M’Cheyne Bible Reading Plan
16 Davidi sapo e kishte kaluar majën e malit; kur ja, Tsiba, shërbëtor i Mefiboshethit, i doli përpara me gomarë me samar dhe të ngarkuar me dyqind bukë, njëqind vile rrushi të thatë, njëqind fruta vere dhe një calik me verë.
2 Mbreti i tha Tsibas: "Ç’ke ndërmënd të bësh me këto gjëra?". Tsiba iu përgjigj: "Gomarët do t’i shërbejnë shtëpisë së mbretit për të hipur; buka dhe frutat e verës do të përdoren për të ushqyer të rinjtë, dhe vera do të pihet nga ata që do të jenë të lodhur në shkretëtirë".
3 Mbreti tha: "Ku është biri i zotërisë tënd?". Tsiba iu përgjigj mbretit: Ja, mbeti në Jeruzalem, sepse tha: "Sot shtëpia e Izraelit do të më kthejë mbretërinë e atit tim"".
4 Atëherë mbreti i tha Tsibas: "Ja, të gjitha ato që janë pronë e Mefiboshethit janë të tua". Tsiba iu përgjigj: "Unë po bie përmbys para teje. Paça hirin tënd, o mbret, o imzot!".
5 Kur mbreti David arriti në Bahurim, që andej doli një njeri që ishte i fisit të shtëpisë së Saulit, ai quhej Shimei dhe ishte bir i Gerit. Ai po dilte duke shqiptuar mallkime,
6 dhe hidhte gurë kundër Davidit dhe gjithë shërbëtorëve të mbretit David, ndërsa tërë populli dhe tërë trimat ishin radhitur në të djathtë dhe në të majtë të mbretit.
7 Ndërsa mallkonte, Shimei thoshte: "Shko, pra, shko, njeri gjakatar dhe i kobshëm!
8 Zoti ka bërë që mbi kokën tënde të bjerë gjaku i shtëpisë së Saulit, në vend të cilit ti ke mbretëruar; dhe Zoti e ka dhënë mbretërinë në duart e Absalomit, birit tënd; dhe ja, tani je bërë rob i vetë ligësisë sate, sepse je njeri gjakatar".
9 Atëherë Abishai, bir i Tserajahut, i tha mbretit: "Pse ky qen i ngordhur duhet të mallkojë mbretin, zotërinë time? Të lutem, më lër të shkoj t’i pres kokën!".
10 Por mbreti iu përgjigj: "Ç’kam të bëj unë me ju, bijtë e Tserujahut? Prandaj lëreni të mallkojë, sepse Zoti i ka thënë: "Mallko Davidin!". Dhe kush mund të thotë: "Pse silleni kështu?"
11 Pastaj Davidi i tha Abishait dhe tërë shërbëorëve të tij: "Ja, im bir, që ka dalë nga barku im, kërkon të më heqë jetën aq më shumë dhe ky Beniaminit! Lëreni të rrijë dhe të mallkojë, sepse ia ka urdhëruar Zoti.
12 Ndoshta Zoti do ta shohë hidhërimin tim dhe do të më bëjë të mira në vend të mallkimeve që më drejton sot".
13 Kështu Davidi dhe njerëzit e tij e vazhduan rrugën e tyre; edhe Shimei ecte anës së malit, përballë Davidit, dhe rrugës e mallkonte atë, i hidhte gurë dhe pluhur.
14 Mbreti dhe tërë njerëzit që ishin me të arritën në vendin e caktuar të lodhur, dhe aty e morën veten.
15 Ndërkohë Absalomi dhe tërë populli, njerëzit e Izraelit, kishin hyrë në Jeruzalem; Ahithofeli ishte me të.
16 Kur Hushai, Arkiti, miku i Davidit, arriti tek Absalomi, Hushai i tha Absalomit: "Rroftë mbreti! Rroftë mbreti!".
17 Absalomi i tha Hushait: "Kjo është dashuria që ke për mikun tënd? Pse nuk shkove me mikun tënd?".
18 Hushai iu përgjigj Absalomit: "Jo, unë do të jem me atë që Zoti, gjithë ky popull dhe tërë njerëzit e Izraelit kanë zgjedhur, dhe do të mbetem me të.
19 A nuk duhet vallë, të vihem në shërbim të birit të tij? Ashtu si i kam shërbyer atit tënd, në të njëjtën mënyrë do të të shërbej edhe ty".
20 Atëherë Absalomi i tha Ahithofelit: "Jepni këshillën tuaj! Ç’duhet të bëjmë?".
21 Ahithofeli iu përgjigj kështu Absalomit: "Hyrë te konkubinat e atit tënd që ai ka lënë për të ruajtur shtëpinë, kështu tërë Izraeli do të mësojë që je bërë i urryer për atin tënd dhe ata që janë me ty do të marrin guxim".
22 Ngritën pastaj një çadër mbi taracën për Absalomin, dhe Absalomi hyri te konkubinat e atit të tij në sytë e tërë Izraelit.
23 Në ato ditë, këshilla e dhënë nga Ahithofeli kishte po atë vlerë të atij që kishte konsultuar fjalën e Perëndisë. Këtë vlerë kishte çdo këshillë e Ahithofelit si për Davidin ashtu dhe për Absalomin.
9 Sa për shërbesën në dobi të shenjtorëve, është e tepërt t’ju shkruaj,
2 sepse e njoh gatishmërinë e zemrave tuaja, për të cilën unë mburrem për ju te Maqedonasit, se Akaia është gati që vjet; dhe zelli juaj nxiti shumë të tjerë.
3 Unë i dërgova këta vëllezër, që mburrja jonë për ju të mos dalë e kotë për këtë gjë dhe me qëllim, sikurse thoja, të jeni gati,
4 sepse, po të vinin me mua disa Maqedonas dhe të mos ju gjenin gati, ne (të mos them ju), do të dilnim të turpëruar për besimin dhe mburrjen tonë.
5 Prandaj m’u duk e nevojshme t’i këshilloj vëllezërit të vijnë te ju më përpara, që të bëjnë gati më parë ofertën që kishit premtuar më parë, kështu që ajo të jetë gati si dhuratë bujarie dhe jo kopracie.
6 Dhe ju them këtë: Ai që mbjell me kursim, do të korrë po me kursim; dhe ai që mbjell dorëhapur edhe do të korrë dorëhapur.
7 Secili le të veprojë ashtu si ka vendosur në zemrën, as me keqardhje as nga shtrëngimi, sepse Perëndia do një dhurues të gëzuar.
8 Dhe Perëndia mund të bëjë që gjithë hiri të teprojë për ju, aq sa mbasi të keni gjithnjë mjaft në çdo gjë, t’ju tepërojë për çfarëdo pune të mirë,
9 sikurse është shkruar: “Ai ndau, u ka dhënë të varfërve, drejtësia e tij mbetet në përjetësi.”
10 Edhe ai që i jep farën mbjellësit dhe bukë për të ngrënë, ju dhëntë dhe e shumoftë farën tuaj, dhe i bëftë të rriten frytet e drejtësisë suaj;
11 dhe atëherë do të pasuroheni për të qenë dorëdhënë, duke i sjellë nëpërmjet nesh falënderim Perëndisë.
12 Sepse kryerja e kësaj shërbese të shenjtë jo vetëm përmbush nevojat e shenjtorëve, por sjell edhe një mbushulli falëndërimesh ndaj Perëndisë,
13 sepse për shkak të përvojës nga kjo shërbesë, ata e përlëvdojnë Perëndinë për bindjen ndaj ungjillit të Krishtit që ju rrëfeni dhe për bujarinë me të cilën merrni pjesë me ta dhe me të gjithë.
14 Dhe me lutjet e tyre për ju ju shfaqin një dashuri të veçantë për hirin e shkëlqyer të Perëndisë përmbi ju.
15 Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme.
23 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:
2 "Bir njeriu, na ishin dy gra, bija të së njëjtës nënë,
3 që u kurvëruan në Egjipt. U kurvëruan në rininë e tyre; aty u shtërnguan gjitë e tyre dhe atje u shtërngua gjiri i tyre virgjëror.
4 Emrat e tyre janë: Oholahu më e madhja dhe Oholibahu e motra. Ato ishin të miat dhe lindën bij dhe bija. Emrat e tyre janë: Oholahu është Samaria, Oholibahu është Jeruzalemi.
5 Ndonse ishte imja, Oholahu u kurvërua dhe mori zjarr për dashnorët e saj, Asirët që ishin fqinj të saj,
6 të veshur me purpur, qeveritarë dhe princa, të gjithë të rinj tërheqës, kalorës të hipur mbi kuaj.
7 Ajo u kurvërua me ta, me gjithë njerëzit më të mirë të Asirisë, dhe u ndot me të gjithë ata për të cilët ndez, bashkë me gjithë idhujt e tyre.
8 Nuk braktisi kurvërimet e Egjiptit, kur kish rënë me të gjatë rinisë së saj, kishin shtërnguar gjirin e saj të virgjër dhe kishin derdhur mbi të kurvërimet e tyre.
9 Prandaj e braktisa në dorë të dashnorëve të saj, në dorë të bijve të Asirisë, për të cilët kishte marrë zjarr.
10 Ata zbuluan lakuriqësinë e saj, morën bijtë e saj dhe bijat e saj dhe i vranë me shpatë. Asaj i doli nami midis grave dhe zbatuan kundër saj ndëshkimin.
11 Motra e saj Oholibahu e pa këtë, por në dashurinë e saj u bë edhe më e korruptuar nga ajo dhe kurvërimet e saj qenë më të këqija nga ato të së motrës.
12 U ndez për bijtë e Asirisë, fqinj të saj, qeveritarë dhe princa të veshur në mënyrë të shkëlqyer, kalorës të hipur mbi kuaj, të tërë të rinj tërheqës.
13 Unë pashë që ishte molepsur, që të dyja ndiqnin po atë rrugë.
14 Por ajo i shtoi kurvërimet e saj; pa burra të pikturuar mbi mur, figura të Kaldeasve të pikturuara në të kuq,
15 me breza rreth ijëve, me çallma të mëdha në kokë, të gjithë me pamje krerësh, të ngjashëm me bijtë e Babilonisë në Kalde, tokë e tyre e lindjes.
16 Sa i pa, ajo u ndez për ta dhe u dërgoi lajmëtarë në Kalde.
17 Atëherë bijtë e Babilonisë erdhën tek ajo në shtratin e dashurive dhe e molepsën me kurvërimet e tyre. Ajo u moleps me ta, por pastaj u largua prej tyre.
18 Ajo i nxori sheshit kurvërimet e saj dhe nxori sheshit turpin e saj; prandaj unë u largova nga ajo, ashtu siç isha larguar nga e motra.
19 Megjithatë ajo i shumoi kurvërimet e saj, duke kujtuar ditët e rinisë së saj, kur ishte kurvëruar në vendin e Egjiptit.
20 Mori zjarr për dashnorët e saj, mishi i të cilëve është si mishi i gomarëve dhe rrjedhja e të cilëve është si rrjedhja e kuajve.
21 Kështu ti kujtove shthurjen e rinisë sate, kur Egjiptasit shtrëngonin gjirin tënd për shkak të gjive të tu rinorë.
22 Prandaj, Oholibahu, kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të nxis kundër teje dashnorët e tu, prej të cilëve je larguar dhe do t’i sjell kundër teje nga të gjitha anët:
23 bijtë e Babilonisë dhe gjithë Kaldeasit, ata të Pekodit, Shoas dhe Koas, tërë bijtë e Asirisë bashkë me ta, tërë të rinjtë tërheqës, qeveritarët dhe princat, kapitenët dhe njerëzit e famshëm, të gjithë të hipur mbi kuaj.
24 Ata do të vijnë kundër teje me armë, qerre dhe rrota si dhe me një shumicë popujsh; do të vendosin rreth e qark teje mburoja të vogla dhe të mëdha dhe përkrenare. Do t’u jap atyre gjykimin e tyre dhe ata do të gjykojnë sipas ligjeve të tyre.
25 Do të drejtoj xhelozinë time kundër teje, dhe ata do të të trajtojnë me tërbim; do të të heqin hundën dhe veshët, dhe mbeturinat e tua do të bien nga shpata; do të marrin bijtë e tu dhe bijat e tua dhe mbeturinat e tua do të gllabërohen nga zjarri.
26 Do të të zhveshin nga rrobat e tua dhe do të të marrin xhevahiret e tu të bukur.
27 Kështu do të marrin fund shthurja jote dhe kurvërimi yt që nisën në vendin e Egjiptit; nuk do t’i ngresh më sytë drejt tyre dhe nuk do ta kujtosh më Egjiptin".
28 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë po të jap në duart e atyre që ti urren, në duart e atyre prej të cilëve je larguar.
29 Do të të trajtojnë me urrejtje, do të të marrin tërë frytin e punës sate dhe do të të lënë lakuriqe dhe nevojtare. Do të dalë në shesh poshtërsia e kurvërimeve të tua, po, shthurja e kurvërimeve të tua.
30 Këto gjëra do t’i bëjnë sepse je kurvëruar duke u shkuar pas kombeve, sepse je ndotur me idhujt e tyre.
31 Ti ke ecur në rrugën e motrës sate, prandaj do të të vë në dorë po atë kupë".
32 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ti do të pish kupën e motrës sate, të thellë dhe të gjërë; do të të përqeshin dhe të të tallin, sepse kupa nxë shumë.
33 Do të jesh plot me dehje dhe me dhembje, do të jetë, kupa e dëshpërimit dhe shkretimit, kupa e motrës sate Samaria.
34 Ti do ta pish, ti do ta shkullosh, do ta bësh copë e çikë dhe do të çash gjirin tënd; sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti.
35 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se më ke harruar dhe më ke hedhur prapa krahëve, do të vuash edhe ti dënimin për shthurjen tënde dhe për kurvërimet e tua".
36 Pastaj Zoti më tha: "Bir njeriu, nuk do t’i gjykosh ti Oholahun dhe Oholibahun? Shpallju, pra, veprimet e tyre të neveritshme.
37 Në fakt kanë kryer shkelje kurore, kanë gjak mbi duart e tyre, kanë kryer shkelje kurore me idhujt e tyre, madje i kanë kaluar nëpër zjarr që të gllabërohen, bijtë e tyre që më kishin lindur.
38 Edhe këtë më kanë bërë: po atë ditë kanë ndotur shenjtëroren time dhe kanë përdhosur të shtunat e mia.
39 Mbasi ua flijuan bijtë e vet idhujve të tyre, po atë ditë erdhën në shenjtëroren time për ta përdhosur; ja çfarë kanë bërë në mes të tempullit tim.
40 Përveç kësaj dërguan të thërrasin njerëz nga vende të largëta, të cilëve u dërguan lajmëtarë; dhe ja, ata erdhën. Për ta u lave, i ngjeve sytë dhe u veshe me rroba të zbukuruara me stoli të shkëlqyera.
41 U shtrive mbi një shtrat madhështor para të cilit ishte shtruar një tryezë dhe mbi këtë vure tejmanin tim dhe vajin tim.
42 Rreth saj ishte zhurma e një morie njerëzish të shkujdesur; së bashku me turmën suallën edhe të dehur nga shkretëtira, që vunë byzylykë në kyçet e dorës dhe kurora të mrekullueshme mbi kokat e tyre.
43 Pastaj thashë për atë që kishte një përvojë të madhe në shkeljet e kurorës: "A do të kryejnë tashti kurvërime me të, dhe ajo me ata?".
44 Pastaj ata hynë tek ajo siç i hyhet një prostitute; kështu hynë tek Oholahu dhe Oholibahu, gra të shthurura.
45 Por njerëz të drejtë do t’i gjykojnë ashtu si gjykohen shkelëset e kurorës, ashtu si gjykohen gratë që derdhin gjak, sepse janë shkelëse të kurorës dhe kanë gjak mbi duart e tyre".
46 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Bëj që të dalë kundër tyre një turmë dhe lëri në mëshirë të tmerrit dhe të plaçkitjes.
47 Ajo turmë do t’i qëllojë me gurë për vdekje, do t’i bëjë copë-copë me shpatën e saj; do të vrasë bijtë dhe bijat e tyre dhe do t’u vërë flakën shtëpive të tyre.
48 Do t’i japë fund shthurjes morale në vend, dhe të gjitha gratë do të mësohen të mos kryejnë më shthurjet tuaja morale.
49 Do të bëjnë që të bjerë mbi ju shthurja juaj morale dhe do ta vuani kështu dënimin e mëkateve me gjithë idhujt tuaj. Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, Zoti".
70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
2 U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.
3 Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".
4 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".
5 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.
71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.
2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.
3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.
4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.
5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.
6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.
7 Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.
8 Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.
9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.
10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,
11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".
12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.
13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.
14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.
15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre.
16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua.
18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t’i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë.
19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty?
20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës.
21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh.
22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen.