M’Cheyne Bible Reading Plan
5 Atëherë Filistejtë e morën arkën e Perëndisë dhe e mbartën nga Eben-Ezeriu në Ashdod;
2 pastaj Filistejtë e morën arkën e Perëndisë, e çuan në tempullin e Dagonit dhe e vendosën pranë Dagonit.
3 Të nesërmen banorët e Ashdodit u ngritën herët, por Dagoni qe rrëzuar me fytyrë për tokë përpara arkës së Zotit. Kështu e morën Dagonin dhe e vunë përsëri në vendin e tij.
4 Të nesërmen u ngritën herët, dhe ja Dagoni qe rrëzuar përsëri me fytyrën për tokë përpara arkës së Zotit, kurse koka e Dagonit dhe të dy pëllëmbët e duarve të tij u gjetën të prera mbi prag; nga Dagoni kishte mbetur vetëm trungu.
5 Prandaj, deri ditën e sotme, priftërinjtë e Dagonit dhe tërë ata që hyjnë në tempullin e Dagonit nuk vënë këmbë mbi pragun e Dagonit në Ashdod.
6 Pastaj dora e Zotit rëndoi mbi banorët e Ashdodit dhe i shkretoi, i goditi me hemoroide Ashdodin dhe territorin e tij.
7 Kur banorët e Ashdodit panë që punët shkonin në atë mënyrë, ata thanë: Arka e Perëndisë të Izraelit nuk duhet të mbetet në mes nesh, sepse dora ee tij ka qenë e rëndë me ne dhe me Dagonin, perëndinë tonë".
8 Kështu ata mblodhën pranë tyre tërë princat e Filistejve dhe thanë: Çfarë duhet të bëjmë me arkën e Perëndisë të Izraelit??". Princat u përgjegjën: "Të mbartet arka e Perëndisë të Izraelit në Gatha".
9 Kështu arka e Perëndisë të Izraelit u mbart aty. Por mbas transportimit të saj, dora e Zotit u kthye kundër atij qyteti, duke i shkaktuar një lemeri të madhe; dhe Zoti i goditi njerëzit e qytetit, të mëdhenj e të vegjël, me një epidemi hemoroidesh.
10 Atëherë arkën e Perëndisë e dërguan në Ekron. Por, sapo arka e Perëndisë arriti në Ekron, banorët e Ekronit protestuan duke thënë: "Kanë sjellë arkën e Perëndisë të Izraelit te ne, që të vdesim ne dhe populli ynë!".
11 Kështu mblodhën tërë pincat e Filistejve dhe u thanë: "Largojeni arkën e Perëndisë të Izraelit; ajo të kthehet në vendin e saj, që të mos shkaktojë vdekjen tonë dhe të popullit tonë!". Në fakt ishte përhapur një lemeri vdekjeprurëse në të gjithë qytetin, sepse dora e Perëndisë rëndonte shumë mbi të.
12 Ata që nuk vdisnin prekeshin nga hemoroidet, dhe britmat e qytetit ngjiteshin deri në qiell.
6 Arka e Zotit mbeti shtatë muaj në vendin e Filistejve.
2 Pastaj Filistejtë mblodhën priftërinjtë dhe shortarët dhe thanë: "Ç’duhet të bëjmë me arkën e Zotit? Na trego mënyrën që duhet të përdorim për ta kthyer përsëri në vendin e saj".
3 Atëherë ata u përgjegjën: "Në qoftë se e ktheni arkën e Perëndisë së Izraelit, mos e ktheni bosh, por dërgoni me të të paktën një ofertë zhdëmtimi; atëherë do të shëroheni dhe do të mësoni pse dora e tij nuk ju ndahej".
4 Ata pyetën: "Çfarë oferte zhdëmtimi do t’i dërgojmë neve?". Ata u përgjegjën: "Pesë hemorroide ari dhe pesë minj ari simbas numrit të princave të Filistejve, sepse e njëjta plagë ka goditur ju dhe princat tuaj.
5 Bëni, pra, disa figura të hemorroideve dhe të minjve tuaj që shkatërrojnë vendin, dhe i thurrni lavdi Perëndisë së Izraelit; ndofta ai do ta zbusë dorën e tij mbi ju, mbi perënditë tuaj dhe mbi vendin tuaj.
6 Pse, vallë, e ngurtësoni zemrën tuaj ashtu si Egjiptasit dhe Faraoni ngurtësuan zemrën e tyre? Kur kreu gjëra të fuqishme midis tyre, nuk i lanë të shkojnë, dhe kështu ata mundën të shkojnë?
7 Bëni, pra, një qerre të re, pastaj merrni dy lopë qumështore mbi të cilat nuk është vënë kurrë zgjedha dhe i mbrihni lopët në qerre, por i çoni viçat e tyre në stallë larg tyre.
8 Pastaj merrni arkën e Zotit dhe vendoseni mbi qerre; dhe punimet prej ari që i çoni Zotit si ofertë zhdëmtimi i vini në një shportë pranë saj.
9 Dhe rrini e shikoni, në rast se ngjitet nëpër rrugën që të çon në territorin e tij, në Beth-Shemesh, është Zoti që na ka bërë këtë të keqe të madhe; ndryshe do të të mësojmë që nuk ka qenë dora e tij që na ka goditur, por kjo ka ndodhur rastësisht".
10 Ata, pra, vepruan kështu: morën dy lopë qumështore, i mbrehën në qerre dhe mbyllën viçat në stallë.
11 Pastaj vendosën mbi qerre arkën e Zotit dhe shportën me minjtë prej ari dhe figurat e hemorroideve.
12 Atëherë lopët u nisën pikërisht në drejtim të Beth-Shemeshit, duke ndjekur gjithnjë atë rrugë dhe duke pëllitur ndërsa po ecnin, pa u kthyer as djathtas, as majtas. Princat e Filistejve i ndoqën deri në kufirin e Beth-Shemeshit.
13 Banorët e Beth-Shemeshit ishin duke korrur grurin në luginë; duke ngritur sytë, panë arkën dhe u gëzuan qe e panë.
14 Qerrja, pasi arriti në kampin e Jozueut në Beth-Shemesh, u ndal aty. Aty kishte një gur të madh; kështu ata çanë lëndën e drurit të qerres dhe i ofruan lopët si olokauste të Zotit.
15 Levitët hoqën arkën e Zotit dhe shportën që i rrinte pranë dhe në të cilën gjendeshin sendet prej ari, dhe i vendosëm mbi një gur të madh. Po atë ditë njerëzit e Beth-Shemeshit ofruan dhe i bënë flijime Zotit.
16 Mbasi pesë princat e Filistejve panë këtë gjë, po atë ditë u kthyen në Ekron.
17 Këto janë hemorroidet prej ari që Filistejtë i dërguan Zotit si ofertë zhdëmtimi; një për Ashdodin, një për Gazën, një për Askalonin, një për Gathin, një për Ekronin;
18 dhe minjtë prej ari simbas numrit të të gjitha qyteteve të Filistejve që u përkisnin pesë princëve, nga qytetet e fortifikuara deri në fshatrat e fushës, deri në gurin e madh e mbi të cilin u vendos arka e Zotit dhe që qëndron deri në ditën e sotme në fushën e Jozueut, Bethshemitit.
19 Zoti goditi disa njerëz të Beth-Shemeshit, sepse kishin shikuar brenda arkës së Zotit; ai goditi shtatëdhjetë njerëz të popullit. Populli mbajti zi për ta, sepse Zoti e kishte prekur me një fatkeqësi të madhe.
20 Njerëzit e Beth-Shemeshit thanë: "Kush mund të rezistojë përpara Zotit, këtij Perëndie të shenjtë? Nga kush do të ngjitet arka, kur të niset nga ne?".
21 Kështu u dërguan lajmëtarë banorëve të Kiriath-Jearimit për t’u thënë: Filistejtë e kanë kthyer arkën e Zotit; zbrisni dhe çojeni lart te juu".
5 Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,
2 me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
3 Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,
4 këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.
5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
6 Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.
8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.
12 Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;
13 sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj;
14 por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte.
15 Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë.
16 Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje.
17 Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit.
18 Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.
19 Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.
20 Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt,
21 me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.
43 Ndodhi që kur Jeremia mbaroi së njoftuari tërë popullit të gjitha fjalët e Zotit, Perëndisë të tyre, tërë fjalët që Zoti, Perëndia i tyre, u kishte dërguar atyre,
2 Azaria, bir i Hoshajahut dhe Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë njerëzit krenarë i thanë Jeremias: "Ti flet të pavërteta; Zoti, Perëndia ynë, nuk të ka dërguar të thuash: "Mos shkoni në Egjipt për të banuar atje,"
3 por Baruku, bir i Neriahut, të nxit kundër nesh që të na japë në dorë të Kaldeasve, që ne të vdesim ose të na çojnë në robëri në Babiloni".
4 Kështu Johanani, bir i Kareahut, tërë krerët e forcave dhe tërë populli nuk iu bindën urdhrit të Zotit që të qëndronin në vendin e Judës.
5 Por Johanani, bir i Kareahut, dhe të gjithë krerët e forcave morën tërë të mbeturit e Judës që ishin kthyer nga të gjitha kombet ku ishin shpërndarë, për të banuar në vendin e Judës:
6 burrat, gratë, fëmijët, vajzat e mbretit dhe të gjithë personat që Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte lënë bashkë me Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit, bashkë me profetin Jeremia dhe me Barukun, birin e Neriahut,
7 dhe shkuan në vendin e Egjiptit, sepse nuk iu bindën zërit të Zotit, dhe arritën deri në Tahpanhes.
8 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias në Tahpanhes, duke thënë:
9 "Merr në duart e tua gurë të mëdhenj dhe fshihi në argjilën e furrës së tullave që ndodhet në hyrje të shtëpisë së Faraonit në Tahpanhes, në sytë të njerëzve të Judës.
10 Pastaj do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë do të dërgoj të marr Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbëtorin tim, dhe do të vendos fronin e tij mbi këta gurë që kam fshehur, dhe ai do të shtrijë shatorren e tij mbretërore mbi to.
11 Ai do të vijë dhe do të godasë vendin e Egjiptit, dhe do të çojë në vdekje ata që janë caktuar të vdesin, në robëri ata që janë caktuar të jenë robër dhe në shpatë ata që janë caktuar për shpatë.
12 Unë do t’u vë zjarrin tempujve të perëndive të Egjiptit; ai do t’i djegë dhe do t’i çojë në robëri dhe do të mbështillet me vendin e Egjiptit ashtu siç mbështillet bariu në veshjen e tij; pastaj do të niset që andej në paqe.
13 Do të copëtojë gjithashtu shtyllat e shenjta të tempullit të diellit, që ndodhen në vendin e Egjiptit, dhe do t’u vërë flakën tempujve të perëndive të Egjiptit".
19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.
2 Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.
3 Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;
4 por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;
5 dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.
6 Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.
7 Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.
8 Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.
9 Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;
10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.
11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.
12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.
13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.
14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.