Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Samuelit 8-9

Pas këtyre gjërave, Davidi i mundi Filistejtë, i poshtëroi dhe u hoqi nga dora qytetin e tyre më të rëndësishëm.

Mundi edhe Moabitët dhe i mati me litar, mbasi i shtriu për tokë. Me dy litarë mati ata që duhet të vriteshin dhe me një litar të plotë ata që do të mbeteshin të gjallë. Kështu Moabitët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit.

Davidi mundi edhe Hadadezerin, birin e Rehobit, mbret të Tsobahut, ndërsa ai shkonte të rivendoste sundimin e tij gjatë lumit Eufrat.

Davidi i mori njëmijë e gjashtëqind kalorës dhe njëzet mijë këmbësorë. Ai u preu gjithashtu leqet e këmbëve tërë kuajve, por la mjaft prej tyre për njëqind qerre.

Kur Sirët e Damaskut erdhën për të ndihmuar Hadadezerin, mbretin e Tsobahut, Davidi vrau njëzet e dy mijë prej tyre.

Pastaj Davidi vendosi garnizone në Sirinë e Damaskut dhe Sirët u bënë nënshtetas dhe taksapagues të Davidit; Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.

Davidi mori monedhat prej ari që shërbëtorët e Hadadezerit kishin me vete dhe i çoi në Jeruzalem.

Mbreti David mori edhe një sai të madhe bronzi në Betah dhe në Berothai, qytete të Hadedezerit.

Kur Toi, mbret i Hamathit, mësoi që Davidi kishte mundur tërë ushtrinë e Hadedezerit,

10 i dërgoi mbretit David të birin Joram, për ta përshëndetur dhe për ta bekuar, sepse i kishte bërë luftë Hadedezerit dhe e kishte mundur. Në fakt Hadedezeri ishte gjithnjë në luftë me Toin; Jorami kishte me vete enë argjendi, ari dhe bronzi.

11 Mbreti David ia shenjtëroi edhe këto Zotit, ashtu siç i kishte shenjtëruar atij argjendin dhe arin që vinte nga kombet që kishte nënshtruar:

12 nga Sirët, nga Moabitët, nga Amonitët, nga Filistejtë nga Amalekitët dhe nga plaçka e Hadedezerit, birit të Rehobit, mbret i Tsobahut.

13 Davidi i bëri emër vetes kur u kthye, mbasi kishte mundur tetëmbëdhjetë mijë Sirë në luginën e Kripës.

14 Vendosi garnizone edhe në Idumea; kështu tërë Idumea dhe tërë Edomitët u bënë nënshtetas të Davidit; dhe Zoti e mbronte Davidin kudo që shkonte.

15 Kështu Davidi mbretëroi mbi tërë Izraelin, duke dhënë vendime dhe duke administruar drejtësinë tërë popullit të tij.

16 Joabi, bir i Tserujahut, ishte komandant i ushtrisë; Jozafat, bir i Ahiludit, ishte arkivist;

17 Tsadoku, bir i Ahitubit, dhe Ahimeleku, bir i Abietharit, ishin priftërinj; Serajahu ushtronte funksionin e sekretarit;

18 Benajahu, bir i Jehojadit, ishte kreu i Kerethejve dhe i Pelethejve, dhe bijtë e Davidit ishin ministra.

Davidi tha: "A ka mbetur akoma ndonjë nga shtëpia e Saulit, ndaj të cilit mund të sillem mirë për hir të Jonathanit?".

Kishte një shërbëtor në shtëpinë e Saulit, që quhej Tsiba, dhe atë e çuan te Davidi. Mbreti i tha: "Ti je Tsiba?". Ai u përgjigj: "Jam shërbëtori yt".

Pastaj mbreti pyeti: "A ka njeri tjetër të shtëpisë së Saulit, të cilit mund t’i kushtoj mirësinë e Perëndisë?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë akoma një djalë i Jonatanit, që është sakat nga këmbët".

Mbreti i tha: "Ku është?". Tsiba iu përgjigj mbretit: "Éshtë në shtëpinë e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar".

Atëherë mbreti David dërgoi ta marrë nga shtëpia e Makirit, birit të Amielit, në Lodebar.

Kështu Mefiboshethi, bir i Jonatanit, bir i Saulit erdhi te Davidi, ra përmbys me fytyrën për tokë. Davidi i tha: "Mefibosheth!". Ai u përgjigj: ja shërbëtori yt!!".

Davidi i tha: "Mos ki frikë, sepse kam ndër mend të sillem mirë me ty për dashurinë që kisha për Jonatanin, atin tënd; do të të kthej tërë tokat e Saulit, të parit tënd, dhe ti do të hash gjithnjë në tryezën time".

Mefiboshethi ra përmbys dhe tha: "Ç’është shërbëtori yt, që ti të përfillësh një qen të ngordhur si unë?".

Atëherë mbreti thirri Tsiban, shërbëtorin e Saulit, dhe i tha: "Tërë ato që i përkisnin Saulit dhe tërë shtëpisë së tij, po ia jap birit të zotërisë tënd.

10 Kështu, pra, bashkë me bijtë dhe shërbëtorët e tu, do të punosh tokën për të dhe do të mbledhësh prodhimet e saj, me qëllim që i biri i zotërisë tënd të ketë bukë për të ngrënë; por Mefiboshethi, bir i zotërisë tënd do të hajë gjithnjë në tryezën time". Tsiba kishte pesëmbëdhjetë bij dhe njëzet shërbëtorë.

11 Tsiba i tha mbretit: "Shërbëtori yt do të bëjë të gjitha ato që mbreti, zotëria im, i urdhëron shërbëtorit të tij". Kështu Mefiboshethi hante në tryezën e Davidit si një nga bijtë e mbretit.

12 Mefiboshethi kishte një djalë të vogël që quhej Mika; dhe tërë ata që rrinin në shtëpinë e Tsibas ishin shërbëtorë të Mefiboshethit.

13 Mefiboshethi banonte në Jeruzalem, sepse hante gjithnjë në tryezën e mbretit. Ishte sakat nga të dy këmbët.

2 e Korintasve 2

Por unë kisha vendosur në veten time të mos vij përsëri te ju me hidhërim.

Sepse, në qoftë se unë ju hidhëroj, kush do të më gëzojë mua, në mos ai vetë që u hidhërua prej meje?

Dhe ju shkrova në këtë mënyrë që, kur të vij, të mos kem trishtim nga ata që duhet të më gëzonin, duke pasur besim në ju të gjithë, se gëzimi im është i të gjithë juve.

Ju shkrova, në fakt, me shumë lot dhe me pikëllim të madh dhe ankth në zemër, jo që të hidhëroheni, por që të njihni dashurinë shumë të madhe që kam për ju.

Edhe në qoftë se dikush ka shkaktuar trishtim, s’më ka hidhëruar vetëm mua, por deri diku, pa e tepruar, ju të gjithë.

Mjaft është për atë njeri ndëshkimi që iu bë nga shumica,

por tani, përkundrazi, ju duhet më tepër ta falni atë dhe ta ngushlloni, që ai njeri të mos gëlltitet nga trishtimi i tepërt.

Prandaj ju lutem t’i shfaqni dashuri,

sepse ju shkrova edhe për këtë, që të njoh provën tuaj, nëse jeni të dëgjueshëm në çdo gjë.

10 Por atij që ju do t’i falni diçka, e fal edhe unë, sepse edhe unë, nëse kam falur gjë, kujtdo që t’ia kem falur, e bëra për ju përpara Krishtit,

11 që të mos na mposhtë Satanai, sepse ne i dimë qëllimet e tij.

12 Dhe, kur arrita në Troas për ungjillin e Krishtit edhe m’u hap një derë në Zotin,

13 nuk gjeta prehje në frymën time, sepse nuk gjeta aty Titin, vëllanë tim; prandaj, si u përshëndeta me ta, shkova në Maqedoni.

14 Por, falem nderit Perëndisë, që na bën të ngadhnjejmë gjithnjë në Krishtin dhe shfaq kudo nëpërmjet nesh erën e këndshme të njohurisë së vet.

15 Sepse ne jemi për Perëndinë era e këndshme e Krishtit ndër ata që shpëtohen dhe ndër ata që humbasin;

16 për këta një erë vdekjeje në vdekje, po për ata erë jete në jetë. Dhe kush është i zoti për këto?

17 Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin.

Ezekieli 16

16 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Bir njeriu, bëja të njohura Jeruzalemit veprimet e tij të neveritshme,

dhe i thuaj: Kështu i thotë Zoti, Zoti, Jeruzalemit: Prejardhja jote dhe lindja jote janë nga vendi i Kanaanit; ati yt ishte një Amoreas dhe nëna jote një Hitease.

Kur linde ti, ditën që dole në këtë botë, nuk t’u pre kërthiza, nuk të lanë me ujë për t’u pastruar, nuk të fërkuan me kripë as të mbështollën në pelena.

Asnjë sy nuk u kujdes për ty që të të bënte qoftë edhe një nga këto gjëra, duke i ardhur keq për ty; përkundrazi ditën që linde të hodhen në fushë të hapur, për shkak të neverisë që kishin për ty.

Unë të kalova afër, pashë që po përpëliteshe në gjak dhe të thashë, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd: "Jeto!". Po, ndërsa ndodheshe në gjakun tënd të thashë: "Jeto!".

Të bëra të rritesh si mori si filizat e arave; dhe ti u rrite, ubëre e madhe dhe u bëre shumë e bukur. Gjiri t’u formua, flokët t’u rritën shumë, por ti ishe lakuriqe dhe nevojtare.

Unë të kalova afër dhe të shikova, dhe ja, koha jote ishte koha e dashurisë. Kështu shtriva cepin e rrobave të mia mbi ty dhe mbulova lakuriqësinë tënde; të bëra një betim, lidha një besëlidhje me ty dhe ti u bëre imja," thotë Zoti, Zoti.

"Të lava me ujë, të pastrova krejt nga gjaku dhe të leva me vaj.

10 Pastaj të vura të veshësh rroba të qëndisura, të vura sandale prej lëkure baldoseje, të rrethova kokën me li të hollë dhe të mbulova me mëndafsh.

11 Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në kyçet e dorës dhe një gjerdan në qafë.

12 Të vura një unazë në hundë, vathë te veshët dhe një kurorë të mrekullueshme mbi krye.

13 Kështu u zbukurove me ar dhe argjend dhe u veshe me li të hollë, me mëndafsh dhe me qëndisje. Ti hëngre majë mielli, mjaltë dhe vaj; u bëre shumë, shumë e bukur dhe arrite të mbretërosh.

14 Nami yt u përhap midis kombeve për bukurinë tënde që ishte e përsosur, për shkak të shkëlqimit tim të madh që kisha vendosur mbi ty," thotë Zoti, Zoti.

15 Por ti vure besim në bukurinë tënde dhe u kurvërove për shkak të namit tënd dhe ia falje kurvërimet e tua çdo kalimtari, që i pranonte.

16 Ti more disa nga rrobat e tua, bëre vende të larta me ngjyra të ndryshme në të cilat u kurvërove, gjëra që nuk duhet të kishin ndodhur dhe as që të ishin.

17 More gjithashtu xhevahiret e tua të bukura të bëra me arin dhe argjendin tim, që unë të kisha dhënë, bëre prej tyre figura njeriu dhe u kurvërove me to;

18 pastaj more rrobat e tua të qëndisura, i mbulove dhe ofrove para tyre vajin dhe temjanin tim.

19 Edhe bukën time që të kisha dhënë, majën e miellit, vajin dhe mjaltin me të cilin të ushqeja, i vure para tyre si një parfum me erë shumë të këndshme; kështu ndodhi," thotë Zoti, Zoti.

20 "Përveç kësaj more bijtë e tu e bijat e tua që më kishe lindur dhe i sakrifikove ata, që të gëlltiten. Mos vallë ishin pak gjë kurvërimet e tua,

21 që ti të therje bijtë e mi dhe t’ua ofroje atyre duke i kaluar nëpër zjarr?

22 Me gjithë veprimet e tua të neveritshme dhe kurvërimet e tua, nuk i kujtove ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq dhe nevojtare dhe përpëliteshe në gjak.

23 Tani mbas gjithë ligësisë sate, "mjerë, mjerë ti!,"" thotë Zoti, Zoti;

24 "në çdo shesh ke ndërtuar një kamare dhe ke bërë një vend të lartë;

25 në krye të çdo rruge ke ndertuar një vend te lartë, e ke bërë të neveritshme bukurinë tënde, dhe i ke hapur këmbët e tua çdo kalimatari, duke i shumuar kurvërimet e tua.

26 Ti gjithashtu je kurvëruar me Egjiptasit, fqinjët e tu trupmëdhenj, dhe i ke shumuar kurvërimet e tua për të provokuar zemërimin tim.

27 Prandaj, ja, unë kam shtrirë dorën kundër teje, kam pakësuar racionin tënd të caktuar, të kam lënë në dorë të atyre që të urrejnë, bijave të Filistejve, që u vjen turp nga qëndrimi yt i poshtër.

28 Ende e pa kënaqur, je kurvëruar me Asirianët; po, je kurvëruar me ata, por pa qenë e kënaqur.

29 Kështu i ke shtuar kurvërimet e tua me vendin e Kanaanit deri në Kalde, por as me këtë nuk je kënaqur.

30 Sa e shthurur është zemra jote," thotë Zoti, Zoti, "kur bën tërë këto gjëra të një prostitute pa cipë!

31 Ti ndërtoje kamaren në krye të çdo rruge dhe bënje vendet e larta në çdo shesh por nuk ishe si një prostitutë, sepse përbuzje pagën,

32 por si një grua që shkel kurorën, që në vend të bashkëshortit të saj pret të huajt.

33 Të gjitha prostitutave u bëhen dhurata, por ti u ke bërë dhurata gjithë dashnorëve të tu dhe me dhurata i ke bërë të vijnë nga çdo anë te ti për kurvërimet e tua.

34 Në kurvërimet e tua je sjellë krejt ndryshe nga gratë e tjera; askush nuk të ndiqte nga pas për t’u kurvëruar, sepse ti jepje pagesën në vend që ta merrje atë; kështu je sjellë krejt ndryshe nga të tjerat".

35 Prandaj, o prostitutë, dëgjo fjalën e Zotit.

36 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se paratë e tua janë shkapërderdhur dhe lakuriqësia jote është zbuluar në kurvërimet e tua me dashnorët e tu dhe me tërë idhujt e tu të neveritshëm dhe për shkak të gjakut të bijve të tu që u ke ofruar atyre,

37 ja, unë do të mbledh tërë dashnorët e tu me të cilët ke bërë qejf, të gjithë ata që ke dashuruar bashkë me ata që ke urryer; do t’i mbledh nga çdo anë kundër teje dhe do të zbuloj para tyre lakuriqësinë tënde, me qëllim që ata të shohin gjithë lakuriqësinë tënde.

38 Do të të gjykoj si gjykohen gratë që shkelin kurorën dhe ato që derdhin gjakun dhe do të sjell mbi ty gjakun e tërbimit dhe të xhelozisë.

39 Do të të jap pastaj në duart e tyre dhe ata do të shembin kamaren tënde dhe do të hedhin poshtë të gjitha vendet e tua të larta do të të zhveshin gjithashtu nga rrobat e tua, do të marrin xhevahiret e tua të mrekullueshme dhe do të të lënë lakuriq dhe nevojtare.

40 Pastaj do të bëjnë të dalë kundër teje një turmë e madhe dhe do të të vrasin me gurë dhe do të të shpojnë me shpatat e tyre.

41 Do t’u vënë flakën shtëpive të tua dhe do të zbatojnë vendime kundër teje para syve të shumë grave; do të të bëj të heqësh dorë nga kurvërimi dhe nuk do të japësh më asnjë pagë.

42 Kështu do ta fashit zemërimin tim mbi ty dhe xhelozia ime do të largohet nga ti; do të qetësohem dhe nuk do të zemërohem më.

43 Sepse ti nuk i ke kujtuar ditët e rinisë sate dhe më ke bërë të tërbohem me të gjitha këto gjëra, ja, edhe unë do të të bëj që të bien mbi kokën tënde veprimet e tua," thotë Zoti, Zoti, "kështu ti nuk do të kryesh poshtërsi të tjera përveç veprimeve të tua të neveritshme.

44 Kushdo që do të thotë proverba, do të thotë këtë proverb kundër teje: Si nëna është edhe e bijaa".

45 Ti je me të vërtetë bija e nënës sate që ka mohuar bashkëshortin e saj dhe bijt e vet, dhe je motër e motrave të tua që kanë mohuar burrat dhe bijtë e tyre. Nëna juaj ishte një Hitease dhe ati juaj një Amoreas.

46 Motra jote më e madhe është Samaria, që banon me gjithë bijat e saj në të majtën tënde; motra jote më e vogël është Sodoma, që banon me gjithë bijat e saj në të djathtën tënde.

47 Ti jo vetëm ke ecur në rrugët e tyre dhe ke kryer veprimet e tyre të neveritshme, por, sikur kjo të ishte fare pak, në të gjitha rrugët e tua je korruptuar më shumë se ato.

48 Siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "motra jote Sodoma dhe bijat e saj nuk kanë bërë atë që ke bërë ti bashkë me bijat e tua.

49 Ja, kjo qe paudhësia e motrës sate Sodoma: ajo dhe bijat e saj jetonin në kryelartësi, në bollëkun e bukës dhe në një plogështi të theksuar, por nuk përkrahnin dorën e të përvuajturit dhe të të varfërit.

50 Ishin fodulle dhe kryenin veprime të neveritshme para meje; prandaj i hoqa nga mesi, kur e pashë këtë.

51 Samaria nuk ka kryer as gjysmën e mëkateve të tua; ti i ke shumuar veprimet e tua të neveritshme më shumë se ato dhe ke justifikuar motrat e tua me të gjitha veprimet e neveritshme që ke kryer.

52 Ti, që ke gjykuar motrat e tua, mbaje turpin tënd, sepse me mëkatet që ke kryer je bërë më e neveritshme se ato; ato janë më të drejta se ti. Po, ki turp, dhe mbaje për vete turpin, sepse ke justifikuar motrat e tua.

53 Kur do t’i kthej robërit e tyre, robërit e Sodomës dhe bijat e saj, robërit e Samarias dhe vajzat e saj, atëherë do t’i kthej edhe robërit nga robërimi yt që janë në mes tyre,

54 me qëllim që ti të mbash turpin tënd dhe të turpërohesh për tërë ato që ke bërë, kur i ke dhënë zemër.

55 Kur motrat e tua, Sodoma dhe bijat e saj, do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, dhe Samaria dhe bijat e saj do të kthehen në gjendjen e tyre të mëparshme, edhe ti dhe bijat e tua do të ktheheni në gjendjen tuaj të mëparshme.

56 Motra jote Sodoma nuk ishte përmendur fare nga goja jote në ditët e kryelartësisë sate,

57 para se ligësia jote të zbulohej lakuriq, si ndodhi kur të fyen bijat e Sirisë dhe të gjitha ato që ishin rreth tyre, bijat e Filistejve, që të përçmonin nga të gjitha anët.

58 Ti mban dënimin e poshtërsisë sate dhe të veprimeve të tua të neveritshme," thotë i Amshueshmi.

59 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë do të veproj me ty ashtu si ke vepruar ti me mua, se ke përçmuar betimin, duke shkelur besëlidhjen".

60 "Megjithatë do të kujtoj besëlidhjen që lidha me ty në ditët e rinisë sate dhe do të lidh me ty një besëlidhje të përjetëshme.

61 Atëherë do të kujtohesh për sjelljen tënde dhe do të të vijë turp, kur do të presësh motrat e tua, ato që janë më të mëdha dhe ato që janë më të vogla nga ti; dhe unë do t’i jap ty si bija, por jo për hir të besëlidhjes sate.

62 Unë do të lidh besëlidhjen time me ty dhe ti do të pranosh që unë jam Zoti,

63 me qëllim që të mbash mend, të të vijë turp dhe të mos hapësh gojën për shkak të konfuzionit tënd, kur të kem bërë shlyerjen e fajit për të gjitha ato që ke bërë," thotë Zoti, Zoti.

Psalmet 58-59

58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?

Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.

Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.

Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,

për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.

O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.

U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.

U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.

Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.

10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.

11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".

59 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje.

Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë.

Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime.

Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko.

Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela)

Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?".

Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet.

O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime.

10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi.

11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë.

12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë.

13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela)

14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet.

15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar.

16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë.

17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua.