M’Cheyne Bible Reading Plan
12 Pastaj Zoti i dërgoi Nathanin Davidit; dhe Nathani shkoi tek ai dhe i tha: "Na ishin dy njerëz në të njëjtin qytet, njeri i pasur dhe tjetri i varfër.
2 I pasuri kishte një numër të madh kopesh me bagëti të imët dhe të trashë;
3 por i varfëri nuk kishte asgjë, veçse një qengj femër që e kishte blerë dhe ushqyer; ai ishte rritur bashkë me të dhe me fëmijët e tij, duke ngrënë ushqimin e tij, duke pirë në kupën e tij dhe duke fjetur mbi gjirin e tij; ishte për të si bija e tij.
4 Një udhëtar arriti në shtëpinë e njeriut të pasur; ky refuzoi të merrte ndonjë bagëti nga kopetë e tij për t’i përgatitur për të ngrënë udhëtarit që kishte ardhur tek ai, por mori manarin e njeriut të varfër dhe e gatoi për njeriun që i kishte ardhur"
5 Atëherë zemërimi i Davidit u rrit me të madhe kundër këtij njeriu dhe i tha Nathanit: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, ai që ka bërë këtë gjë meriton të vdesë!
6 Ai do t’a paguajë katërfish vlerën e manarit, sepse ka bërë një gjë të tillë dhe nuk ka pasur mëshirë".
7 Atëherë Nathani i tha Davidit: "Ti je ai njeri! Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të kam vajosur mbret të Izraelit dhe të kam çliruar nga duart e Saulit.
8 Të kam dhënë shtëpinë e zotërisë sate, të kam vënë në krahët e tua gratë e zotërisë tënd dhe të kam dhënë shtëpinë e Izraelit dhe të Judës; dhe në qoftë se kjo ishte shumë pak, unë do të të kisha dhënë shumë gjëra të tjera.
9 Pse, pra, ke përçmuar fjalën e Zotit, duke bërë atë që është e keqe për sytë e tij? Ti ke bërë të vdesë me shpatë Hiteun Uriah, more për grua bashkëshorten e tij dhe e vrave me shpatën e bijve të Amonit.
10 Kështu, pra, shpata nuk do të largohet kurrë nga shtëpia jote, sepse ti më ke përçmuar dhe ke marrë gruan e Hiteut Uriah si bashkëshorten tënde".
11 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell kundër teje fatkeqësinë nga vetë shtëpia jote, dhe do t’i marrë gratë e tua para syve të tu për t’ia dhënë një tjetri, që do të bashkohet me to ditën.
12 Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit në dritën e diellit".
13 Atëherë Davidi i tha Nathanit: "Kam mëkatuar kundër Zotit". Nathani iu përgjigj Davidit: "Zoti e ka hequr mëkatin tënd; ti nuk ke për të vdekur.
14 Megjithatë, duke qenë se më këto veprime u ke dhënë rastin armiqve të Zotit të blasfemojnë, djali që ka lindur duhet të vdesë".
15 Pastaj Nathani u kthye në shtëpinë e vet. Kështu Zoti goditi fëmijën që bashkëshortja e Uriahut i kishte lindur Davidit, dhe ai u sëmur.
16 Atëherë Davidi iu lut Perëndisë për fëmijën dhe agjëroi; pastaj hyri në shtëpi dhe e kaloi natën i shtrirë për tokë.
17 Pleqtë e shtëpisë së tij ngulën këmbë që ai të ngrihej nga toka, por ai nuk deshi dhe nuk pranoj të hante me ta.
18 Ditën e shtatë fëmija vdiq dhe shërbëtorët e Davidit kishin frikë t’i njoftonin që fëmija kishte vdekur, sepse thonin: "Ja, kur fëmija ishte akoma i gjallë, ne i kemi folur, por ai nuk i dëgjonte fjalët tona. Si të bëjmë tani për t’i thënë se fëmija ka vdekur? Kjo mund t’i shkaktojë ndonjë të keqe".
19 Kur Davidi pa që shërbëtorët e tij flisnin me zë të ulët, e kuptoi se fëmija kishte vdekur; prandaj Davidi u tha shërbëtorëve të tij: "Ka vdekur fëmija?". Ata u përgjigjën: "Ka vdekur".
20 Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys; pastaj u kthye në shtëpinë e tij dhe kërkoi t’i sillnin ushqim dhe hëngri.
21 Shërbëtorët e tij i thanë: "Ç’bëre? Kur fëmija ishte akoma gjallë ti ke agjëruar dhe ke qarë; mbas vdekjes së fëmijës, u ngrite dhe hëngre".
22 Ai u përgjigj: "Kur fëmija ishte akoma gjallë, unë agjëronja dhe qaja, sepse thoja: "Kushedi Zotit mund t’i vijë keq për mua dhe e lë fëmijën të jetojë?". Por tani ai ka vdekur. Pse duhet të agjëroj?
23 Vallë, a kam mundësi ta kthej? Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë!".
24 Pastaj Davidi ngushëlloi Bath-Shebën, bashkëshorten e tij, hyri tek ajo dhe ra në shtrat me të; kështu ajo lindi një djalë, që ai e quajti Solomon; dhe Zoti e deshi.
25 Pastaj dërgoi një mesazh me anë të profetit Nathan që i vuri emrin Jedidiah, për shkak të dashurisë të Zotit.
26 Ndërkaq Joabi lufonte kundër Rabahut të bijve të Amonit dhe pushtoi qytetin mbretëror.
27 Pastaj Joabi i dërgoi lajmëtarë Davidit për t’i thënë: "Kam sulmuar Rabahun dhe kam shtënë në dorë rezervat e tij të ujit.
28 Prandaj tani mblidh popullin që ka mbetur, vendos kampin tënd përballë qytetit dhe shtjere atë në dorë, përndryshe do ta marr unë qytetin dhe ai do të mbajë emrin tim".
29 Atëherë Davidi mblodhi tërë popullin, shkoi në Rabah, e sulmoi dhe e pushtoi.
30 Hoqi pastaj kurorën nga koka e mbretit të tyre; ajo peshonte një talent ari dhe kishte gurë të çmuar; ajo u vu mbi kokën e Davidit. Ai mori me vete gjithashtu nga qyteti një plaçkë të madhe.
31 I nxori banorët që ishin në qytet dhe i vuri të punonin me sharra, me lesa dhe më sëpata prej hekuri, i futi të punojnë në furrat e tullave; kështu bëri në të gjitha qytetet e bijve të Amonit. Pastaj Davidi u kthye në Jeruzalem bashkë me tërë popullin.
5 Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.
2 Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore,
3 nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur.
4 Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta.
5 Dhe ai që na ka formuar pikërisht për këtë është Perëndia, i cili na dha edhe kaparin e Frymës.
6 Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit,
7 sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.
8 Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.
9 Prandaj edhe përpiqemi t’i pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke e lënë atë.
10 Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.
11 Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit dhe jemi njohur nga Perëndia; dhe unë shpresoj se edhe në ndërgjegjet tuaja të jemi njohur.
12 Sepse ne nuk e rekomandojmë përsëri veten ndaj jush, por ju japim rastin të krenoheni për ne, që të keni çfarë t’u përgjigjeni atyre që krenohen me dukjen dhe jo me zemër.
13 Sepse, nëse nuk jemi në vete, jemi për Perëndinë, dhe në qoftë se jemi me mend në kokë, jemi për ju.
14 Sepse dashuria e Krishtit na shtrëngon, sepse kemi arritur në konkluzionin se, në qoftë se një ka vdekur për të gjithë, të gjithë, pra, kanë vdekur;
15 dhe se ai ka vdekur për të gjithë, me qëllim që ata të cilët jetojnë, të mos jetojnë që sot e tutje për veten e tyre, po për atë që vdiq dhe u ringjall për ta.
16 Prandaj tash e tutje ne nuk njohim më askënd sipas mishit; po, edhe sikur ta kemi njohur Krishtin sipas mishit, nuk e njohim më ashtu.
17 Prandaj nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar; ja, të gjitha gjërat u bënë të reja.
18 Edhe të gjitha gjërat janë nga Perëndia që na pajtoi me veten përmes Jezu Krishtit dhe na dha shërbimin i pajtimit,
19 sepse Perëndia e ka pajtuar botën me veten në Krishtin, duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre dhe vuri ndër ne fjalën e paqtimit.
20 Ne, pra, bëhemi lajmëtarë për Krishtin, sikurse Perëndia të këshillonte nëpërmjet nesh; dhe ne ju këshillojmë juve për hir të Krishtit: Paqtohuni me Perëndinë!
21 Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të.
19 Ti larto një vajtim mbi princat e Izraelit dhe thuaj:
2 "Ç’ishte nëna jote? Një luaneshë: rrinte shtrirë midis luanëve, rriste të vegjëlit e saj në mes të luanëve të vegjël.
3 Rriti një nga të vegjëlit e saj që u bë një luan i vogël; mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz.
4 Edhe kombet dëgjuan të flitet për të; ai u kap në gropën e tyre dhe e çuan të lidhur në vendin e Egjiptit.
5 Kur ajo pa që pritja po zgjatej dhe shpresa e saj ishte e humbur, mori një tjetër nga të vegjëlit e saj dhe e rriti sa u bë një luan i vogël.
6 Ai shkonte dhe vinte midis luanëve; u bë një luan i vogël, mësoi të shqyejë prenë dhe përlau njerëz.
7 Mësoi vendet e tyre të shkretuara dhe shkatërroi qytetet e tyre; vendi e gjithçka që kishte u shkretua nga zhurma e vrumbullimit të tij.
8 Por kundër tij erdhën kombet e të gjitha krahinave fqinje, vendosën kundër tij rrjetën e tyre dhe ai u kap në gropën e tyre.
9 E vunë të lidhur në një kafaz dhe e çuan te mbreti i Babilonisë; e çuan në një fortesë, me qëllim që zëri i tij të mos dëgjohej më mbi malet e Izraelit.
10 Nëna jote ishte si një hardhi e mbjellë pranë ujrave; ishte e harlisur dhe kishte shumë degë nga uji i bollshëm.
11 Kishte degë të forta të përshtatshme për skeptra mbretërorë, ishte ngjitur lart midis degëve gjetheshumë dhe shquhej në shtatin e saj për degët e shumta të saj.
12 Por u çrrënjos me tërbim dhe u hodh për tokë; era e lindjes ia thau frytin; degët e saj të forta u shkëputën dhe u thanë, zjarri i përpiu.
13 Tani është mbjellë në shkretëtirë në një tokë të thatë dhe të etur për ujë;
14 Një zjarr ka dalë nga një shermend i degëve të saj dhe ka përpirë frytin e saj; në të nuk ka më asnjë degë të fortë të përshtatshme për skeptra mbretërorë". Ky është një vajtim dhe do të jetë një vajtim.
64 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut.
2 Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi.
3 Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura
4 për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë.
5 I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: "Kush ka për t’i parë?".
6 Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: "Kemi përgatitur një plan të përsosur". Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme.
7 Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur.
8 Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t’i parë do të tundë kokën.
9 Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë.
10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen.
65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.
2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.
3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.
4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.
5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.
6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.
7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.
8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.
9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.
10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.
11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.
12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.
13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.