M’Cheyne Bible Reading Plan
15 Mbas një farë kohe, kur korret gruri, Sansoni shkoi të vizitojë të shoqen, duke pasur me vete një kec, dhe tha: "Dua të hyj në dhomë te gruaja ime". Por i ati i saj nuk e lejoi të hyjë,
2 dhe i tha: "Mendoja pikërisht që ti e urren, prandaj ia dhashë shokut tënd; a nuk është më e bukur motra e saj më e vogël? Merre, pra, në vend të saj".
3 Sansoni iu përgjegj atyre: "Këtë herë nuk do të kem asnjë faj ndaj Filistejve në rast se do t’u bëj ndonjë të keqe".
4 Kështu Sansoni shkoi dhe kapi treqind dhelpra; pastaj mori pishtarë, i ktheu dhelprat bisht më bisht dhe i vuri nga një pishtar midis dy bishtave.
5 Pastaj ndezi pishtarët dhe i la dhelprat të iknin nëpër fushat e grurit të Filistejve, dhe dogji demetet dhe grurin akoma në këmbë madje edhe vreshtat dhe ullishtat.
6 Atëherë Filistejtë pyetën: "Kush e bëri këtë?". Muarrën këtë përgjigje: Sansoni, dhëndri i burrit të Timnahut, sepse ky mori gruan dhe ia dha sii bashkëshorte shokut të tij". Kështu Filistejtë u ngritën dhe i vunë flakën asaj dhe atit të saj.
7 Sansoni u tha atyre: "Me qenë se keni bërë këtë gjë, unë do të hakmerrem sigurisht kundër jush dhe pastaj do të rri".
8 Kështu i goditi në mënyrë të pamëshirshme, duke bërë kërdi të madhe. Pastaj zbriti dhe qendroi në shpellën e shkëmbit të Etamit.
9 Atëherë Filistejtë dolën, ngritën kampin e tyre në Juda dhe u shtrinë deri në Lehi.
10 Njerëzit e Judës u thanë atyre: "Pse dolët kundër nesh?". Ata iu përgjigjën: "Dolëm për të kapur Sansonin dhe për t’i bërë atij atë që ai na ka bërë neve".
11 Atëherë tre mijë burra të Judës zbritën në shpellën e shkëmbit të Etamit dhe i thanë Sansonit: "Nuk e di që Filistejtë na sundojnë? Çfarë na bëre kështu?". Ai u përgjegj kështu: "Atë që më bënë mua, unë ua bëra atyre".
12 Ata i thanë: "Ne kemi zbritur që të të kapim dhe të të dorëzojmë në duart e Filistejve". Sansoni u përgjegj: "Betohuni që ju nuk do të më vrisni".
13 Atëherë ata i folën duke thënë: "Jo, vetëm do të të lidhim dhe do të të dorëzojmë në duart e tyre; por me siguri nuk do të të vrasim". Kështu e lidhën me dy litarë të rinj dhe e nxorën nga shpella.
14 Kur arriti në Lehi, Filistejtë i dolën përpara me klithma gëzimi; por Fryma e Zotit erdhi fuqishëm mbi të dhe litarët që kishte në krahë u bënë si fije liri që digjen; dhe lidhjet i ranë nga duart.
15 Gjeti pastaj një nofull gomari akoma të freskët, shtriu dorën dhe e kapi; me të vrau një mijë njerëz.
16 Atëherë Sansoni tha: "Me një nofull gomari, pirgje mbi pirgje! Me një nofull gomari vrava një mijë njerëz".
17 Kur mbaroi së foluri hodhi nofullën dhe e quajti atë vend Ramath-Lehi.
18 Pastaj pati një etje të madhe dhe kërkoi ndihmën e Zotit, duke thënë: Ti lejove këtë çlirim të madh me dorën e shërbëtorit tënd, por a duhet tëë vdes unë tani nga etja dhe të bie në duart e atyre që nuk janë rrethprerë?".
19 Atëherë Perëndia çau shkëmbin e lugët që ndodhet në Lehi dhe doli ujë prej tij. Ai piu ujë, fryma i tij u gjallërua dhe ai mori jetë. Prandaj e quajti këtë burim En-Hakore; ajo ekziston në Lehi edhe sot.
20 Sansoni qe gjyqtar i Izraelit për njëzet vjet në kohën e Filistejve.
19 Dhe ndërsa Apollo ishte ende në Korint, Pali, mbasi shkoi në vendet më të larta, arriti në Efes dhe, si gjeti disa dishepuj, u tha atyre:
2 “A e keni marrë Frymën e Shenjtë, kur besuat?.” Ata iu përgjigjën: “Ne as që kemi dëgjuar se paska Frymë të Shenjtë.”
3 Dhe ai u tha atyre: “Me se, pra, u pagëzuat?.” Ata u përgjigjën: “Me pagëzimin e Gjonit.”
4 Atëherë Pali tha: “Gjoni pagëzoi me pagëzimin e pendimit, duke i thënë popullit se duhet t’i besonte atij që do të vinte pas tij, domethënë Jezu Krishtit.
5 Dhe ata, si dëgjuan, u pagëzuan në emër të Zotit Jezus.
6 Dhe, kur Pali vuri duart mbi ta, Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta dhe ata folën në gjuhë të tjera dhe profetizuan.
7 Dhe gjithsej ishin rreth dymbëdhjetë burra.
8 Pastaj ai hyri në sinagogë dhe u foli lirisht njerëzve tre muaj me radhë, duke diskutuar dhe duke i bindur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.
9 Por, duke qenë se disa ngurtësoheshin dhe nuk besonin dhe flisnin keq për Udhën përpara turmës, ai u shkëput prej tyre, i ndau dishepujt dhe vazhdoi të diskutojë çdo ditë në shkollën e njëfarë Tirani.
10 Dhe kjo vazhdoi dy vjet me radhë, kështu që të gjithë banorët e Azisë, Judenj dhe Grekë, e dëgjuan fjalën e Zotit Jezus.
11 Dhe Perëndia bënte mrekulli të jashtëzakonshme me anë të duarve të Palit,
12 aq sa mbi të sëmurët sillnin peshqirë dhe përparëse që kishin qenë mbi trupin e tij, dhe sëmundjet largoheshin prej tyre dhe frymërat e liga dilnin prej tyre.
13 Dhe disa yshtës shëtitës Judenj u orvatën të thërrasin emrin e Zotit Jezus mbi ata që kishin frymërat e liga, duke thënë: “Ju përbetohemi për Jezusin, që Pali predikon!.”
14 Ata që bënin këtë ishin shtatë bijtë e njëfarë Skevi, kryeprift jude.
15 Por fryma e ligë u përgjigj dhe tha: “Unë e njoh Jezusin dhe e di kush është Pali, po ju cilët jeni?.”
16 Atëherë ai njeri që kishte frymën e ligë u hodh mbi ta dhe si i mundi, ushtroi një dhunë aq të madhe sa ata ikën nga ajo shtëpi, lakuriq e të plagosur.
17 Kjo u muar vesh nga të gjithë Judenjtë dhe Grekët që banonin në Efes, dhe të gjithë i zuri frika, dhe emri i Zotit Jezus ishte madhëruar.
18 Dhe shumë nga ata që kishin besuar vinin të rrëfeheshin dhe të tregonin gjërat që kishin bërë.
19 Shumë nga ata që ishin marrë me magji i sollën librat dhe i dogjën përpara të gjithëve; dhe, mbasi e llogaritën çmimin e tyre, gjetën se ishin pesëdhjetë mijë pjesë argjendi.
20 Kështu fjala e Perëndisë shtohej dhe forcohej.
21 Mbas këtyre ngjarjeve, Pali kishte vendosur në mendje të shkojë në Jeruzalem, duke kaluar nëpër Maqedoni dhe nëpër Akai, dhe thoshte: “Mbasi të kem qenë atje, më duhet të shoh edhe Romën.”
22 Atëherë dërgoi në Maqedoni dy nga ata që i shërbenin, Timoteun dhe Erastin, dhe vetë ndenji edhe ca kohë në Azi.
23 Dhe në atë kohë u bë një trazirë e madhe lidhur me Udhën,
24 sepse një farë njeriu, me emër Dhimitër, argjendar, i cili bënte tempuj të Dianës në argjend, u sillte artizanëve jo pak fitim.
25 Ai i mblodhi këta bashkë me punëtorët që kishin një aktivitet të përafërt, dhe tha: “O burra, ju e dini se fitimi ynë vjen nga kjo veprimtari.
26 Dhe ju shihni dhe dëgjoni se ky Pali ua ka mbushur mendjen dhe ktheu një numër të madh njerëzish jo vetëm në Efes, por gati në mbarë Azinë, duke thënë se nuk janë perëndi ata që janë bërë me duar.
27 Dhe jo vetëm që është rreziku për ne që kjo mjeshtria jonë të diskreditohet, por që edhe tempulli i perëndeshës së madhe Diana të mos vlerësohet më aspak dhe që t’i hiqet madhështia asaj, që gjithë Azia, madje gjithë bota, e nderon.”
28 Ata, kur i dëgjuan këto gjëra, u mbushën me inat dhe bërtisnin, duke thënë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”
29 Dhe gjithë qyteti u mbush me rrëmujë; dhe si i morën me forcë Gain dhe Aristarkun, Maqedonas, bashkudhëtarë të Palit, rendën të gjithë, me një mendje, në teatër.
30 Dhe Pali donte t’i dilte popullit, por dishepujt nuk e lejonin.
31 Edhe disa Aziarkë, që ishin miq të tij, i çuan për ta lutur të mos dilte në teatër.
32 Ndërkaq disa bërtisnin një gjë, të tjerë një tjetër, saqë mbledhja ishte trazuar dhe më të shumtët nuk dinin përse ishin mbledhur.
33 Atëherë nga turma nxorën Aleksandrin, të cilin e shtynin Judenjtë. Dhe Aleksandri, mbasi bëri shenjë me dorë, donte të paraqiste një apologji para popullit.
34 Por, kur e morën vesh se ishte Jude, të gjithë me një zë filluan të bërtasin për gati dy orë: “E madhe është Diana e Efesianëve!.”
35 Kancelari i qytetit, mbasi e qetësoi turmën, tha: “O Efesianë, cili është vallë ai njeri që nuk e di se qyteti i Efesianëve është mbrojtësi i tempullit të perëndeshës së madhe Diana dhe i imazhit të saj që ra nga Zeusi?
36 Duke qenë, pra, se këto janë të pakundërshtueshme, ju duhet të rrini urtë dhe të mos bëni asgjë të nxituar.
37 Sepse i prutë këta njerëz që nuk janë as sacrileghi as blasfemues të perëndeshës suaj.
38 Pra, në qoftë se Dhimitri dhe mjeshtrit që janë me të kanë diçka kundër dikujt, gjykatat janë hapur dhe prokonsuj ka; le të padisin njëri-tjetrin.
39 Dhe nëse keni ndonjë kërkesë tjetër për të bërë, të zgjidhet në kuvendin sipas ligjit.
40 Ne në fakt jemi në rrezik të akuzohemi si kryengritës për ngjarjen e sotme, sepse nuk ka asnjë arsye me të cilën të përligjet ky grumbullim.”
41 Dhe, si i tha këto, e shpërndau mbledhjen.
28 Po atë vit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, në vitin e katërt, në muajin e pestë, ndodhi që Hananiahu, bir i Azurit, profetit, që ishte nga Gabaoni, më foli në shtëpinë e Zotit, në prani të priftërinjve dhe të gjithë popullit, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë.
3 Brenda dy vjetëve unë do të bëj që të kthehen në këtë vend të gjitha orenditë e shtëpisë së Zotit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, mori nga ky vend dhe i çoi në Babiloni.
4 Do të kthej gjithashtu në këtë vend," thotë Zoti, "Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbret i Judës, me gjithë të internuarit e Judës që kanë shkuar në robëri në Babiloni, sepse do të thyej zgjedhën e mbretit të Babilonisë".
5 Atëherë profeti Jeremia iu përgjigj profetit Hananiah në prani të priftërinjve dhe në prani të të gjithë popullit që gjendej në shtëpinë e Zotit.
6 Profeti Jeremia tha: "Amen! Kështu le të bëjë Zoti! Zoti realizoftë atë që ke profetizuar, duke bërë që të kthehen nga Babilonia në këtë vend orenditë e shtëpisë së Zotit dhe të gjithë ata që janë çuar në robëri!
7 Megjithatë dëgjo tani këtë fjalë që do të të them para veshëve të tu dhe para veshëve të gjithë popullit.
8 Profetët që kanë ardhur para meje dhe para teje, që nga kohët e lashta kanë profetizuar kundër shumë vendeve dhe kundër mbretërive të mëdha, luftën, urinë dhe murtajën.
9 Profeti që profetizon paqen, kur fjala e tij do të realizohet, do të njihet si një profet i vërtetë i dërguar nga Zoti".
10 Atëherë profeti Hananiah mori zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia dhe e copëtoi.
11 Pastaj Hananiahu foli në prani të të gjithë popullit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Në këtë mënyrë unë do të thyej zgjedhën ee Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, brenda dy vjetëve, nga qafa e të gjitha kombeve. Profeti Jeremia iku nëpër rrugën e tij.
12 Mbasi profeti Hananiah theu zgjedhën nga qafa e profetit Jeremia, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:
13 "Shko dhe i thuaj Hananiahut: Kështu thotë Zoti: Ti ke thyer disa zgjedha prej druri, por në vendin e tyre ke krijuar zgjedha prej hekuri.
14 Kështu në fakt thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Unë vë një zgjedhë prej hekuri mbi qafën e tërë këtyre kombeve që t’i shërbejnë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ata do t’i shërbejnë. Atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fushës".
15 Pastaj profeti Jeremia i tha profetit Hananiah: "Dëgjo, Hananiah, Zoti nuk të ka dërguar, dhe ti e ke shtyrë këtë popull t’i besojë gënjeshtrës.
16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të të përzë nga faqja e dheut. Sivjet ke për të vdekur, sepse ke folur për rebelim kundër Zotit"".
17 Profeti Hananiah vdiq po atë vit, në muajin e shtatë.
14 Tani dy ditë më vonë ishte Pashka dhe festa e të Ndormëve; dhe krerët e priftërinjve dhe skribët kërkonin mënyrën se si ta kapnin Jezusin me mashtrim dhe ta vrisnin.
2 Por thonin: “Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë nga populli.”
3 Tani ai ishte në Betania, në shtëpinë e Simonit lebroz, dhe ndërsa ishte në tryezë, hyri një grua me një enë alabastri me vaj të parfumuar me nard të vërtetë, shumë të kushtueshëm; ajo e theu enën prej alabastri dhe ia derdhi vajin mbi krye.
4 Disa u indinjuan midis tyre dhe thanë: “Përse bëhet gjithë ky shpenzim i kotë i vajit?
5 Sepse ky vaj mund të shitej për më shumë se treqind denarë dhe këto t’u jepeshin të varfërve.” Dhe ishin të indinjuar ndaj asaj.
6 Por Jezusi tha: “Lëreni të qetë; pse e shqetësoni? Ajo kreu një vepër të mirë ndaj meje.
7 Sepse të varfërit do t’i keni gjithmonë me ju; dhe, kur të doni, mund t’u bëni mirë; por mua nuk do të më keni gjithmonë.
8 Ajo bëri atë që mundi; vajosi para kohe trupin tim për varrim.
9 Por po ju them në të vërtetë se në gjithë botën, kudo që do të predikohet ky ungjill, do të tregojnë edhe atë që ajo bëri, në përkujtim të saj.”
10 Atëherë Juda Iskarioti, një nga të dymbëdhjetët, shkoi te krerët e priftërinjve, që t’ua dorëzonte Jezusin.
11 Dhe ata, kur e dëgjuan, u gëzuan dhe i premtuan se do t’i jepnin para. Kështu ai kërkonte rastin e përshtatshëm për ta tradhtuar.
12 Tani në ditën e parë të festës së të Ndormëve, kur flijohej Pashka, dishepujt e vet i thanë: “Ku don të shkojmë dhe të përgatisim për ta ngrënë Pashkën?.”
13 Atëherë ai dërgoi dy nga dishepujt e vet duke u thënë: “Shkoni në qytet dhe atje do të takoni një njeri, që bart një kanë plot me ujë; ndiqeni atë.
14 Dhe atje ku ai do të hyjë, i thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi pyet: Ku është dhoma ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?".
15 Atëherë ai do t’ju tregojë lart një sallë të madhe të mobiluar dhe gati; aty përgatitni për ne.”
16 Dishepujt e tij shkuan, arritën në qytet dhe gjetën ashtu siç ai u kishte thënë; dhe përgatitën Pashkën.
17 Kur u bë darkë, ai erdhi me të dymbëdhjetët.
18 Dhe kur po rrinin në tryezë dhe po hanin, Jezusi tha: “Ju them në të vërtetë se njëri prej jush, që po ha me mua, do të më tradhtojë.”
19 Atëherë ata filluan të trishtohen dhe t’i thoshin njëri pas tjetrit: “Mos jam unë?.” Dhe një tjetër tha: “Mos jam unë?.”
20 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Éshtë një nga të dymbëdhjetët që po ngjyen me mua në çanak.
21 Po, Biri i njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të; por mjerë ai njeri me anë të cilit tradhtohet Biri i njeriut. Do të ishte më mirë për të, që ai njeri të mos kishte lindur kurrë!.”
22 Dhe, ndërsa ata po hanin, Jezusi mori buk, e bekoi, e theu dhe ua dha atyre duke thënë: “Merrni, hani; ky është trupi im.”
23 Pastaj mori kupën, e falënderoi, ua dha atyre dhe të gjithë pinë prej saj.
24 Atëherë u tha: “Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, që derdhet për shumë veta.
25 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri në atë ditë kur do ta pi të ri në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Dhe, mbasi kënduan një himn, dolën dhe u drejtuan nga mali i Ullinjve.
27 Dhe Jezusi u tha atyre: Ju të gjithë do të skandalizoheni me mua sonte, sepse është shkruar: "Do ta godas Bariun dhe delet do të shpërndahen".
28 Por, mbasi të ringjallem, unë do t’ju pararend në Galile.”
29 Dhe Pjetri i tha: “Edhe sikur të gjithë të tjerët të skandalizohen me ty, unë nuk do të skandalizohem.”
30 Dhe Jezusi i tha: “Unë po të them në të vërtetë se sot, pikërisht në këtë natë, para se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.”
31 Por ai, duke ngulur këmbë më tepër, thoshte: “Edhe sikur të më duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj kurrë.” Të njëjtën gjë thoshnin edhe gjithë të tjerët.
32 Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur.”
33 Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi;
34 dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar.”
35 Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë.
36 Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!.”
37 Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme?
38 Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët.”
39 U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë.
40 Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin.
41 Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve.
42 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!.”
43 Dhe në atë çast, ndërsa ai ende po fliste, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe me të një turmë e madhe me shpata e shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve, nga skribët dhe nga pleqtë.
44 Dhe ai që po e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë: “Kë do të puth, ai është. Kapeni dhe çojeni me shoqërim të sigurt.”
45 Dhe si arriti, u afrua menjëherë tek ai dhe tha: “Rabbi, Rabbi!”; dhe e puthi përzemërsisht!
46 Atëherë ata vunë dorë mbi të dhe e arrestuan.
47 Dhe një nga të pranishmit nxori shpatën, i ra shërbëtorit të kryepriftit dhe ia preu veshin.
48 Atëherë Jezusi, duke iu përgjigjur, i tha: “Paskeni ardhur me shpata e me shkopinj që të më kapni sikurse të isha një cub?
49 E pra, përditë isha midis jush në tempull duke i mësuar njerëzit dhe ju nuk më kapët; por kjo po ndodh që të përmbushen Shkrimet!.”
50 Atëherë dishepujt e lanë dhe ikën të gjithë.
51 Dhe një farë djaloshi, që ishte i mbështjellur me një çarçaf mbi trupin e zhveshur, po e ndiqte, por ata e kapën.
52 Por ai e lëshoi çarçafin dhe iku lakuriq nga duart e tyre.
53 Atëherë ata e çuan Jezusin te kryeprifti, ku u mblodhën të gjithë krerët e priftërinjve, pleqtë dhe skribët.
54 Dhe Pjetri e ndoqi nga larg deri brenda në pallatin e kryepriftit dhe u ul atje bashkë me rojat dhe ngrohej afër zjarrit.
55 Dhe krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrit kërkonin dëshmi kundër Jezusit për ta vrarë, por nuk po gjenin.
56 Shumë veta në fakt jepnin dëshmi të rreme kundër tij; por dëshmitë e tyre nuk përkonin.
57 Atëherë disa u ngritën dhe dëshmuan rrejshëm kundër tij duke thënë:
58 “Ne e kemi dëgjuar se ka thënë: "Unë do ta shkatërroj këtë tempull të bërë me duar, dhe brenda tri ditësh do të ndërtoj një tjetër që nuk është bërë me duar".”
59 Por as mbi këtë dëshmia e tyre nuk përkonte.
60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të kuvendit dhe e pyeti Jezusin duke thënë: “Nuk përgjigjesh fare? Çfarë po dëshmojnë këta kundër teje?.”
61 Por ai heshti dhe nuk u përgjegj fare. Përsëri kryeprifti e pyeti dhe i tha: “A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?.”
62 Dhe Jezusi tha: “Unë jam. Dhe ju do ta shihni Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit dhe duke ardhur me retë e qiellit.”
63 Atëherë kryeprifti, duke i shqyer rrobat, tha: “Ç’nevojë kemi më për dëshmitarë?
64 Ju e dëgjuat blasfeminë, ç’ju duket?.” Dhe të gjithë gjykuan se meritonte vdekjen.
65 Atëherë disa filluan ta pështyjnë, t’ia zënë fytyrën, ta qëllojnë me shuplaka dhe t’i thonë: “Profetizo!.” Dhe rojat e godisnin.
66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në pallat, erdhi një shërbëtore e kryepriftit.
67 Dhe kur pa Pjetrin që po ngrohej, e vështroi me kujdes dhe tha: “Edhe ti ishe me Jezusin Nazareas.”
68 Por ai e mohoi duke thënë: “Nuk e njoh, nuk kuptoj çfarë thua.” Pastaj doli jashtë në hajat dhe gjeli këndoi.
69 Dhe shërbëtorja, duke e parë përsëri, filloi t’u flasë të pranishmëve: “Ky është një nga ata.”
70 Por ai përsëri e mohoi. Dhe pak më vonë të pranishmit i thanë përsëri Pjetrit: “Me të vërtetë ti je një nga ata; se ti je Galileas dhe e folura jote e zbulon.”
71 Por ai nisi të mallkojë dhe të betohet: “Unë nuk e njoh atë njeri për të cilin po flisni.”
72 Dhe gjeli këndoi për të dytën herë; atëherë Pjetrit iu kujtua fjala që Jezusi i kishte thënë: “Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë.” Dhe, duke e menduar këtë, qau.