M’Cheyne Bible Reading Plan
14 Një ditë ndodhi që Jonathani, bir i Saulit, i tha shqyrtarit të tij të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të Filistejve, që ndodhen në anën tjetër". Por nuk i tha asgjë të atit.
2 Sauli rrinte atëherë në skajin e Gibeahut nën shegën që është në Migron, dhe njerëzit që ishin me të arrinin në rreth gjashtë qind veta.
3 Ahijahu, bir i Ahitubit, vëllai i Ikabodit, birit të Finehasit, birit të Elit, prift i Zotit, në Shiloh kishte veshur efodin. Por populli nuk e dinte që Jonathani kishte ikur.
4 Ndërmjet kalimeve nëpër të cilat Jonathani kërkonte të arrinte në pozicionin e Filistejve, kishte një shkëmb që ngrihej nga një anë dhe një shkëmb që ngrihej nga ana tjetër; njëri quhej Botsets dhe tjetri Seneh.
5 Njeri nga shkëmbinjtë ngrihej në veri, përballë Mikmashit dhe tjetri në jug, përballë Gibeahut.
6 Jonathani i tha shqyrtarit të ri: "Eja, shkojmë drejt pozicioneve të këtyre të parrethprerëve; ndofta Zoti ka për të vepruar në favorin tonë, sepse asgjë nuk e pengon Zotin të sigurojë shpëtimin me shumë ose me pak njerëz".
7 Shqyrtari i tij iu përgjegj: "Bëj ç’ke për zemër; shko përpara; jam gati të shkoj me ty ku ta dëshirojë zemra jote".
8 Atëherë Jonathani tha: "Ja, ne do të shkojmë drejt atyre njerëzve dhe do t’i bëjmë që të na shohin.
9 Po të na thonë: "Ndaluni deri sa t’ju arrijmë," ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkojmë tek ata;
10 por në rast se na thonë: "Ejani te ne," ne do të shkojmë, sepse Zoti i ka dhënë në duart tona; dhe kjo do të na shërbejë si shenjë".
11 Kështu të dy u panë nga garnizoni i Filistejve; dhe Filistejtë thanë: Ja Hebrenjtë që po dalin nga shpellat ku ishin fshehur!!".
12 Pastaj njerëzit e garnizonit iu kthyen Jonathanit dhe shqyrtarit të tij dhe thanë: "Ejani te ne se kemi diçka për t’ju thënë". Atëherë Jonathani i tha shqyrtarit të tij: "Eja pas meje, sepse Zoti i ka dhënë në duart e Izraelit".
13 Jonathani u ngjit duke u kacavarur me duar dhe me këmbë, i ndjekur nga shqyrtari i tij. Filistejtë binin përpara Jonathanit, dhe shqyrtari pas tij i vriste.
14 Kjo qe masakra e parë e kryer nga Jonathani dhe nga shqyrtari i tij; në të humbën jetën rreth njëzet veta, në një sipërfaqe prej rreth gjysmë jugeri tokë.
15 Tmerri u përhap në kamp, në fshatra dhe në gjithë popullin; edhe garnizoni dhe cubat u trembën gjithashtu; bile edhe toka u drodh dhe u shndërrua kështu në një llahtarë të Perëndisë.
16 Rojet e Saulit në Gibeah të Beniaminit vështruan dhe panë që turma po shpërndahej dhe po ikte sa andej këtej.
17 Atëherë Sauli u tha njerëzve që ishin me të: "Bëni apelin për të parë se kush ka ikur nga ne". U bë apeli, dhe ja, mungonin Jonathani dhe shqyrtari i tij.
18 Atëherë Sauli i tha Ahijaut: "Afroje arkën e Perëndisë!" (sepse në atë kohë arka e Perëndisë ishte me bijtë e Izraelit).
19 Ndërsa Sauli fliste me priftin, rrëmuja në kampin e Filistejve vazhdonte të shtohej; kështu Sauli i tha priftit: "Hiqe dorën tënde!".
20 Pastaj Sauli dhe tërë populli që ishte me të u mblodhën dhe lëvizën drejt vendit të betejës; dhe ja që shpata e secilit drejtohej kundër shokut të tij dhe rrëmuja ishte shumë e madhe.
21 Vetë Hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me Filistejtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me Izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin.
22 Po kështu tërë Izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që Filistejtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t’i ndjekin duke marrë pjesë në betejë.
23 Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven.
24 Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi". Kështu që asnjeri nga populli nuk preku ushqim me dorë.
25 Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë.
26 Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë.
27 Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.
28 Njeri nga populli mori fjalën dhe tha: "Ati yt e ka vënë enkas popullin ta bëjë këtë betim, duke thënë: "Mallkuar qoftë ai njeri që do të prekë ushqim sot," megjithëse populli ishte i rraskapitur".
29 Atëherë Jonathani tha: "Ati im i solli dëm vendit; unë shijova pak nga ky mjaltë dhe shikimi im u bë më i qartë.
30 Sa më mirë do të kishte qenë sikur populli të kishte ngrënë sot lirisht plaçkën që gjeti te armiqtë! A nuk do të kishte pasur një masakër më të madhe të Filistejve?".
31 Po atë ditë ata i mundën Filistejtë nga Mikmashi deri në Aijalon, por populli ishte tepër i lodhur.
32 Kështu populli u hodh mbi plaçkën, rrëmbeu dele, lopë dhe viça dhe i theri për tokë; dhe populli i hëngri me gjithë gjakun e tyre.
33 Këtë ia treguan Saulit dhe i thanë: "Ja, populli po mëkaton kundër Zotit duke ngrënë mish me gjithë gjakun". Ai tha: "Ju keni kryer një shkelje; rrukullisni menjëherë një gur të madh pranë meje".
34 Pastaj Sauli urdhëroi: "Shpërndahuni midis popullit dhe i thoni: Secili të sjellë këtu tek unë lopën dhe delen e tij; i therrni këtu dhee pastaj i hani, por mos mëkatoni ndaj Zotit, duke ngrënë mish me gjithë gjakun e tij!". Kështu gjithkush nga populli solli me vete lopën e tij dhe e theri në atë vend.
35 Sauli ndërtoi pastaj një altar kushtuar Zotit; ky ishte altar i parë që ai i ndërtoi Zotit.
36 Pastaj Sauli tha: "Të zbresim natën për të ndjekur Filistejtë dhe t’i zhveshim deri në dritën e mëngjesit; dhe të mos lëmë asnjë prej tyre të gjallë". Populli u përgjegj: "Vepro si të të duket më mirë. Atëherë prifti tha: "T’i afrohemi Perëndisë këtu".
37 Kështu Sauli e pyeti Perëndinë: "A duhet të zbres për të ndjekur Filistejtë? A do t’i lësh në duart e Izraelit?". Por Perëndia nuk dha asnjë përgjigje.
38 Atëherë Sauli tha: "Afrohuni këtu, ju gjithë krerë të popullit, pranoni dhe shikoni mëkatin e kryer sot,
39 sepse, ashtu siç është e vërtetë që Zoti, shpëtimtari i Izraelit, jeton edhe sikur të gjendej te Jonathani, biri im, ai duhet të vdesë". Por asnjeri nga tërë populli nuk iu përgjegj atij.
40 Atëherë ai i tha gjithë Izraelit: "Ju qëndroni në një anë, dhe unë dhe biri im Jonathan do të qëndrojmë nga ana tjetër". Populli iu përgjegj Saulit: "Bëj atë që të duket më mirë".
41 Prandaj Sauli i tha Zotit: "O Perëndi i Izraelit, na jep përgjigjen e drejtë". Kështu u caktuan Jonathani dhe Sauli dhe populli jo.
42 Pastaj Sauli tha: "Hidhni short midis meje dhe Jonathanit, birit tim". Kështu u caktua Jonathani.
43 Atëherë Sauli i tha Jonathanit: "Më trego ç’ke bërë". Jonathani i tha: Kam provuar pak mjaltë me majën e bastunit që kisha në dorë; ja, ku jam,, kam për të vdekur!".
44 Sauli tha: "Perëndia e bëftë këtë dhe bile më keq, sepse ti ke për të vdekur me siguri, o Jonathan!".
45 Po populli i tha Saulit: "A duhet të vdesë Jonathani që ka sjellë këtë çlirim të madh në Izrael? Mos ndodhtë kurrë! Ashtu siç është e vërtetë që Zoti jeton, nuk ka për të rënë në tokë as edhe një fije floku nga koka e tij, sepse sot ai ka vepruar bashkë me Perëndinë"! Kështu populli e shpëtoi Jonathanin dhe ai nuk vdiq.
46 Pastaj Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve dhe Filistejtë u kthyen në vendin e tyre.
47 Kështu Sauli e forcoi mbretërinë e Izraelit dhe luftoi kundër gjithë armiqve që ndodheshin rreth e qark: Moabit, bijve të Amonit, Edomit, mbretërve të Tsobahut dhe Filistejve; ai korrte fitore nga çdo anë që të kthehej.
48 Kreu vepra trimërie, mundi Amalekitët dhe çliroi nga duart e atyre që e plaçkitnin.
49 Bijtë e Saulit ishin Jonathani, Jishuji dhe Malkishuahu; dy bijat e tij quheshin Merab, më e madhja, dhe Mikal më e vogla.
50 E shoqja e Saulit quhej Ahinoam, ishe bija e Ahimaazit; emri i komandantit të ushtrisë së tij ishte Abner, bir i Nrerit, ungji i Saulit.
51 Kishi, ati i Saulit, dhe Neri, ati i Abnerit, ishin bijtë e Abielit.
52 Gjatë gjithë jetës së Saulit pati një luftë të pamëshirshme kundër Filistejve; çdo njeri të fortë dhe çdo të ri trim që Sauli shikonte, i merrte me vete.
12 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.
2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.
3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,
5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.
6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;
7 nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;
8 dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim.
9 Dashuria le të mos jetë me hipokrizi; urreni të keqen dhe ngjituni pas së mirës.
10 Duani njeri tjetrin me dashuri vëllazërore; në nderim tregoni kujdes njeri me tjetrin.
11 Mos u tregoni të përtuar në zell; jini të zjarrtë në frymë, shërbeni Perëndisë,
12 të gëzuar në shpresë, të qëndrueshëm në shtrëngime, këmbëngulës në lutje;
13 ndihmoni për nevojat e shenjtorëve, jini mikpritës.
14 Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni dhe mos mallkoni.
15 Gëzohuni me ata që gëzohen, dhe qani me ata që qajnë.
16 Kini të njëjtat mendime njeri me tjetrin; mos lakmoni për lart, por rrini me të përunjurit; mos e mbani veten për të mënçur.
17 Mos ia ktheni kurrkujt të keqen me të keqe, kërkoni të bëni të mirën përpara gjithë njerëzve.
18 Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit.
19 Mos u hakmerrni për veten tuaj, o të dashur, por i jepni vend zemërimit të Perëndisë, sepse është shkruar: “Mua më përket hakmarrja, unë kam për të shpaguar, thotë Zoti.”
20 “Në qoftë se armiku yt, pra, ka uri, jepi të hajë; në pastë etje, jepi të pijë; sepse, duke bërë këtë, do të grumbullosh mbi krye të tij thëngjij të ndezur.”
21 Mos u mund nga e keqja, por munde të keqen me të mirën.
51 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të ngre një erë shkatërruese kundër Babilonisë dhe kundër banorëve të Leb Kamait.
2 Do të dërgoj kundër Babilonisë disa të huaj që do ta kontrollojnë dhe do ta zbrazin vendin e saj, sepse në ditën e fatkeqësisë do të sulen mbi të nga të gjitha anët.
3 Mos lini që ai, i cili nder harkun ta shtrijë atë apo të ngrihet në parzmoren e tij. Mos kurseni të rinjtë e saj, vendosni shfarosjen e tërë ushtrisë së saj.
4 Kështu ata do të bien të vrarë në vendin e Kaldeasve dhe të shpuar nëpër rrugët e Babilonisë.
5 Sepse Izraeli dhe Juda nuk kanë qënë braktisur nga Perëndia i tyre, nga Zoti i ushtrive, megjithëse vendi i tyre ishte plot me faje kundër të Shenjtit të Izraelit".
6 Ikni nga mesi i Babilonisë dhe të shpëtojë secili jetën e tij, shikoni të mos të shkatërroheni në paudhësinë e saj. Sepse kjo është koha e hakmarrjes së Zotit; ai do të japë shpërblimin e drejtë.
7 Babilonia ishte në duart e Zotit një kupë ari që dehte tërë tokën; kombet kanë pirë nga vera e saj, prandaj kombet kanë rënë në kllapi.
8 Papritmas Babilonia ra, u shkatërrua. Vajtoni për të, merrni balsam për dhembjen e saj; ndofta mund të shërohet.
9 Ne dëshironim ta shëronim Babiloninë, por ajo nuk është shëruar. Braktiseni dhe të shkojmë secili në vendin e vet, sepse gjykimi i saj arrin deri në qiell dhe ngrihet deri te retë.
10 Zoti ka bërë të triumfojë çështja jonë e drejtë. Ejani, të tregojmë në Sion veprën e Zotit, Perëndisë tonë.
11 Mprehni shigjetat, rrokni mburojat. Zoti ka zgjuar frymën e mbretërve të Medasve, sepse qëllimi i tij kundër Babilonisë është shkatërrimi i saj, sepse kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja e tempullit të tij.
12 Ngrini flamurin mbi muret e Babilonisë. Përforconi rojet, vendosni shigjetarë, përgatitni kurthe. Sepse Zoti ka menduar dhe ka zbatuar atë që ka thënë kundër banorëve të Babilonisë.
13 O ti që banon pranë ujërave të mëdha, të pasura në thesarë, fundi yt erdhi, fundi i fitimeve të tua të padrejta.
14 Zoti i ushtrive i është betuar në veten e tij: "Unë do të të mbush me njerëz si miza që do të ngrenë kundër teje britma lufte".
15 Ai ka bërë tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarësinë e tij.
16 Kur nxjerr zërin e tij, ka një zhurmë ujërash në qiell; ai bën që të ngjiten avujt nga skajet e tokës, prodhon rrufetë për shiun dhe e nxjerr erën nga depozitat e tij.
17 Çdo njeri atëherë bëhet budalla, pa njohuri, çdo argjendar ka turp për shëmbëlltyrën e tij të gdhendur, sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është një gënjeshtër, dhe nuk ka frymë jetësore në to.
18 Janë kotësi, vepra mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre do të zhduken.
19 Trashëgimia e Jakobit nuk është si ata, sepse ai ka sajuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zoti i ushtrive.
20 "Ti je për mua një çekiç, një mjet lufte; me ty do të shtyp kombet, me ty do të shkatërroj mbretëritë;
21 me ty do të copëtoj kalë dhe kalorës, me ty do të copëtoj qerre dhe karrocier;
22 me ty do të copëtoj burrë dhe grua, me ty do të copëtoj plak dhe fëmijë, me ty do të copëtoj të riun dhe virgjëreshën;
23 me ty do të copëtoj bariun dhe kopenë e tij, me ty do të copëtoj katundarin dhe pendën e tij të qeve, me ty do të copëtoj qeveritarët dhe gjykatësit.
24 Por unë do t’i shpërblej Babiloninë dhe tërë banorët e Kaldesë për tërë të keqen që i kanë bërë Sionit para syve tuaj," thotë Zoti.
25 "Ja ku jam kundër teje, o mal i shkatërrimit," thotë Zoti, "ti që shkatërron tërë tokën. Unë do të shtrij dorën time kundër teje, do të të rrokullis poshtë nga shkëmbinjtë dhe do të të bëj një mal të djegur.
26 Nga ti nuk do të merren më as gurë të qoshes, as gurë themeli, por ti do të bëhesh një shkreti përjetë, thotë Zoti.
27 Ngrini një flamur në vend, bjerini borisë midis kombeve; përgatitni kombet kundër saj, thirrni të mblidhen kundër saj mbretëritë e Araratit, Minit dhe Ashkenazit. Emëroni kundër saj një komandant. Bëni që të përparojnë kuajt si karkaleca të kreshtë.
28 Përgatitni kundër saj kombet, me mbretëritë e Medisë, me qeveritarët e tij, me të gjithë gjykatësit dhe tërë vendet e zotërimeve të tij.
29 Toka do të dridhet dhe do të mbajë zi, sepse planet e Zotit kundër Babilonisë do të realizohen, për ta katandisur vendin e Babilonisë në një shkreti, pa banorë.
30 Trimat e Babilonisë kanë hequr dorë nga lufta; kanë mbetur në fortesat e tyre; forca e tyre është ligështuar, janë bërë si gra. U kanë vënë zjarrin banesave të saj, shulet e portave të tyre janë thyer.
31 Korrieri vrapon përballë korrierit dhe lajmëtari përballë lajmëtarit për t’i njoftuar mbretit të Babilonisë që qyteti i tij është marrë nga çdo anë;
32 vahet që mund të kalohen më këmbë janë zënë, kënetat janë në flakë dhe luftëtarët janë të tmerruar.
33 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Bija e Babilonisë është si një lëmë në kohën që shkelet; edhe pak dhe do të vijë për të koha e korrjes".
34 "Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, na ka gëlltitur, na ka shtypur, na ka katandisur si një enë bosh; na ka gëlltitur si një dragua, ka mbushur barkun e tij me ushqimet tona të shijshme, na ka përzënë.
35 Dhuna e ushtruar kundër meje dhe mishit tim rëntë mbi Babiloninë," do të thotë banori i Sionit. "Gjaku im rëntë mbi banorët e Kaldesë," do të thotë Jeruzalemi.
36 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të mbroj çështjen tënde dhe do ta kryej hakmarrjen tënde. Do të bëj që të thahet deti i saj dhe të shterojë burimi i saj.
37 Babilonia do të bëhet një grumbull gërmadhash, një strehë për çakejtë, një objekt habie e talljeje, pa banorë.
38 Ata do të vrumbullijnë bashkë si luanë, do të skërmitin dhëmbët si këlyshët e luanit.
39 Kur të kenë vapë, do t’u jap të pijnë, do t’i deh që të kënaqen dhe të flenë një gjumë të përjetshëm, pa u zgjuar më," thotë Zoti.
40 Unë do t’i bëj të zbresin në kasaphanë si qengja, si desh bashkë me cjeptë.
41 Vallë si u pushtua Sheshaku dhe u fitua lavdia e tërë dheut? Vallë si u bë Babilonia një shkreti midis kombeve?
42 Deti ka dalë përmbi Babiloninë; ajo është mbytur nga zhurma e valëve të tij.
43 Qytetet e saj janë bërë një mjerim, një tokë e zhuritur, një shkreti, një vend ku nuk banon askush dhe nëpër të cilin nuk kalon asnjë bir njeriu.
44 Unë do të ndëshkoj Belin në Babiloni dhe do të nxjerr nga goja e tij atë që ka gllabëruar dhe kombet nuk do të bashkohen më me të. Madje edhe muret e Babilonisë do të rrëzohen.
45 Dil nga mesi i saj, o populli im, dhe secili të shpëtojë jetën e tij përpara zemërimit të zjarrtë të Zotit.
46 Zemra juaj mos u ligështoftë dhe mos u trembni nga lajmet që do të dëgjohen në vend, sepse një vit do të vijë një lajm dhe vitin tjetër një lajm tjetër. Do të ketë dhunë në vend, sundues kundër sunduesit.
47 Prandaj ja, do të vijnë ditët në të cilat unë do të ndëshkoj figurat e gdhendura të Babilonisë; tërë vendi do të mbulohet me turp dhe tërë të plagosurit për vdekje do të rrëzohen në mes të saj.
48 Atëherë qiejt, toka dhe çdo gjë që është në to do të ngazëllejnë mbi Babiloninë, sepse shkatërruesit do të vijnë kundër saj nga veriu," thotë Zoti.
49 Ashtu si Babilonia bëri që të rrëzohen të plagosurit për vdekje të Izraelit, kështu në Babiloni do të rrëzohen të plagosurit për vdekje të të gjithë vendit.
50 Ju, që keni shpëtuar nga shpata, nisuni, mos u ndalni; mbani mend që nga larg Zotin, dhe Jeruzalemi t’ju kthehet në zemër.
51 Na vjen turp të dëgjojmë sharjen, turpi ka mbuluar fytyrën tonë, sepse disa të huaj kanë hyrë në shenjtoren e shtëpisë të Zotit.
52 "Prandaj ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "në të cilat unë do të dënoj figurat e tij të gdhendura dhe në tërë vendin e tij do të rënkojnë të plagosurit për vdekje.
53 Edhe sikur Babilonia të ngjitej deri në qiell, edhe sikur ta bënte të pakapshme forcën e saj të lartë, nga ana ime do të vijnë kundër saj disa shkatërrimtarë," thotë Zoti.
54 Zhurma e një britme po vjen nga Babilonia, e një shkatërrimi të madh nga vendi i Kaldasve.
55 Sepse Zoti po shkatërron Babiloninë dhe bën që të pushojë zhurma e saj e madhe; valët e tyre gumëzhijnë, zhurma e zërit të tyre po ngrihet.
56 Shkatërrimtari në fakt erdhi kundër saj, kundër Babilonisë; trimat e saj janë kapur, harqet e tyre janë copëtuar, sepse Zoti është Perëndia i shpërblimeve; ai do t’i shpërblejë me siguri.
57 Unë do t’i deh princat e saj, njerëzit e urtë të saj, qeveritarët e saj, nëpunësit e saj, dhe trimat e saj dhe kështu do të bëjnë një gjumë të përjetshëm dhe nuk do të zgjohen më," thotë Mbreti, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.
58 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin".
59 Urdhri që profeti Jeremia i dha Serajahut, birit të Neriahut, bir i Mahsejahut, kur shkoi në Babiloni me Sedekian, mbretin e Judës, në vitin e katërt të mbretërimit të tij. Serajahu ishte shefi i Çambelanëve.
60 Kështu Jeremia shkroi në një libër tërë të këqiat që do të pësonte Babilonia, tërë këto fjalë që janë shkruar kundër Babilonisë.
61 Dhe Jeremia i tha Serajahut: "Kur të arrish në Babiloni, ki kujdes t’i lexosh tërë këto fjalë,
62 dhe do të thuash: "O Zot, ti ke thënë për këtë vend se do ta shkatërroje, dhe se nuk do të mbetej në të më asnjëri, qoftë njeri apo kafshë, por do të bëhej një shkreti e përjetshme".
63 Pastaj, kur të kesh mbaruar së lexuari këtë libër, do të lidhësh mbi të një gur dhe do ta hedhësh në mes të Eufratit,
64 dhe do të thuash: "Kështu do të mbytet Babilonia dhe nuk do të ngrihet më nga fatkeqësia që unë do të sjell mbi të; dhe ata do të jenë të rraskapitur"". Deri këtu fjalët e Jeremias.
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.