M’Cheyne Bible Reading Plan
24 Kur Sauli u kthye nga ndjekja e Filistejve, i njoftuan sa vijon: "Ja, Davidi është në shkretëtirën e En-Gedit".
2 Atëherë Sauli mori tre mijë njerëz të zgjedhur nga tërë Izraeli dhe shkoi të kërkojë Davidin dhe njerëzit e tij përballë shkëmbinjve të dhive të egra.
3 Me të arritur në vathët e deleve gjatë rrugës, ku ndodhej një shpellë, Sauli hyri brenda saj për të bërë një nevojë natyrale. (Davidi dhe njerëzit e tij ishin në fund të shpellës).
4 Njerëzit e Davidit i thanë: "Kjo është dita gjatë së cilës Zoti të thotë: "Ja, unë po ta dorëzoj në dorën tënde armikun tënd; bëj me të ç’të duash"". Atëherë Davidi u ngrit dhe pa u diktuar preu një cep të mantelit të Saulit.
5 Por pas kësaj Davidit i rrahu zemra, sepse i kishte prerë cepin e mantelit Saulit.
6 Kështu u tha njerëzve të tij: "Të më ruajë Zoti nga kryerja e një veprimi të tillë kundër zotërisë sime, kundër të vajosurit të Zotit, nga shtrirja e dorës sime kundër tij, sepse është i vajosuri i Zotit".
7 Me këto fjalë Davidi i ndali njerëzit e tij dhe nuk i la të hidhen kundër Saulit. Pastaj Sauli u ngrit, doli nga shpella dhe vazhdoi rrugën e tij.
8 Pas kësaj edhe Davidi u ngrit, doli nga shpella dhe i thirri Saulit, duke thënë: "O mbret, o imzot!". Atëherë Sauli u kthye, dhe Davidi uli fytyrën për tokë dhe u përul.
9 Davidi i tha Saulit: "Pse dëgjon fjalët e njerëzve që thonë: "Davidi kërkon të të bëj keq?".
10 Ja, sot sytë e tu panë që sot Zoti të kishte dorëzuar në duart e mia në atë shpellë; dikush më tha të të vras, por unë të kurseva dhe thashë: "Nuk do ta shtrij dorën kundër zotërisë tim, sepse është i vajosuri i Zotit".
11 Veç kësaj, o ati im, shiko në dorën time cepin e mantelit tënd. Në rast se kam prerë cepin e mantelit tënd dhe nuk të kam vrarë, mund të kuptosh dhe të bindesh që nuk ka në veprimet e mia ligësi, as rebelim dhe se nuk kam mëkatuar kundër teje; por ti po më kurdis gracka për të më hequr jetën!
12 Zoti le të vendosë midis teje dhe meje dhe Zoti le të më marrë hakun kundër teje; sepse unë nuk do ta ngre dorën kundër teje.
13 Ashtu si thotë proverbi i lashtë: "Ligësia vjen nga të liqtë". Por unë nuk do ta shtrij dorën time kundër teje.
14 Kundër kujt ka dalë mbreti i Izraelit? Cilin je duke persekutuar? Një qen të ngordhur, një plesht?
15 Zoti le të jetë gjykatës dhe le të sigurojë drejtësi midis meje dhe teje; të ketë mundësinë të shohë dhe të mbrojë çështjen time, të më japë hak, duke më liruar nga duart e tua".
16 Kur Davidi mbaroi së thëni këto fjalë Saulit, ky i tha: "Ky është zëri yt, biri im David?". Dhe Sauli ngriti zërin dhe filloi të qajë.
17 Pastaj i tha Davidit: "Ti je më i drejtë se unë, sepse më ke bërë të mira, kurse unë të kam bërë të këqija.
18 Ti sot tregove qe je sjellë mirë me mua, sepse Zoti më kishte lënë në duart e tua, por ti nuk më vrave.
19 Kur, pra, një njeri takon armikun e tij dhe e lë të shkojë në paqe? Zoti të dhëntë të mira për atë që më ke bërë sot.
20 Tani e di me siguri që ti do të mbretërosh dhe që mbretëria e Izraelit do të jetë e qëndrueshme në duart e tua.
21 Prandaj betomu në emër të Zotit që nuk do t’i vrasësh pasardhësit e mi pas meje dhe nuk do ta fshish emrin tim nga shtëpia e atit tim".
22 Davidi iu betua Saulit. Pastaj Sauli shkoi në shtëpinë e tij, ndërsa Davidi dhe njerëzit e tij u ngjitën në fortesë.
5 Kudo po dëgjohet se ndër ju ka kurvëri, madje një kurvëri të tillë që as nuk zihet në gojë ndër paganë, saqë një shkon me gruan e babait të vet.
2 Dhe ju u krekosët e madje nuk vajtuat, që të hiqet nga mesi juaj ai që ka kryer një punë të tillë.
3 Dhe unë, megjithëse nuk jam aty me trup, me frymë aty jam, dhe, sikur të isha i pranishëm, kam gjykuar tanimë atë që bëri këtë.
4 Në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, mbasi të mblidheni ju bashkë me frymën time, me fuqinë e Zotit tonë Jezu Krisht,
5 vendosa që ti dorëzohet ky njeri në dorë të Satanit për prishjen e mishit, që t’i shpëtohet fryma në ditën e Zotit Jezus.
6 Mburrja juaj nuk është e mirë. A nuk e dini se pak maja e mbrun gjithë brumin?
7 Hiqni, pra, majanë e vjetër, që të jeni një brumë i ri, siç jeni pa maja; sepse pashka jonë, që është Krishti, u flijua për ne.
8 Prandaj le të kremtojmë festën jo me maja të vjetër, as me maja ligësie dhe keqësie, por me bukë pa maja të sinqeritetit dhe të së vërtetës.
9 Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë,
10 dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.
11 Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.
12 Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.
3 Pastaj më tha: "O bir njeriu, ha atë që gjen, ha këtë rrotull, pastaj shko dhe foli shtëpisë së Izraelit".
2 Kështu unë hapa gojën dhe ai më vuri që të ha atë rrotull.
3 Pastaj më tha: "O bir njeriu, ushqeje barkun tënd dhe mbushi zorrët e tua me këtë rrotull që po të jap". Kështu unë e hëngra dhe u bë në gojën time i ëmbël si mjaltë.
4 Më tha akoma: "O bir njeriu, nisu, shko në shtëpinë e Izraelit, u trego atyre fjalët e mia,
5 sepse nuk je dërguar te një popull me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, por në shtëpinë e Izraelit,
6 jo te shumë popuj me një të folur të errët dhe një gjuhë të vështirë, fjalët e të cilëve ti nuk i kupton. Me siguri, po të të kisha dërguar tek ata, do të të kishin dëgjuar.
7 Por shtëpia e Izraelit nuk do të dojë të të dëgjojë, sepse nuk duan të më dëgjojnë mua. Në fakt tërë shtëpia e Izraelit e ka ballin të fortë dhe zemrën kryeneçe.
8 Ja, unë e bëra fytyrën tënde të fortë kundër fytyrës së tyre dhe e bëra ballin tënd të fortë kundër ballit të tyre.
9 Unë e bëra ballin tënd si një diamant, më të fortë se stralli; mos ki frikë prej tyre, mos u tremb nga ata, sepse janë një shtëpi rebele".
10 Pastaj më tha: "Bir njeriu, prano në zemrën tënde tërë fjalët që do të të them dhe dëgjoji me veshët e tua.
11 Dhe nisu, shko te ata që janë në robëri, te bijtë e popullit tënd, folu dhe u thuaj: "Kështu thotë Zoti, Zoti," edhe sikur të të dëgjojnë ose të refuzojnë të të dëgjojnë".
12 Pastaj Fryma më ngriti dhe dëgjova prapa meje zhurmën e një potereje të madhe që thoshte: "E bekuar qoftë lavdia e Zotit nga banesa e tij!".
13 Dëgjova gjithashtu zhurmën e krahëve të qenieve të gjalla që përplaseshin njëra kundrejt tjetrës, zhurmën e rrotave pranë tyre dhe zhurmën e një potereje të madhe.
14 Kështu Fryma më ngriti dhe më mori me vete; dhe unë shkova plot trishtim me indinjatën e frymës time; por dora e Zotit ishte e fortë mbi mua.
15 Kështu arrita te ata që ishin në robëri në Tel-abib pranë lumit Kebar dhe u ndala atje ku ata banonin, qëndrova i hutuar shtatë ditë në mes tyre.
16 Në mbarim të shtatë ditëve ndodhi që fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
17 "Bir njeriu, të kam caktuar si roje për shtëpinë e Izraelit; kur të dëgjosh ndonjë fjalë nga goja ime, do t’i lajmërosh nga ana ime.
18 Në rast se unë i them të pabesit: "Me siguri ke për të vdekur," dhe ti nuk e njofton dhe nuk flet për ta lajmëruar të pabesin që të braktisë rrugën e tij të keqe për të shpëtuar jetën e tij, ai i pabesë do të vdesë në paudhësinë e tij, por unë do të kërkoj llogari prej teje për gjakun e tij.
19 Por në qoftë se ti e lajmëron të pabesin dhe ai nuk heq dorë nga pabesia e tij dhe nga jeta e tij e keqe, ai do të vdesë në paudhësinë e tij, por ti do ta kesh shpëtuar shpirtin tënd.
20 Por në qoftë se më pas një njeri i drejtë heq dorë nga ndershmëria e tij dhe kryen paudhësi, unë do ti vë një pengesë përpara dhe ai do të vdesë; sepse ti nuk e ke lajmëruar dhe ai do të vdesë në mëkatin e tij, dhe gjërat e drejta që ai ka bërë, nuk do të kujtohen më, por unë do t’i kërkoj llogari dorës sate për gjakun e tij.
21 Por në rast se ti njofton të drejtin që të mos mëkatojë dhe ai nuk mëkaton, ai me siguri do të jetojë sepse u paralajmërua, dhe ti do të kesh shpëtuar shpirtin tënd".
22 Atje, pra, ishte dora e Zotit mbi mua dhe më tha: "Ngrihu, dil në fushë dhe atje unë do të flas".
23 Kështu u çova dhe dola në fushë, dhe atje ishte lavdia e Zotit, ashtu si lavdia që kisha parë pranë lumit Kebar, dhe unë rashë mbi fytyrë.
24 Por Fryma hyri te unë, më bëri të çohem më këmbë dhe më foli duke thënë: Shko, mbyllu në shtëpinë tënde..
25 Dhe ja, o bir njeriu, ty do të vihet litarë, me ato do të lidhin dhe kështu nuk do të kesh mundësi të dalësh në mes tyre.
26 Unë do të bëj që gjuha jote të ngjitet në qiellzën tënde dhe do të mbetesh memec, kështu nuk do të jesh më për ta dikush që i qorton, sepse janë një shtëpi rebele.
27 Por kur do të të flas, do të të hapë gojën dhe ti do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti, Zotii". Ai që do të dëgjojë le të dëgjojë; dhe ai që refuzon të dëgjojë, le të refuzojë, sepse janë një shtëpi rebele".
39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".
2 Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.
3 Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:
4 "O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.
5 Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)
6 Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!
7 Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.
8 Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.
9 Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.
10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.
11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)
12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.
13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".