M’Cheyne Bible Reading Plan
12 Atëherë Samueli i tha tërë Izraelit: "Ja, unë ju dëgjova për të gjitha ato që më thatë dhe vura një mbret mbi ju.
2 Dhe tani ja, mbreti që do të shkojë para jush. Unë tashmë jam plak dhe i thinjur, dhe bijtë e mij janë midis jush, unë kam ecur para jush qysh nga rinia ime deri më sot.
3 Ja ku jam, dëshmoni kundër meje përpara Zotit dhe përpara atij që është vajosur: Kujt i kam marrë kaun? Kujt i kam marrë gomarin? Kujt i kam ngrënë hakun? Cilin kam shtypur? Nga duart e kujt kam pranuar ndonjë dhuratë që më ka zënë sytë? Unë do t’jua kthej".
4 Ata iu përgjegjën: "Ti nuk na ke ngrënë hakun, nuk na ke shtypur dhe nuk ke marrë asgjë nga duart e askujt".
5 Ai u tha atyre: "Zoti është dëshmitar kundër jush dhe i vajosuri i tij është dëshmitar në këtë ditë, që nuk gjetët asgjë në duart e mia". Ata iu përgjegjën: "Po, ai është dëshmitar!".
6 Atëherë Samueli i tha popullit: "Éshtë Zoti që i vendosi Moisiun dhe Aaronin, dhe që i nxori etërit tuaj nga Egjipti.
7 Prandaj paraqituni që unë të kem mundësi para Zotit të vë në dukje bashkë me ju veprat e drejta që Zoti ka kryer për ju dhe për etërit tuaj.
8 Pas vajtjes së Jakobit në Egjipt dhe mbas thirrjeve të etërve tuaj drejtuar Zotit, Zoti dërgoi Moisiun dhe Aaronin që i nxorën etërit tuaj nga Egjipti dhe i bëri të banojnë në këtë vend.
9 Por ata e harruan Zotin, Perëndinë e tyre, dhe ai i shiti në duart e Siseras, komandantit të ushtrisë së Hatsorit, dhe në pushtetin e Filistejve dhe të mbretit të Moabit, të cilët u shpallën luftë atyre.
10 Atëherë i thirrën Zotit dhe i thanë: "Kemi mëkatuar, sepse kemi braktisur Zotin dhe u kemi shërbyer Baalëve dhe Ashtarothëve; por tani na çliro nga duart e armiqve tanë dhe ne do të të shërbejmë ty".
11 Dhe kështu Zoti dërgoi Jerubaalin, Bedanin, Jeftin dhe Samuelin, dhe ju çliroi nga duart e armiqve tuaj që ndodheshin rreth e rrotull, dhe ju jetuat në siguri.
12 Por kur patë që Nabashi, mbret i bijve të Amonit, filloi të lëvizë kundër jush, më thatë: "Jo, një mbret duhet të sundojë mbi ne," pikërisht kur Zoti, Perëndia juaj, ishte mbreti juaj.
13 Ky është, pra, mbreti që keni zgjedhur dhe keni kërkuar; ja, Zoti ka vënë një mbret mbi ju.
14 Në qoftë se keni frikë nga Zoti, i shërbeni dhe dëgjoni zërin e tij, dhe nuk ngrini krye kundër urdhërimeve të Zotit, atëherë ju dhe mbreti që mbretëron mbi ju do të ndiqni Zotin, Perëndinë tuaj.
15 Por në rast se nuk i bindeni zërit të Zotit dhe kundërshtoni urdhërimet e tij, atëherë dora e Zotit do të ngrihet kundër jush, ashtu si është ngritur kundër etërve tuaj.
16 Prandaj tani ndaluni dhe shikoni këtë gjë të madhe që Zoti do të bëjë para syve tuaj.
17 A nuk jemi vallë në kohën e korrjes së grurit? Unë do të kërkoj ndihmën e Zotit dhe ai do të dërgojë bubullima dhe shi; kështu do të kuptoni dhe do të shihni se e keqja që keni bërë duke kërkuar një mbret për ju, është e madhe në sytë e Zotit".
18 Atëherë Samueli kërkoi ndihmën e Zotit dhe ai dërgoi atë ditë bubullima dhe shi; dhe tërë populli pati një frikë të madhe nga Zoti dhe nga Samueli.
19 Pastaj tërë populli i tha Samuelit: "Lutju Zotit, Perëndisë tënd, për shërbëtorët e tu, që të mos vdesin, sepse tërë mëkateve tona u kemi shtuar të keqen e kërkimit të një mbreti për ne".
20 Samueli iu përgjegj popullit: "Mos u frikësoni; edhe se keni bërë gjithë këtë të keqe, mos lini së ndjekuri Zotin, por shërbejini Zotit me të gjithë zemrën tuaj.
21 Mos u largoni për të ndjekur gjëra të kota, që nuk vlejnë as çlirojnë, sepse janë gjëra të kota.
22 Sepse Zoti nuk do ta braktisë popullin e tij, për hir të tij të madh, sepse i pëlqeu Zotit t’ju bëjë popullin e vet.
23 Sa për mua, mos ndodhtë kurrë që unë të mëkatoj kundër Zotit duke hequr dorë nga lutjet për ju; përkundrazi, do t’ju tregoj rrugën e mirë dhe të drejtë.
24 Vetëm kini frikë nga Zoti dhe i shërbeni besnikërisht me gjithë zemër; mbani parasysh gjërat e mëdha që ka bërë për ju.
25 Por në rast se vazhdoni të bëni të keqen, si ju ashtu dhe mbreti juaj do të flakeni tutje".
10 Vëllezër, dëshira e zemrës sime dhe lutja që i drejtoj Perëndisë për Izraelin është për shpëtim të tij.
2 Sepse unë dëshmoj për ta se kanë zell për Perëndinë, por jo sipas njohurisë.
3 Sepse duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë dhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e vet, nuk iu nënshtruan drejtësisë së Perëndisë,
4 sepse përfundimi i ligjit është Krishti, për shfajësimin e kujtdo që beson.
5 Sepse Moisiu kështu e përshkruan drejtësinë që vjen nga ligji: “Njeriu që bën këto gjëra, do të rrojë me anë të tyre.”
6 Por drejtësia që vjen nga besimi thotë kështu: “Mos thuaj në zemrën tënde: “Kush do të ngjitet në qiell?.” Kjo do të thotë që të zbresë Krishti.
7 Ose: “Kush do të zbresë në humnerë?.” Kjo do të thotë që të sjellë lart Krishtin prej së vdekurish.
8 Po ç’thotë, pra? “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde.” Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë;
9 sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh.
10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,
11 sepse Shkrimi thotë: “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet.”
12 Sepse nuk ka dallim në mes Judeut dhe Grekut, sepse një i vetëm është Perëndia i të gjithëve, i pasur ndaj të gjithë atyre që e thërrasin.
13 Në fakt: “Kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet.”
14 Si do ta thërrasin, pra, atë, të cilit nuk i besuan? Dhe si do të besojnë tek ai për të cilin nuk kanë dëgjuar? Dhe si do të dëgjojnë, kur s’ka kush predikon?
15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!.”
16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?.”
17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.
18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, “Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës.”
19 Por unë them: “Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: “Unë do t’ju shtie në xhelozi me një komb që s’është fare komb; do t’ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë.”
20 Dhe Isaia me guxim thotë: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua.”
21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: “Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës.”
49 Kundër bijve të Amonit. Kështu thotë Zoti: "Izraeli vallë nuk ka bij, nuk ka asnjë trashëgimtar? Pse, pra, Malkami bëhet zot i Gadit dhe populli i tij është vendosur në qytetet e tij?
2 Prandaj ja, ditët po vijnë, thotë Zoti, në të cilat unë do të bëj që të dëgjohet thirrja e luftës e bijve të Amonit kundër Rabahut; ai do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe qytetet e tij do të konsumohen nga zjarri. Atëherë Izraeli do të shtjerë në dorë trashëgiminë e tij," thotë Zoti.
3 "Vajto o Heshbon, sepse Ai është shkatërruar; bërtisni, o ju qytete të Rabahut, ngjeshuni me thasë, vini kujën, vraponi sa andej e këtej brenda vathës sepse Malkami po shkon në robëri bashkë me priftërinjtë e tij dhe me princat e tij.
4 Pse mburresh nëpër lugina? Lugina jote është zbrazur, o bijë rebele, që kishe besim në thesaret e tua dhe thoje: "Kush do të dalë kundër meje?".
5 Ja, unë do të bëj që të të zërë tmerri, thotë Zoti, Zoti i ushtrive, nga të gjithë ata që të rrethojnë, dhe ju do të dëboheni, secili drejt para tij, dhe nuk do të ketë njeri që t’i mbledhë ikanakët.
6 Por, mbas kësaj, unë do t’i kthej nga robëria djemtë e Amonit," thotë Zoti.
7 Kundër Edomit. Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nuk ka më dituri në Teman? Vallë u ka munguar gjykimi të zgjuarve? Éshtë tretur dituria e tyre?
8 Ikni me vrap, kthehuni prapa, shkoni të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Dedanit, sepse unë do të sjell fatkeqësinë e Ezaut mbi të në kohën e ndëshkimit të tij.
9 Po të vinin disa vjelës rrushi te ti nuk do të linin ndonjë vilëz për të mbledhur? Po të vinin disa vjedhës te ti natën do të shkatërronin vetëm sa u mjafton.
10 Por unë do ta zbuloj Ezaun dhe do të gjej vendet e fshehta të tij, dhe ai nuk do të mund të fshihet më. Pasardhësit të tij, vëllezërit e tij dhe fqinjët e tij do të shkatërrohen, dhe ai nuk do të jetë më.
11 Lëri jetimët e tu, unë do t’i ruaj të gjallë në jetë dhe gratë e tua të veja le të kenë besim tek unë".
12 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, ata që nuk ishin destinuar ta pinin kupën, do ta pinë me siguri; dhe ti do të jesh krejt i pandëshkuar? Nuk do të jesh krejt i pandëshkuar, por do ta pish me siguri.
13 Meqenëse unë jam betuar në veten time," thotë Zoti, "Botsrahu do të bëhet një objekt habie dhe talljeje, një shkreti dhe një mallkim, dhe tërë qytetet e tij do të jenë të shkreta përjetë.
14 Dëgjova një mesazh nga Zoti, dhe një lajmëtar iu dërgua kombeve: Mblidhuni dhe nisuni kundër tij; çohuni për betejënn".
15 Por ja unë do të të bëj të vogël midis kombeve dhe të përbuzur midis njerëzve.
16 Tmerri që kallje dhe kryelartësia e zemrës sate të kanë joshur, o ti që banon në të çarat e shkëmbinjve, që pushton majat e kodrave; edhe sikur të bëje folenë tënde lart si shqiponja, unë do të bëj që ti të biesh poshtë nga atje lart," thotë Zoti.
17 Edomi do të bëhet objekt habie; kushdo që do t’i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e tij.
18 Ashtu si në shkatërrimin e Sodomës dhe të Gomorrës, si dhe të qyteteve afër tyre," thotë Zoti, "askush nuk do të banojë më në to dhe asnjë bir njeriu nuk do të gjejë strehë.
19 Ja, ai do të dalë si një luan nga fryrja e Jordanit kundër banesës së fortë; unë do të bëj që ai papritmas të ikë që andej dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është në fakt si unë? Kush do të më nxjerrë në gjyq? Kush është, pra, bariu që mund të më bëjë ballë?
20 Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Edomit dhe vendimet që ka marrë kundër banorëve të Temanit. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkretohet.
21 Në zhurmën e rënies së tyre toka do të dridhet; zhurma e britmës së tyre do të dëgjohet deri në Detin e Kuq.
22 Ja, armiku po del, po nis fluturimin si shqiponja dhe po hap krahët e tij drejt Botsrahut, dhe zemra e trimave të Edomit atë ditë do të jetë si zemra e një gruaje në dhembjet e lindjes.
23 Kundër Damaskut. Hamathia dhe Arpadi janë mbuluar me turp, sepse kanë dëgjuar një lajm të keq; po ligështohen; ka një stuhi të madhe mbi det, që nuk mund të qetësohet.
24 Damasku është bërë i flashkët, kthehet për të ikur, e ka kapur një drithmë; ankthi dhe dhimbjet e sulmojnë si një grua që është duke lindur.
25 "Vallë si nuk është braktisur qyteti i lavdërimit, qyteti i gëzimit tim?
26 Prandaj të rinjtë e tij do të rrëzohen në sheshet e tij dhe tërë luftëtarët do të vdesin atë ditë," thotë Zoti i ushtrive.
27 "Unë do të ndez zjarrin në muret e Damaskut dhe ai do të gllabërojë pallatet e Ben-Hadadit".
28 Kundër Kedarit dhe mbretërive të Hatsorit, që Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka mundur. Kështu thotë Zoti: "Çohuni, dilni kundër Kedarit dhe shkatërroni bijtë e lindjes.
29 Çadrat e tyre dhe kopetë e tyre do të merren; shatorret e tyre, tërë veglat e tyre dhe devetë e tyre do të çohen tutje; do t’u bërtasin atyre: Tmerr nga të gjitha anëtt".
30 Ikni, shkoni larg të banoni në thellësitë e tokës, o banorë të Hatsorit," thotë Zoti, "sepse Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, ka hartuar një projekt kundër jush, ka menduar një plan kundër jush.
31 Çohuni, dilni kundër një kombi të qetë që banon në siguri," thotë Zoti, që nuk ka as dyer as shula dhe banon i vetmuar..
32 Devetë e tyre do t’i çojnë tutje si plaçkë lufte dhe shumica e bagëtisë së tyre si pre. Unë do t’i shpërndaj në të gjitha drejtimet ata që presin cepat e mjekrës dhe do të bëj që t’u vijë fatkeqësia nga të gjitha anët," thotë Zoti.
33 "Hatsori do të bëhet një vend ku do të banojnë çakejtë, një shkreti për gjithmonë; askush nuk do të banojë më aty dhe asnjë bir njeriu nuk do të qëndrojë aty".
34 Fjala e Zotit që iu drejtua profetit Jeremia kundër Elamit, në fillim të mbretërimit të Sedekias, mbret i Judës, duke thënë:
35 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, unë do të copëtoj harkun e Elamit, bazën e forcës së tij.
36 Unë do të sjell kundër Elamit katër erërat nga katër skajet e qiellit; do ta shpërndaj në drejtim të të gjitha erërave dhe nuk do të ketë komb ku të mos arrijnë ikanakët e Elamit.
37 Do t’i bëj Elamitët të tremben përpara armiqve të tyre dhe para atyre që kërkojnë jetën e tyre; do të sjell mbi ta gjëmën, zemërimin tim të zjarrtë," thotë Zoti. "Do t’u dërgoj pas shpatën deri sa t’i kem konsumuar.
38 Do ta vendos pastaj fronin tim në Elam dhe do të bëj që të zhduken mbretërit dhe princat," thotë Zoti.
39 "Por ditët e fundit do të ndodhë që unë do ta kthej Elamin nga robëria," thotë Zoti.
26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.
2 Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3 Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
4 Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.
5 Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.
6 Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,
7 për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.
8 O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.
9 Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.
27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
2 Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.
3 Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5 Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.