M’Cheyne Bible Reading Plan
19 Sauli i foli birit të tij Jonathan dhe të gjithë shërbëtorëve të tij që të vritej Davidi. Por Jonathani, bir i Saulit, ndiente një dashuri të madhe për Davidin.
2 Kështu Jonathani e informoi Davidin, duke i thënë: "Sauli, ati im, kërkon të shkaktojë vdekjen tënde; prandaj nesër në mëngjes ruhu, rri në një vend të fshehtë dhe fshiu.
3 Unë do të dal dhe do të qëndroj pranë atit tim në fushën ku ndodhesh ti, dhe do t’i flas për ty atit tim. Do të shoh ç’ka për të ndodhur dhe do të njoftoj".
4 Kështu Jonathani i foli Saulit, atit të tij, në favor të Davidit dhe i tha: "Mbreti të mos bëj mëkat në dëm të shërbëtorit të tij, në dëm të Davidit, sepse ai nuk ka kryer mëkate kundër teje, dhe veprat e tij kanë qenë shumë të vlefshme.
5 Ai ka vënë në rrezik jetën e tij, kur vrau Filisteun, dhe Zoti ka kryer një çlirim të madh për gjithë Izraelin. Ti e ke parë dhe je gëzuar; pse duhet të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke shkaktuar vdekjen e Davidit pa shkak?".
6 Sauli dëgjoi zërin e Jonathanit dhe u betua: "Siç është e vërtetë që Zoti rron, ai nuk ka për të vdekur!".
7 Atëherë Jonathani thirri Davidin dhe i njoftoi tërë këto gjëra. Pastaj Jonathani e shpuri përsëri Davidin te Sauli dhe ai qëndroi në shërbim të tij si më parë.
8 Filloi përsëri lufta; kështu Davidi doli të luftojë kundër Filistejve dhe i mundi keq; ata ia mbathën para tij.
9 Por një frym i keq nga ana e Zotit e pushtoi Saulin, ndërsa rrinte në shtëpinë e tij me shtizë në dorë dhe Davidi i binte harpës.
10 Sauli u orvat të gozhdonte Davidin në mur me shtizën e tij, por Davidi iu shmang Saulit, dhe ky e nguli shtizën e tij në mur. Davidi iku po atë natë dhe shpëtoi nga reziku.
11 Atëherë Sauli dërgoi lajmëtarë në shtëpi të Davidit për ta përgjuar dhe për ta vrarë të nesërmen në mëngjes; por Mikal, bashkëshortja e Davidit, e njoftoi për këtë gjë, duke thënë: "Në rast se sonte nuk gjen një vend strehimi, nesër ke për të vdekur".
12 Kështu Mikal e zbriti Davidin nga dritarja dhe ai iku; ia mbathi me vrap dhe shpëtoi.
13 Pastaj Mikal mori idhullin e shtëpisë dhe e vuri në shtrat, në vend të kokës vuri një mbulesë prej leshi të dhisë dhe e mbuloi me një pëlhurë.
14 Kur Sauli dërgoi lajmëtarët e tij për të marrë Davidin, ajo tha: "Éshtë i sëmurë".
15 Atëherë Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të parë Davidin dhe u tha atyre: "Ma sillni me shtratin e tij që unë të shkaktoj vdekjen e tij".
16 Kur arritën lajmëtarët, në shtrat ishte idhulli i shtëpisë, me një mbulesë prej leshi të dhisë në vend të kokës.
17 Atëherë Sauli i tha Mikalit: "Pse më mashtrove në këtë mënyrë dhe bëre të ikë armiku im, duke e lejuar të shpëtojë?". Mikal iu përgjegj Saulit: "Ai më tha: "Lermë të ikij, përndryshe të vrava"".
18 Davidi iku, pra, dhe shpëtoi kokën; shkoi te Samueli në Ramah dhe i tregoi të gjitha ato që i kishte bërë Sauli. Pas kësaj ai dhe Samueli vajtën të banojnë në Najoth.
19 Këtë gjë ia njoftuan Saulit, i cili tha: "Davidi është në Najoth të Ramahut".
20 Atëherë dërgoi lajmëtarë për të marrë Davidin; por kur këta panë asamblenë e profetëve që profetizonin, nën kryesinë e Samuelit, Fryma e Perëndisë i përshkoi lajmëtarët e Saulit që filluan edhe ata të bëjnë profeci.
21 Këtë ngjarje ia njoftuan Saulit që dërgoi lajmëtarë të tjerë, të cilët gjithashtu filluan të bëjnë profeci. Sauli dërgoi përsëri lajmëtarë për të tretën herë, por edhe këta filluan të bëjnë profeci.
22 Atëherë shkoi vetë në Ramah dhe, kur arritën në hauzin e madh që ndodhet në Seku, pyeti: "Ku janë Samueli dhe Davidi?". Dikush iu përgjegj: Ja, ndodhen në Najoth të Ramahutt".
23 Kështu ai shkoi vetë atje, në Najoth të Ramahut, per edhe ai u përshkua nga Fryma e Perëndisë, dhe e vazhdoi udhëtimin e tij duke bërë profeci deri sa arriti në Najoth të Ramahut.
24 Edhe ai i hodhi rrobat e tij dhe bëri profeci përpara Samuelit, dhe qendroi i shtrirë lakuriq për tokë tërë atë ditë dhe tërë atë natë. Prandaj thuhet: "Edhe Sauli figuron midis profetëve?".
1 Pali, i thirrur apostull i Jezu Krishtit, me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Sosten,
2 kishës së Perëndisë që është në Korint, të shenjtëruarve në Krishtin Jezus, të thirrur shenjtorë, bashkë me të gjithë ata që në çdo vend e thërrasin emrin e Jezu Krishtit, Zotit të tyre dhe tonit:
3 hir dhe paqe për ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.
4 Përherë i falem nderit Perëndisë tim për ju, për hirin e Perëndisë, i cili ju është dhënë me anë të Jezu Krishtit,
5 sepse në atë ju u bëtë të pasur në të gjitha, në çdo fjalë dhe në çdo njohuri,
6 sikurse dëshmimi i Krishtit që u vërtetua ndër ju,
7 kaq sa nuk ju mungon asnjë dhunti, ndërsa prisni zbulesën e Zotit tonë Jezu Krishtit,
8 i cili edhe do t’ju vërtetojë deri në fund, që të jeni të paqortueshëm në ditën e Zotit tonë Jezu Krishtit.
9 Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë.
10 Tani vëllezër, ju bëj thirrje në emër të Zotit tonë Jezu Krishtit të flisni që të gjithë të njëjtën gjë dhe të mos keni ndasi midis jush, por të jeni plotësisht të bashkuar, duke pasur një mendje dhe një vullnet.
11 Sepse më është treguar për ju, o vë-llezër, nga ata të shtëpisë së Kloes, se në mes jush ka grindje.
12 Dhe dua të them këtë, që secili nga ju thotë: “Unë jam i Palit,” “unë i Apolit,” “unë i Kefës” dhe “unë i Krishtit.”
13 Vallë i ndarë qenka Krishti? Mos Pali u kryqëzua për ju? Apo ju u pagëzuat në emër të Palit?
14 E falënderoj Perëndinë që nuk kam pagëzuar asnjë nga ju, me përjashtim të Krispit dhe të Gait,
15 që askush të mos thotë se e pagëzova në emrin tim.
16 Unë pagëzova edhe familjen e Stefanës; përveç tyre nuk di të kem pagëzuar ndonjë tjetër.
17 Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin, jo me dituri fjale, që kryqi i Krishtit të mos dalë i kotë.
18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.
19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”
20 Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?
21 Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,
22 sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri,
23 por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët,
24 kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë;
25 sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit.
26 Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë,
27 por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët;
28 dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë,
29 që asnjë mish të mos mburret përpara tij.
30 Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,
31 që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin.”
4 Si u nxi ari, si u prish ari më i mirë! Gurët e shenjtërores u shpërndanë në hyrje të të gjitha rrugëve.
2 Bijtë e çmuar të Sionit që çmoheshin si ar i kulluar, vallë si u konsideruan si enë prej balte, si punë e kryer nga duart e poçarit?
3 Edhe çakejtë japin gjirin për të ushqyer të vegjëlit e tyre, por bija e popullit tim është bërë mizore si strucët e shkretëtirës.
4 Gjuha e foshnjës në gji ngjitet, në qiellzën e tij nga etja; fëmijët kërkojnë bukë, por nuk ka njeri që t’ua japë atyre.
5 Ata që hanin ushqime të shijshme lëngojnë nëpër rrugë; ata që ishin rritur në purpur përqafojnë plehërishten.
6 Ndëshkimi i paudhësisë të vajzës së popullit tim është më i madh se ndëshkimi i mëkatit të Sodomës, që u shkatërrua në një çast, pa ndërhyrjen e dorës së njeriut kundër saj.
7 Princat e saj ishin më të shkëlqyeshëm se bora, më të bardhë se qumështi; e kishin trupin më të kuq se koralet, fytyra e tyre ishte si një safir.
8 Tani pamja e tyre është më e zezë se terri; nuk njihen dot më nëpër rrugë; lëkura e tyre bashkohet me kockat e tyre, është tharë, është bërë si dru.
9 Të vrarët nga shpata janë më mirë se ata që vdesin nga uria, sepse këta të fundit mbarojnë të rraskapitur nga mungesa e prodhimeve të fushës.
10 Duart e grave të mëshirëshme kanë pjekur vetë fëmijët e tyre, të cilët u kanë shërbyer si ushqim, në shkatërrimin e bijës së popullit tim.
11 Zoti i dha fund tërbimit të tij, ka derdhur zemërimin e tij të zjarrtë, ka ndezur në Sion një zjarr, që ka gllabëruar themelet e tij.
12 Mbretërit e dheut dhe tërë banorët e botës nuk do të kishin besuar kurrë që kundërshtari dhe armiku do të hynin në portat e Jeruzalemit.
13 Por kjo ndodhi për shkak të mëkateve të profetëve të tij dhe për shkak të paudhësive të priftërinjve të tij, që kanë derdhur në mes të saj gjakun e njerëzve të drejtë.
14 Ata endeshin si të verbër nëpër rrugë, të ndotur me gjak, në mënyrë që askush nuk mund të prekte veshjet e tyre.
15 Sapo dukeshin njerëzit bërtisnin: "Largohuni, një i papastër! Largohuni, largohuni mos e prekni!". Kur iknin dhe shkonin duke u endur midis kombeve thonin: "Nuk do të mund të rrijnë më këtu".
16 Fytyra e Zotit i ka shpërndarë, nuk do të kthejë mbi ta shikimin e tij; nuk kanë pasur respekt për priftërinjtë dhe as kanë treguar dhembshuri për pleqtë.
17 Përveç kësaj sytë tona konsumoheshin në pritjen e një ndihme të kotë. Nga vendi ynë i vëzhgimit prisnim më kot një komb që nuk mund të na shpëtonte.
18 Na gjuanin në çdo hap, duke na penguar të ecnim nëpër sheshet tona. Fundi ynë është i afërt, ditët tona janë plotësuar, fundi ynë ka mbërritur.
19 Përndjekësit tanë kanë qenë më të shpejtë se shqiponjat e qiellit, na kanë ndjekur në malet, na kanë ngritur prita në shkretëtirë.
20 Fryma e flegrave tona, i vajosuri i Zotit është marrë në gropat e tyre, ai për të cilin thoshim: "Në hijen e tij do të jemi midis kombeve".
21 Gëzohu dhe kënaqu, o bijë e Edomit, që banon në vendin e Utsit. Edhe ty do të të vijë kupa; do të dehesh dhe do të zbulosh lakuriqësinë tënde.
22 Ndëshkimi i paudhësisë sate u krye, o bijë e Sionit. Ai nuk do të të çojë më në robëri; por do të ndëshkojë paudhësinë tënde, o bijë e Edomit, do të nxjerrë në shesh mëkatet e tua.
35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.
2 Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.
3 Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".
4 Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.
5 U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.
6 Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.
7 Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.
8 Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.
9 Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.
12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.
13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.
14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.
15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.
16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.
18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.
19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,
20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".
22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.
23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.
24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,
25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".
26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.
27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".
28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.