Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 10

10 Kur mbretëresha e Shebës dëgjoi të flitet për diturinë e Salomonit për shkak të emrit të Zotit, erdhi ta vërë në provë me anë pyetjesh të vështira.

Ajo arriti në Jeruzalem me një suitë shumë të madhe, me deve të ngarkuara me aroma dhe me një sasi të madhe ari dhe gurësh të çmuara; pastaj shkoi te Salomoni dhe i foli atij për të gjitha gjërat që kishte në zemër.

Salomoni iu përgjigj të gjitha pyetjeve të saj, dhe nuk pati asgjë që të ishte e fshehtë për mbretin dhe që ky të mos ishte në gjendje ta shpjegonte.

Kur mbretëresha e Shebës pa gjithë diturinë e Salomonit, shtëpinë që ai kishte ndërtuar,

gjellët e tryezës së tij, banesat e shërbëtorëve të tij, shërbimin e kamarierëve të tij dhe rrobat e tyre, kupëmbajtësit e tij dhe olokaustet që ai ofronte në shtëpinë e Zotit, ajo mbeti pa fjalë.

Pastaj i tha mbretit: "Ishte e vërtetë, pra, ajo që kisha dëgjuar në vendin tim për fjalët e tua dhe diturinë tënde.

Por nuk u besova këtyre gjërave deri sa nuk erdha vetë dhe nuk i pashë me sytë e mi; e mirë, pra, as gjysmën e tyre nuk më kishin thënë. Dituria dhe begatia jote tejkalojnë famën për të cilën me kishin folur.

Lum njerëzit e tu, lum shërbëtorët e tu që rrinë gjithnjë përpara teje dhe dëgjojnë diturinë tënde!

Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia yt, që pati mirësinë të të vërë mbi fronin e Izraelit! Për shkak të dashurisë së tij të përjetshme për Izraelin, Zoti të ka vënë mbret për të ushtruar arsyen dhe drejtësinë".

10 Pastaj ajo i fali mbretit njëqind e njëzet talente ari dhe një sasi të madhe aromash dhe gurësh të çmuar. Nuk u çuan më aq aroma sa i dha mbretëresha Sheba mbretit Salomon.

11 (Flota e Hiramit që transporon flori nga Ofiri, solli që andej një sasi të madhe dru santali dhe gurësh të çmuar;

12 me durin e santalit mbreti bëri mbështetëse për shtëpinë e Perëndisë dhe për pallatin mbretëror si edhe qeste dhe harpa për këngëtarët. Dru santali nuk sollën më dhe nuk është parë më deri më sot).

13 Mbreti Salomon i dha mbretëreshës Sheba të gjitha gjërat që ajo i kërkoi; përveç këtyre, Salomoni i dhe asaj shumë gjëra me bujarinë e tij të madhe mbretërore. Pastaj ajo mori përsëri rrugën dhe u kthye në vendin e saj bashkë me shërbëtorët e vet.

14 Pesha e arit që Salomoni merrte çdo vit ishte gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë talent ari,

15 përveç atij që vinte nga tregtarët, nga lëvizja e mallrave, nga gjithë mbretërit e Arabisë dhe nga qeveritarët e vendit.

16 Mbreti Salomon dha urdhër të përgatiteshin dyqind mburoja të mëdha me flori të rrahur, duke përdorur për secilin prej tyre gjashtëqind sikla ari,

17 dhe treqind mburoja prej ari të rrahur, duke përdorur për secilën prej tyre tri mina ari; mbreti i vendosi në pallatin e "Pyllit të Libanit".

18 Gjithashtu mbreti bëri një fron të madh prej fildishi të veshur me ar të kulluar.

19 Froni kishte shtatë shkallëza dhe maja e tij ishte e rrumbullakët në pjesën e prapme; kishte dy krahë në anët e karriges dhe pranë dy krahëve rrinin dy luanë.

20 Dymbëdhjetë luanë qëndronin në të dy skajet e gjashtë shkallareve. Asnjë gjë e tillë nuk ishte bërë në ndonjë mbretëri.

21 Të gjitha kupat e pijeve të mbretit Salomon ishin prej ari, dhe të gjitha kupat e pallatit "Pylli i Libanit" ishin prej ari të kulluar. Asnjëra nuk ishte prej argjendi, sepse në kohën e Salomonit argjendi nuk vlente asgjë.

22 Në fakt mbreti kishte në det Flotën e Tarshishit bashkë me flotën e Hiramit; çdo tre vjet flota e Tarshishit sillte ar, argjend, fildish, majmunë dhe pallonj.

23 Kështu mbreti Salomon ua kaloi në pasuri dhe dituri tërë mbretërve të tokës.

24 Dhe tëtë bota kërkonte praninë e Salomonit për të dëgjuar diturinë që Perëndia kishte vënë në zemrën e tij.

25 Dhe secili sillte dhuratën e tij: enë argjendi, enë ari, veshje, armë, aroma, kuaj dhe mushka, një farë sasie çdo vit.

26 Salomoni grumbulloi qerre dhe kalorës; ai pati një mijë e katërqind qerre dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, që i ndau nëpër qytetet sipas qerreve dhe në Jeruzalem afër tij.

27 Përveç kësaj mbreti në Jeruzalem e bëri argjendin të rëndonte si gurët dhe i bëri kedrat të shumtë si fiku egjiptian i fushës.

28 Kuajt e Salomonit importoheshin nga Egjipti dhe nga Kue; tregtarët e mbretit shkonin e i merrnin në Kue me një çmim të caktuar.

29 Një qerre importohej nga Egjipti për gjashtëqind sikla argjendi dhe një kalë njëqind e pesëdhjetë. Kështu, me anë të këtyre tregtarëve, ua eksportonin gjithë mbretërve të Hitejve dhe mbretërve të Sirisë.

Filipianëve 1

Pali dhe Timoteu, shërbëtorë të Jezu Krishtit, gjithë shenjtorëve në Jezu Krishtin që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët:

paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj,

duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj,

për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani,

duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.

Dhe është e drejtë që unë të ndjej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjestarë me mua të hirit.

Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht.

Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim,

10 që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit,

11 të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.

12 Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit,

13 aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin;

14 dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë.

15 Disa me të vërtetë predikojnë Krishtin edhe për smirë dhe për grindje, por disa të tjerë me vullnet të mirë.

16 Këta e predikojnë Krishtin për grindje, me qëllime jo të pastra, duke menduar që t’u shtojnë pikëllimin vargonjve të mia.

17 kurse ata e bëjnë nga dashuria, duke ditur se unë jam vënë për mbrojtjen e ungjillit.

18 Ç’rëndësi ka? Sido që të jetë, me shtirje o sinqerisht, Krishti shpallet; dhe për këtë unë gëzohem, dhe do të gëzohem.

19 E di në fakt, se kjo do të dalë për shpëtimin tim, me anë të lutjes suaj dhe me ndihmën e Frymës së Jezu Krishtit,

20 sipas të priturit tim me padurim dhe me shpresë, se unë nuk do të turpërohem në asnjë gjë, por me çdo guxim, tani si gjithmonë, Krishti do të madhërohet në trupin tim, ose me jetën ose me vdekjen.

21 Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim.

22 Por nuk e di se jeta në mish të jetë për mua një punë e frytshme, as mund të them çfarë duhej të zgjedh,

23 sepse unë jam i shtrënguar nga dy anë, sepse kam dëshirë të iki nga kjo çadër dhe të jem bashkë me Krishtin, gjëja më e mirë,

24 por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për ju.

25 Këtë e di me siguri, që do të rri dhe qëndroj me ju të gjithë për përparimin tuaj dhe për gëzimin e besimit tuaj.

26 që mburrja tuaj për mua të teprojë në Jezu Krishtin, për praninë time sërish midis jush.

27 Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t’ju shoh, ose nga larg kur s’jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit,

28 duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë.

29 Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të,

30 duke patur të njejtën beteje që e patë në mua, dhe tani po dëgjoni që është në mua.

Ezekieli 40

40 Në vitin e njëzet e pesë të robërisë sonë, në fillim të vitit, ditën e dhjetë të muajit, në vitin e katërmbëdhjetë që nga pushtimi i qytetit, po atë ditë dora e Zotit qe mbi mua dhe më çoi atje.

Në vegime të Perëndisë më çoi në vendin e Izraelit dhe më la në një mal shumë të lartë, në anën jugore të të cilit ishte një ndërtim që i ngjante një qyteti.

Ai më çoi atje, dhe ja një burrë, që dukej si prej bronzi, me në dorë një kordhelë prej liri dhe një kallam për të matur; ai rrinte më këmbë te porta.

Ky burrë më tha: "Bir njeriu, shiko me sytë e tu, dëgjo me veshët e tu dhe kushtoji kujdes të gjitha gjërave që do të të tregoj, sepse ty të kanë sjellë këtu që unë të t’i tregoj. Njoftoi shtëpisë së Izraelit të gjitha ato që ke për të parë".

Dhe ja, kishte një mur në pjesën e jashtme të tempullit, rreth e qark. Kallami për matje në dorën e atij burri ishte i gjatë gjashtë kubitë, secili ishte i gjatë një kubit dhe një pëllëmbë. Ai mati gjërësinë e murit: ishte një kallam i gjërë dhe një kallam i lartë.

Pastaj erdhi te porta që shikonte nga lindja, i ngjiti shkallaret e saj dhe mati pragun e portës: ishte një kallam i gjërë; dhe pragu i portës tjetër ishte i gjërë një kallam.

Çdo dhomë ishte një kallam e gjatë dhe një kallam e gjërë. Midis dhomave kishte një hapësirë prej pesë kubitësh. Pragu i portës në afërsi të atriumit të portës së brendshme ishte një kallam.

Ai mati dhe atriumin e portës së brendshme: ishte një kallam.

Pastaj mati atriumin e portës: ishte tetë kubitë, ndërsa shtyllat e tij ishin dy kubitë. Atriumi i portës ishte në pjesën e brendshme.

10 Dhomat e portës nga lindja ishin tri nga një anë dhe tri nga ana tjetër; që të tria kishin po atë madhësi; të njëjtën madhësi kishin gjithashtu shtyllat nga njëra anë dhe nga ana tjetër.

11 Mati gjërësinë e hyrjes së portës: ishte dhjetë kubitë; gjatësia e portës ishte trembëdhjetë kubitë.

12 Hapësira përpara dhomave ishte një kubit në një anë dhe një kubit nga ana tjetër; çdo dhomë ishte gjashtë kubitësh nga një anë dhe gjashtë kubitësh nga ana tjetër.

13 Pastaj mati portën nga çatia e njërës prej dhomave deri te çatia e tjetrës; gjërësia nga një portë te tjetra ishte njëzet e pesë kubitë.

14 Mati shtyllat: ishin gjashtëdhjetë kubitë të lartë; nga shtyllat shtrihej oborri rreth portave.

15 Në pjesën e përparme të portës së hyrjes deri në pjesën e përparme të atriumit të portës së brendshme kishte pesëdhjetë kubitë.

16 Dritaret dhe mbajtëset e tyre përbrenda portave kishin kanate rreth e qark; e njëjta gjë ndodhte për harqet. Kishte gjithashtu dritare rreth e qark në pjesën e brendshme dhe mbi mbajtëset ishin përfytyruar disa palma.

17 Pastaj më çoi në oborrin e jashtëm dhe ja, aty kishte dhoma dhe një kalldrëm rreth e qark oborrit; tridhjetë dhoma shikonin nga kalldrëmi.

18 Gjatësia e kalldrëmit i përgjigjej gjatësisë së portave; ishte kalldrëmi i poshtëm.

19 Pastaj mati gjërësinë e portës që nga pjesa e përparme e portës më të poshtme deri te pjesa e përparme e portës së jashtme të oborrit të brendshëm: ishin njëqind kubitë në lindje dhe në veri.

20 Mati gjithashtu gjatësinë dhe gjërësinë e portës që shikon nga veriu në oborrin e jashtëm.

21 Dhomat e saj ishin tri nga njëra anë dhe tri nga ana tjetër; shtyllat e tyre dhe harqet e tyre kishin po atë madhësi të portës së parë: pesëdhjetë kubitë gjatësi dhe njëzet e pesë kubitë gjërësi.

22 Dritaret e saj, harqet e saj, palmat e saj kishin po atë gjerësi të portës që shikonte nga lindja; ngjiteshe aty nëpër shtatë shkallore, përpara të cilave ishin harqet e saj.

23 Oborri i brendshëm kishte një portë që ishte përballë portës veriore, pikërisht ashtu si ishte për portën lindore; bëri matjen nga një portë te tjetra: njëqind kubitë.

24 Pastaj më çoi nga jugu, dhe ja, një portë që shikonte nga jugu; mati shtyllat dhe harqet e saj që kishin po ato madhësi të të mëparshmëve.

25 Në të dhe në harqet e tyre kishte rreth e rrotull dritare, ashtu si dritaret e tjera: pesëdhjetë kubitë të gjata dhe njëzet e pesë të gjëra.

26 Ngjiteshe aty nëpër shtatë shkallore, përpara të cilave ishin harqet; ajo kishte palma, një nga një anë dhe tjetra nga ana tjetër mbi shtyllat e veta.

27 Oborri i brendshëm kishte një portë nga jugu; mati largësinë midis portave në drejtim të jugut: njëqind kubitë.

28 Pastaj më çoi në oborrin e brendshëm nëpër portën e jugut dhe mati portën e jugut që kishte po ato madhësi.

29 Edhe dhomat e saj, shtyllat e saj dhe harqet e saj kishin po atë madhësi. Ajo kishte dritare dhe harqe rreth e qark me një gjatësi prej pesëdhjetë kubitësh dhe një gjërësi prej njëzet e pesë.

30 Rreth e qark kishte harqe të gjatë njëzetepesë kubitë dhe të gjërë pesë kubitë.

31 Harqet e saj shikonin në oborrin e jashtëm; kishte palma mbi shtyllat e saj dhe ngjiteshe në to nëpërmjet tetë shkallareve.

32 Pastaj më çoi në oborrin e brendshëm që shikon nga jugu dhe mati portën: kishte po ato përmasa.

33 Edhe dhomat e tij, shtyllat e tij dhe harqet e tij kishin po ato përmasa. Ajo kishte dritare dhe harqe rreth e qark dhe kishte një gjatësi prej pesëdhjetë kubitësh dhe një gjërësi prej njëzet e pesë kubitësh.

34 Harqet e tij dilnin mbi oborrin e jashtëm; kishte palma mbi shyllat e tij nga njera dhe nga tjetra anë, dhe ngjiteshe në to nëpërmjet tetë shkallareve.

35 Pastaj më çoi te porta e veriut dhe e mati: ajo kishte po ato përmasa,

36 ashtu si dhomat e tij, shtyllat e tij dhe harqet e tij; kishte dritare rreth e qark; ajo ishte pesëdhjetë kubitësh e gjatë dhe njëzet e pesë kubitë e gjërë.

37 Shtyllat e tij jepnin mbi oborrin e jashtëm; kishte disa palma mbi shtyllat e tij nga njëra dhe nga tjetra anë dhe ngjiteshe në to nëpërmjet tetë shkallarve.

38 Kishte gjithashtu një dhomë me hyrjen pranë shtyllave të portave; aty laheshin olokaustet.

39 Në atriumin e portës kishte dy tryeza nga një anë dhe dy tryeza nga ana tjetër, mbi të cilat thereshin olokaustet, flijimet për mëkatin dhe shkeljen.

40 Në anën e jashtme të atriumit, sapo dikush ngjitet në hyrjen e portës së veriut, kishte dy tryeza, bashkë me dy tryeza nga ana tjetër e atriumit të portës.

41 Kështu në anët e portës kishte katër tryeza nga një anë dhe katër tryeza nga ana tjetër: tetë tryeza gjithsej mbi të cilat thereshin flijimet.

42 Për olokaustet kishte edhe katër tryeza prej guri të latuar, të gjata një kubitë e gjysmë, të gjëra një kubitë e gjysmë dhe të larta një kubitë; mbi to viheshin mjetet me të cilat thereshin olokaustet dhe flijimet e tjera.

43 Në pjesën e brendshme, rreth e qark dhomës, ishin varur çengela një pëllëmbë të gjata; mbi tryezat vihej mishi i ofertave.

44 Jashtë portës së brendshme kishte dy dhoma për këngëtarët në oborrin e brendshëm; njëra ishte pranë portës së veriut dhe shikonte nga jugu, tjetra ishte pranë portës së jugut dhe shikonte nga veriu.

45 Ai më tha: "Kjo dhomë që shikon nga jugu është për priftërinjtë që kryejnë shërbime në tempull;

46 dhoma që shikon nga veriu është për priftërinjtë që kryejnë shërbim në altar; këta janë bijtë e Tsadokut, ndër bijtë e Levit, që i afrohen Zotit për t’i shërbyer".

47 Ai mati oborrin: ishte katror me një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjërësi prej njëqind kubitësh; altari ishte përballë tempullit.

48 Pastaj më çoi në atriumin e tempullit dhe mati shtyllat e atriumit: ishin pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër; gjërësia e portës ishte tre kubitë nga një anë dhe tre kubitë nga ana tjetër.

49 Gjatësia e hajatit ishte njëzet kubitë dhe gjërësia njëmbëdhjetë kubitë; ngjiteshe në të nëpërmjet shkalloreve; pranë mbajtësve kishte shtylla, njëra nga një anë dhe tjetra nga ana tjetër.

Psalmet 91

91 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.

Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj".

Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse.

Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.

Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën,

as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë.

Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet.

Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve.

Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde,

10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate.

11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua.

12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur.

13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën.

14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.

15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.

16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.