Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 17

17 Elia, Tishbiti, një nga banorët e Galaadit i tha Ashabit: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia i Izraelit, në prani të të cilit unë ndodhem, nuk do të ketë as vesë as shi gjatë këtyre viteve, veçse me fjalën time".

Pastaj fjala e Zotit iu drejtua atij, duke thënë:

"Largohu që këtej, ktheu nga lindja dhe fshihu pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.

Do të pish ujë në përrua dhe unë i kam urdhëruar korbat që të të japin të hash atje".

Kështu ai u nis dhe veproi sipas fjalës të Zotit; shkoi dhe u vendos pranë përroit Kerith, që ndodhet në lindje të Jordanit.

Korbat i sillnin bukë e mish në mëngjes dhe bukë e mish në mbrëmje, dhe pinte ujë në përrua.

Mbas një farë kohe përroi shteroi, sepse nuk binte shi mbi vendin.

Atëherë Zoti i foli, duke thënë:

"Çohu dhe shko të vendosësh në Sarepta të Sidonëve, sepse atje kam urdhëruar një grua të ve të të sigurojë ushqimin".

10 Ai u ngrit, pra, dhe shkoi në Sarepta; sapo arriti në portën e qytetit, ai pa një të ve që mblidhte dru. Ai e thirri dhe i tha: "Shko dhe më merr pak ujë në një enë që të mund të pi".

11 Ndërsa ajo po shkonte për të marrë ujin, ai e thirri dhe i tha: "Më sill edhe një copë bukë".

12 Ajo u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti, Perëndia yt, bukë nuk kam, por kam vetëm një dorë miell në një enë dhe pak vaj në një qyp; dhe tani po mbledh dy copa dru për t’i përgatitur për vete dhe për djalin tim; do t’i hamë dhe pastaj kemi për të vdekur".

13 Elia i tha: "Mos ki frikë; shko dhe bëj si the; por më parë bëj një kulaç të vogël për mua dhe sillma; pastaj ta bësh për vete dhe për djalin tënd.

14 Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ena e miellit nuk do të mbarojë dhe qypi i vajit nuk do të pakësohet deri ditën, që Zoti të dërgojë shiun mbi tokë"".

15 Kështu ajo shkoi dhe veproi sipas fjalës së Elias; dhe kështu hëngrën ajo, Elia dhe gjithë familja e saj për një kohë të gjatë.

16 Ena e miellit nuk mbaroi dhe qypi i vajit nuk u pakësua, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të Elias.

17 Mbas këtyre ngjarjeve, biri i gruas, që ishte e zonja e shtëpisë, u sëmur; sëmundja e tij qe aq e rëndë, sa nuk i mbeti më frymë jete.

18 Atëherë ajo i tha Elias: "Çfarë lidhje kam me ty, o njeri i Perëndisë? Ndofta ke ardhur tek unë për të më kujtuar mëkatin që kam bërë dhe për të vrarë djalin tim?".

19 Ai iu përgjigj: "Më jep djalin tënd". Kështu ia mori nga gjiri i saj, e çoi në dhomën lart dhe e shtriu në shtratin e tij.

20 Pastaj i kërkoi ndihmë Zotit dhe tha: "O Zot, Perëndia im, mos ke goditur me fatkeqësi edhe këtë grua të ve, që më strehon, duke bërë t’i vdesë i biri?".

21 U shtri pastaj tri herë mbi fëmijën dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: "O Zot, Perëndia im, të lutem bëj që t’i kthehet shpirti kësaj fëmije".

22 Zoti e plotësoi dëshirën e shprehur në zërin e Elias; shpirti i fëmijës u kthye tek ai dhe ai mori jetë përsëri.

23 Atëherë Elia mori fëmijën, e zbriti nga dhoma e sipërme e shtëpisë dhe ia dha nënës së tij, duke i thënë: "Shiko, fëmija jote është gjallë!".

24 Atëherë gruaja i tha Elias: "Tani pranoj që ti je një njeri i Perëndisë dhe që fjala e Zotit në gojën tënde është e vërtetë".

Kolosianëve 4

Zotërinj, bëni ç’është e drejtë dhe arsyeshme ndaj shërbëtorëve, duke ditur se edhe ju keni një Zotëri në qiejt.

Ngulmoni në të lutur, duke ndenjur zgjuar në të me falendërim.

Dhe duke u lutur në të njëtën kohë edhe për ne, që Perëndia të hapë edhe për ne derën e fjalës, për të shpallur misterin e Krishtit, për shkakun e të cili jam edhe i burgosur,

në mënyrë që ta bëj të njohur, duke e folur siç duhet.

Ecni me urti ndaj të jashtmëve duke shfrytëzuar kohën.

Të folurit tuaj të jetë gjithnjë me hir, i ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithsecilit.

Tikiku, vëllai i dashur, dhe shërbenjës besnik, dhe shoku im i shërbimit në Zotin, do t’jua tregojë gjithçka lidhur me mua;

unë e dërgova te ju pikërisht për këtë arsye, që të njoh situatën tuaj dhe të ngushëllojë zemrat tuaja,

bashkë me Onesimin, vëlla besnik dhe i dashur, që është nga tuajt; ata do t’ju tregojnë juve të gjitha gjërat e këtushme.

10 Aristarku, i burgosur me mua, ju përshëndet bashkë me Markun, kushëririn e Barnabës (për të cilin keni marrë mësimin, po të vijë te ju, ta mirëprisni),

11 dhe Jezusi, i quajtur Just, të cilët vijnë nga rrethprerja; këta janë të vetmit bashkëpunëtorë në veprën e mbretërisë së Perëndisë, të cilët qenë për mua ngushullim.

12 Epafrai, që është nga tuajt dhe shërbëtor i Krishtit, ju përshëndet; ai lufton gjithnjë për ju në lutje, që ju të qëndroni të përsosur dhe të përkryer në gjithë vullnetin e Perëndisë.

13 Në fakt unë dëshmoj për të se ai ka zell të madh për ju, për ata që janë në Laodice dhe për ata që janë në Hierapolis.

14 I dashur Lluka, mjeku, dhe Dema ju përshëndesin.

15 U bëni të fala vëllezërve që janë në Laodice, Ninfës dhe kishës që është në shtëpinë e tij.

16 Dhe, mbasi të jetë lexuar kjo letër ndër ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikasve; dhe ju gjithashtu lexoni atë të Laodices.

17 Dhe i thoni Arkipit: “Ki kujdes shërbesën që more në Zotin, që ta plotësosh.”

18 Përshëndetja është shkruar me dorën time, nga unë, Pali. Kujtoni prangat e mia. Hiri qoftë me ju. Amen.

Ezekieli 47

47 Ai më çoi përsëri në hyrje të tempullit, dhe ja disa ujëra dilnin nga poshtë pragut të tempullit në drejtim të lindjes, sepse fasada e tempullit shikonte nga lindja; ujërat zbrisnin poshtë anës së djathtë të tempullit, në jug të altarit.

Pastaj më çoi jashtë nëpërmjet portës veriore dhe më bëri të sillem jashtë deri në portën e jashtme, që shikon nga lindja; dhe ja, ujërat buronin nga ana e djathtë.

Burri eci deri drejt lindjes me një litar të hollë në dorë dhe mati njëmijë kubitë; pastaj më bëri të kapërcej ujërat, të cilat më arrinin deri te kyçet e këmbëve.

Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kapërcej ujërat; më arrinin te kyçet e këmbëve. Mati katërmijë kubitë të tjerë, pastaj më bëri të kaloj ujërat: më arrinin deri te ijët.

Mati njëmijë kubitë të tjerë: ishte një lumë që nuk mund ta kapërceja, sepse ujërat e tij ishin shtuar; ishin ujëra në të cilat duhet të notoja; një lumë që nuk mund të kapërcehej.

Ai më tha: "E pe, bir njeriu?". Pastaj më ktheu përsëri në bregun e lumit.

Pas kthimit tim, ja mbi bregun e lumit shumë drurë nga një anë dhe nga ana tjetër.

Pastaj më tha: "Këto ujëra drejtohen për në krahinën lindore, zbresin në Arabah dhe do të derdhen në det; me të hyrë në det, ujërat e tij do të shëndoshen.

Dhe do të ndodhë që çdo qenie e gjallë që lëviz do të jetojë, kudo që arrin lumi; do të ketë bollëk të madh peshqish, sepse vijnë këto ujëra dhe shëndoshin ujërat e tjera; kudo që arrin lumi gjithçka ka për t’u gjallëruar.

10 Dhe do të ndodhë që në brigjet e tij do të ketë peshkatarë; nga En-gedi deri në Englegaim do të jetë një vend ku do të shtrihen rrjetat; peshku i tij do të jetë i po atij lloji dhe në sasi të madhe, si peshku i Detit të Madh.

11 Por kënetat tij dhe moçalet e tij nuk do të shëndoshen; do të lihen për të nxjerrë kripë.

12 Gjatë lumit, mbi të dyja brigjet e tij, do të rritet çdo lloj druri që jep fryte, fletët e tyre nuk do të fishken dhe frytet e tij nuk do të mungojnë kurrë. Do të mbajnë fryte çdo muaj, sepse ujërat e tyre dalin nga shenjtërorja, fryti i tyre do të shërbejë për ushqim dhe fletët e tyre për mjekim".

13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Këta janë kufijtë në bazë të të cilëve ju do ta ndani vendin në trashëgimi midis dymbëdhjetë fiseve të Izraelit. Jozefit do t’i takojnë dy pjesë.

14 Secili prej jush do të trashëgojë një pjesë të barabartë me atë të vëllait të tij, sepse unë e ngrita dorën si betim për t’ua dhënë etërve tuaj. Ky vend do t’ju përkasë si trashëgimi.

15 Këta do të jenë kufijtë e vendit nga ana e veriut: nga Deti i Madh në drejtim të Hethlonit deri sa të arrijnë në Tsedad,

16 Hamathi, Berothahi, Sibraimi (që është midis kufirit të Damaskut dhe kufirit të Hamathit), Hatserhatikoni (që është në kufi me Hauranin).

17 Kështu kufiri do të jetë nga deti deri në Hatsarenon, në kufijtë e Damaskut, me kufirin e Hamathit në veri. Kjo është ana veriore.

18 Nga ana lindore do të shtriheni midis Hauranit dhe Damaskut, midis Galaadit dhe vendit të Izraelit, gjatë Jordanit dhe gjatë bregut lindor të detit. Kjo është ana lindore.

19 Ana jugore, në drejtim të jugut, do të shtrihet nga Tamari deri në ujërat e Meribothit të Kadeshit, pastaj gjatë përroit të Egjiptit deri në Detin e Madh. Kjo është ana jugore, në jug.

20 Ana perëndimore do të jetë Deti i Madh, nga kufiri i jugut deri përpara hyrjes së Hamathit. Kjo është ana perëndimore.

21 Do ta ndani kështu këtë vend midis jush, në bazë të fiseve të Izraelit.

22 Do ta ndani me short në trashëgimi midis jush dhe të huajve që banojnë midis jush dhe që u kanë lindur bij në mes tuaj. Këta do të jenë për ju si ata që kanë lindur në vend midis bijve të Izraelit; do të kenë edhe ata me short një trashëgimi në mes të fiseve të Izraelit.

23 Në fisin ku i huaji banon, atje do t’i jepni pjesën e tij," thotë Zoti, Zoti.

Psalmet 103

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë.

10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona.

11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij.

12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona.

13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij.

14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur.

15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës;

16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më.

17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,

18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t’i zbatuar në praktikë.

19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.

20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.

21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij.

22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin!