M’Cheyne Bible Reading Plan
15 Pastaj Samueli i tha Saulit: "Zoti më ka dërguar që të të vajos mbret mbi popullin tënd, mbi Izraelin; tani dëgjo fjalët e Zotit.
2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë do ta dënoj Amalekun për atë që i bëri Izraelit kur i preu rrugën, ndërsa po dilte nga Egjipti.
3 Tani shko, godit Amalekun dhe cakto shfarosjen e të gjitha gjërave që ai ka pa pasur fare mëshirë për të, por vrit burra dhe gra, fëmijë dhe foshnja gjiri, lopë e dhen, deve dhe gomarë".
4 Sauli thirri popullin dhe kaloi në parakalim në Telaim; dyqind mijë këmbësorë dhe dhjetë mijë njerëz të Judës.
5 Sauli erdhi në qytetin e Amalekut dhe zuri pritë në luginë.
6 pastaj Sauli u tha Kenejve: "Shkoni, tërhiquni, dilni jashtë Amalekitëve, që të mos ju shkatërrojë bashkë me ta, sepse ju u treguat të mëshirshëm me të gjithë bijtë e Izraelit kur po dilnin nga Egjipti". Kështu Kenejtë u tërhoqën nga radhët e Amalekitëve.
7 Sauli i mundi Amalekitët nga Havilahu deri në Shur, që ndodhet përballë Egjiptit.
8 Ai e zuri të gjallë Agagun, mbretin e Amalekitëve, dhe vendosi shfarosjen e të gjithë popullit, duke i vrarë me shpatë.
9 Por Sauli dhe populli kursyen Agagun dhe pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve, të kafshëve të majme, të qengjave dhe të kafshëve më të mira, duke mos vendosur shkatërrimin e tyre; por vendosën zhdukjen e tërë sendeve që ishin të një cilësie të dobët dhe pa asnjë vlerë.
10 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Samuelit, duke i thënë:
11 "Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e mia". Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit.
12 Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t’i dalë përpara Saulit; por erdhën t’i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal".
13 Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit".
14 Por Samueli tha: "Ç’është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?".
15 Sauli u përgjegj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë Amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t’i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset".
16 Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Folë".
17 Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit?
18 Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve Amalekitë dhe lufto kundër tyre deri sa të shfarosen".
19 Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?".
20 Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje Amalekitët.
21 Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t’i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal".
22 Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.
23 Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".
24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.
25 Por tani, të lutem, falma mëkatin tim dhe kthehu me mua, që unë të mund të bie përmbys para Zotit".
26 Por Samueli iu përgjegj Saulit: "Unë nuk do të kthehem me ty, sepse ke hedhur poshtë fjalën e Zotit dhe Zoti të ka hedhur poshtë ty, që ti të mos jesh më mbret mbi Izraelin".
27 Ndërsa Samueli po kthehej për të ikur, Sauli i kapi skajin e mantelit të tij që u gris.
28 Atëherë Samueli i tha: "Zoti hoqi sot nga duart e tua mbretërinë e Izraelit dhe ia dha një tjetri, që është më i mirë se ti.
29 Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet".
30 Atëherë Sauli tha: "Kam mëkatuar, por tani më ndero, të lutem, para pleqve të popullit tim dhe përpara Izraelit; kthehu me mua, që të bie përmbys përpara Zotit, Perëndisë tënd".
31 Kështu Samueli u kthye me Saulin, dhe Sauli ra përmbys përpara Zotit.
32 Pastaj Samueli tha: "Më sillni Agagun, mbretin e Amalekitëve". Agagu shkoi tek ai me qejf. Agagu thoshte: "Me siguri hidhërimi i vdekjes ka kaluar".
33 Samueli i tha: "Ashtu si shpata i la pa fëmijë gratë, kështu edhe nëna jote do të mbetet pa të birin midis grave". Pastaj Samueli e preu copë-copë Agagun përpara Zotit në Gilgal.
34 Pastaj Samueli shkoi në Ramah dhe Sauli shkoi në shtëpinë e tij, në Gibeahun e tij.
35 Samueli nuk shkoi për ta parë më Saulin deri ditën e vdekjes së tij, sepse Samueli mbante zi për Saulin; dhe Zoti u pendua që e kishte bërë Saulin mbret të Izraelit.
13 Çdo njeri le t’i nënshtrohet pushteteve të sipërm, sepse nuk ka pushtet veçse prej Perëndisë; dhe pushtetet që janë, janë caktuar nga Perëndia.
2 Prandaj ai që i kundërvihet pushtetit, i kundërvihet urdhërit të Perëndisë; dhe ata që i kundërvihen do të marrin mbi vete dënimin.
3 Sepse eprorët s’ke pse t’i kesh frikë për vepra të mira, por për të këqijat; a do, pra, të mos i kesh frikë pushtetit? Bëj të mirën, dhe do të kesh lavdërim nga ai,
4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.
5 Prandaj është e nevojshme t’i nënshtroheni, jo vetëm nga druajtje e zemërimit, por edhe për arsye të ndërgjegjes.
6 Sepse për këtë paguani edhe tatimet, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë, që i kushtohen vazhdimisht këtij shërbimi.
7 I jepni, pra, secilit atë që i takon: tatimin atij që i përket, druajtje atij që është për t’u druajtur, nderimin atij që është për nderim.
8 Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç se ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e tij e ka përmbushur ligjin.
9 Sepse urdhërimet: “Mos shkel kurorë, mos vraj, mos vidh, mos thua dëshmi të rreme, mos lakmo,” dhe në pastë ndonjë urdhërim tjetër, përmblidhen në këtë fjalë: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”
10 Dashuria nuk i bën keq të afërmit; dashuria, pra, është përmbushja e ligjit.
11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.
12 Nata u thye dhe dita u afrua; le të flakim, pra, veprat e errësirës dhe të veshim armët e dritës.
13 Le të ecim me ndershmëri, si ditën, jo në orgji dhe në dehje, jo në imoralitet dhe sensualizëm, jo në grindje e në smirë.
14 Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos tregoni kujdes për mishin, që t’ia kënaqni lakmitë.
52 Sedekia ishte njëzetenjë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, e bija e Jeremias nga Libnahu.
2 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha gjërat ashtu si kishte bërë Jehojakimi.
3 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, që më në fund i dëboi nga prania e tij. Pastaj Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.
4 Në vitin e nëntë të mbretërimit të tij, në muajin e dhjetë, më dhjetë të muajit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit, fushoi kundër tij dhe ndërtoi rreth e rrotull ledhat.
5 Kështu qyteti mbeti i rrethuar deri në vitin e njëmbëdhjetë të mbretit Sedekia.
6 Në muajin e katërt, më nëntë të muajit, uria ishte aq e rëndë në qytet, sa që nuk kishte më bukë për popullin e vendit.
7 Atëherë u hap një e çarë në muret dhe të gjithë luftëtarët ikën, duke dalë natën nga qyteti nëpër portën midis dy mureve, e cila ndodhej pranë kopshtit të mbretit, megjithëse Kaldeasit ishin rreth qytetit. Kështu ata morën rrugën e Arabahut.
8 Por ushtria e Kaldeasve ndoqi mbretin, e arriti Sedekian në fushën e Jerikos, ndërsa tërë ushtria e tij po shpërndahej larg tij.
9 Kështu ata zunë mbretin dhe e çuan në Riblah, në vendin e Hamathit te mbreti i Babilonisë, që shqiptoi vendimin kundër tij.
10 Mbreti i Babilonisë vrau pastaj bijtë e Sedekias para syve të tij dhe vrau gjithashtu tërë princat e Judës në Riblah;
11 pastaj i nxori sytë Sedekias. Mbreti i Babilonisë e lidhi me pranga prej bronzi, e çoi në Babiloni dhe e futi në burg deri ditën e vdekjes së tij.
12 Muajin e pestë, më dhjetë të muajit (që ishte viti i nëntëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë), Nebuzaradani, komandanti i rojeve personale në shërbim të mbretit të Babilonisë, arriti në Jeruzalem.
13 Ai dogji shtëpinë e Zotit dhe shtëpinë e mbretit dhe u vuri flakën tërë shtëpive të Jeruzalemit dhe tërë shtëpive të fisnikëve.
14 Tërë ushtria e Kaldeasve që ishte me komandantin e rojeve rrëzoi të gjitha muret rreth e qark Jeruzalemit.
15 Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, internoi pjesën më të varfër të popullit; pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet, dezertorët që kishin kaluar në shërbim të mbretit të Babilonisë dhe kusurin e popullsisë.
16 Por Nebuzaradani, komandanti i rojeve, la disa nga më të varfrit e vendit të punojnë vreshtat dhe arat.
17 Kaldeasit i copëtuan shtyllat prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit, qerret dhe detin prej bronzi që ishin në shtëpinë e Zotit dhe e çuan bronzin në Babiloni.
18 Ata morën edhe tiganët, kunjat, thikat, legenët, kupat dhe të gjitha veglat prej bronzi, që përdoreshin në shërbimin e tempullit.
19 Komandanti i rojes mori gjithashtu kupat, mangallët, legenët, shandanet, tasat dhe kupat, arin e sendet që ishin prej ari të kulluar dhe argjendin e kulluar.
20 Sa për dy kolonat, për detin dhe për të dymbëdhjetë qetë prej bronzi që ishin poshtë tij dhe për qerret që Salomoni kishte bërë për shtëpinë e Zotit, bronzi i tërë këtyre sendeve kishte një peshë që nuk mund të llogaritej.
21 Për sa u përket shtyllave, lartësia e një shtylle ishte tetëmbëdhjetë kubitë; dhe duhej një fill prej dymbëdhjetë kubitësh për të matur rrethin e tyre; trashësia e saj ishte katër gishtërinj; nga brenda ishte bosh.
22 Mbi të ngrihej një kapitel prej bronzi, lartësia e një kapiteli ishte pesë kubitë; rreth e qark kapitelit kishte një rrjetëz dhe disa shegë, të gjitha prej bronzi. Shtylla tjetër me shegë, ishte e njëllojtë me të.
23 Rreth e qark kishte nëntëdhjetë e gjashtë shegë dhe tërë shegët rrotull rrjetëzës arrinin në njëqind.
24 Komandanti i rojes mori Serajahun, kryepriftin, Sofonian, priftin e dytë, dhe tre rojtarë të portës.
25 Nga qyteti ai mori edhe një eunuk që komandonte luftëtarët, shtatë burra ndër këshilltarët personalë të mbretit që u gjetën në qytet, sekretarin e komandantit të ushtrisë që rekrutonte popullin e vendit dhe gjashtëdhjetë burra nga populli i vendit që u gjetën në qytet.
26 Kështu Nebuzaradani, komandanti i rojeve, i mori dhe i çoi te mbreti i Babilonisë në Riblah,
27 dhe mbreti i Babilonisë i vrau në Riblah, në vendin e Hamathit.
28 Kështu Juda u çua në robëri larg vendit të tij. Ky është populli që Nebukadnetsari internoi vitin e shtatë: tremijë e njëzet e tre Judej.
29 Në vitin e tetëmbëdhjetë të Nebukadnetsarit u shpërngulën nga Jeruzalemi tetëqind e tridhjet e dy veta.
30 Në vitin e njëzetë e tretë të Nebukadnetsarit, Nebuzaradani, komandanti i rojes, internoi shtatëqind e dyzet e pesë Judej: gjithsej katërmijë e gjashtëqind veta.
31 Në vitin e tridhjetë e shtatë të robërisë së Jehojakimit, mbretit të Judës, në muajin e dymbëdhjetë, më pesë të muajit, Evil-Merodaku, mbret i Babilonisë, vitin e parë të mbretërisë së tij e fali Jehojakimin mbretin e Judës dhe e nxori atë nga burgu.
32 I foli me dashamirësi dhe vendosi ndenjësen e tij mbi atë të mbretërve që ishin me të në Babiloni.
33 Kështu Jehojakimi i ndërroi rrobat e robërisë së tij dhe hëngri gjithnjë bukën në prani të mbretit tërë ditët e jetës së tij.
34 Për ushqimin e tij i jepej rregullisht një racion ushqimi nga ana e mbretit të Babilonisë, një racion çdo ditë, deri ditën e vdekjes së tij, tërë ditët e jetës së tij.
31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.
2 Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.
3 Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.
4 Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.
5 Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.
6 Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.
7 Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,
8 dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.
9 Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,
10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.
11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.
12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.
13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.
14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".
15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.
16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.
17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.
18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.
19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!
20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.
21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.
22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.
23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.
24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.