Zoti.

"Unë do t’ju nxjerr nga mesi i tij, do t’ju jap në dorë të të huajve dhe do të zbatoj mbi ju vendimet e mia.

10 Ju do të bini nga shpata, do t’ju gjykoj në kufijtë e Izraelit; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.

11 Ky qytet nuk do të jetë më për ju një kusi dhe ju nuk do të jeni për të mishi; unë do t’ju gjykoj në kufijtë e Izraelit.

12 Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, sepse nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe as keni zbatuar ligjet e mia, por keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë".

13 Ndodhi që, ndërsa unë profetizoja, Pelatiahu, bir i Benajahut, vdiq. Atëherë rashë me fytyrë për tokë dhe bërtita me të madhe, duke thënë: "Ah, Zot, Zot, dëshiron ta shkatërrosh krejt mbetjen e Izraelit?".

14 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

15 "Bir njeriu, vëllezërit e tu, vetë të afërmit e tu, ata që janë çliruar bashkë me ty dhe tërë shtëpia e Izraelit janë ata të cilëve banorët e Jeuzalemit u kanë thënë: "Largohuni, pra, nga Zoti; ky vend na është dhënë si trashëgimi".

16 Prandaj thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Megjithatë unë i kam larguar midis kombeve dhe i kam shpërndarë në vende të huaja, unë do të jem për ta për pak kohë një shenjtërore në vendet ku kanë shkuar.

17 Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Do t’ju mbledh ndër popuj, do t’ju grumbulloj nga vendet ku jeni shpërndarë dhe do t’ju jap tokën e Izraelit.

18 Ata do të kthehen dhe do të heqin tërë gjërat e tij të urrejtshme dhe tërë gjërat e neveritshme të tij.

19 Dhe unë do t’ju jap atyre një zemër tjetër dhe do t’u shtie përbrenda një frymë të re, do të heq nga mishi i tyre zemrën prej guri dhe do t’u jap një zemër prej mishi,

20 me qëllim që të ecin sipas statuteve të mia dhe të respektojnë ligjet e mia dhe t’i vënë në praktikë; atëherë ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.

21 Po për ata të cilët kanë zemër që vë në zbatim gjërat e tyre të urrejtshme dhe të neveritshme, do të bëj që mbi kokën e tyre të bjerë sjellja e tyre," thotë Zoti, Zoti.

22 Pastaj kerubinët i hapën krahët e tyre dhe rrotat lëvizën pranë tyre dhe lavdia e Perëndisë të Izraelit rrinte lart mbi ta.

23 Lavdia e Zotit u ngrit nga mesi i qytetit dhe u ndal mbi malin, që ishte në lindje të qytetit.

24 Pastaj Fryma më ngriti dhe më çoi në Kalde midis atyre që ishin në robëri, në një vegim për Frymën e Perëndisë dhe vegimi që kisha parë u zhduk para meje duke u ngritur lart;

25 dhe unë u tregova atyre që ishin në robëri të gjitha gjërat që Zoti më kishte bërë të shoh.

Psalmet 50

50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.

Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.

Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.

Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,

dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".

Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)

"Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.

Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.

Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.

10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.

11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.

12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.

13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?

14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.

15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".

16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,

17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?

18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.

19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.

20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.

21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.

22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.

23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".