Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Gjyqtarët 18

18 Në atë kohë nuk kishte mbret në Izrael; po në këtë kohë fisi i Danitëve kërkonte për vete një territor për t’u vendosur, sepse deri në ato ditë nuk i ishte caktuar asnjë trashëgimi midis fiseve të Izraelit.

Bijtë e Danit dërguan, pra, te Tsorahu dhe te Eshtaoli pesë burra trima, që përfaqësonin tërë fisin e tyre, për të vëzhguar dhe për të kontrolluar vendin; dhe u thanë atyre: "Shkoni të vëzhgoni vendin!". Kështu ata arritën në krahinën malore të Efraimit, në shtëpinë e Mikahut, dhe e kaluan natën aty.

Ndërsa ishin pranë shtëpisë së Mikahut, njohën zërin e të riut Levit; atëherë ata hynë në shtëpi dhe e pyetën: "Kush të solli këtu? Çfarë bën në këtë vend? Çfarë ke ti këtu?".

Ai iu përgjegj: "Mikahu më ka bërë këtë dhe atë; më mori në shërbim të tij dhe unë jam prifti i tij".

Atëherë ata i thanë: "Pyet, pra, Perëndinë që të dimë në se rruga që kemi nisur do të jetë e mbarë".

Prifti iu përgjegj: "Shkoni në paqe; rruga që bëni kryhet nën shikimin e Zotit".

Kështu të pesë burrat u nisën dhe arritën në Laish, panë që populli që banonte aty bënte një jetë të sigurt, simbas zakoneve të atyre të Sidonit, një jetë të qetë dhe të sigurt, sepse nuk kishte njeri në vend që t’u vinte ndonjë kufizim dhe t’i qortonte; ata ishin larg nga ata të Sidonit dhe nuk mbanin marrëdhënie me askënd.

Pastaj u kthyen te vëllezërit e tyre në Tsorah dhe në Eshtaol; dhe vëllezërit i pyetën ata: "Çfarë thoni?".

Ata u përgjigjën: "Le të ngrihemi dhe të sulemi kundër atyre njerëzve, sepse kemi parë vendin dhe është me të vërtetë i mrekullueshëm. Pse mbani një qëndrim jo aktiv? Mos nguroni të lëvizni për ta pushtuar vendin!

10 Kur të arrini, keni për të gjetur një popull të sigurt dhe një vend të gjërë, sepse Perëndiae ka dhënë në duart tuaja; është një vend ku nuk mungon asgjë nga ajo që është mbi tokë".

11 Atëherë gjashtëqind burra të familjes së Danitëve u nisën nga Tsorahu dhe nga Eshtoali, të armatosur mirë për luftë.

12 Ata u ngjitën dhe ngritën kampin e tyre në Kirjath-Jearim, në Jude; (prandaj ky vend, që ndodhet prapa Kiriath-Jearimit, quhet edhe sot e kësaj dite kampi i Danit).

13 Që këtej kaluan në krahinën malore të Efraimit dhe arritën në shtëpinë e Mikahut.

14 Atëherë të pesë burrat, që kishin shkuar të vëzhgonin vendin e Laishit, filluan t’u thonë vëllezërve të tyre: "A e dini ju që në këto shtëpi ka një efod, një shtëpi idhujsh, një shëmbëlltyrë të gdhendur dhe një figurë prej metali të shkrirë? Prandaj tani kini parasysh atë që duhet të bëni".

15 Kështu ata u drejtuan nga ajo anë, arritën në shtëpinë e Levitit të ri, në banesën e Mikahut, dhe e përshëndetën.

16 Ndërsa të gjashtëqind burrat e bijve të Danit, të armatosur mirë për luftë, rrinin para portës,

17 pesë burrat që kishin vajtur të vëzhgonin vendin u ngjitën lart, hynë në shtëpi, morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, shtëpinë e idhujve dhe figurën prej metali të shkrirë. Prifti rrinte para portës bashkë me gjashtëqind njerëzit e armatosur mirë për luftë.

18 Kur këta hynë në shtëpinë e Mikahut dhe morën shëmbëlltyrën e gdhendur, efodin, shtëpinë e idhujve dhe figurën prej metali të shkrirë, prifti u tha atyre: "Ç’po bëni kështu?".

19 Ata iu përgjegjën: "Hesht, vëre dorën mbi gojë, eja me ne, dhe do të jesh për ne një atë dhe një prift. Ç’është më mirë për ty, të jesh prifti i shtëpisë së një njeriu të vetëm apo të jesh prifti i një fisi ose të një familjeje në Izrael?".

20 Kështu prifti ndjeu një gëzim në zemrën e tij; mori efodin, shtëpinë e idhujve dhe shëmbëlltyrën e gdhendur dhe u bashkua me ata njerëz.

21 Atëherë rifilluan marshimin, duke vënë para fëmijët, bagëtinë dhe orenditë.

22 Kur ishin larguar nga shtëpia e Mikahut, burrat që banonin në shtëpitë afër asaj të Mikahut u mblodhën dhe ndoqën bijtë e Danit.

23 U bërtitën pastaj bijve të Danit. Këta u kthyen dhe i thanë Mikahut: Çfarë ke që ke mbledhur këta njerëz??".

24 Ai u përgjegj: "Morët me vete perënditë që i kisha bërë unë dhe priftin, dhe ikët. Tani ç’më mbetet? Si mund të më thoni: "Çfarë ke?".

25 Bijtë e Danit i thanë: "Bëj që zëri yt të mos dëgjohet më prapa nesh, sepse njerëz të zemëruar mund të hidhen mbi ju, dhe ti do të humbje jetën tënde dhe atë të familjes sate!".

26 Bijtë e Danit e vazhduan rrugën e tyre; dhe Mikahu, kur pa se ata ishin më të fortë se ai, u kthye dhe shkoi në shtëpinë e tij.

27 Kështu ata, mbasi morën gjërat që kishte bërë Mikahu dhe priftin që kishte në shërbim të tij, arritën në Laish, ku jetonte një popull që rinte i qetë dhe i sigurtë; e vranë me shpatë dhe i vunë flakën qytetit.

28 Nuk pati asnjë që ta çlironte, sepse ndodhej larg Sidonit, dhe banorët e tij nuk mbanin marrëdhënie me njerëz të tjerë. Ai ndodhej në luginën që zgjatej në drejtim të Beth-Rehobit. Pastaj Danitët e rindërtuan qytetin dhe banuan në të,

29 e quajtën Dan, nga emri i Danit, ati i tyre, që ishte bir i Izraelit; por më parë qyteti quhej Laish.

30 Pastaj bijtë e Danit ngritën për vete shëmbëlltyrën e gdhendur; dhe Jonathani, bir i Gershomit, bir i Manasit, dhe bijtë e tij u bënë priftërinj të fiseve të Danitëve deri ditën e robërimit të banorëve të vendit.

31 Kështu ngritën për vete shëmbëlltyrën e gdhendur nga Mikahu, gjatë gjithë kohës që shtëpia e Perëndisë mbeti në Shiloh.

Veprat e Apostujve 22

22 “Vëllezër dhe etër, dëgjoni çfarë ju them tani për mbrojtjen time.”

Kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhën hebraike, heshtën edhe më shumë. Pastaj ai tha:

“Në të vërtetë unë jam një Jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet te këmbët e Gamalielit, edukuar me përpikërinë e ligjit të etërve tanë, plot me zell për Perëndinë, sikurse jeni ju të gjithë sot;

unë kam përndjekur këtë Udhë deri në vdekje, duke lidhur dhe duke futur në burg burra dhe gra,

sikurse jep dëshmi për mua kryeprifti dhe gjithë sinedri i pleqve, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkova në Damask për të sjellë të lidhur në Jeruzalem ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin.

Dhe më ndodhi që, kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, aty nga mesi i ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje.

Dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: "Saul, Saul, përse më përndjek?".

Dhe unë u përgjigja: "Kush je ti, o Zot?" Edhe ai më tha: "Unë jam Jezus Nazareasi, të cilin ti e përndjek".

Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën, por nuk dëgjuan zërin e atij që më fliste.

10 Unë thashë: "O Zot, ç’duhet të bëj?". Zoti më tha: "Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh".

11 Dhe, mbasi unë nuk shihja asgjë për shkak të shkëlqimit të asaj drite, më morën për dore ata që ishin me mua; dhe hyra në Damask.

12 Dhe njëfarë Anania, njeri i perëndishëm sipas ligjit, për të cilin jepnin dëshmi të gjithë Judenjtë që banonin aty,

13 erdhi tek unë, dhe duke qëndruar pranë meje, tha: "O vëlla Saul, shiko përsëri!". Dhe në atë çast unë fitova përsëri dritën e syve dhe e shikova.

14 Pastaj vazhdoi: "Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij.

15 Sepse ti duhet të dëshmosh për të tek të gjithë njerëzit për ato që ke parë dhe ke dëgjuar.

16 Dhe tani ç’pret? Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit".

17 Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë,

18 dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua".

19 Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty;

20 kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin.

21 Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve".”

22 Ata e dëgjuan deri në këtë pikë; pastaj ngritën zërin duke thënë: “Hiqe nga bota një njeri të tillë, sepse nuk është i denjë të rrojë!.”

23 Duke qenë se ata bërtisnin, duke i flakur rrobat e duke ngritur pluhurin në erë,

24 kryemijësi urdhëroi ta çonin Palin në fortesë, duke urdhëruar që ta marrin në pyetje duke e rrahur me kamxhik, që të merrej vesh për çfarë arsye ata bërtisnin kështu kundër tij.

25 Por, kur e shtrinë, të lidhur me rripa, Pali i tha centurionit që ishte aty: “A është e ligjshme për ju të rrihni me kamxhik një qytetar romak, ende të pagjykuar?.”

26 Kur e dëgjoi, centurioni shkoi e i tregoi kryemijësit duke thënë: “Çfarë do të bësh? Ky njeri është një qytetar romak!.”

27 Atëherë kryemijësi shkoi te Pali dhe e pyeti: “Më thuaj, a je një qytetar romak?.” Ai tha: “Po, jam!.”

28 Kryemijësi u përgjigj: “Unë e kam fituar këtë qytetëri me një shumë të madhe.” Pali tha: “Kurse unë e kam qysh prej lindjes!.”

29 Menjëherë ata që duhet ta merrnin në pyetje u larguan prej tij; dhe vetë kryemijësi, kur mori vesh se ai ishte qytetar romak, pati frikë që e kishte lidhur.

30 Të nesërmen, duke dashur të marrë vesh me saktësi përse ishte akuzuar nga Judenjtë, e zgjidhi nga prangat dhe urdhëroi krerët e priftërinjve dhe gjithë sinedrin të vinin. Pastaj, si e sollën poshtë Palin, e nxori përpara tyre.

Jeremia 32

32 Fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit në vitin e dhjetë të Sedekias, mbretit të Judës, që ishte viti i tetëmbëdhjetë i Nebukadnetsarit.

Ushtria e mbretit të Babilonisë rrethonte atëherë Jeruzalemin dhe profeti Jeremia ishte i mbyllur në oborrin e burgut që ndodhej në shtëpinë e mbretit të Judës.

Aty e kishte mbyllur Sedekia, mbreti i Judës, duke thënë: "Përse profetizon, duke thënë: "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e mbretit të Babilonisë dhe ai do ta pushtojë.

Sedekia, mbreti i Judës, nuk do të shpëtojë nga duart e Kaldeasve, por me siguri do të bjerë në duart e mbretit të Babilonisë dhe do të flasë ballë për ballë me të dhe do ta shohë me vetë sytë e tij.

Pastaj ai do ta çojë Sedekian në Babiloni, ku ai do të qëndrojë deri sa ta vizitoj unë, thotë Zoti. Në qoftë se do të luftoni kundër Kaldeasve nuk do të nxirrni asgjë në krye"!".

Atëherë Jeremia tha: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

Ja, Hanameeli, biri i Shalumit, ungjit tënd, po vjen te ti që të të thotë: "Bli arën time që ndodhet në Anathoth, sepse ti ke të drejtën ta shpengosh duke e blerë"".

Prandaj Hanameeli, biri i ungjit tim, erdhi tek unë në oborrin e burgut, sipas fjalës të Zotit, dhe më tha: "Të lutem, bli arën time që ndodhet në Anathoth, në territorin e Beniaminit, sepse ti ke të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e shpengimit. Blije!". Atëherë e kuptova që kjo ishte fjala e Zotit.

Kështu, pra, bleva nga Hanameeli, nga biri i ungjit tim, arën që ndodhej në Anathoth dhe ia peshova paratë; shtatëmbëdhjetë sikla argjendi.

10 E nënshkrova aktin, e vulosa, thirra dëshmitarët dhe peshova paratë me peshore.

11 Pastaj e mora aktin e blerjes, atë të vulosur sipas ligjit dhe statuteve dhe atë të hapur,

12 dhe ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriathit, bir i Mahsehiahut, në prani të Hanameelit, kushëririt tim, në prani të dëshmitarëve që kishin nënshkruar aktin e blerjes dhe në prani të të gjithë Judejve që rrinin ulur në oborrin e burgut.

13 Pastaj përpara tyre i dhashë këtë urdhër Barukut:

14 "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Merr këto akte, aktin e blerjes, qoftë atë të vulosur ashtu edhe atë të hapur, dhe futi në një poç prej balte, që të ruhen për shumë ditë.

15 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Në këtë vend do të blihen akoma shtëpi, ara dhe vreshta".

16 Pasi ia dorëzova aktin e blerjes Barukut, birit të Neriahut, iu luta Zotit, duke thënë:

17 "Ah, Zot, Zot! Ja, ti e sajove qiellin dhe tokën me fuqinë tënde të madhe dhe me krahun tënd të shtrirë. Nuk ka asgjë tepër të vështirë për ty.

18 Ti e tregon mirësinë tënde ndaj një mijë vetave dhe e shpaguan paudhësinë e etërve në gji të bijve të tyre që vijnë pas atyre, o Perëndi i madh e i fuqishëm, emri i të cilit është Zoti i ushtrive.

19 Ti je i madh për këshilla dhe i fuqishëm për vepra dhe i ke sytë çelë mbi të gjitha rrugët e bijve të njerëzve, për t’i dhënë secilit sipas veprave të veta dhe sipas frytit të veprimeve të veta.

20 Ti ke bërë deri në ditën e sotme shenja dhe mrekulli në vendin e Egjiptit, në Izrael dhe në mes njerëzve të tjerë dhe ke fituar një emër si ai i këtyre ditëve.

21 Ti e nxore popullin tënd nga vendi i Egjiptit me shenja dhe mrekulli, me dorë të fuqishme dhe me krah të shtrirë dhe me tmerr të madh.

22 Ti u dhe atyre këtë vend që ishe betuar t’ua jepje etërve të tyre, një vend ku rrjedh qumësht e mjaltë.

23 Ata hynë dhe e futën në dorë, nuk i janë bindur zërit tënd dhe nuk ecën në rrugën e ligjit tënd, nuk kanë bërë të gjitha ato që u kishe urdhëruar të bënin; prandaj ti solle mbi ta tërë këtë fatkeqësi.

24 Ja, ledhet arrijnë deri në qytet për ta shtënë në dorë; dhe qyteti lihet në dorë të Kaldeasve që luftojnë kundër tij me shpatën, me urinë dhe murtajën. Ndodhi ajo që ti ke thënë; ja, ti e shikon.

25 Megjithatë o Zot, o Zot, ti më ke thënë: "Bli me para fushën dhe thirr dëshmitarët, ndërsa qyteti është dhënë në dorë të Kaldeasve"".

26 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Jeremias duke thënë:

27 "Ja, unë jam Zoti, Perëndia i çdo mishi; a ka vallë ndonjë gjë tepër të vështirë për mua?".

28 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e Kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë.

29 Kaldeasit që luftojnë kundër këtij qyteti do të hyjnë në të, do t’i vënë zjarrin këtij qyteti dhe do ta djegin bashkë me shtëpitë mbi çatitë e të cilave i kanë djegur temjan Baalit dhe u kanë bërë libacione perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim.

30 Sepse bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë vetëm atë që është e keqe në sytë e mi qysh në fëmijërinë e tyre. Në fakt bijtë e Izraelit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse të provokonin zemërimin tim me veprën e duarve të tyre, thotë Zoti.

31 Sepse ky qytet, që nga dita që u ndërtua deri më sot, ka qënë për mua një provokim i zemërimit dhe i tërbimit tim; prandaj do ta zhduk nga prania ime,

32 për shkak të gjithë së keqes që bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës kanë bërë për të provokuar zemërimin tim, ata, mbretërit e tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre, njerëzit e Judës dhe banorët e Jeruzalemit.

33 Më kanë kthyer jo fytyrën, por kurrizin; dhe megjithëse i kam mësuar me urgjencë dhe me këmbëngulje, ata nuk më kanë dëgjuar për të marrë korrigjime.

34 Por kanë vënë gjërat e tyre të neveritshme në shtëpinë në të cilën përmendet emri im për ta ndotur.

35 Kanë ndërtuar gjithashtu vendet e larta të Baalit, që janë në luginën e bijve të Hinomit, në mënyrë që të kalojnë përmes zjarrit bijtë dhe bijat e tyre për nder të Molekut, gjë që unë nuk u kisha urdhëruar dhe nuk më kishte shkuar kurrë ndër mend se do të kryenin një gjë të tillë të neveritshme, duke e bërë Judën të mëkatojë".

36 Prandaj kështu thotë tani Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me këtë qytet, për të cilin ju thoni: "Ai do t’i jepet në dorë mbretit të Babilonisë, me anë të shpatës, të urisë dhe të murtajës".

37 "Ja, do t’i mbledh nga të gjitha vendet ku i kam shpërndarë gjatë zemërimit tim, tërbimit tim, indinjatës sime të madhe; do të bëj të kthehen në këtë vend dhe të banojnë të sigurt.

38 Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre.

39 Do t’u jap një zemër të vetme, një rrugë të vetme, me qëllim që të kenë frikë nga unë përjetë për të mirën e tyre dhe të bijve të tyre.

40 Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme; nuk do të largohem më prej tyre dhe do t’u bëj të mira dhe do të shtie në zemrën e tyre frikën, me qëllim që të mos më braktisin.

41 Do të ndjej gëzim duke u bërë të mirë dhe do t’i vendos në mënyrë të qëndrueshme në këtë vend me gjithë zemrën time dhe me gjithë shpirtin tim".

42 Sepse kështu thotë Zoti: "Ashtu si solla mbi këtë popull gjithë këtë fatkeqësi të madhe, kështu do të sjell mbi të tërë të mirat që u kam premtuar.

43 Do të blihen akoma ara në këtë vend, për të cilin ju thoni: "Éshtë një vend i shkretë ku s’ka më njerëz a kafshë; është dhënë në duart e Kaldeasve".

44 Do të blihen ara me para, do të nënshkruhen aktet, do të vulosen, do të thirren dëshmitarë në vendin e Beniaminit dhe në rrethinat e Jeruzalemit, në qytetin e Judës, në qytetet e krahinës malore, në qytetet e fushës, në qytetet e Negevit, sepse unë do të bëj të kthehen ata që janë në robëri," thotë Zoti.

Psalmet 1-2

Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,

por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.

Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.

Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.

Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.

Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?

Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,

duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".

Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.

Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,

dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.

Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.

Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.

Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".

10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.

11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.

12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.