M’Cheyne Bible Reading Plan
14 Sansoni zbriti në Timnah dhe aty pa një grua midis bijave të Filistejve.
2 Kur u kthye në shtëpi, foli për të me të atin dhe të ëmën, duke u thënë: Pashë në Timnah një femër midis bijave të Filistejve; ma merrni për gruaa".
3 Babai dhe nëna e tij i thanë: "A nuk ka vallë një grua midis bijave të vëllezërve të tu në gjithë popullin tonë, që ti të shkosh të marrësh një grua midis Filistejve të parrethprerë?". Por Sansoni iu përgjegj atit të tij me këto fjalë: "Merrma atë, sepse më pëlqen".
4 Por i ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti dhe që Sansoni kërkonte një rast kundër Filistejve. Në atë kohë, Filistejtë sundonin në Izrael.
5 Pastaj Sansoni zbriti me të atin dhe me të ëmën në Timnah; sapo arritën në vreshtat e Timnahut, një luan i vogël u doli përpara duke ulëritur.
6 Atëherë Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin, ashtu si shqyhet një kec; por nuk i tha asgjë atit dhe nënes së tij për atë që kishte bërë.
7 Pastaj zbriti dhe i foli gruas, dhe ajo i pëlqeu Sansonit.
8 Mbas disa ditësh ai u kthye për ta marrë me vete dhe doli nga rruga për të parë skeletin e luanit; dhe ja, në trupin e luanit kishte një mori bletësh dhe mjaltë.
9 Ai mori pak mjaltë në dorë dhe filloi ta hajë ndërsa po ecte; kur arriti tek i ati dhe tek e ëma, u dha edhe atyre dhe ata e hëngrën; por nuk u tha që e kishte marrë mjaltin nga trupi i luanit.
10 Pastaj i ati zbriti tek ajo grua, dhe aty Sansoni shtroi një gosti siç e kishin zakon të rinjtë.
11 Dhe ndodhi që, kur njërëzit e panë vendit, ata morën tridhjetë shokë, që të rrinin bashkë me të.
12 Sansoni u tha atyre: "Unë do t’ju propozoj një gjëzë; në rast se ju arrini të gjeni shpjegimin e saj të ma njoftoni brenda shtatë ditëve të gostisë, do t’ju jap tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash;
13 por në rast se nuk mund të ma shpjegoni, do të më jepni mua tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash".
14 Ata iu përgjegjën: "Propozo gjëzën tënde, që ta dëgjojmë". Ai u tha atyre: "Nga gllabëruesi doli ushqimi, dhe nga i forti doli e ëmbla". Tri ditë me radhë ata nuk arritën ta shpjegojnë gjëzën.
15 Ditën e shtatë i thanë bashkëshortes së Sansonit: "Mbushja mendjen burrit tënd që të na shpjegojë gjëzën; ndryshe do të të djegim ty dhe do t’i vëmë flakën shtëpisë së atit tënd. A na keni ftuar për të na zhveshur? Vallë a s’është ashtu?".
16 Gruaja e Sansonit qau para tij dhe i tha: "Ti ke vetëm urrejtje ndaj meje dhe nuk më do; ti u propozove një gjëzë bijve të popullit tim, por nuk ia shpjegova as atit tim; as nënës sime, pse duhet të ta shpjegoj ty?".
17 Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës. Kështu ditën e shtatë Sansoni ia shpjegoi, sepse e mërziste; pastaj ua shpjegoi gjëzën bijve të popullit të saj.
18 Njerëzit e qytetit, ditën e shtatë, para se të perëndonte dita, i thanë Sansonit: "A ka gjë më të ëmbël se mjalti? A ka gjë më të fortë se luani?". Dhe ai iu përgjegj atyre: "Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, nuk do ta kishit zgjidhur gjëzën time".
19 Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi të në mënyrë të fuqishme, dhe ai zbriti deri në Ashkelon, vrau tridhjetë njerëz nga ata, mori plaçkat e tyre dhe u dha ndërresat e rrobave atyre që e kishin shpjeguar gjëzën. Kështu zemërimi i tij u ndez; pastaj ai u ngjit përsëri në shtëpinë e të atit.
20 Por gruan e Sansonit ia dhanë shokut të tij, që kishte qenë shoku i tij më i mirë.
18 Pas këtyre gjërave Pali u nis nga Athina dhe erdhi në Korint.
2 Dhe si gjeti një farë Judeu, me emër Akuila, lindur në Pont, i ardhur rishtas nga Italia bashkë me gruan e tij Priskilën (sepse Klaudi kishte urdhëruar që të gjithë Judenjtë të largohen nga Roma), shkoi tek ata.
3 Dhe duke qenë se kishin të njëjtën mjeshtëri, shkoi të banojë me ta dhe punonte; se mjeshtëria e tyre ishte të bënin çadra.
4 Çdo të shtunë mësonte në sinagogë dhe bindte Judenj dhe Grekë.
5 Kur Sila dhe Timoteu zbritën nga Maqedonia, Pali shtyhej nga Fryma për t’u dëshmuar Judenjve se Jezusi ishte Krishti.
6 Por duke qenë se ata kundërshtonin dhe blasfemonin, ai i shkundi rrobat e tij dhe u tha atyre: “Gjaku juaj qoftë mbi kokën tuaj, unë jam i pastër; që tashti e tutje do të shkoj te johebrenjtë.”
7 Dhe, mbasi u largua prej andej, hyri në shtëpinë e një farë njeriu me emër Just, i cili i shërbente Perëndisë dhe e kishte shtëpinë ngjtur me sinagogën.
8 Dhe Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij; edhe shumë Korintas, duke dëgjuar Palin, besuan dhe u pagëzuan.
9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: “Mos druaj, por fol dhe mos pusho,
10 sepse unë jam me ty dhe askush nuk do të vërë dorë mbi ty që të të bëjë keq, sepse unë kam një popull të madh në këtë qytet.”
11 Kështu ai qëndroi atje një vit e gjashtë muaj, duke mësuar ndër ta fjalën e Perëndisë.
12 Por, kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, Judenjtë u ngritën me një mendje kundër Palit dhe e çuan në gjykatë,
13 duke thënë: “Ky ua mbush mendjen njerëzve t’i shërbejnë Perëndisë, në kundërshtim me ligjin.”
14 Dhe kur Pali donte të hapte gojën, Galioni u tha Judenjve: “Po të qe puna për ndonjë padrejtësi ose keqbërje, o Judenj, do t’ju dëgjoja me durim, sipas arsyes;
15 por nëse janë çështje për fjalë, për emra dhe ligjin tuaj, shikojeni ju vetë, sepse unë nuk dua të jem gjykatës i këtyre gjërave.”
16 Dhe i përzuri ata nga gjykata.
17 Atëherë të gjithë Grekët zunë Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës. Por Galioni nuk donte t’ia dinte fare për këto gjëra.
18 Dhe Pali, mbasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u nda nga vëllezërit dhe lundroi për në Siri me Priskilën dhe Akuilën, pasi e qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte bërë një premtim solemn.
19 Dhe, kur arriti në Efes, i la aty, po vetë hyri në sinagogë dhe filloi të diskutojë me Judenjtë.
20 Ata iu lutën të rrinte me ta më gjatë, por ai nuk pranoi;
21 por u nda prej tyre duke thënë: “Më duhet gjithsesi ta kaloj festën e ardhshme në Jeruzalem, por, në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju.” Dhe u nis nga Efesi nëpër det.
22 Si zbarkoi në Cezari, u ngjit në Jeruzalem, dhe si u përshëndet me kishën, zbriti në Antioki.
23 Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.
24 Por një Jude, me emër Apollo, lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit, arriti në Efes.
25 Ai ishte i mësuar në udhën e Zotit dhe, i zjarrtë në frymë, fliste dhe mësonte me zell gjërat e Zotit, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.
26 Ai filloi të flasë lirisht në sinagogë. Dhe, kur Akuila dhe Priskila e dëgjuan, e morën me vete dhe ia shtjelluan më thellë udhën e Perëndisë.
27 Pastaj, mbasi ai donte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër dhe u shkruan dishepujve që ta prisnin. Mbasi arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar me anë të hirit.
28 Ai në fakt, i kundërshtonte botërisht me forcë të madhe Judenjtë, duke treguar me anë të Shkrimeve se Jezusi është Krishti.
27 Në fillim të mbretërimit të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, kjo fjalë iu drejtua Jeremias nga Zoti:
2 "Kështu më ka thënë Zoti: Bëj lidhje dhe krijo zgjedhë dhe vari mbi qafën tënde;
3 pastaj ia dërgo mbretit Edom, mbretit të Moabit, mbretit të bijve të Amonit, mbretit të Tiros dhe mbretit të Sidonit, me anë të ambasadorëve të Sedekias, mbretit të Judës, të ardhur në Jeruzalem;
4 dhe jepu urdhër që t’u thonë kështu zotërive të tyre: "Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: Kështu do t’u thoni zotërive tuaj:
5 Unë kam bërë tokën, njerëzit dhe kafshët që janë mbi faqen e dheut, me fuqinë time të madhe dhe me krahun tim të shtrirë, dhe ia jap atij që më duket i mirë në sytë e mi.
6 Dhe tani tërë këto vende ia kam dhënë në dorë Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, shërbëtorit tim; atij i kam dhënë gjithashtu kafshët e fshatrave që t’i shërbejnë.
7 Kështu tërë kombet do t’i shërbejnë atij, birit të tij dhe birit të birit të tij, deri sa të vijë koha edhe për vendin e tij; atëherë shumë kombe me mbretër të fuqishëm do ta katandisin në robëri.
8 Dhe do të ndodhë që kombi ose mbretëria që nuk do të dëshirojë t’i shërbejë atij, Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, atë komb unë do ta dënoj,"" thotë Zoti, "me shpatën, me urinë dhe me murtajën, deri sa t’i kem shfarosur me dorë të tij.
9 Prandaj mos dëgjoni profetët tuaj, as shortarët tuaj, as ata që shikojnë ëndrra, as magjistarët tuaj që ju thonë: "Nuk do të robëroheni nga mbreti i Babilonisë!".
10 Po, ata ju profetizojnë gënjeshtra që t’ju largojnë nga vendi juaj, që unë t’ju shpërndaj dhe ju të vdisni.
11 Por kombin që do ta vërë qafën e tij nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë dhe do t’i shërbejë atij, unë do ta lë në vendin e tij," thotë Zoti, "dhe ai do ta punojë dhe do të qëndrojë aty".
12 Unë i fola, pra, Sedekias, mbretit të Judës, në përputhje me tërë këto fjalë dhe i thashë: "Përkulni qafën tuaj nën zgjedhën e mbretit të Babilonisë, i shërbeni atij dhe popullit të tij dhe do të jetoni.
13 Pse ti dhe populli yt dëshironi të vdisni nga shpata, nga uria dhe nga murtaja, ashtu si ka folur Zoti kundër kombit që nuk dëshiron t’i shërbejë mbretit të Babilonisë?
14 Prandaj mos dëgjoni fjalët e profetëve që ju thonë: "Nuk do t’i shërbeni mbretit të Babilonisë," sepse ju profetizojnë gënjeshtrën".
15 "Sepse unë nuk i kam dërguar," thotë Zoti, "por ata profetizojnë gënjeshtrën në emrin tim, me qëllim që unë t’ju shpërndaj dhe ju të vdisni, ju dhe profetët që ju profetizojnë".
16 U fola gjithashtu priftërinjve dhe tërë këtij populli, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Mos dëgjoni fjalët e profetëve tuaj që ju profetizojnëë duke thënë: "Ja, tani orenditë e shtëpisë të Zotit do të kthehen shpejt nga Babilonia," sepse ju profetizojnë gënjeshtrën.
17 Mos i dëgjoni ata! I shërbeni mbretit të Babilonisë dhe keni për të jetuar. Pse ky qytet duhet të katandiset në një shkretinë?
18 Në rast se janë profetë dhe fjala e Zotit është me ta, le të ndërhyjnë tani pranë Zotit të ushtrive në mënyrë që orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem, të mos shkojnë në Babiloni".
19 Kështu thotë Zoti i ushtrive për shtyllat, detin, qerret dhe pjesën tjetër të orendive që kanë mbetur në këtë qytet,
20 të cilat Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, nuk i mori, kur internoi Jekoniahun, birin e Jehojakimit, mbretit të Judës, nga Jeruzalemi në Babiloni së bashku me tërë fisnikët e Judës dhe të Jeruzalemit;
21 po, kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, për orenditë që kanë mbetur në shtëpinë e Zotit, në shtëpinë e mbretit të Judës dhe në Jeruzalem:
22 "Do të çohen në Babiloni dhe aty do të mbeten, deri sa t’i kërkoj unë," thotë Zoti, "dhe do të bëj të dalin përsëri dhe të kthehen në këtë vend".
13 Ndërsa ai po dilte nga tempulli, një nga dishepujt e vet i tha: “Mësues, shih ç’gurë e ç’ndërtesa!.”
2 Dhe Jezusi duke iu përgjigjur i tha: “A po i shikon këto ndërtesa të mëdha? Nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”
3 Dhe pasi ai ishte ulur mbi malin e Ullinjve përballë tempullit, Pjetri, Jakobi, Gjoni dhe Andrea e pyetën veçmas:
4 “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e kohës në të cilën të gjitha këto gjëra do të duhet të mbarohen?.”
5 Dhe Jezusi duke u përgjigjur atyre nisi të flasë: “Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri.
6 Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: "Unë jam!"; dhe do të mashtrohen shumë veta.
7 Por, kur të dëgjoni të flitet për luftëra dhe për ushtime luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi.
8 Në fakt do të ngrihet kombi kundër kombit dhe mbretëria kundër mbretërisë; do të ndodhin tërmete në vende të ndryshme, zi buke dhe turbullira. Këto gjëra nuk do të jenë tjetër veçse fillimi i dhembjeve të lindjes.
9 Kujdesuni për veten! Sepse do t’ju dorëzojnë gjyqeve dhe do t’ju rrahin ndër sinagoga; do t’ju nxjerrin përpara guvernatorëve dhe mbretërve, për shkakun tim, që të dëshmoni përpara tyre.
10 Por më parë duhet që t’u përhapet ungjilli gjithë popujve.
11 Tani, kur t’ju çojnë për t’ju dorëzuar në duart e tyre, mos u shqetësoni që më parë për atë që do të duhet të thoni dhe mos e paramendoni; por thoni çfarë t’ju jepet në atë çast, sepse nuk jeni ju që flisni, por Fryma e Shenjtë.
12 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i bëjnë të vdesin.
13 Dhe ju do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që do të ngulmojë deri në fund, do të shpëtohet.”
14 Dhe kur të shihni neverinë e shkatërrimit, të parathënë nga profeti Daniel, e cila qëndron atje ku nuk duhej të ishte (ai që lexon le ta kuptojë), atëherë ata që do të jenë në Jude, le të ikin maleve.
15 Dhe ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë, të mos zbresë, dhe as të hyjë në shtëpi për të marrë ndonjë gjë nga shtëpia e vet.
16 Dhe ai që do të jetë në arë, të mos kthehet prapa për të marrë rrobën e vet.
17 Tani mjerë gratë shtatzëna dhe ato me fëmijë në gji në ato ditë!
18 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër.
19 Sepse në atë ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë.
20 Dhe, nëse Zoti nuk do t’i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi.
21 Atëherë, nëse dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu!"; ose Éshtë atje,," mos e besoni.
22 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e çudi për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit.
23 Por ju kini kujdes; ja, unë ju paralajmërova çdo gjë.”
24 “Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë shkëlqimin e vet;
25 yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden.
26 Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi.
27 Atëherë ai do të dërgojë engjëjt e vet dhe do t’i mbledhë të zgjedhurit e vet nga të katër erërat, nga skaji i tokës deri në skaj të qiellit.
28 Tani mësoni nga shëmbëlltyra e fikut: kur degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethe, ju e dini se vera është afër.
29 Kështu edhe ju, kur do të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
30 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, derisa e gjithë kjo të ketë ndodhur.
31 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”
32 “Sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati.
33 Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë ai moment.
34 Éshtë sikurse një njeriu i cili, duke u nisur për rrugë, lë shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij, dhe portjerin e urdhëron të rrije zgjuar.
35 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes;
36 që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë.
37 Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar!.”