Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Gjyqtarët 19

19 Në atë kohë, kur nuk kishte mbret në Izrael, një Levit, që banonte në pjesën më të lartë të krahinës malore të Efraimit, mori si konkubinë një grua nga Betlemi i Judës.

Kjo konkubinë kreu një shkelje të kurorës kundër tij dhe e la për t’u kthyer në shtëpinë e atit të saj në Betlem të Judës, ku qendroi katër muaj.

Burri i saj u ngrit dhe shkoi te ajo për t’i folur zemrës së saj dhe për ta kthyer në shtëpi. Ai kishte marrë me vete shërbëtorin e tij dhe dy gomarë. Kështu ajo e çoi në shtëpinë e atit të saj; sa e pa, i ati i së resë e priti tërë gëzim.

Vjehrri i tij, i ati i së resë, e mbajti dhe ai qëndroi tri ditë me të; kështu hëngrën e pinë, dhe e kaluan natën aty.

Ditën e katërt u ngritën herët në mëngjes dhe Leviti po bëhej gati të nisej, por i ati i vajzës së re i tha dhëndrit të tij: "Ha diçka që të mbahesh, pastaj shkoni".

Kështu u ulën bashkë, hëngrën dhe pinë njeri afër tjetrit. Pastaj i ati së resë i tha burrit të saj: "Të lutem, prano ta kalosh natën këtu, dhe zemra jote të gëzohet".

Ai u ngrit për të ikur, por i vjehrri nguli këmbë aq shumë sa që ai vendosi ta kalojë natën aty.

Ditën e pestë ai u ngrit herët në mëngjes që të ikte; dhe i ati i së resë i tha: "Të lutem, ngrohe zemrën". Kështu u ndalën deri në pasdite dhe që të dy hëngrën.

Kur ai njeri u ngrit për të ikur bashkë me konkubinën e tij dhë shërbëtorin e tij, i vjehrri, i ati i së resë, i tha: "Ja, ka filluar të erret; të lutem kaloje natën këtu; shiko, dita është duke mbaruar; kaloje këtu natën dhe zemra jote të gëzohet; nesër do të niseni herët dhe do të arrini në shtëpi".

10 Por ai njeri nuk deshi ta kalojë natën aty; kështu u ngrit, u nis dhe arriti përballë Jebusit, që është Jeruzalemi, me dy gomarët e tij të shaluar dhe me konkubinën e tij.

11 Kur arritën pranë Jebusit, dita kishte kaluar tërësisht; shërbëtori i tha zotit të tij: "Eja, të lutem, të hyjmë në këtë qytet të Jebusejve dhe ta kalojmë natën aty".

12 I zoti iu përgjegj: "Jo, nuk do të hyjmë në një qytet të huajsh që nuk janë bij të Izraelit, por do të shkojmë deri në Gibeah".

13 Pastaj i tha shërbëtorit të tij: "Eja, të arrijmë në një nga këto vende dhe ta kalojmë natën në Gibeah ose në Ramah".

14 Kështu shkuan tutje dhe e vazhduan udhëtimin; dhe dielli perëndoi mbi ta pranë Gibeahut, që është pronë e Beniaminit.

15 Aty u kthyen për të hyrë dhe për të kaluar natën në Gibeah. Kështu Leviti hyri dhe u ndal në sheshin e qytetit; por askush nuk i priti për të kaluar natën në shtëpinë e tij.

16 Pikërisht në atë kohë një plak po kthehej në mbrëmje nga puna e tij në ara; ai ishte nga krahina malore e Efraimit dhe banonte si i huaj në Gibeah, por njerëzit e vendit ishin Beniaminitë.

17 Me të ngritur sytë, pa kalimtarin në sheshin e qytetit. Plaku i tha: Ku po shkon dhe nga po vjen??".

18 Leviti iu përgjegj: "Po shkojmë nga Betlemi i Judës në drejtim të pjesës më të largët të krahinës malore të Efraimit. Unë jam që andej dhe kisha vajtur në Betlem të Judës; tani po shkoj në shtëpinë e Zotit, por nuk ka njeri që të më presë në shtëpinë e tij.

19 Megjithatë ne kemi kashtë dhe bar për gomarët tanë dhe bukë e verë për mua, për shërbëtoren tënde dhe për djalin që është bashkë me shërbëtorin tënd; nuk na mungon asgjë".

20 Plaku i tha: "Paqja qoftë me ty! Megjithatë më lejo të kujdesem për çdo nevojë që ke; por ti nuk duhet ta kalosh natën në shesh".

21 Kështu e çoi në shtëpinë e tij dhe u dha ushqim gomarëve; udhëtarët lanë këmbët, pastaj hëngrën dhe pinë.

22 Ndërsa po kënaqeshin, disa njerëz të qyteti, njerëz të këqij rrethuan shtëpinë i ranë portës dhe i thanë të zotit plak të shtëpisë: "Nxirre jashtë atë njeri që ka hyrë në shtëpinë tënde, sepse duam ta njohim!".

23 Por i zoti i shtëpisë me të dalë jashtë, u tha atyre: "Jo, vëllezërit e mi, mos u sillni në mënyrë kaq të keqe; ky njeri erdhi në shtëpinë time, prandaj mos kryeni një poshtërsi të tillë!.

24 Ja ku janë këtu vajza ime e virgjër dhe konkubina e këtij njeriu; unë do t’i nxjerr jashtë, poshtërojini dhe bëni atë që mendoni; por mos kryeni kundër këtij njeriu një turp të tillë!".

25 Por ata njerëz nuk e dëgjuan. Atëherë ai burrë mori konkubinën e tij dhe ua nxori atyre; ata e njohën dhe e përdorën tërë natën deri në mëngjes; e lanë të ikë vetëm kur filloi të zbardhë dita.

26 Ndaj të gdhirë kjo grua erdhi e u rrëzua para portës së shtëpisë të njeriut pranë të cilit rrinte burri i saj dhe mbeti aty deri sa u bë ditë.

27 Në mëngjes burri i saj u ngrit, hapi portën e shtëpisë dhe doli për të vazhduar udhëtimin e tij; dhe ja, konkubina e tij rrinte shtrirë te porta e shtëpisë me duart në pragun e saj.

28 Ai i tha: "Çohu dhe eja të shkojmë!". Por nuk mori asnjë përgjigje. Atëherë burri e ngarkoi mbi gomarin dhe u nisën për t’u kthyer në shtëpinë e vet.

29 Me të arritur në shtëpi, kapi një thikë, mori konkubinën e tij dhe e preu, gjymtyrë për gjymtyrë, në dymbëdhjetë copa, që i shpërndau në gjithë territorin e Izraelit.

30 Kushdo që e pa këtë tha: "Nuk ka ndodhur kurrë dhe nuk është parë asnjë herë një gjë e tillë, qysh prej kohës që bijtë e Izraelit dolën nga vendi i Egjiptit e deri sot! Mbajeni parasysh këtë gjë; këshillohuni dhe flisni".

Veprat e Apostujve 23

23 Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: “Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë.”

Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë.

Atëherë Pali i tha: “Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin.”

Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: “E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?.”

Pali u përgjigj: “Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd".”

Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: “Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem.”

Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça;

sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën.

Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: “Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë.”

10 Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë.

11 Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: “Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë.”

12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin.

13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet.

14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: “Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin.

15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t’jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim.”

16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit.

17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: “Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t’i thënë.”

18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: “Pali, i burgosuri, më thirri dhe m’u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë.”

19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: “Çfarë ke për të më thënë?.”

20 Ai tha: “Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij.

21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t’ua lejosh atyre.”

22 Tribuni, pra, e la të shkojë djalin, duke e urdhëruar që të mos i tregojë kurrkujt se e kishte vënë në dijeni për këto gjëra.

23 Pastaj thirri dy centurionë dhe u tha: “Bëni gati që nga ora tre e natës dyqind ushtarë, shtatëdhjetë kalorës dhe dyqind shtizëmbajtës, për të shkuar deri në Cezare.”

24 Dhe u tha të bëjnë gati kuajt që ta hipte Pali dhe ta çonin shëndoshë e mirë te qeveritari Feliks.

25 Ai shkroi një letër me këtë përmbajtje:

26 “Klaud Lisia, qeveritarit shumë të shkëlqyeshëm Feliks, shëndet.

27 Ky njeri ishte kapur nga Judenjtë që ishin gati ta vrisnin, kur ia mbërrita unë me ushtarët dhe e lirova, sepse mora vesh se ishte qytetar romak.

28 Dhe, duke dashur të di fajin për të cilin e akuzonin, e nxora para sinedrit të tyre.

29 Përfundova se e kishin akuzuar për çështje që lidheshin me ligjin e tyre dhe që ai nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen e as burgimin.

30 Dhe, kur më njoftuan për kurthin që Judenjtë i ngritën këtij njeriu, ta nisa menjëherë, duke u dhënë urdhër paditësve të parashtrojnë para teje ankimet që kanë kundër tij. Qofsh me shëndet!.”

31 Ushtarët, pra, sipas urdhrit të dhënë, morën në dorëzim Palin dhe e çuan natën në Antipatridë.

32 Të nesërmen, pasi ua lanë si detyrë kalorësve të shkojnë me të, u kthyen në fortesë.

33 Ata, pasi arritën në Cezare dhe ia dorëzuan letrën qeveritarit, i paraqitën edhe Palin.

34 Mbasi e lexoi letrën, qeveritari e pyeti Palin nga ç’krahinë ishte; dhe, kur mori vesh se ishte nga Kilikia,

35 i tha: “Unë do të të dëgjoj kur të mbrrijnë edhe paditësit e tu.” Dhe urdhëroi që ta ruanin në pretoriumin e Herodit.

Jeremia 33

33 Fjala e Zotit iu drejtua për të dytën hërë Jeremias, ndërsa qëndronte akoma i mbyllur në oborrin e burgut, duke thënë:

"Kështu thotë Zoti që bën këtë, Zoti që e formon për ta vendosur, emri i të cilit është Zoti:

M’u drejto dhe unë do të të përgjigjem dhe do të të njoftoj gjëra të mëdha dhe të padepërtueshme që ti nuk i di.

Sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, për shtëpitë e këtij qyteti dhe për shtëpitë e mbretërve të Judës që do të shemben përballë ledheve dhe shpatës.

Ata do të vijnë të luftojnë kundër Kaldeasve, por vetëm për t’i mbushur me kufoma njerëzish, që unë do të godas në zemërimin tim dhe në tërbimin tim, sepse do ta fsheh fytyrën time nga ky qytet për shkak të gjithë ligësisë së tyre.

Ja, unë do t’i sjell atij mirëqenie dhe shërim; do t’i shëroj dhe do t’u zbuloj atyre bollëkun e paqes dhe të së vërtetës.

Do të bëj që të kthehen të mërguarit e Judës dhe të mërguarit e Izraelit dhe do t’i vendos përsëri si më parë.

Do t’i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t’ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje.

Dhe ky qytet do të ketë për mua një titull gëzimi, lëvdimi dhe lavdie përpara gjithë kombeve të dheut, kur ato të mësojnë gjithë të mirën që unë u bëj atyre; dhe do të kenë frikë e do të dridhen për shkak të gjithë mirësisë dhe të gjithë paqes që unë do t’i sjell atij".

10 Kështu thotë Zoti: "Në këtë vend për të cilin ju thoni: "Éshtë një shkreti, që nuk ka më as njerëz as kafshë," në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit që janë të shkreta, që nuk ka më as njerëz as kafshë, do të dëgjohen akoma

11 britma gëzimi dhe britma hareje, zëri i dhëndrit dhe zëri i nuses, zëri i atyre që thonë: "Kremtoni Zotin e ushtrive, sepse Zoti është i mirë, sepse mirësia e tij zgjat përjetë," dhe të atyre që sjellin oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit. Sepse unë do të bëj që të kthehen të mërguarit në vend dhe do t’i vendos përsëri si më parë," thotë Zoti.

12 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në këtë vend që është një shkreti, ku s’ka më njeri a kafshë, dhe në të gjitha qytetet e tij do të këtë akoma banesa të barinjve ku do të pushojnë kopetë e tyre.

13 Në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, në vendin e Benianimit, në rrethinat e Jeruzalemit dhe në qytetet e Judës, dhentë do të kalojnë akoma nga dora e atij që i numëron," thotë Zoti.

14 "Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, "gjatë të cilave unë do të realizoj fjalën e mirë që kam shqiptuar për shtëpinë e Izraelit dhe për shtëpinë e Judës.

15 Në ato ditë dhe në atë kohë do të bëj që të mbijë për Davidin një filiz drejtësie, që do të ushtrojë gjykimin dhe drejtësinë në vend.

16 Ato ditë Juda do të shpëtohet dhe Jeruzalemi do të banojë i sigurt. Ky do të jetë emri me të cilin do të thirret: "Zoti, drejtësia jonë"".

17 Në fakt kështu thotë Zoti: "Nuk do t’i mungojë kurrë Davidit dikush që të ulet mbi fronin e shtëpisë së Izraelit,

18 dhe priftërinjve Levitë nuk do t’u mungojë kurrë para meje dikush që ofron olokauste, që tymos ofertat ushqimore dhe që kryen flijime çdo ditë".

19 Fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:

20 "Kështu thotë Zoti: Në qoftë se ju mund të anuloni besëlidhjen time me ditën dhe besëlidhjen time me natën, në mënyrë që mos ketë më ditë a natë në kohën e tyre,

21 atëherë do të mund të anulohet edhe besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim, në mënyrë që të mos ketë një bir që të mbretërojë mbi fronin e tij, dhe me priftërinjtë Levitë, priftërinj të mi.

22 Ashtu si nuk mund të njehsohet ushtria e qiellit as të matet rëra e detit, ashtu unë do t’i shumoj pasardhësit e Davidit, shërbëtorit tim, dhe Levitët që më shërbejnë".

23 Fjala e Zotit iu drejtua akoma Jeremias, duke thënë:

24 "Nuk i ke kushtuar kujdes asaj që ka pohuar ky popull, duke thënë: "Dy familjet që Zoti kishte zgjedhur, i ka hedhur poshtë"? Kështu përçmojnë popullin tim, që në sytë e tyre nuk është një komb".

25 Kështu thotë Zoti: "Në qoftë se unë nuk e kam lidhur besëlidhjen time me ditën dhe me natën dhe nuk kam përcaktuar ligjet e qiellit dhe të tokës,

26 atëherë do të hedh poshtë edhe pasardhësit e Jakobit, dhe të Davidit, shërbëtorit tim, dhe nuk do të marr më nga pasardhësit e tij drejtuesit e fisit të Abrahamit, të Isakut dhe të Jakobit. Por unë do të bëj që të kthehen mërgimtarët e tyre dhe do të kem mëshirë për ta".

Psalmet 3-4

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.