Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jozueu 20-21

20 Pastaj Zoti i foli Jozueut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Vendosuni në qytetet e strehimit, për të cilat ju fola me anë të Moisiut,

me qëllim që të mund të strehohet vrasësi që ka vrarë dikë pa dashje dhe pa paramendim; ato do të shërbejnë si vend strehimi për t’i shpëtuar hakmarrësit të gjakut.

Kur vrasësi do të ikë në një nga këto qytete, do të ndalet në hyrje të portës së qytetit dhe do t’ua parashtrojë rastin e tij pleqve të atij qyteti; këta do ta presin në qytetin e tyre, do t’i gjejnë vend dhe ai do të banojë me ta.

Në rast se hakmarrësi i gjakut do ta ndjekë, ata nuk do t’ia dorëzojnë vrasësin, sepse ai ka vrarë të afërmin e tij pa paramendim, pa e urryer më parë.

Vrasësi do të qëndrojë në atë qytet deri sa, me vdekjen e kryepriftit që do të jetë në funksion ato ditë, do të dalë në gjyq para asamblesë. Atëherë vrasësi mund të kthehet dhe të hyjë në qytetin e tij dhe në shtëpinë e tij, në qytetin nga i cili kishte ikur"".

Ata, pra, caktuan Kedeshin në Galile, në zonën malore të Neftalit, Sikemin në krahinën malore të Efraimit dhe Kiriath-Arbën (që është Hebroni), në krahinën malore të Judës.

Dhe matanë Jordanit, në lindje të Jerikos, caktuan Betserin në shkretëtirën e rrafshnaltës të fisit të Rubenit, Ramothin në Galaad të fisit të Gadit dhe Golanin në Bashan të fisit të Manasit.

Këto ishin qytetet që iu caktuan tërë bijve të Izraelit dhe të huajit që banonte midis tyre, në mënyrë që kushdo që kishte vrarë dikë pa dashje të mund të strehohej dhe të mos vritej nga hakmarrësi i gjakut, para se të dilte përpara asamblesë.

21 Kryetarët e familjeve të Levitëve u paraqitën para priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryetarëve të familjeve të fiseve të bijve të Izraelit,

dhe u folën në Shilon, në vendin e Kanaanit, duke u thënë: "Zoti urdhëroi, me anë të Moisiut, që të na jepeshin disa qytete për të banuar me kullota për bagëtinë tonë".

Kështu bijtë e Izraelit u dhanë Levitëve, duke i marrë nga trashëgimia e tyre, qytetet që vijojnë bashkë me toka për kullotë, simbas urdhrit të Zotit.

U hodh shorti për familjet e Kehathitëve; dhe bijve të priftit Aaron, që ishin Levitë, u ranë në short trembëdhjetë qytete nga fisi i Judës, nga fisi i Simeonit dhe nga fisi i Beniaminit.

Bijve të tjerë të Kehathit u ranë në short dhjetë qytete nga familjet e fisit të Efraimit, nga fisi i Danit dhe nga gjysma e fisit të Manasit.

Bijve të Gershonit u ranë në short trembëdhjetë qytete nga fisi i Isakarit, nga fisi i Neftalit dhe nga gjysmë fisi i Manasit në Bashan.

Bijve të Merarit, simbas familjeve të tyre, u ranë dymbëdhjetë qytete nga fisi i Rubenit, nga fisi i Gadit dhe nga fisi i Zabulonit.

Bijtë e Izraelit ua dhanë, pra, me short këto qytete me gjithë kullotat e tyre Levitëve, ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.

Kështu ata dhanë, duke i marrë nga fisi i bijve të Judës dhe nga fisi i bijve të Simeonit, qytetet e përmendura këtu,

10 që ranë në dorë të bijve të Aaronit që u përkisnin familjeve të Kehathitëve, bij të Levit, sepse hiseja e parë që u hodh me short u ra atyre.

11 Ata morën, pra, Kirjath-Arbën, domethënë Hebronin (Arba ishte ati i Anakut), në krahinën malore të Judës, me tokat e saj për kullotë rreth e qark;

12 por territorin e qytetit dhe fshatrat e tij ia dhanë Tsalebit, birit të Jenufehut, si pronë të tij.

13 Përveç kësaj u dhanë bijve të priftit Aaron Hebronin (si qytet strehimi për vrasësin) me të gjitha tokat për kullotë, Libnahun me tokat për kullotë,

14 Jatirin me tokat për kullotë, Eshtemoan me tokat për kullotë,

15 Holonin me tokat për kullotë, Debirin me tokat për kullotë,

16 Ainin me tokat e tij për kullotë, Jutahun me tokat e tij për kullotë dhe Beth-Shemeshin me tokat e tij për kullotë: nëntë qytete që u morën nga këto dy fise.

17 Nga fisi i Beniaminit, Gabaonin me tokat e tij për kullotë, Gebën me tokat e tij për kullotë,

18 Anatothin me tokat e tij për kullotë dhe Almonin me tokat e tij për kullotë: katër qytete.

19 Shuma e qyteteve të priftërinjve, bij të Aaronit, ishte trembëdhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë.

20 Familjeve të bijve të Kehathëve, domethënë Levitëve që mbeteshin, bij të Kehathit, u ranë qytete që u morën nga fisi i Efraimit.

21 Atyre iu dha Sikemi (si qytet për strehimin e vrasësit) me gjithë tokat për kullotë në krahinën malore të Efraimit, Gezeri me gjithë tokat për kullotë,

22 Kibtsaimi me tokat e tij për kullotë dhe Beth-Horoni me tokat e tij për kullotë: katër qytete.

23 Nga fisi i Danit: Eltekehu me tokat për kullotë, Gibethoni me gjithë tokat për kullotë,

24 Aijaloni me gjithë tokat për kullotë, Gath-Rimoni me gjithë tokat për kullotë: katër qytete.

25 Nga gjysma e fisit të Manasit: Taanaku me tokat e tij për kullotë, Gath-Rimoni me tokat e tij për kullotë: dy qytete.

26 Të gjitha këto dhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë u ranë familjeve të bijve të tjerë të Kehathit.

27 Bijve të Gershonit, që u përkisnin familjeve të Levitëve, u dhanë, duke i marrë nga gjysma e fisit të Manasit, Golanin në Bashan (si qytet për strehimin e vrasësit), me gjithë tokat për kullotë, dhe Beeshterahun me tokat e tij për kullotë: dy qytete;

28 nga fisi i Isakarit, Kishionin me tokat e tij për kullotë, Daberathin me tokat e tij për kullotë,

29 Jarmuthin me tokat e tij për kullotë, En-Ganimin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;

30 nga fisi i Asherit, Mishalin me tokat e tij për kullotë, Abdonin me tokat e tij për kullotë,

31 Helkathin me tokat e tij për kullotë dhe Rehobin, me tokat e tij për kullotë: katër qytete;

32 dhe nga fisi i Neftalit, Kadeshin në Galile (si qytet strehimi për vrasësin), me gjithë tokat e tij për kullotë, Hamoth-Dorin me tokat e tij për kullotë, dhe Kartanin me tokat e tij për kullotë; tri qytete.

33 Shuma e qyteteve të Gershonitëve, simbas familjeve të tyre, ishte trembëdhjetë qytete me tokat e tyre për kullotë.

34 Familjeve të bijve të Merarit, domethënë Levitëve të tjerë, iu dhanë, duke i marrë nga fisi i Zabulonit, Jokneamin me tokat e tij për kullotë, Kartahin me tokat e tij për kullotë,

35 Dimnahun me tokat e tij për kullotë dhe Nahalalin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;

36 nga fisi i Rubenit, Betserin me tokat e tij për kullotë, Jatsahun me tokat e tij për kullotë,

37 Kedmothin me tokat e tij për kullotë dhe Mefaathin me tokat e tij për kullotë: katër qytete;

38 dhe nga fisi i Gadit, Ramothin në Galaad (si qytet strehimi për vrasësin), me tokat e tij për kullotë, Mahanaimin me tokat e tij për kullotë,

39 Heshbonin me tokat e tij për kullotë dhe Jazerin me tokat e tij për kullotë: gjithsejt katër qytete.

40 Shuma e qyteteve që iu dhanë me short bijve të Merarit, simbas familjeve të tyre që përbënin familjet e Levitëve të tjerë, ishin dymbëdhjetë qytete.

41 Shuma e qyteteve të Levitëve në mes të zotërimeve të bijve të Izraelit ishte dyzet qytete me tokat e tyre për kullotë.

42 Secili nga këto qytete kishte rreth e qark toka për kullotë; e njëjta gjë ishte në çdo qytet.

43 Kështu Zoti i dha Izraelit tërë vendin që ishte betuar t’ua jepte etërve të tyre, dhe bijtë e Izraelit e pushtuan dhe banuan në të.

44 Zoti u siguroi pushim rreth e qark, siç u ishte betuar etërve të tyre; asnjë nga armiqtë e tyre nuk mundi t’u bëjë ballë; Zoti i dorëzoi tërë armiqtë në duart e tyre.

45 Nuk ra për tokë asnjë nga fjalët që Zoti i pati thënë shtëpisë së Izraelit; të tëra u vërtetuan.

Veprat e Apostujve 1

Tregimin e parë e bëra, o Teofil, mbi të gjitha gjërat që Jezusi nisi të bëjë dhe të mësojë,

deri në ditën në të cilën u muarr në qiell, pasi u kishte dhënë urdhërime nëpërmjet Frymës së Shenjtë apostujve që ai kishte zgjedhur.

Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë.

Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: “Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë,

sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh.”

Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: “Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?.”

Por ai u tha atyre: “Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet.

Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut.”

Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre.

10 Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre,

11 dhe thanë: “Burra Galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell.”

12 Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.

13 Dhe, si u kthyen në qytet, u ngjitën në sallën e sipërme, ku rrinin Pjetri dhe Jakobi, Gjoni dhe Andrea, Filipi dhe Thomai, Bartolomeu dhe Mateu, Jakobi i Alfeut dhe Simon Zellshmi, dhe Juda i Jakobit.

14 Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jezusit, dhe me vëllezërit e tij.

15 Në ato ditë Pjetri u çua në mes të dishepujve (dhe numri i emrave të mbledhur ishte rreth njëqind e njëzet) dhe tha:

16 “Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin.

17 Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë.

18 Ai, pra, fitoi një arë, me shpërblimin e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën.

19 Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: "Ara e gjakut".

20 Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: “Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!,” dhe: “Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!.”

21 Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh,

22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u muarr në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij.”

23 Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia.

24 Dhe, duke u lutur, thanë: “Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur,

25 për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij.”

26 Atëherë hodhën short, dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.

Jeremia 10

10 Dëgjoni fjalën që Zoti po ju drejton, o shtëpia e Izraelit.

Kështu thotë Zoti: "Mos mësoni të ndiqni rrugën e kombeve dhe mos kini frikë nga shenjat e qiellit, sepse janë kombet që kanë frikë prej tyre.

Sepse zakonet e popujve janë kotësi: sepse është si dikush që pret një dru në pyll, puna e duarve të një punëtori me sëpatë.

E zbukurojnë me argjend dhe me ar, e fiksojnë me gozhda dhe çekiçë që të mos lëvizë nga vendi.

Idhujt qëndrojnë drejt si një palmë dhe nuk mund të flasin; duhet t’i mbartësh, sepse nuk mund të ecin. Mos kini frikë prej tyre, sepse nuk mund të bëjnë asnjë të keqe dhe as që kanë mundësinë të bëjnë të mirë".

Askush nuk është i ngjashëm me ty, o Zot; ti je i madh dhe emri i yt është i madh në fuqi.

Kush nuk do të kishte frikë prej teje, o mbret i kombeve? Po, kjo të detyrohet, sepse midis gjithë njerëzve të ditur të kombeve, në të gjitha mbretëritë e tyre nuk ka njeri të ngjashëm me ty.

Janë të gjithë budallenj dhe pa arsye; idhulli i tyre prej druri është një doktrinë pa asnjë vlerë.

Argjend i petëzuar i sjellë nga Tarshishi dhe ar nga Ufazi, punë zejtari dhe dorë argjendari; rrobja e tyre është e purpurt dhe e kuqe flakë, punime të dala nga duart e njerëzve ekspertë.

10 Por Zoti është Perëndia i vërtetë, ai është Perëndia i gjallë dhe mbreti i përjetshëm. Para zemërimit të tij toka dridhet dhe kombet nuk mund të qëndrojnë përpara indinjatës së tij.

11 Kështu do t’u thoni atyre: "Perënditë që nuk kanë bërë qiejt dhe tokën do të zhduken nga toka dhe nën qiellin".

12 Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij.

13 Kur nxjerr zërin e tij ka një zhurmë ujërash në qiell; ai i bën avujt të ngjiten nga skajet e tokës, prodhon vetëtimat për shiun dhe nxjerr erën nga rezervuaret e tij.

14 Atëherë çdo njeri bëhet pa mend, pa dituri; çdo argjendari i vjen turp për shëmbëlltyrën e gdhendur të tij sepse shëmbëlltyra e tij e derdhur është e rreme dhe në të nuk ka frymë.

15 Janë kotësi, punë mashtrimi; në kohën e ndëshkimit të tyre kanë për të vdekur.

16 Pjesa e Jakobit nuk është si ata, sepse Ai ka formuar tërë gjërat, dhe Izraeli është fisi i trashëgimisë së tij. Emri i tij është Zot i ushtrive."

17 "Mblidh sendet e tua nga vendi, ti që je i rrethuar".

18 Sepse kështu thotë Zoti: "Ja, këtë herë do t’i hedh larg banorët e vendit dhe do t’u sjell një fatkeqësi të madhe, me qëllim që të më gjejnë përsëri".

19 Mjerë unë për plagën time, plaga ime është e dhembshme. Por unë kam thënë: "Kjo është një sëmundje që unë duhet ta duroj".

20 Çadra ime është shkatërruar dhe të gjithë litarët e mi janë këputur; bijtë e mi kanë shkuar larg meje dhe nuk janë më; nuk ka më asnjë që të vendosë çadrën time apo të ngrerë shatorret e mia.

21 Sepse barinjtë kanë qenë pa mend dhe nuk kanë kërkuar Zotin; prandaj nuk kanë pasur mbarësi dhe tërë kopeja e tyre është shpërndarë.

22 Ja, po vjen një zhurmë lajmesh dhe një rrëmujë e madhe nga vendi i veriut, për t’i katandisur qytetet e Judës si shkretëtira, si strehim për çakejtë.

23 O Zot, unë e di që rruga e njeriut nuk varet nga fuqia e tij dhe njeriu që ecën nuk ka fuqi të drejtojë hapat e tij.

24 Më korrigjo, o Zot, por me drejtësi, jo në zemërimin tënd për të mos më reduktuar në asgjë.

25 Lëshoje zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi popujt që nuk përmendin emrin tënd, sepse kanë gllabëruar Jakobin; po, e kanë gllabëruar dhe konsumuar dhe kanë shkatërruar banesën e tij.

Mateu 24

24 Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t’i treguar ndërtesat e tempullit.

Por Jezusi u tha atyre: “A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet.”

Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?.”

Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!

Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.

Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.

Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.

Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.

Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

10 Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin.

11 Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.

12 Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria;

13 por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.

14 Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.”

15 “Kur të shihni, pra, neverinë e shkretimit, që është parathënë nga profeti Daniel, që ka zënë vend në vendin e shenjtë (kush lexon le ta kuptojë),

16 atëherë ata që janë në Jude, le të ikin ndër male.

17 Kush ndodhet mbi taracën e shtëpisë, të mos zbresë për të marrë diçka në shtëpinë e vet;

18 dhe kush është ndër ara, të mos kthehet për të marrë mantelin e tij.

19 Por mjerë gratë shtatzëna dhe ato që do t’u japin gji fëmijëve në ato ditë!

20 Dhe lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër, as të shtunën,

21 sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur kurrë që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!

22 Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.

23 Atëherë, në qoftë se dikush do t’ju thotë: "Ja, Krishti është këtu," ose "Éshtë atje," mos i besoni.

24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit.

25 Ja, unë ju paralajmërova.

26 Pra, në qoftë se ju thonë: "Ja, është në shkretëtirë," mos shkoni atje: Ja, është në dhomat e fshehta,," mos u besoni.

27 Sepse, si vetëtima që del nga lindja dhe flakëron deri në perëndim, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut.

28 Sepse ku të ketë kërma, aty do të mblidhen shqiponjat.”

29 “Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.

30 Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.

31 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.

32 Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër.

33 Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.

34 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.

35 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.

36 Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s’e di, as engjëjt e qieive, por vetëm Ati im.

37 Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut.

38 Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë;

39 dhe nuk kuptuan asgjë, deri sa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut.

40 Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet.

41 dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet.

42 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.

43 Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t’i shpërthehej shtëpia.

44 Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni.”

45 “Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t’u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur?

46 Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu.

47 Në të vërtetë po ju them se ai do t’ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet.

48 Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: Zotëria ime vonon të vijë,,"

49 dhe fillon t’i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët;

50 zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di;

51 do ta ndëshkojë rëndë dhe do t’i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh.”