Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Samuelit 27

27 Davidi tha në zemër të tij: "Një ditë ose një tjetër unë do të vritem nga dora e Saulit; prandaj nuk ka asgjë më të mirë për mua se sa të shpëtoj kokën në vendin e Filistejve; kështu Sauli do të heqë dorë të më kërkojë akoma në të gjithë territorin e Izraelit; kështu do të shpëtoj nga duart e tij".

Prandaj Davidi u ngrit dhe shkoi, bashkë me gjashtëqind njerëzit që kishte me vete, te Akishi, bir i Maokut, mbret i Gathit.

Kështru Davidi qëndroi me Akishin në Gath, ai vetë dhe njerëzit e tij, secili me familjen e vet; Davidi me dy bashkëshortet e tij: Jezreelitja Ahinoama dhe Karmelitja Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit.

Pastaj i njoftuan Saulit që Davidi kishte ikur në Gath, dhe ai nuk e kërkoi më.

Davidi i tha Akishit: "Në rast se gëzoj hirin tënd, të më jepet një vend në një qytet të fushës ku unë të mund të banoj. Pse duhet që shërbëtori yt të banojë me ty në qytetin mbretëror?".

Kështu atë ditë Akishi i dha Tsiklagun; për këtë arësye Tsiklagu u ka përkitur mbretërve të Judës deri ditën e sotme.

Davidi qëndroi në vendin e Filistejve një vit e katër muaj.

Davidi dhe njerëzit e tij niseshin dhe bënin plaçkitje në vendin e Geshuritëve, të Girzitëve dhe të Amalekitëve; këto popullata banonin prej kohëve të vjetra në këtë vend duke u shtrirë nga Shuri deri në vendin e Egjiptit.

Davidi e shkretonte vendin dhe nuk linte gjallë as burra as gra; pastaj merrte dele, lopë, gomarë, deve dhe rroba, dhe kthehej dhe shkonte tek Akishi.

10 Kur Akishi e pyeste: "Ku keni plaçkitur sot?," Davidi i përgjigjej: Kundër jugut të Judës, kundër jugut të Kenejvee".

11 Davidi nuk linte gjallë as burra as gra, sepse mund të çonin lajme, dhe thoshte: "Mund të japim njoftime mbi ne dhe të thonë: "Kështu ka bërë Davidi"". Kështu veproi ai gjatë gjithë kohës që qëndroi në vendin e Filistejve.

12 Kështu Akishi i besonte Davidit dhe thoshte: "Ai u bë i urrejtshëm nga populli i Izraelit dhe kështu do të jetë gjithmonë shërbëtori im".

1 e Korintasve 8

Për sa u përket flijimeve për idhujt, ne e dime se të gjithë kemi njohuri; njohuria krekos, kurse dashuria ndërton.

Në qoftë se dikush mendon se di diçka, ai nuk di ende asgjë sikundër duhet të dijë.

Por në qoftë se dikush e do Perëndinë, ai është i njohur prej tij.

Pra, për sa i përket të ngrënit të flive që u bëhen idhujve, ne e dimë se idhulli nuk është asgjë në botë dhe se nuk ka Perëndi tjetër, veç një.

Sepse, ndonëse ka të ashtuquajtura perëndi në qiell a në tokë (sikurse ka shumë perëndi dhe shumë zotër),

për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të; dhe një Zot, Jezu Krishti, me anë të të cilit janë të gjitha gjërat, dhe ne jetojmë me anë të tij.

Por njohuria nuk është në të gjithë; madje disa, të ndërgjegjshëm për idhullin, hanë gjëra posi të flijuara idhujve; dhe ndërgjegja e tyre, duke qenë e dobët, përlyhet.

Por të ngrënit nuk na çon te Perëndia; po të hamë, nuk fitojmë asgjë më tepër dhe, po të mos hamë, s’kemi gjë më pak.

Por kini mendjen se mos kjo liri që keni të bëhet pengesë për të dobëtit.

10 Sepse, në qoftë se dikush të sheh ty, që ke njohuri, të ulur në tryezë në një tempull idhujsh, ndërgjegja e tij, që është e dobët, a nuk do të marrë guxim që ai të hajë gjërat e flijiuara për idhujt?

11 Edhe kështu, për shkak të njohurisë sate, do të humbasë vëllai yt i dobët, për të cilin vdiq Krishti.

12 Dhe, kur mëkatoni kështu kundër vëllezërve, duke plagosur ndërgjegjen e tyre të dobët, ju mëkatoni kundër Krishtit.

13 Prandaj, në qoftë se një ushqim skandalizon vëllanë tim, unë nuk do të ha më kurrë mish, që të mos e skandalizoj vëllanë tim.

Ezekieli 6

Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde nga malet e Izraelit dhe profetizo kundër tyre,

dhe thuaj: "O male të Izraelit dëgjoni fjalën e Zotit, Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Ja, unë do të sjell mbi ju shpatën dhe do të shkatërroj vendet tuaja të larta.

Altarët tuaj do të shkretohen dhe altarët për temjan do të thyhen, dhe do të bëj që të vdekurit tuaj të bien përpara idhujve tuaj.

Do t’i shtrij kufomat e bijve të Izraelit përpara idhujve të tyre dhe do t’i shpërndaj kockat tuaja rreth altarëve tuaj.

Në tërë vendet tuaja të banuara qytetet do të shkatërrohen, po kështu edhe vendet e larta, me qëllim që altarët tuaj të shkatërrohen dhe të shkretohen, idhujt tuaj të prishen dhe të zhduken, altarët tuaj të shkatërrohen dhe veprat tuaja të fshihen.

Të vdekurit do të bien në mes jush dhe ju do të pranoni që unë jam Zoti.

Megjithatë do t’ju lë një mbeturinë, sepse disa që do t’i shpëtojnë shpatës do t’i keni midis kombeve, kur do të shpërndaheni në vënde të ndryshme.

Të shpëtuarit tuaj do të më kujtojnë midis kombeve ku do të çohen në robëri, sepse jam kapitur për zemrën e tyre të prishur që është larguar nga unë dhe për sytë e tyre që kurvërohen pas idhujve të tyre. Ata do të ndiejnë neveri për veten e tyre për ligësitë që kanë kryer në të gjitha veprimet e tyre të neveritshme.

10 Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti dhe që jo më kot kam folur se do t’ju bëj këtë të keqe"".

11 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Përplas duart, rrih këmbët dhe thuaj: "Vaj medet, për të gjitha veprimet e këqija të neveritshme të shtëpisë së Izraelit, sepse do të bien nga shpata, nga uria dhe nga murtaja.

12 Kush është larg do të vdesë nga murtaja, kush është afër do të rrëzohet nga shpata dhe kush ka mbetur dhe është i rrethuar do të vdesë nga uria; kështu do të shfryj tërbimin tim mbi ta.

13 Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të vrarët e tyre do të bien në mes të idhujve të tyre, rreth altarëve të tyre, mbi çdo kodër të lartë, mbi çdo majë mali, poshtë çdo druri që gjelbëron, poshtë çdo lisi degëshumë, kudo që u ofronin parfume erëmira tërë idhujve të tyre.

14 Kështu do të shtrij mbi ta dorën time dhe do ta bëj vendin të shkretë, po, më të shkretë se shkretëtira e Diblahut, në të gjitha vendet e tyre të banuara; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti"".

Psalmet 44

44 O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta.

Për t’i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t’u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr

ës sate, sepse të pëlqenin.

Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin.

Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh.

Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë.

Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë.

Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela)

Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona.

10 Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur.

11 Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve.

12 Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij.

13 Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh.

14 Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën.

15 Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi,

16 për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje.

17 Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde.

18 Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote,

19 por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes.

20 Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t’i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj,

21 a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës.

22 Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele.

23 Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë.

24 Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë?

25 Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës.

26 Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate.