Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 5

Naamani, komandant i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i madh dhe shumë i çmuar në sytë e zotit të tij, sepse nëpërmjet tij Zoti i kishte dhënë fitoren Sirisë; por ky njeri i madh dhe trim ishte lebroz.

Disa banda të Sirisë gjatë një sulmi për plaçkitje kishin marrë me vete nga vendi i Izraelit, si robinjë, një vajzë të vogël që kishte përfunduar si shërbëtore e gruas së Naamanit.

Ajo i tha zonjës së saj: "Po të mundte të shkonte zoti im te profeti që është në Samari, me siguri ky do ta shëronte nga lebra".

Kështu Naamani shkoi tek zoti e tij dhe ia tregoi çështjen, duke thënë: Vajza nga vendi i Izraelit ka thënë kështu e kështuu".

Atëherë mbreti i Sirisë tha: "Shko, pra, unë do t’i dërgoj një letër mbretit të Izraelit". Ai, pra, u nis duke marrë me vete dhjetë talente argjendi, gjashtë mijë sikla ari dhe dhjetë palë ndërresash.

I çoi mbretit të Izraelit gjithashtu letrën, në të cilën thuhej: "Kur të të arrijë kjo letër, dije që po të dërgoj shërbëtorin tim Naaman, që ta shërosh nga lebra".

Mbasi lexoi letrën, mbreti i Izraelit grisi rrobat e tij dhe tha: "A jam unë Perëndia, i pajisur me fuqinë të të shkaktojë vdekjen dhe ngjalljen, që ai më dërgon një njeri për ta shëruar nga lebra? Prandaj shikoni, që ai tani kërkon pretekse kundër meje".

Kur Eliseu, njeriu i Perëndisë, mësoi që mbreti i Izraelit kishte grisur rrobat e tij, dërgoi t’i thotë mbretit: "Pse i grise rrobat? Le të vijë ai njeri tek unë dhe do të mësojë që ka një profet në Izrael".

Kështu Naamani erdhi me kuajt dhe me qerret e tij dhe u ndal te porta e shtëpisë së Eliseut.

10 Atëherë Eliseu i dërgoi një lajmëtar për t’i thënë: "Shko të lahesh shtatë herë në Jordan dhe mishi yt do të kthehet si më parë dhe do të jesh i pastër".

11 Por Naamani u zemërua dhe iku, duke thënë: "Ja, unë mendoja: "Ai ka për të dalë me siguri përballë meje, do të ndalet, do të përmëndë emrin e Zotit, Perëndisë së tij, do të lëvizë dorën mbi pjesët e sëmura dhe do të më shërojë nga lebra".

12 Lumenjtë e Damaskut, Abanahu dhe Farpari, a nuk janë më të mirë se tërë ujërat e Izraelit? Nuk mund të lahesha në to dhe të bëhem i pastër?". Kështu u kthye dhe iku tërë inat.

13 Por shërbëtorët e tij iu afruan dhe i folën, duke i thënë: "Ati ynë, në qoftë se profeti do të kishte urdhëruar një gjë të madhe, ti a do ta kishe bërë? Aq më tepër tani që të ka thënë: "Lahu dhe do të pastrohesh"?".

14 Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, sipas fjalës së njeriut të Perëndisë, mishi i tij u bë si mishi i një fëmije të vogël dhe ai pastrua.

15 Pastaj u kthye me gjithë suitën e tij te njeriu i Perëndisë, shkoi e u paraqit para tij dhe tha: "Tani e pranoj që nuk ka asnjë Perëndi në gjithë dheun, përveç se në Izrael. Prandaj tani prano një dhuratë, të lutem, nga shërbëtori yt".

16 Por ai u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, në prani të të cilit ndodhem, nuk kam për të pranuar asgjë". Naamani ngulte këmbë që të pranonte, por ai refuzonte.

17 Atëherë Naamani tha: "Me qenë se ti nuk do, lejo që t’i jepet shërbëtorit tënd aq tokë sa mund të mbajnë dy mushka, sepse shërbëtori yt nuk do t’u ofrojë më olokauste as flijime perëndive të tjera, por vetëm Zotit.

18 Megjithatë Zoti ta falë shërbëtorin e tij për këtë gjë: kur zoti im shkon në tempullin e Rimonit për të adhuruar dhe mbështetet në krahun tim, edhe do të bie përmbys në tempullin e Rimonit; Zoti ta falë shërbëtorin e tij për këtë gjë, kur unë do të bie përmbys në tempullin e Rimonit".

19 Profeti i tha: "Shko i qetë!". Kështu u nda prej tij dhe bëri një copë rrugë të mirë.

20 Por Gehazi, shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë, tha me veten e tij: "Ja, zoti im është sjellë tepër mirë me Naamanin, me këtë Sirian, duke mos pranuar nga dora e tij atë që ai kishte sjellë; siç është e vërtetë që Zoti rron, do ta ndjekë nga pas dhe do të marr diçka prej tij".

21 Kështu Gehazi ndoqi Naamanin; kur Naamani pa që ai vraponte prapa tij, u hodh nga qerrja për t’i dalë përballë dhe i tha: "A shkon çdo gjë mirë?".

22 Ai u përgjigj: "Çdo gjë mirë. Zoti im më dërgon të të them: "Ja, pikërisht tani kanë ardhur tek unë nga krahina malore e Efraimit dy të rinj nga dishepujt e profetëve; të lutem, jepu atyre një talent argjendi dhe dy palë rroba"".

23 Atëherë Naamani tha: "Të lutem, prano dy talenta!," dhe insistoi me të. Pastaj lidhi dy talenta prej argjendi, në dy thasët me dy palë rroba dhe ua dorëzoi dy prej shërbëtorëve të tij, që i bartën para tij.

24 Kur arriti në kodër, mori thasët nga duart e tyre, i rivendosi në shtëpi; pastaj i ktheu prapa njerëzit, që ikën.

25 Pastaj shkoi të paraqitet përpara zotit të tij, Eliseu i tha: "Ku ke vajtur, Gehazi?". Ai u përgjigj: "Shërbëtori yt nuk ka vajtur asgjëkundi".

26 Por Eliseu i tha: "Fryma ime, vallë a nuk të ka ndjekur, kur ai njeri u kthye prapa nga qerrja e tij që të të dalë përpara? Vallë, tani është çasti për të marrë para, për të marrë rroba, ullishte dhe vreshta, dele dhe lopë, skllevër dhe skllave?

27 Prandaj lebra e Naamanit do të të ngjitet ty dhe pasardhësve të tu përjetë". Kështu Gehazi doli nga prania e Eliseut lebroz i tëri, i bardhë si bora.

1 Timoteut 2

Të bëj thirrje, pra, para së gjithash, që të bëhen përgjërime, lutje, ndërhyrje dhe falënderime për të gjithë njerëzit,

për mbretërit e për të gjithë ata që janë në pushtet, që të mund të shkojmë një jetë të qetë dhe të paqtë me çdo perëndishmëri dhe nder.

Sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,

i cili dëshiron që gjithë njerëzit të shpëtohen dhe t’ia arrijnë njohjes të së vërtetës.

Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri,

i cili e dha veten si çmim për të gjithë, për dëshmim në kohën e caktuar,

për të cilin unë u vura predikues dhe apostull (them të vërtetën në Krisht, nuk gënjej), mësues i johebrenjve në besim dhe në të vërtetë.

Dua, pra, që burrat të luten në çdo vend, duke ngritur duar të pastra, pa mëri dhe pa grindje.

Në mënyrë të njëjtë dua që edhe gratë, të vishen hijshëm, me cipë dhe modesti dhe jo me gërsheta a me ar, a me margaritarë, a me rroba të shtrenjta,

10 po me vepra të mira, si u ka hije grave që i kushtohen perëndishmëri.

11 Gruaja le të mësojë në heshtje dhe me çdo nënshtrim.

12 Nuk e lejoj gruan që të mësojë, as të përdori pushtet mbi burrin, por të rrijë në heshtje.

13 Në fakt së pari u formua Adami dhe më pas Eva.

14 Dhe nuk u gënjye Adami, por gruaja u gënjye dhe ra në shkelje.

15 Megjithatë ajo do të shpëtohet duke lindur fëmijë, në qoftë se do të qëndrojnë në besim, në dashuri dhe në shenjtërim me modesti.

Danieli 9

Në vitin e parë të Darit, birit të Asueros, nga fisi i Mediasve, i cili u bë mbret i Kaldeasve,

në vitin e parë të mbretërimit të tij, unë, Danieli, kuptova nga librat numrin e viteve në të cilët, sipas fjalës të Zotit që i ishte drejtuar Jeremias duhet të kryheshin shkretimet e Jeruzalemit, domethënë shtatëdhjetë vjet.

E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin.

Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,

ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.

Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.

O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.

O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.

Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,

10 dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.

11 Po, tërë Izraeli ka shkelur ligjin tënd, ka marrë rrugë të keqe për të mos iu bindur zërit tënd; prandaj ra mbi ne mallkimi dhe nëma e shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, sepse kemi mëkatuar kundër tij.

12 Kështu ai i bëri realitet fjalët e tij që kishte shqiptuar kundër nesh dhe kundër gjyqtarëve tanë që na kanë qeverisur, duke prurë mbi ne një mjerim të madh, sepse nën tërë qiellin nuk është bërë kurrë diçka që të ngjajë me atë që ka ndodhur në Jeruzalem.

13 Siç është shkruar në ligjin e Moisiut, tërë kjo fatkeqësi na ra mbi kurriz; megjithatë nuk i jemi drejtuar Zotit, Perëndisë tonë, të na kthejë nga paudhësia jonë dhe të kujdesemi për të vërtetën tënde.

14 Prandaj Zoti ka ruajtur rezervë këtë fatkeqësi dhe bëri që të bjerë mbi ne, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i drejtë në të gjitha gjërat që bën, ndërsa ne nuk i jemi bindur zërit të tij.

15 Dhe tani, o Zoti, Perëndia ynë, që nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me dorë të fuqishme dhe i bëre vetes një emër siç është sot, ne kemi mëkatuar, kemi kryer vepra të liga.

16 O Zot, sipas tërë drejtësisë sate, bëj, të lutem, që zemërimi yt dhe tërbimi yt të largohen nga Jeruzalemi, nga qyteti yt, nga mali yt i shenjtë, për mëkatet tona dhe për paudhësitë e etërve tanë. Jeruzalemi dhe populli yt janë bërë objekt qortimi për tërë ata që na rrethojnë.

17 Prandaj dëgjo, o Perëndia ynë, lutjen e shërbëtorit tënd dhe përgjërimet e tij dhe bëj që të shkëlqejë, për hir të Zotit, fytyra jote mbi shenjtëroren tënde që është e shkretuar.

18 O Perëndia im, vër vesh dhe dëgjo; hap sytë e tu dhe shiko shkretimet tona dhe qytetin ku thirret emri yt, sepse ne nuk paraqesim para teje lutjet tona për veprat tona të drejta, por për dhembshuritë e tua të mëdha.

19 O Zot, dëgjo; Zot, fal; Zot, kushtoji kujdes dhe vepro. Mos mëno, për hir të vetvetes, o Perëndia im, sepse emri yt thirret mbi qytetin tënd dhe mbi popullin tënd".

20 Ndërsa unë po flisja akoma, duke u lutur dhe duke rrëfyer mëkatin tim dhe mëkatin e popullit tim të Izraelit dhe po paraqisja lutjen time para Zotit, Perëndisë tim, për malin e shenjtë të Perëndisë tim,

21 po, ndërsa unë po flisja akoma në lutje, ai njeri, Gabrieli, që e kisha parë në vegim në fillim, i dërguar me fluturim të shpejtë, më arriti në orën e blatimit të mbrëmjes.

22 Ai më mësoi, më foli dhe më tha: "Unë kam ardhur tani, o Daniel, që të të vë në gjendje të kuptosh.

23 Në fillim të lutjeve të tua doli një fjalë dhe unë erdha të ta bëj të njohur, sepse ty të duan shumë. Trego kujdes, pra, për fjalën dhe kupto vegimin:

24 Shtatëdhjetë javë janë caktuar për popullin tënd dhe për qytetin tënd të shenjtë, për të t’i dhënë fund shkeljes, për t’i dhënë fund mëkatit, për të shlyer paudhësinë, për të sjellë një drejtësi të përjetshme, për të vulosur vegimin dhe profecinë, për të vajosur vendin shumë të shenjtë.

25 Prandaj dije dhe kuptoje se, që kur ka dalë urdhri të restaurohet dhe të rindërtohet Jeruzalemi deri te Mesia, princi, do të duhen shtatë javë dhe gjashtëdhjetë e dy javë të tjera; ai do të ndërtohet përsëri me sheshe dhe me ledhe, por në kohëra plot ankth.

26 Mbas gjashtëdhjetë e dy javëve Mesia do të vritet dhe askush nuk do të jetë me të. Dhe populli i një princi që do të vijë ka për të shkatërruar qytetin dhe shenjtëroren; fundi i tij do të vijë me një përmbytje, dhe deri në mbarim të luftës janë dekretuar shkatërrime.

27 Ai do të lidhë gjithashtu një besëlidhje me shumë njerëz për një javë, por në mes të javës do t’i japë fund flijimit dhe blatimit; dhe mbi krahët e veprimeve të neveritshme do të vijë një shkatërrues, deri sa shkatërrimi i plotë, që është dekretuar, do të bjerë mbi shkatërruesin".

Psalmet 117-118

117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.

118 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë".

Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m’u përgjigj dhe më çoi larg.

Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu?

Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t’i shikoj triumfues armiqtë e mi.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’i kesh besim njeriut.

Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t’u kesh besim princave.

10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i zhduk ato.

11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t’i shkatërroj.

13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi.

14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im.

15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi.

16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi.

17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit.

18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes.

19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin.

20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të.

21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im.

22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes.

23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona.

24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të.

25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi.

26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit.

28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj.

29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.