M’Cheyne Bible Reading Plan
7 Atëherë njerëzit e Kiriath-Jearimit erdhën, e çuan lart arkën e Zotit dhe e vendosën në shtëpinë e Abinadadit në kodër, dhe shenjtëruan të birin Eleazarin që të ruante arkën e Zotit.
2 Shumë kohë kishte kaluar nga dita që arka ishte vendosur në Kiriath-Jearim; kishin kaluar njëzet vjet dhe tërë shtëpia e Izraelit i ankohej Zotit.
3 Atëherë Samueli i foli tërë shtëpisë së Izraelit, duke thënë: "Në rast se ktheheni tek Zoti me gjithë zemër, hiqni nga gjiri juaj perënditë e huaja dhe Ashtarithin dhe mbani zemrën tuaj tek Zoti dhe i shërbeni vetëm atij, atëherë ai do t’ju çlirojë nga duart e Filistejve".
4 Kështu bijtë e Izraelit hoqën mënjanë Baalët dhe Ashtarothët dhe i shërbyen vetëm Zotit.
5 Pastaj Samueli tha: "Mblidhni tërë Izraelin në Mitspah dhe unë do t’i lutem Zotit për ju".
6 Kështu ata u mblodhën në Mitspah, morën ujë dhe e derdhën përpara Zotit; pastaj po atë ditë agjëruan dhe atje thanë: "Kemi mëkatuar kundër Zotit". Samueli i gjykoi bijtë e Izraelit në Mitspah.
7 Kur Filistejtë mësuan që bijtë e Izraelit ishin mbledhur në Mitspah, princat e Filistejve u nisën kundër Izraelit. Kur bijtë e Izraelit dëgjuan këtë patën frikë nga Filistejtë.
8 Atëherë bijtë e Izraelit i thanë Samuelit: "Mos e ndërpre klithmën tënde për neve tek Zoti, që ai të na shpëtojë nga duart e Filistejve".
9 Kështu Samueli mori një qengj pirës dhe e ofroi tërësisht si olokaust Zotit; Samueli i thirri Zotit për Izraelin dhe Zoti ia plotësoi kërkesën.
10 Ndërsa Samueli ofronte olokaustin, Filistejtë u afruan për të sulmuar Izraelin; por Zoti bubulloi me buçimë të madhe kundër Filistejve dhe i ngatërroi deri në atë pikë sa u mundën para Izraelit.
11 Njerëzit e Izraelit dolën nga Mitspahu, i ndoqën Filistejtë dhe i mundën deri poshtë Beth-Karit.
12 Atherë Samueli mori një gur e ngriti midis Mitspahut dhe Shenit dhe e quajti Eben-Ezer, duke thënë: "Deri këtu Zoti na ka ndihmuar".
13 Kështu Filistejtë u poshtëruan dhe nuk u kthyen më të shkelin territorin e Izraelit; dhe dora e Zotit u ngrit kundër Filistejve gjatë gjithë kohës së Samuelit.
14 Edhe qytetet që Filistejtë i kishin marrë Izraelit iu kthyen Izraelit, nga Ekroni deri në Gath. Izraeli çliroi territorin e tij nga duart e Filistejve. Dhe u vendos paqja midis Izraelit dhe Amorejve.
15 Samueli qe gjykatës i Izraelit gjatë gjithë jetës së tij.
16 Çdo vit ai i binte përqark Bethelit, Gilgalit dhe Mitspahut dhe ushtronte funksionin e gjyqtarit të Izraelit mbi tërë këto vende.
17 Pastaj kthehej në Ramah, sepse aty ishte shtëpia e tij. Aty e gjykonte Izraelin dhe po aty ngriti një altar për Zotin.
8 Kur Samueli u plak emëroi bijtë e tij si gjyqtarë të Izraelit.
2 I parëlinduri i tij quhej Joel dhe i dyti Abiah; ata ushtronin funksionin e gjyqtarit në Beer-Sheba.
3 Por bijtë e tij nuk ndoqën shembëllin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e prishnin drejtësinë.
4 Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,
5 dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".
6 Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.
7 Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.
8 Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera.
9 Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".
10 Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.
11 Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t’i marrë bijtë tuaj dhe do t’i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;
12 për t’i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t’i vënë ata t’i lërojnë arat, t’i korrin të lashtat, t’i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.
13 Do të marrë bijat tuaja për t’i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.
14 Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
15 Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
16 Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t’i përdorur në punimet e tij.
17 Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.
18 Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet".
19 Me gjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: Jo, do të kemi një mbret mbi ne..
20 Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".
21 Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.
22 Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".
6 Çfarë të themi, pra? A të mbetemi në mëkat, që të teprojë hiri?
2 Aspak! Ne që jemi të vdekur për mëkatin, si do të jetojmë akoma në të?
3 Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?
4 Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.
5 Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij,
6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit.
7 Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.
8 Tani nëse vdiqëm me Krishtin, ne besojmë gjithashtu që do të jetojmë me të,
9 duke ditur se Krishti, që u ringjall prej së vdekurish, nuk vdes më; vdekja s’ka më pushtet mbi të.
10 Sepse në atë që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë.
11 Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
12 Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t’i bindeni atij në epshet e veta.
13 As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.
14 Në fakt mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, sepse nuk jeni nën ligj, por nën hir.
15 Atëherë, çfarë? Të mëkatojmë sepse nuk jemi nën ligj, por nën hir? Kështu mos qoftë!
16 A nuk e dini ju se nëse e tregoni veten shërbëtorë të atij që i bindeni, jeni shërbëtorë të atij që i bindeni, qoftë mëkatit për vdekje, qoftë dëgjesës për drejtësi?
17 Por qoftë falenderuar Perëndia, sepse ishit shërbëtorë të mëkatit, por iu bindët me zemër atij mësimi që iu është transmetuar.
18 Dhe, mbasi u liruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.
19 Unë po flas njerëzisht për shkak të dobësisë së mishit tuaj. Sepse ashtu si një kohë i kishit përkushtuar gjymtyrët tuaja për të qenë shërbëtorë të papastërtisë dhe të paudhësisë për të bërë paudhësinë, kështu tani përkushtoni gjymtyrët tuaj për të qënë shërbëtorë të drejtësisë për shenjtërim.
20 Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë në lidhje me drejtësinë.
21 Dhe çfarë fryt kishit, pra, atëherë, nga ato gjëra, për të cilat tani keni turp? Sepse fundi i tyre është vdekja.
22 Por tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë keni për frytin tuaj shenjtërimin dhe për fund jeta e përjetshme.
23 Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jezu Krishtin, Zotin tonë.
44 Fjala që iu drejtua Jeremias lidhur me gjithë Judejtë që banonin në vendin e Egjiptit, që banonin në Migdol, në Tahpanhes, në Nof dhe në vendin e Pathrosit, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ju keni parë gjithë të keqen që i solla Jeruzalemit dhe tërë qyteteve të Judës; ja, sot janë një shkreti dhe askush nuk banon në to,
3 për shkak të ligësisë që kanë kryer duke provokuar zemërimin tim, duke shkuar të djegin temjan dhe t’u shërbejnë perëndive të tjera, që as ata as etërit tuaj nuk kishin njohur kurrë.
4 Megjithatë unë ju kam dërguar tërë shërbëtorët e mi, profetët, me urgjencë e këmbëngulje për t’ju thënë: "Oh, mos e bëni këtë gjë të neveritshme që unë e urrej".
5 Por ata nuk dëgjuan as i vunë veshin që të tërhiqen nga ligësia e tyre, dhe të heqin dorë nga djegia e temjanit perëndive të tjera.
6 Prandaj tërbimi im, zemërimi im u derdhën dhe u përhapën në qytetet e Judës dhe në rrugët e Jeruzalemit, që janë bërë të shkreta dhe të braktisura, ashtu siç janë edhe sot".
7 Por tani kështu thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Pse kryeni këtë të keqe të madhe kundër vetes suaj, duke shkaktuarr shfarosjen tuaj në mes të Judës, burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja, kështu që të mos ngelet prej jush asnjë mbetje?
8 Pse provokoni zemërimin tim me veprën e duarve tuaja, duke u djegur temjan perëndive të tjera në vendin e Egjiptit ku keni ardhur të banoni? Kështu do të shfaroseni dhe do të bëheni një mallkim dhe një turp për të gjitha kombet e dheut.
9 A keni harruar vallë ligësitë e etërve tuaj, ligësitë e mbretërve të Judës, ligësitë e bashkëshorteve të tyre, ligësitë tuaja dhe ligësitë e kryera nga bashkëshortet tuaja në vendin e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit?
10 Deri më sot nuk janë penduar, as kanë patur frikë, as kanë ecur sipas ligjit tim dhe statuteve të mia, që unë kam vënë para jush dhe etërve tuaj".
11 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë e kthej fytyrën time kundër jush për të keqen tuaj dhe për të shkatërruar tërë Judën.
12 Do të marr pjesën që ka mbetur nga Juda që nguli këmbë të vinte në vendin e Egjiptit për të banuar atje; ata do të konsumohen të gjithë dhe do të bien në vendin e Egjiptit. Do të konsumohen nga shpata dhe nga uria, nga më i vogli deri tek më i madhi; do të vdesin nga shpata dhe nga uria dhe do të bëhen objekt nëme, habije, mallkimi dhe turpi.
13 Do të dënoj ata që banojnë në vendin e Egjiptit, ashtu si dënova Jeruzalemin me shpatën, me urinë dhe me murtajën.
14 Nuk do të shpëtojë as do të shmanget nga rreziku askush nga mbetje e Judës, që ka ardhur për të banuar në vendin e Egjiptit, për t’u kthyer pastaj në vendin e Judës, ku ata dëshirojnë fort të kthehen për të banuar, por ata nuk do të kthehen me përjashtim të disa të shpëtuarve".
15 Atëherë tërë burrat që dinin se bashkëshortet e tyre u digjnin temjan perëndive të tjera dhe tërë gratë e pranishme, një turmë e madhe, dhe tërë populli që banonte në vendin e Egjiptit, në Pathros, iu përgjigjën Jeremias, duke thënë:
16 "Sa për fjalën që na ke thënë në emër të Zotit, nuk do të të dëgjojmë,
17 por kemi ndërmend të bëjmë ato që kanë dalë nga goja jonë, duke i djegur temjan Mbretëreshës së qiellit dhe duke derdhur libacione siç kemi bërë ne dhe etërit tanë, mbretërit tanë dhe princat tanë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, sepse atëherë kishim bukë me shumicë, ishim mirë dhe nuk shikonim asnjë fatkeqësi.
18 Por që kur nuk djegim më temjan për Mbretëreshën e qiellit nuk derdhim më libacione për të, na mungon çdo gjë dhe jemi konsumuar nga shpata dhe uria".
19 Gratë shtuan: "Kur djegim temjan për Mbetëreshën e qiellit dhe i derdhim libacione, vallë është pa pëlqimin e burrave që i përgatisim ëmbëlsira me fytyrën e saj dhe i derdhim libacione?".
20 Atëherë Jeremia i foli tërë popullit, burrave, grave dhe gjithë njerëzve që i ishin përgjigjur në atë mënyrë dhe tha:
21 "A nuk u kujtua vallë Zoti dhe nuk i erdhi ndër mend temjani që keni djegur në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit ju, etërit tuaj, mbretërit tuaj, princat tuaj dhe populli i vendit?
22 Zoti nuk mundi ta durojë më për shkak të ligësisë së veprimeve tuaja dhe të gjërave të neveritshme që keni kryer. Prandaj vendi juaj është shkretuar, është bërë një objekt habie, një mallkim dhe s’ka asnjë banor, siç është akoma sot.
23 Sepse ju keni djegur temjan dhe sepse keni mëkatuar kundër Zotit dhe nuk keni dëgjuar zërin e Zotit dhe nuk keni ecur sipas ligjit të tij, statuteve të tij dhe porosive të tij, prandaj ju ra kjo fatkeqësi, siç shihet sot".
24 Pastaj Jeremia i tha tërë popullit dhe tërë grave: "Dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë nga Juda, që ndodheni në vendin e Egjiptit.
25 Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Ju dhe bashkëshortet tuaja e keni thënë me gojën tuaj dhe e keni kryer me duart tuaja, duke thënë: "Ne duam të mbajmë betimet që kemi bërë, duke djegur temjan për Mbretëreshën e qiellit dhe duke i derdhur libacione". Po, ju me siguri do të mbani betimet tuaja dhe do ti përmbushni betimet tuaja.
26 Prandaj dëgjoni fjalën e Zotit, o ju të gjithë nga Juda që banoni në vendin e Egjiptit: Ja, unë jam betuar për emrin tim të madh, thotë Zoti, që në të gjithë vendin e Egjiptit emri im nuk do të përmendet nga goja e asnjë personi nga Juda që të thotë: "Zoti, Zoti rron!".
27 Ja, unë i kam kujdes ata për të keqen e tyre dhe jo për të mirën e tyre; dhe tërë njerëzit e Judës që ndodhen në vendin e Egjiptit do të vdesin nga shpata dhe nga uria, deri në shkatërrimin e plotë të tyre.
28 Megjithatë një numër i vogël të shpëtuarish nga shpata do të kthehet nga vendi i Egjiptit në vendin e Judës. Kështu gjithë ata që kanë mbetur nga Juda, që kanë ardhur në vendin e Egjiptit për të banuar, do të mësojnë cila fjalë do të plotësohet, imja apo ajo e tyre.
29 Dhe kjo do të jetë për ju shenja, thotë Zoti, që unë do t’ju ndëshkoj në këtë vend në mënyrë që të dini që fjalët e mia kundër jush do të plotësohen me të vërtetë për fatin tuaj të keq". Kështu thotë Zoti:
30 "Ja, unë do ta jap Faraonin Hofra, mbretin e Egjiptit, në dorë të armiqve të tij, në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tij, ashtu siç e dhashë Sedekian, mbretin e Judës, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, që kërkonte jetën e tij".
20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.
2 Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;
3 Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)
4 Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.
5 Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.
6 Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.
7 Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
8 Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.
9 Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.
21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!
2 Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)
3 Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.
4 Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.
5 E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,
6 sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.
7 Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.
8 Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.
9 Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.
10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,
11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.
12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.
13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.