M’Cheyne Bible Reading Plan
1 Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf.
2 Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte.
3 Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t’i ofruar flijime Zotit të ushtërive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit.
4 Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t’u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij;
5 por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun.
6 Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zëmëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun.
7 Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më.
8 Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?".
9 Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit.
10 Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.
11 Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t’i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t’ja jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij".
12 Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj.
13 Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur.
14 Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!".
15 Por Ana u përgjegj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frym dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit.
16 Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qënë dhëmbja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani".
17 Atëherë Eli iu përgjegj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove".
18 Ajo u përgjegj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar.
19 Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të.
20 Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".
21 Atëherë burri i saj Elkanahu u ngjit me gjithë familjen e tij për t’i ofruar Zotit flijimin vjetor dhe për të plotësuar kushtin e lidhur.
22 Por Ana nuk u ngjit, sepse i tha burrit të saj: "Unë nuk do të ngjitem deri sa fëmija të jetë zvjerdhur; atëherë do ta çoj me qëllim që ta paraqes para Zotit dhe të mbetet pranë tij për gjithnjë".
23 Burri i saj, Elkanahu, iu përgjegj: "Bëj si të të duket më mirë; qëndro deri sa të të jetë zvjerdhur, mjaft që Zoti ta mbajë fjalën!". Kështu gruaja mbeti në shtëpi dhe i dha gji birit të saj deri sa ky u zvordh.
24 Mbasi e zvordhi e mori me vete, bashkë me tri dema të vegjël, një efë mielli dhe një calik verë; dhe i çoi në shtëpinë e Zotit në Shiloh. Djali ishte akoma shumë i vogël.
25 Pastaj ata flijuan një dem dhe ia çuan djalin Elit.
26 Ana i tha: "Imzot! Ashtu siç është e vërtetë që jeton shpirti yt, o imzot, unë jam ajo grua që rrinte këtu, afër teje, dhe i lutej Zotit.
27 Jam lutur për të pasur këtë djalë, dhe Zoti më dha atë që i kisha kërkuar.
28 Prandaj edhe unë ia fal Zotit; deri sa të rrojë, ai do t’i kushtohet Zotit". Dhe aty ranë përmbys para Zotit.
1 Pali, shërbëtor i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, i veçuar për ungjillin e Perëndisë,
2 siç i kishte premtuar ai me anë të profetëve të tij në Shkrimet e shenjta,
3 lidhur me Birin e tij, të lindur nga fara e Davidit sipas mishit,
4 i deklaruar Biri i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit: Jezu Krishti Zoti ynë,
5 me anë të të cilit ne kemi marrë hir dhe apostullim, për bindje në besim midis të gjithë kombeve për hir të emrit të tij,
6 ndër të cilët edhe ju jeni të thirrur nga Jezu Krishti;
7 për ju të gjithë që jeni në Romë, të dashur nga Perëndia, të thirrur shenjtorë: hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, e nga Zoti Jezu Krishti.
8 Para së gjithash, falënderoj Perëndinë tim me anë të Jezu Krishtit për të gjithë ju, sepse për besimin tuaj është folur në gjithë botën.
9 Sepse Perëndia, të cilit unë i shërbej me frymën time nëpërmjet ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im që unë nuk pushoj kurrë t’ju kujtoj,
10 duke kërkuar vazhdimisht në lutjet e mia që të më lejohet më në fund nga vullneti i Perëndisë mundësia për të ardhur tek ju,
11 sepse unë dëshiroj fort t’ju shoh për t’ju komunikuar ndonjë dhunëti frymëror, që të fortësoheni.
12 Dhe kjo është që unë të ngushëllohem bashkë me ju me anë të besimit që e kemi të përbashkët, tuajin dhe timin.
13 Tani, vëllezër, unë nuk dua që të mos e dini se shumë herë kisha vendosur të vija tek ju që të mund të kem ndonjë fryt midis jush siç kam pasur midis johebrenjve të tjerë, por deri tash kam qenë i penguar.
14 Unë u jam borxhli Grekëve dhe barbarëve, të diturve dhe të paditurve.
15 Kështu, aq sa varet nga unë, jam gati t’ju predikoj ungjillin edhe juve që jeni në Romë.
16 Në fakt unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson, më parë Judeun e pastaj Grekun.
17 Sepse drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të nga besimi në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë me anë të besimit.”
18 Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi,
19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre.
20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm.
21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.
22 Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë,
23 dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm, të shpendëve, të kafshëve katërkëmbëshe dhe të rrëshqanorëve.
24 Prandaj Perëndia ia dorëzoi papastërtsë në epshet e zemrave të tyre, për të çnderuar trupat e tyre në mes vetë atyre,
25 që e ndryshuan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër dhe adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, që është i bekuar përjetë. Amen.
26 Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në pasioneve të ulëta, sepse edhe gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet natyrore në atë që është kundër natyrës.
27 Në të njejtën mënyrë burrat, duke lënë marrëdheniet e natyrshme me gruan, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin, duke kryer akte të pandershme burra me burra, duke marrë në vetvete shpagimin e duhur për gabimin e tyre.
28 Dhe meqenëse nuk e quajtën me vend të njihnin Perëndinë, Perëndia i dorëzoi në një mendje të çoroditur, për të bërë gjëra të pahijshme,
29 duke qenë të mbushur plot me çdo padrejtësi, kurvërim, mbrapshtësi, lakmi, ligësi; plot smirë, vrasje, grindje, mashtrim, poshtërsi,
30 mashtrues, shpifës, armiq të Perëndisë, fyes, krenarë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve,
31 të paarsyeshëm, të pabesë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, të pamëshirshëm.
32 Por ata, ndonëse e kanë njohur dekretin e Perëndisë sipas të cilit ata që bëjnë gjëra të tilla meritojnë vdekjen, jo vetëm i bëjnë, por miratojnë edhe ata që i kryejnë.
39 Në vitin e nëntë të Sedekias, mbretit të Judës, në muajin e dhjetë, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit dhe e rrethoi.
2 Në vitin e njëmbëdhjetë të Sedekias, në muajin e katërt, ditën e nëntë të muajit u hap një e çarë në qytet;
3 tërë princat e mbretit të Babilonië hynë dhe u vendosën te Porta e Mesit: Nergalsharetseri, Samgar-nebo, Sarsekimi, kreu i eunukëve, Nergalsharetseri, Rab-magu dhe tërë princat e tjerë të mbretit të Babilonisë.
4 Me t’i parë, Sedekia, mbreti i Judës, dhe njerëzit e luftës ua mbathën, duke dalë natën nga qyteti nëpër rrugën e kopshtit mbretëror, nëpërmjet portës ndërmjet dy mureve, dhe morën rrugën e Arabahut.
5 Por ushtria e Kaldeasve i ndoqi dhe arriti Sedekian në fushat e Jerikos. Kështu e kapën dhe e çuan te Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, në Riblah, në vendin e Hamathit, ku shqiptoi gjykimin e tij mbi të.
6 Pastaj mbreti i Babilonisë bëri që të vriten bijtë e Sedekias para syve të tij në Riblah; mbreti i Babilonisë bëri që të vriten edhe tërë fisnikët e Judës;
7 urdhëroi gjithashtu t’i nxjerrin sytë Sedekias dhe e lidhi me një zinxhir të dyfishtë prej bronzi për ta çuar në Babiloni.
8 Kaldeasit i vunë flakën shtëpisë së mbretit dhe shtëpive të popullit, dhe shkatërruan muret e Jeruzalemit.
9 Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, e çoi në robëri pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet dhe ata që kishin dezertuar nga ana e tij së bashku me pjesën e popullit që kishte mbetur.
10 Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la në vendin e Judës më të varfërit e popullit që nuk kishin asgjë, duke u dhënë në atë kohë vreshta dhe ara.
11 Por për sa i përket Jeremias, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, i kishte dhënë këtë urdhër Nebuzaradanit, komandantit të rojeve, duke i thënë:
12 "Kape, mbaj sytë mbi të dhe mos i bëj asgjë të keqe, por sillu me të siç do të të thotë ai".
13 Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, Nebushazbani, kreu i eunukëve, Nergalsharetseri, Rab-magu dhe gjithë oficerët e tjerë të mbretit të Babilonisë,
14 dërguan të marrin Jeremian nga oborri i burgut dhe ia dorëzuan Gedaljahut, birit të Ahikamit, bir i Shafanit, me qëllim që ta çonte në shtëpi. Kështu ai banoi në mes të popullit.
15 Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, kur ende ishte i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:
16 "Shko dhe foli Etiopiasit Ebed-melek, duke i thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ja, unë po i realizoj mbi këtë qytet fjalët e mia për shkatërrimin e tij dhe jo për të mirën e tij, dhe atë ditë ato do të vërtetohen para teje.
17 Po atë ditë unë do të të çliroj, thotë Zoti, dhe nuk do të biesh në duart e atyre prej të cilëve ke frikë.
18 Po, unë do të të çliroj patjetër, dhe nuk do të biesh nga shpata, por jeta jote do të jetë për ty si preja jote, sepse ke vënë besimin tënd tek unë, thotë Zoti".
13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?
2 Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?
3 Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,
4 dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.
5 Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;
6 unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.
14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.
2 Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?
5 Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.
6 Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.
7 Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.