M’Cheyne Bible Reading Plan
3 Pastaj Salomoni bëri krushqi me Faraonin, mbretin e Egjiptit. U martua me të bijën e Faraonit dhe e çoi në qytetin e Davidit, deri sa të mbaronte së ndërtuari shtëpinë e tij, shtëpinë e Zotit dhe muret rrethuese të Jeruzalemit.
2 Populli ofronte flijime në vendet e larta, sepse deri në atë ditë nuk ishte ndërtuar akoma një tempull në emër të Zotit.
3 Salomoni e donte Zotin dhe respektonte statutet e Davidit, atit të tij; megjithatë ofronte flijime dhe digjte temjan në vendet e larta.
4 Mbreti shkoi në Gabaon për të ofruar flijime, sepse ky ishte vendi i lartë më i rëndësishëm; dhe mbi këtë altar Salomoni ofroi një mijë olokauste.
5 Në Gabaon, Zoti i doli në ëndërr natën Salamonit. Perëndia i tha: "Kërko ç’të duash dhe unë do ta jap".
6 Salamoni u përgjigj: "Ti ke treguar një dashamirësi të madhe ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, sepse ai ecte para teje me besnikëri, me drejtësi dhe me zemër të pastër ndaj teje; ti ke vazhduar të shfaqësh ndaj tij këtë dashamirësi të madhe dhe i ke dhënë një bir që të ulet mbi fronin e tij, siç po ndodh sot.
7 Tani, o Zot, Perëndia im, ti ke bërë të mbretërojë shërbëtori yt në vend të Davidit, atit tim, por unë jam veçse një fëmijë dhe nuk di si të sillem.
8 Përveç kësaj shërbëtori yt është në mes të popullit që ti ke zgjedhur, një popull i madh, tepër i shumtë për t’u numëruar dhe llogaritur.
9 Jepi, pra, shërbëtorit tënd një zemër të zgjuar, në mënyrë që të administrojë drejtësinë për popullin tënd dhe të dallojë të mirën nga e keqja. Kush në fakt mund të administrojë drejtësinë për popullin tënd kaq të madh?".
10 I pëlqeu Perëndisë që Salomoni bëri këtë kërkesë.
11 Atëherë Perëndia i tha: "Me qenë se kërkove këtë dhe nuk kërkove për vete as jetë të gjatë, as pasuri, as vdekjen e armiqve të tu, por ke kërkuar zgjuarsi për të kuptuar atë që është e drejtë,
12 ja, unë po bëj atë që ti ke kërkuar: po të jap një zemër të urtë dhe të zgjuar, sa nuk ka pasur asnjëri para teje dhe nuk ka për të dalë askush si ti mbas teje.
13 Po të jap edhe atë që nuk ke kërkuar: pasuri dhe lavdi, kështu që midis mbretërve nuk do të ketë asnjë si ti, për të gjitha ditët e jetës sate.
14 Në rast se ti ecën në rrugët e mia duke iu bindur statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu si bëri Davidi, ati yt, unë kam për t’i zgjatur ditët e tua".
15 Salomoni u zgjua, dhe ja, ishte në ëndërr. Atëherë ai u kthye në Jeruzalem, u paraqit para arkës së besëlidhjes të Zotit, ofroi olokauste dhe flijime falënderimi, dhe shtroi një banket për të tërë shërbëtorët e tij.
16 Pastaj erdhën te mbreti dy prostituta dhe u paraqitën para tij.
17 Një nga të dy gratë tha: "O imzot, kjo grua dhe unë banojmë në të njëjtën shtëpi; unë linda kur ajo ishte akoma në shtëpi.
18 Tri ditë pasi linda unë, lindi edhe kjo grua; dhe nuk kishte njeri tjetër në shtëpi përveç ne të dyjave.
19 Djali i kësaj gruaje vdiq natën, sepse ajo kishte rënë në shtrat sipër tij.
20 Atëherë ajo u ngrit në mes të natës, mori djalin tim nga krahu im, ndërsa shërbëtorja jote po flinte, dhe e vuri mbi gjirin e saj, dhe mbi gjirin tim vendosi djalin e saj të vdekur.
21 Kur në mëngjes u ngrita për t’i dhënë gji djalit tim, pashë që kishte vdekur; por kur e kqyra me kujdes në mëngjes, pashë që nuk ishte djali që kisha lindur".
22 Atëherë gruaja tjetër tha: "Nuk është e vërtetë; djali im është ai që jeton, dhe yti është ai i vdekur". Por e para nguli këmbë: "Nuk është e vërtetë; yt bir është ai vdekur dhe imi është ai i gjallë". Kështu grindeshin përpara mbretit.
23 Atëherë mbreti tha: "Njëra thotë: "Ai i gjallë është djali im dhe ai i vdekur është yti". Dhe tjetra thotë: "Nuk është e vërtetë; ai i vdekur është djali yt dhe ai i gjallë është imi"".
24 Atëherë mbreti urdhëroi: "Më sillni një shpatë!". Kështu sollën një shpatë para mbretit.
25 Pastaj mbreti urdhëroi: "Ndajeni fëmijën e gjallë në dy pjesë dhe jepini gjysmën njërës dhe gjysmën tjetrës".
26 Atëherë gruaja e fëmijës së gjallë, që e donte shumë fëmijën e vet, i tha mbretit: "Imzot, jepjani asaj fëmijën e gjallë, por mos e vrisni". Tjetra përkundrazi thoshte: "Të mos jetë as imi, as yti; por ndaheni!".
27 Atëherë mbreti u përgjigj duke thënë: "Jepini së parës fëmijën e gjallë dhe mos e vrisni, sepse ajo është nëna e fëmijës".
28 Tërë Izraeli e mësoi vendimin që u dha nga mbreti dhe patën frikë nga mbreti sepse shihnin që dituria e Perëndisë ishte tek ai për të ushtruar drejtësinë.
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, shenjtorëve që janë në Efes dhe besimtarëve në Jezu Krishtin:
2 Hir dhe paqe qoftë mbi ju prej Perëndisë, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
3 I bekuar qoftë Perëndia, Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, që na bekoi me çdo bekim frymëror në vendet qiellore në Krishtin,
4 sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,
5 duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet,
6 për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij,
7 në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij,
8 të cilin e bëri të teprojë ndaj nesh me gjithë urtësinë dhe mençurinë,
9 duke bërë të njohur tek ne misterin e vullnetit të tij sipas pëlqimit të tij, që ai e kish përcaktuar me veten e tij,
10 që, kur të plotësoheshin kohërat, t’i sillte në një krye të vetëm, në Krishtin, të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato që janë mbi dhe.
11 Në të edhe kemi qenë zgjedhur për një trashëgimi, duke qenë të paracaktuar sipas vendimit të atij që vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij,
12 që ne të jemi për lëvdim të lavdisë së tij, ne që shpresuam qysh më parë në Krishtin.
13 Në të edhe ju, pasi e dëgjuat fjalën e së vërtetës, ungjillin e shpëtimit tuaj, dhe pasi besuat, u vulosët me Frymën e Shenjtë të premtimit,
14 i cili është kapari i trashëgimisë tonë, për shpengimin e plotë të zotërimit të blerë, për lëvdim të lavdisë së tij.
15 Prandaj edhe unë, qëkur dëgjova për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj gjithë shenjtorëve,
16 nuk pushoj së falënderuari për ju dhe duke ju kujtuar në lutjet e mia,
17 që Perëndia i Zotit tonë Jezu Krisht, Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij,
18 dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,
19 dhe cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë sipas veprimit të forcës së fuqisë së tij,
20 të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore,
21 përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet jo vetëm në këtë epokë, por edhe në atë të ardhme,
22 dhe vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,
23 e cila është trupi i tij, plotësia i atij që mbush çdo gjë në të gjithë.
34 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:
2 "Bir njeriu, profetizo kundër barinjve të Izraelit; profetizo dhe u thuaj atyre barijve: Kështu thotë Zoti, Zoti: Mjerë barinjtë e Izraelit që kullotin veten e tyre! A nuk duhet përkundrazi të kullosin kopenë?
3 Ju hani yndyrën, visheni me leshin, vritni delet e majme, por nuk e kullotni kopenë.
4 Nuk i keni forcuar delet e dobëta, nuk jeni kujdesur për të sëmurën, nuk keni fashuar atë të plagosurën, nuk e keni rikthyer në shtëpi të hutuarën dhe nuk e keni kërkuar të humburën, por keni sunduar mbi to me forcë dhe ashpërsi.
5 Kështu ato, për mungesë bariu, janë shpërndarë, janë bërë pre e të gjitha bishave të fushës dhe kanë humbur.
6 Delet e mia po enden nëpër tërë malet dhe mbi çdo kodrinë të lartë; po, delet e mija janë përhapur mbi gjithë faqen e vendit dhe askush nuk ka shkuar t’i kërkojë ato as nuk tregoi kujdes".
7 Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit:
8 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "duke qenë se delet e mija janë bërë një pre, delet e mia i hanë të gjitha bishat e fushave për mungesë të një bariu dhe sepse barinjtë e mi nuk kanë vajtur ti kërkojnë delet e mia, por barinjtë kanë kullotur për veten e tyre dhe nuk kanë kullotur delet e mia".
9 Prandaj, o barinj, dëgjoni fjalën e Zotit:
10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër barinjve; do t’u kërkoj llogari për delet e mia dhe nuk do t’i lë t’i kullotin delet. Barinjtë nuk do të kullotin më veten e tyre, sepse do t’u heq nga goja e tyre delet e mia dhe nuk do të jenë më ushqimi i tyre.
11 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të shkoj të kërkoj delet e mia dhe do të kujdesem.
12 Ashtu si bariu kujdeset për kopenë e tij kur ndodhet në mes të deleve të tij, të shpërndara, kështu unë do të kujdesem për delet e mia dhe do t’i heq nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë në një ditë me re dhe errësirë të dendur.
13 Do t’i nxjerr nga popujt dhe do t’i mbledh nga vende të ndryshme; do t’i çoj përsëri në tokën e tyre dhe do t’i kullot në malet e Izraelit, gjatë rrjedhave ujore dhe në tërë vendet e banuara të vendit.
14 Do t’i kullot në kullota të mira dhe vatha e tyre do të jetë në malet e larta të Izraelit; atje do të pushojnë në një vathë dhe do të kullotin në kullota të pasura në malet e Izraelit.
15 "Unë vetë do t’i kullot delet e mia dhe do t’i bëj të pushojnë," thotë Zoti, Zoti.
16 "Unë do të kërkoj të humburën, do ta kthej të hutuarën, do t’i lidh plagën, do ta forcoj të sëmurën, por do të shkatërroj të majmen dhe të fortën; do t’i kullot me drejtësi.
17 Sa për ju, o delet e mia," kështu thotë Zoti, Zoti, "ja, unë do të gjykoj midis dele e dele, midis deshëve dhe cjepve.
18 Ju duket gjë e vogël të kullotësh në një kullotë të mirë dhe pastaj të shkelësh me këmbë atë që mbetet nga kullota juaj, ose të pish ujra të pastra dhe pastaj të turbullosh me këmbë atë që mbetet?
19 Kështu delet e mia duhet të hanë atë që kanë shkelur këmbët tuaja dhe duhet të pijnë atë që kanë turbulluar këmbët tuaja".
20 Prandaj kështu u thotë atyre Zoti, Zoti: "Ja, unë vetë do të gjykoj midis deles së dhjamur dhe deles së dobët.
21 Duke qenë se ju keni shtyrë me ijë dhe me shpatull dhe u keni rënë me brirë të gjitha deleve të dobëta deri sa i shpërndatë rreth e rrotull,
22 unë do t’i shpëtoj delet e mia dhe nuk do të bëhen më pre, dhe do të gjykoj midis dele e dele.
23 Do të vendos mbi to një bari të vetëm që do t’i kullosë, shërbëtorin tim David. Ai do t’i kullosë dhe ka për të qenë bariu i tyre.
24 Dhe unë, Zoti, do të jem Perëndia i tyre dhe shërbëtori im Davidi do të jetë princ në mes tyre. Unë, Zoti, fola.
25 Do të vendos me to një besëlidhje paqeje dhe do të zhduk nga vendi kafshët e liga, kështu ato do të mund të rrinë të sigurta në shkretëtirë dhe të flenë nëpër pyje.
26 Dhe do t’ua bëj të bekura vendet rreth kodrës sime; do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur, dhe do të jenë shira bekimi.
27 Druri i fushës do të japë frytin e tij dhe toka do të japë prodhimet e saj. Ato do të jenë të sigurta në tokën e tyre dhe do të pranojnë që unë jam Zoti, kur do të këpus shufrat e zgjedhës së tyre dhe do t’i çliroj nga dora e atyre që i mbanin në skllavëri.
28 Dhe nuk do të jenë më pre e kombeve as do t’i hanë më bishat e fushës, por do të qëndrojnë të sigurta dhe askush nuk ka për t’i trembur.
29 Do ta bëj që të mbijë për ta një kopësht me famë të madhe; nuk do të konsumohen më nga uria në vend dhe nuk do të mbajnë më turpin e kombeve.
30 Kështu ata do të pranojnë që unë, Zoti, Perëndia i tyre, jam me ta, dhe që ata, shtëpia e Izraelit, janë populli im," thotë Zoti, Zoti.
31 "Ju jeni delet e mia, delet e kullotës sime; jeni njerëz dhe unë jam Perëndia juaj," thotë Zoti.
83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!
2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.
3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.
4 Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".
5 Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.
6 Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,
7 Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;
8 dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)
9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,
10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.
11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,
12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".
13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.
14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,
15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.
16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.
17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;
18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.
84 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive!
2 Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë.
3 Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im.
4 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela)
5 Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua!
6 Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime.
7 Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela)
9 Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd.
10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve.
11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt.
12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti!