M’Cheyne Bible Reading Plan
20 Atëherë tërë bijtë e Izraelit lëvizën, nga Dani deri në Beer-Sheba dhe në vendin e Galaadit, dhe asambleja u mblodh si një njeri i vetëm përpara Zotit në Mitspah.
2 Krerët e tërë popullit, e gjithë fiseve të Izraelit u paraqitën përpara asamblesë së popullit të Perëndisë; ishin katërqind mijë këmbësorë, të aftë të përdornin shpatën.
3 (Dhe bijtë e Beniaminit dëgjuan që bijtë e Izraelit ishin ngjitur në Mitspah). Atëherë bijtë e Izraelit thanë: "Na tregoni, si u krye ky krim?".
4 Atëherë Leviti, burri i gruas që ishte vrarë, u përgjegj: "Unë kisha hyrë bashkë me konkubinën time në Gibeah të Beniaminit për të kaluar natën.
5 Por banorët e Gibeahut u ngritën kundër meje dhe rrethuan natën shtëpinë në të cilën ndodhesha, dhe kjo për të më vrarë; por ata dhunuan përkundrazi konkubinën time dhe ajo vdiq.
6 Kështu unë mora konkubinën time, e preva copë-copë, dhe e dërgova nëpër gjithë territorin e trashëgimisë së Izraelit, sepse këta kryen një krim dhe një poshtërsi në Izrael.
7 Dhe ja, tani tërë ju, o bij të Izraelit, jepni mendimin dhe këshillën tuaj".
8 Atëherë tërë populli u ngrit si një njeri i vetëm, duke thënë: "Asnjë prej nesh nuk do të kthehet në çadrën e tij, asnjë prej nesh nuk do të kthehet në shtëpinë e tij.
9 Dhe tani, ja se ç’do t’i bëjmë Gibeahut: do të shkojmë kundër tij duke hedhur me short,
10 dhe do të marrim nga të gjitha fiset e Izraelit dhjetë njerëz mbi njëqind, njëqind mbi një mijë dhe një mijë mbi dhjetë mijë, të cilët do të shkojnë të kërkojnë ushqime për popullin, me qëllim që duke shkuar kundër Gibeahut të Beniaminit të mund t’ia lajmë të gjitha poshtërsitë që ka kryer në Izrael".
11 Kështu tërë burrat e Izraelit u mblodhën kundër atij qyteti, të bashkuar si një njeri i vetëm.
12 Fiset e Izraelit dërguan pastaj njerëz në gjithë fisin e Beniaminit për t’i thënë: "Ç’është ky krim që është kryer ndër ju?
13 Prandaj na dorëzoni ata njerëz, ata kriminelë që janë në Gibeah, që t’i vrasim dhe të heqim të keqen nga Izraeli". Por bijtë e Beniaminit nuk pranuan të dëgjojnë zërin e vëllezërve të tyre, të bijve të Izraelit.
14 Bijtë e Beniaminit madje u mblodhën nga qytetet e tyre në Gibeah për të luftuar kundër bijve të Izraelit.
15 Atë ditë bijtë e Beniaminit të thirrur nga qytetet e tyre për t’u mbledhur ishin njëzet e gjashtë mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, pa llogaritur banorët e Gibeahut, që arrinin në shtatëqind burra të zgjedhur.
16 Midis tërë këtyre njerëzve kishte shtatëqind burra të zgjedhur, që ishin mëngjarashë. Tërë këta ishin të aftë të hidhnin një gur me hoben kundër një fije floku, pa gabuar goditjen.
17 Njerëzit e Izraelit të thirrur për t’u mbledhur, pa përfshirë ata të Beniaminit, ishin katërqind mijë burra të aftë për të përdorur shpatën, të gjithë luftëtarë.
18 Kështu bijtë e Izraelit lëvizën, u ngjitën në Bethel dhe konsultuan Perëndinë, duke thënë: "Kush prej nesh do të nisë i pari luftën kundër bijve të Beniaminit?". Zoti u përgjegj: "Juda do të fillojë i pari".
19 Të nesërmen në mëngjes bijtë e Izraelit u nisën dhe e ngritën kampin e tyre kundër Gibeahut.
20 Njerëzit e Izraelit dolën kështu për të luftuar kundër Beniaminit dhe u rreshtuan për betejë kundër luftëtarëve të tij pranë Gibeahut.
21 Atëherë bijtë e Beniaminit dolën nga Gibeahu dhe po atë ditë shtrinë të vdekur për tokë njëzet e dy mijë burra të Izraelit.
22 Por populli, burrat e Izraelit, morën zemër përsëri dhe u rreshtuan përsëri për betejë në po atë vend ku ishin rreshtuar ditën e parë.
23 Atëherë bijtë e Izraelit shkuan dhe qanë përpara Zotit deri në mbrëmje, dhe u konsultuan me Zotin, duke thënë: "A duhet ta vazhdoj luftën kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim?". Zoti iu përgjegj: "Suluni kundër tyre".
24 Bijtë e Izraelit u ndeshën për herë të dytë me bijtë e Beniaminit.
25 Beniaminitët dolën për herë të dytë nga Gibeahu kundër tyre dhe shtrinë për tokë tetëmbëdhjetë mijë burra të tjerë nga bijtë e Izraelit, të gjithë të aftë të përdornin shpatën.
26 Atëherë tërë bijtë e Izraelit, domethënë tërë populli, u ngjitën në Bethel dhe qanë; mbetën aty përpara Zotit dhe agjëruan atë ditë deri në mbrëmje, dhe ofruan olokauste dhe flijime falenderimi përpara Zotit.
27 Pastaj bijtë e Izraelit u konsultuan me Zotin (arka e besëlidhjes së Perëndisë ndodhej aty në atë kohë,
28 dhe Finehasi, bir i Eleazarit, bir i Aaronit, shërbente në atë kohë para saj) dhe thanë: "A duhet të vazhdojë akoma të dal për të luftuar kundër bijve të Beniaminit, vëllait tim, apo duhet të heq dorë nga një gjë e tillë?". Zoti u përgjegj: "Suluni, sepse nesër do t’i jap në duart tuaja".
29 Kështu Izraeli zuri një pritë rreth e rrotull Gibeahut.
30 Bijtë e Izraelit u vërsulën për të tretën herë kundër bijve të Beniaminit, dhe u rreshtuan për betejë në afërsi të Gibeahut si herët e tjera.
31 Bijtë e Beniaminit dolën kundër popullit dhe armiqtë e tyre i tërhoqën larg qytetit; dhe filluan të godasin dhe të vrasin, si herët e tjera, disa nga populli i Izraelit nëpër rrugët (nga të cilat njera shkon në Bethel dhe tjetra në Gibeah), dhe në fshatrat; ata vranë rreth tridhjetë veta.
32 Kështu bijtë e Beniaminit thanë: "Ja ku janë, të mundur para syve tona si herën e parë!". Por bijtë e Izraelit thanë: "Të ikim dhe t’i tërheqim larg qytetit, mbi rrugët kryesore!".
33 Atëherë tërë njerëzit e Izraelit lëvizën nga pozicionet e tyre dhe u rreshtuan për betejë në Baal-Thamar; ndërkaq njerëzit e Izraelit që ishin në pritë dolën nga vëndet e tyre të fshehta në fushën e Gibeahut.
34 Dhjetë mijë burra të zgjedhur në të gjithë Izraelin u vërsulën kundër Gibeahut; Beteja qe e ashpër, por Beniaminitët nuk e shihnin katastrofën që po u afrohej.
35 Kështu Zoti mundi Beniaminin para Izraelit; dhe bijtë e Izraelit vranë atë ditë njëzet e pesë mijë e njëqind burra të Beniaminit, të gjithë të zotë të përdornin shpatën.
36 Kështu bijtë e Beniaminit e kuptuan se ishin mundur. Izraelitët i kishin lëshuar terren Beniaminit, sepse kishin besim te njerëzit që kishin zënë pritë në afërsi të Gibeahut.
37 Njerëzit e pritës u hodhën menjëherë mbi Gibeahun; ata ecën përpara dhe vranë me shpatë gjithë banorët e qytetit.
38 Midis njerëzve të Izraelit dhe atyre që kishin ngritur pritën ishte caktuar një sinjal; këta të fundit duhet të bënin që të ngrihej një re e madhe tymi nga qyteti.
39 Njerëzit e Izraelit, pra, kishin kthyer krahët gjatë luftimit; dhe ata të Beniaminit kishin filluar të godisnin dhe të vrisnin rreth tridhjetë njerëz të Izraelit. Në fakt ata thonin: "Me siguri ata janë plotësisht të mundur para nesh si në betejën e parë!".
40 Por kur sinjali i kolonës së tymit filloi të ngrihet nga qyteti, ata të Beniaminit u kthyen prapa dhe ja, tërë qyteti ishte pushtuar nga flaka që po ngrihej në qiell.
41 Atëherë njerëzit e Izraelit u kthyen dhe njerëzit e Beniaminit i zuri një frikë e madhe, duke parë gjëmën e madhe që u kishte rënë.
42 Prandaj filluan të ikin përpara njerëzve të Izraelit në drejtim të shkretëtirës, por pa arritur t’i shmangen betejës; dhe ata që dilnin nga qyteti u vërsulën në mes tyre dhe i masakruan.
43 I rrethuan Beniaminitët, i ndoqën pa pushim dhe i luftuan deri përballë Gibeahut nga ana lindore.
44 Beniaminitët humbën tetëmbëdhjetë mijë njerëz, të gjithë burra trima.
45 Ata që mbetën gjallë kthyen kurrizin dhe ua mbathën në drejtim të shkretëtirës, të shkëmbit të Rimonit; dhe ata zunë rrugës pesë mijë prej tyre i ndoqën deri në Gidon dhe vranë dy mijë të tjerë.
46 Kështu numri i përgjithshëm i Beniaminitëve që u vranë atë ditë ishte njëzet e pesë mijë veta, të gjithë të zotë të përdornin shpatën, tërë njerëz trima.
47 Gjashtëqind burra, që kishin kthyer kurrizin dhe kishin ikur në shkretëtirë në drejtim të shkëmbit të Rimonit, mbetën aty katër muaj.
48 Pastaj Izraelitët u kthyen kundër bijve të Beniaminit dhe vranë me shpatë tërë banorët e qytetit, duke përfshirë edhe bagëtinë dhe gjithçka gjenin; u vunë flakën edhe tërë qyteteve që u dilnin përpara.
24 Por pas pesë ditësh erdhi kryeprifti Anania bashkë me pleqtë dhe me një gojtar, një farë Tertuli; ata dolën përpara qeveritarit për të akuzuar Palin.
2 Kur u thirr Pali, Tertuli filloi ta akuzojë duke thënë:
3 “Fort i shkëlqyeri Feliks, ne e pranojmë në gjithçka e për gjithçka dhe me mirënjohje të thellë se paqja të cilën gëzojmë dhe reformat dobiprurëse që janë zbatuar për këtë komb janë vepër e masave të tua largpamëse.
4 Por, për të mos të shqetësuar më gjatë, të lutem me mirësinë tënde, të na dëgjosh shkurtimisht.
5 Ne kemi gjetur se ky njeri është një murtajë dhe shkakton trazira midis gjithë Judenjve që janë në botë dhe është kryetari i sektit të Nazarenasve.
6 Ai, madje, u përpoq të përdhosë tempullin; dhe ne e zumë dhe deshëm ta gjykonim sipas ligjit tonë.
7 Por erdhi tribuni Lisia dhe e mori me forcë nga duart tona,
8 duke i urdhëruar paditësit e tij të vijnë tek ti; duke e hetuar atë, do të mundësh ti vetë të marrësh vesh prej tij të vërtetën e të gjitha gjërave, për të cilat ne e akuzojmë.”
9 Edhe Judenjtë u bashkuan, duke pohuar se kështu qëndronin gjërat.
10 Atëherë Pali, mbasi qeveritari i bëri shenjë të flasë, u përgjigj: “Duke ditur se prej shumë vjetësh ti je gjykatësi i këtij kombi, flas edhe më me guxim në mbrojtje të vetes.
11 Jo më shumë se dymbëdhjetë ditë më parë, siç mund ta verifikosh, unë u ngjita në Jeruzalem për të adhuruar.
12 Dhe këta nuk më gjetën në tempull duke u grindur me ndonjë, ose duke nxitur turmën as në sinagogat as edhe nëpër qytet;
13 dhe as mund të provojnë gjërat për të cilat tani më akuzojnë.
14 Por unë po të rrëfej këtë: sipas Udhës që ata e quajnë sekt, unë i shërbej kështu Perëndisë së etërve, duke u besuar të gjitha gjërave që janë shkruar në ligjin dhe në profetët,
15 duke pasur shpresë në Perëndinë, të cilën edhe këta e kanë, se do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.
16 Prandaj unë përpiqem të kem vazhdimisht një ndërgjegje të paqortueshme përpara Perëndisë dhe përpara njerëzve.
17 Tani, pas shumë vjetësh, unë erdha të sjell lëmosha dhe oferta kombit tim.
18 Por, tek po bëja këtë, ata më gjetën të pastruar në tempull, pa asnjë tubim ose trazirë.
19 Por ishin disa Judenj të Azisë, që duhej të dilnin para teje për të më akuzuar, se kishin diçka kundër meje.
20 Ose vetë këta le të thonë nëse kanë gjetur ndonjë padrejtësi tek unë, kur rrija përpara sinedrit,
21 veç mos qoftë vetëm për atë fjalë që unë thirra duke qëndruar në këmbë para tyre: "Për shkak të ringjalljes së të vdekurve sot unë gjykohem prej jush!".”
22 Kur i dëgjoi këto gjëra, Feliksi, që ishte i mirinformuar për Udhën, e shtyu gjyqin, duke thënë: “Kur të vijë tribuni Lisia, do të marr në shqyrtim çështjen tuaj.”
23 Dhe i dha urdhër centurionit që Palin ta ruanin, por të kishte njëfarë lirie, pa penguar asnjë nga të vetët t’i kryejnin shërbime ose të vijnin ta takojnin.
24 Pas disa ditësh Feliksi, që kishte ardhur me gruan e vet Druzila, që ishte jude, dërgoi ta thërresin Palin dhe e dëgjoi lidhur me besimin në Jezu Krishtin.
25 Dhe, duke qenë se Pali fliste për drejtësi, për vetëkontroll dhe për gjyqin e ardhshëm, Feliksi, shumë i trembur, u përgjigj: “Për tani shko, dhe kur të kem rast, do të dërgoj të të thërrasin.”
26 Njëkohësisht ai shpresonte se Pali do t’i jepte para që ta lironte; dhe prandaj e thërriste shpesh dhe bisedonte me të.
27 Por pas dy vjetësh, Feliksit ia zuri vendin Porc Festi; dhe Feliksi, duke dashur t’ua bëjë qejfin Judenjve, e la Palin në burg.
34 Fjala që i drejtua nga Zoti Jeremias, kur Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, me gjithë ushtrinë e tij dhe tërë mbretëritë e tokave mbi të cilat ai sundonte dhe gjithë popujt luftonin kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të tij, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Shko dhe foli Sedekias, mbretit të Judës dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti: Ja, unë ia jap këtë qytet në dorë mbretit të Babilonisë, i cili do ti vërë flakën.
3 Ti nuk do të shpëtosh nga dora e tij, por do të kapesh me siguri dhe do të biesh në pushtetin e tij; sytë e tu do të shohin sytë e mbretit të Babilonisë, ai do të të flasë ballë për ballë dhe ti do të shkosh në Babiloni".
4 Megjithatë dëgjo fjalën e Zotit, o Sedekia, mbreti i Judës: "Kështu thotë Zoti për ty: Nuk ke për të vdekur nga shpata.
5 Por do të vdesësh në paqe; dhe ashtu si dogjën aroma për etërit e tu, mbretërit e lashtë që ishin para teje, kështu do të djegin aroma për ty dhe do të mbajnë zi duke thënë: "Vaj medet, Zot!". Po, unë e shqiptova këtë fjalë," thotë Zoti.
6 Profeti Jeremia ia tha tërë këto fjalë Sedekias, mbretit të Judës, në Jeruzalem,
7 ndërsa ushtria e mbretit të Babilonisë luftonte kundër Jeruzalemit dhe kundër të gjitha qyteteve të Judës që akoma ekzistonin, domethënë kundër Lakishit dhe Azekahut, që ishin të vetmet qytete të fortifikuara që mbetën nga qytetet e Judës.
8 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga Zoti, mbas përfundimit të një besëlidhjeje nga mbreti Sedekia me tërë popullin që ishte në Jeruzalem për tu shpallur atyre lirinë:
9 domethënë që secili t’i linte të lirë skllevërit e tij hebrenj, meshkuj ose femra, burra ose gra, me qëllim që askush të mos mbante më si skllav ndonjë vëlla të tij jude.
10 Tërë princat dhe tërë populli që kishin pranuar besëlidhjen, pranuan t’i lëshojnë të lirë skllavin ose skllaven e vet dhe të mos i mbajnë më në skllavëri, dhe kështu i liruan.
11 Por më vonë ndryshuan mendim dhe bënë që të rikthehen skllevërit dhe skllavet që i kishin lëshuar të lirë dhe i nënshtruan përsëri si skllevër dhe skllave të tyre.
12 Fjala e Zotit iu drejtua pastaj Jeremias nga Zoti, duke thënë:
13 "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë lidha një besëlidhje me etërit tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga shtëpia e robërisë, duke thënë:
14 Në krye të shtatë vjetëve secili do të lëshojë të lirë vëllanë e tij hebre që i është shitur atij; ai do të të shërbejë gjashtë vjet, pastaj do ta lësh të lirë. Por etërit tuaj nuk mu bindën dhe nuk ma vunë veshin.
15 Ju sot nisët të bëni atë që është e drejtë në sytë e mi, duke shpallur secili lirinë e vëllait të vet, dhe keni lidhur një besëlidhje para meje, në tempull, ku përmendet emri im.
16 Por më vonë keni ndryshuar mendim dhe keni përdhosur emrin tim, sepse secili ka bërë të kthehet skllavi i tij apo skllavja e tij, dhe i keni nënshtruar në mënyrë që të jenë skllevër apo skllave tuaja".
17 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ju nuk më jeni bindur duke shpallur secili lirinë e vëllait të tij dhe e të të afërmit të tij. Tani ja, unë ju shpall lirinë," thotë Zoti, "për shpatën, për murtajën dhe për urinë dhe do t’ju braktis që t’ju keqtrajtojnë në të gjitha mbretëritë e dheut.
18 Dhe do ti jap njerëzit që kanë shkelur besëlidhjen time dhe nuk kanë zbatuar fjalët e besëlidhjes që kishin lidhur para meje, duke kaluar në mes pjesëve të viçit që e kishin ndarë më dysh:
19 princat e Judës dhe princat e Jeruzalemit, eunukët, priftërinjtë dhe tërë populli i vendit që kaluan në mes të pjesëve të viçit,
20 do t’i jap në dorë të armiqve të tyre dhe në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre; dhe kufomat e tyre do të shërbejnë si ushqim për shpendët e qiellit dhe për kafshët e tokës.
21 Do të jap Sedekian, mbretin e Judës, dhe princët e tij në dorë të armiqve të tyre, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre dhe në dorë të ushtrisë së mbretit të Babilonisë, që është larguar nga ju.
22 Ja, unë do të jap urdhrin," thotë Zoti, "dhe do të bëj që të kthehen kundër këtij qyteti, do të luftojnë kundër tij, do ta shtien në dorë, do t’i vënë flakën; dhe do t’i bëj qytetet e Judës një shkreti pa banorë".
5 Vëru veshin fjalëve të mia, o Zot; dëgjo me vëmendje ankimin tim.
2 Dëgjo zërin e britmës sime, o mbreti im dhe Perëndia im, sepse ty të drejtoj lutjen time.
3 O Zot, ti në mëngjes dëgjon zërin tim; në mëngjes do ta lartoj drejt teje lutjen time dhe do të pres,
4 sepse ti nuk je një Perëndi që kënaqet në pabesinë; te ti nuk mund të zërë vend e keqja.
5 Ata që lëvdojnë vetveten, nuk do të mund të qëndrojnë para syve të tua; ti i urren të gjithë ata që kryejnë padrejtësi.
6 Ti do të zhdukësh gjithë ata që thonë gënjeshtra; Zoti urren njerëzit gjakatarë dhe mashtrues.
7 Por unë, për shkak të mirësisë sate të madhe, do të hyj në shtëpinë tënde dhe do të adhuroj me frikë të madhe, duke u drejtuar në tempullin tënd të shenjtë.
8 O Zot, më udhëhiq për drejtësinë tënde, për shkak të armiqve të mi; bëje të drejtë para meje rrugën tënde,
9 sepse në gojën e tyre nuk ka asnjë drejtësi; zemra e tyre nuk mendon gjë tjetër veç shkatërrimit; gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhën e tyre bëjnë lajka.
10 Dënoji ata, o Perëndi; mos u realizofshin synimet e tyre; përsëri për të këqijat e shumta që kanë kryer sepse kanë ngritur krye kundër teje.
11 Por le të gëzohen tërë ata që kanë strehë te ti, le të nxjerrin klithma gëzimi përjetë, sepse ti i mbron; le të ngazëllohen ata që duan emrin tënd,
12 sepse ti, o Zot, do të bekosh të drejtin; do ta rrethosh me hirin tënd si me mburojë.
6 O Zot, mos më ndreq në zemërimin tënd dhe mos më dëno në zjarrin e indinjatës sate.
2 Ki mëshirë për mua, o Zot; sepse jam i sfilitur nga e keqja; shëromë, o Zot, sepse kockat e mia po vuajnë.
3 Edhe shpirti im po vuan shumë; po ti, o Zot, deri kur?
4 Sillu nga unë, o Zot, çliroje shpirtin tim; shpëtomë, për hir të mirësisë sate.
5 Sepse në vdekje nuk do të kujtoj njeri; kush do të të kremtojë në Sheol?
6 Unë jam sfilitur duke psherëtirë; çdo natë e lag shtratin me vajin tim dhe bëj që të rrjedhin lotë mbi shtrojen time.
7 Syri im ligështohet nga dhembja dhe plaket për shkak të tërë armiqve të mi.
8 Largohuni nga unë, ju të gjithë shkaktarë të padrejtësisë, sepse Zoti ka dëgjuar zërin e vajit tim.
9 Zoti ka dëgjuar lutjen time; Zoti e ka pranuar lutjen time.
10 Tërë armiqtë e mi do të shushaten dhe do të hutohen; do të kthejnë krahët dhe do të shushaten në çast.