Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 9

Mbas përfundimit nga ana e Salomonit të ndërtimit të shtëpisë të Zotit, të pallatit mbretëror dhe të gjitha gjërave që Salomoni dëshironte dhe kishte ndërmend të bënte,

Zoti iu shfaq një herë të dytë Salomonit, ashtu siç i qe shfaqur në Gabaon,

dhe Zoti i tha: "Unë e përmbusha lutjen tënde dhe kërkesën që bëre para meje; kam shenjtëruar këtë tempull që ti ke ndërtuar për t’i vënë emrin tim për gjithnjë; aty do të jenë për gjithnjë sytë dhe zemra ime.

Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, me ndershmëri zemre dhe me drejtësi, duke bërë tërë gjërat që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia,

unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate mbi Izrael për gjithnjë, ashtu siç ia kisha premtuar Davidit, atit tënd, duke thënë: "Nuk të ka për të munguar kurrë një njeri për t’u ulur mbi fronin e Izraelit".

Por në rast se ju ose bijtë tuaj do të largohen nga unë dhe nuk do të zbatoni urdhërimet dhe statutet e mia që kam vënë para jush dhe do të shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys para tyre,

unë do ta zhduk Izraelin nga faqja e vendit që i kam dhënë dhe nuk do të jem i pranishëm në tempullin që kam shenjtëruar në emrin tim; kështu Izraeli do të bëhet gazi dhe tallja e tërë popujve.

Dhe ky tempull, megjithëse kaq i madhërishëm, do të jetë një vend i shkretë; kushdo që do t’i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë, dhe ka për të thënë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?".

Atëherë do t’i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori etërit e tyre nga vendi i Egjiptit dhe janë dhënë pas perëndive të tjera, janë përkulur para tyre dhe u kanë shërbyer; për këtë arsye Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"".

10 Njëzet vjet pasi Salomoni kishte ndërtuar dy ndërtesat, shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror,

11 (Hirami, mbret i Tiros, e kishte furnizuar Salomonin me gjithë drurin e kedrit dhe të qiparisit dhe me arin që dëshironte), mbreti Salomon i dha Hiramit njëzet qytete në vendin e Galilesë.

12 Hirami erdhi nga Tiro për të parë qytetet që i kishte dhënë Salomoni, por nuk i pëlqyen;

13 dhe tha: "Ç’qytete janë këto që më ke dhënë, o vëllai im?". Dhe i quajti vendi i Kabulit,," emër që përdoret edhe sot e kësaj dite.

14 Pastaj Hirami i dërgoi mbretit njëqind e njëzet talente ari.

15 Ky është raporti i punës së detyruar që mbreti Salomon rekrutoi për të ndërtuar shtëpinë e Zotit, shtëpinë e tij, Milon, muret e Jeruzalemit, Hatsorin, Megidon dhe Gezerin.

16 (Faraoni, mbret i Egjiptit, kishte dalë dhe kishte pushtuar Gezerin, i kishte vënë flakën dhe kishte vrarë Kananejtë që banonin në qytete; pastaj ia kishte dhënë si prikë vajzës së tij, bashkëshortes së Salomonit).

17 Pastaj Salomoni rindërtoi Gezerin, Beth-Horonin e poshtëm,

18 Baalathin dhe Tadmorin në pjesën e shkretë të vendit,

19 të gjitha qytetet e furnizimit që i përkisin Salomonit, qytetet për qerret e tij, qytetet për kalorësit e tij, të gjitha atë që i pëlqyen Salomonit të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin ku sundonte.

20 Tërë njerëzit që mbetën nga Amorejtë, Hitejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë, që nuk ishin bij të Izraelit,

21 domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që Izraelitët nuk kishin arritur t’i shfarosnin, Salomoni i rekrutoi për punë të detyruar deri në ditën e sotme.

22 Por nga bijtë e Izraelit, Salomoni nuk përdori asnjë për punë të detyruar; ata ishin përkundrazi luftëtarët e tij, shërbëtorët e tij, ministrat e tij, princat e tij, kapedanët e tij, komandantët e qerreve dhe e kalorësve të tij.

23 Shefat e nëpunësve që drejtonin punimet e Salmonit ishin pesëqind e pesëdhjetë veta; ata mbikqyrnin njerëzit që kryenin punimet.

24 Mbas kalimit të vajzës së Faraonit nga qyteti i Davidit në shtëpinë që Salomoni i kishte ndërtuar, ky u mor me ndërtimin e Milos.

25 Tri herë në vit Salomoni ofronte olokauste dhe flijime falënderimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin dhe digjte temjan mbi altarin që ndodhej para Zotit. Kështu e mbaroi tempullin.

26 Mbreti Salomon ndërtoi edhe një flotë në Etsion-Geber, në afërsi të Elathit, mbi bregun e Detit të Kuq, në vendin e Edomit.

27 Hirami dërgoi mbi anijet e flotës shërbëtorët e tij, marinarë që e njihnin detin, me qëllim që të punonin me shërbëtorët e Salomonit.

28 Ata shkuan në Ofir, ku morën katërqind e njëzet talente ari dhe ia sollën Salomonit.

Efesianëve 6

Fëmijë, binduni prindërve tuaj në Zotin, sepse kjo është e drejtë.

“Ndero babanë tënd dhe nënën tënde,” ky është urdhërimi i parë me premtim,

“që ti të jesh mirë dhe të jetosh gjatë mbi dhe.”

Dhe ju, etër, mos provokoni për zemërim fëmijtë tuaj, por i edukoni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit.

Ju, shërbëtorë, bindjuni zotërinjve tuaj sipas mishit me druajtje dhe dridhje, në thjeshtësinë e zemrës suaj, porsi Krishtit,

duke mos shërbyer për sy e faqe, si ata që duan t’u pëlqejnë njerëzve, por si shërbëtorë të Krishtit, duke bërë vullnetin e Perëndisë me zemër,

duke shërbyer me dashuri si për Krishtin dhe jo si për njerëzit,

duke ditur se gjithsecili, qoftë skllav apo i lirë, po të bëjë të mirën, do të marrë shpërblimin nga Zoti.

Dhe ju, zotërinj, bëni po kështu ndaj tyre, duke i lënë kërcënimet, duke ditur që i tyre dhe juaji Zot është në qiell dhe se tek ai nuk ka asnjë anësi.

10 Për çfarë mbetet, vëllezërit e mi, forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së tij.

11 Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit,

12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.

13 Prandaj merreni të gjithë armatimin e Perëndisë, që të mund të rezistoni në ditën e mbrapshtë dhe të mbeteni më këmbë pasi t’i keni kryer çdo gjë.

14 Qëndroni, pra, të fortë, duke patur në ijë brezin e së vërtetës, të veshur me parzmoren e drejtësisë,

15 dhe duke mbathur këmbët me gatishmërinë e ungjillit të paqes,

16 mbi të gjitha, duke marrë mburojën e besimit, me të cilën mund të shuani të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut.

17 Merrni edhe përkrenaren e shpëtimit dhe shpatën e Frymës, që është fjala e Perëndisë,

18 duke u lutur në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët,

19 dhe edhe për mua, që kur të hap gojën time, të më jepet të flas lirësisht për ta bërë të njohur misterin e ungjillit,

20 për të cilin jam i dërguari në pranga, që të mund të shpall lirësisht, siç e kam për detyrë.

21 Por, që ta dini edhe ju si jam dhe çfarë bëj, Tikiku, vëllai i dashur dhe shërbenjësi besnik në Zotin, do t’ju informojë për të gjitha;

22 të cilin pikërisht për këtë qëllim po ju kam dërguar, që të jeni në dijeni të gjendjes sonë dhe të ngushëllojë zemrat tuaja.

23 Paqe vëllezërve dhe dashuri me besim nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht.

24 Hiri qoftë me të gjithë ata që duan Zotin tonë Jezu Krisht me sinqeritet.

Ezekieli 39

39 "Ti, bir njeriu, profetizo kundër Gogut dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.

Unë do të të bëj të kthehesh prapa, do të të josh, do të të bëj të ngjitesh në pjesët e skajshme të veriut dhe do të të çoj në malet e Izraelit.

Do ta shkund harkun nga dora jote e majtë dhe do të bëj që të të bien shigjetat nga dora e djathtë.

Do të rrëzohesh mbi malet e Izraelit, ti me gjithë ushtrinë tënde dhe me popujt që janë me ty; do të bëj që të të hanë shpendët grabitqarë, shpendët e çfardo lloji dhe kafshët e fushës.

Do të rrëzohesh në fushë të hapur, sepse unë fola," thotë Zoti, Zoti.

"Dhe do të dërgoj zjarr mbi Magogun dhe mbi ata që jetojnë të sigurt në ishuj, dhe do të pranojnë që unë jam Zoti.

Kështu do ta bëj të njohur emrin tim të shenjtë në mes të popullit tim të Izraelit dhe nuk do të lejoj më të përdhoset emri im i shenjtë, dhe kombet do të pranojnë që unë jam Zoti, i Shenjti në Izrael.

Ja, kjo do të ndodhë dhe do të kryhet," thotë Zoti, Zoti; "kjo është dita për të cilën kam folur.

Atëherë banorët e qyteteve të Izraelit do të dalin, do t’i vënë zjarrin dhe do të djegin armët, mburojat e mëdha dhe të vogla, topuzet dhe ushtat dhe me to do të bëjnë zjarr shtatë vjet.

10 Nuk do t’u duhet të marrin dru në fushë dhe as të presin në pyll, sepse do të bëjnë zjarr me ato armë; kështu do të zhveshin ata që i zhvishnin dhe do të plaçkitin ata që i plaçkitnin," thotë Zoti, Zoti.

11 "Atë ditë do të ndodhë që do ti jap Gogut, atje në Izrael një vend për varrim, luginën e Abarimit, në lindje të detit; ai do t’u zërë kalimin shtegtarëve, sepse aty do të varroset Gogu me gjithë turmën e tij; dhe ai vend do të quhet Lugina e Hamon-Gogut.

12 Shtëpia e Izraelit, për të pastruar vendin, do të përdorë shtatë muaj të plota për t’i varrosur.

13 Do t’i varrosë gjithë populli i vendit, dhe ata do të fitojnë nam ditën në të cilën unë do të përlëvdohem," thotë Zoti, Zoti.

14 "Do të zgjedhin disa burra që do të përshkojnë pa pushim vendin për të varrosur, me ndihmën e shtegtarëve, trupat e atyre që kanë mbetur mbi faqen e dheut, për ta pastruar; kur të kalojnë shtatë muajt do të bëjnë këtë kërkim.

15 Kushdo që do të përshkojë vendin, kur të shohë një kockë njeriu, do t’i vërë afër një shenjë treguese deri sa varrmihësit nuk do ta varrosin në Luginën e Hamon-Gogut.

16 Hamonahu do të jetë gjithashtu emri i një qyteti. Kështu do ta pastrojnë vendin.

17 Sa për ty, bir njeriu," kështu thotë Zoti, Zoti: "U thuaj zogjve të çdo lloji dhe të gjitha kafshëve të fushave: Mblidhuni dhe ejani. Grumbullohuni nga çdo anë në vendin e masakrës që unë do të kryej për ju, një masakër të madhe në malet e Izraelit, që të hani mish dhe të pini gjak.

18 Do të hani mish njerëzish të fuqishëm dhe do të pini gjak princash të dheut: sikur të ishin të gjithë desh, qengja, cjep dhe dema të majmur në Bashan.

19 Do të hani dhjamë sa të ngopeni dhe do të pini gjak sa të deheni, nga flijimi që kam flijuar për ju.

20 Në tryezën time ju do të ngopeni me kuaj dhe kalorës, me njerëz të fuqishëm dhe me luftëtarë të çdo lloji," thotë Zoti, Zoti.

21 "Do të shfaq lavdinë time midis kombeve dhe tërë kombet do të shohin gjykimin tim që kam zbatuar dhe dorën time që kam vënë mbi ta.

22 Kështu që nga ajo ditë e tutje shtëpia e Izraelit do të pranojë që unë jam Zoti, Perëndia i tij;

23 dhe kombet do të pranojnë që për shkak të paudhësisë së tij shtëpia e Izraelit shkon në robëri, sepse ishte treguar e pabesë me mua; prandaj u’a fsheha atyre fytyrën time, i dhashë në dorë të armiqve të tyre dhe ata ranë të gjithë nga shpata.

24 I trajtova sipas papastërtisë së tyre dhe sipas shkeljeve të tyre dhe ua fsheha atyre fytyrën time".

25 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Tani do ta kthej Jakobin nga robëria, do të më vijë keq për tërë shtëpinë e Izraelit dhe do të jem xheloz për emrin tim të shenjtë,

26 mbasi ata kanë bartur turpin e tyre dhe ndëshkimi për të gjitha pabesitë që kanë kryer kundër meje, ndërsa banonin të sigurtë në vendin e tyre dhe askush nuk i trembte.

27 Kur t’i çoj përsëri nga popujt dhe kur t’i mbledh nga vendet e armiqve të tyre dhe të shenjtërohem te ata në sytë e shumë kombeve,

28 ata do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i çoi në robëri midis kombeve, por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos lënë jashtë asnjë prej tyre.

29 Nuk do t’ua fsheh më fytyrën time, sepse do ta përhap Frymën time mbi shtëpinë e Izraelit," thotë Zoti, Zoti.

Psalmet 90

90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.

14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.

15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.

16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.

17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.