M’Cheyne Bible Reading Plan
8 Pastaj Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë dhe mos u tmerro. Merr të gjithë luftëtarët e tu dhe nisu dhe sulmo Ain. Shiko, unë po të jap në dorë mbretin e Ait, popullin e tij, qytetin e tij dhe vendin e tij.
2 Dhe do t’u bësh Ait dhe mbretit të tij ato që u ke bërë Jerikos dhe mbretit të tij; do të merrni për vete vetëm plaçkën dhe bagëtinë e tij. Zëri një pritë qytetit në pjesën e prapme të tij.
3 Kështu Jozueu dhe të gjithë luftëtarët e tij u ngritën më këmbë për të sulmuar Ain. Ai zgjodhi tridhjetë mijë njerëz, luftëtarë trima, dhe i nisi natën,
4 duke u dhënë këtë urdhër: "Ja, ju do të rrini në pritë kundër qytetit, duke qëndruar prapa tij; mos u largoni shumë nga qyteti, por rrini gjithnjë në gatishmëri.
5 Pastaj unë dhe tërë njerëzit që janë me mua do t’i afrohemi qytetit; dhe kur ata do të dalin kundër nesh si herën e parë, ne do të ikim para tyre.
6 Ata do të dalin për të na ndjekur deri sa t’i kemi tërhequr larg qytetit, sepse do të thonë: "Ikin me vrap para nesh si herën e parë". Dhe, ndërsa ne do të ikim me vrap para tyre,
7 ju do të dilni nga prita dhe do të pushtoni qytetin, sepse Zoti, Perëndia juaj, do ta japë në duart tuaja.
8 Me ta pushtuar qytetin, do t’i vini flakën; do të bëni atë që ka urdhëruar Zoti. Kini mendjen, ky është urdhri që ju jap".
9 Kështu Jozueu i nisi; ata shkuan në vendin e pritës dhe u ndalën midis Bethelit dhe Ait, në krahun perëndimor të Ait; por Jozueu mbeti atë natë në mes të popullit.
10 Jozueu u ngrit herët në mëngjes, kaloi në paradë popullin dhe u ngjit bashkë me pleqtë e Izraelit në krye të popullit kundër Ait.
11 Tërë luftëtarët që ishin me të u ngjitën dhe u afruan; kështu arritën përballë qytetit dhe fushuan në veri të Ait. Midis tyre dhe Ait kishte një luginë.
12 Atëherë ai mori rreth pesëmijë njerëz dhe i vuri në pritë midis Bethelit dhe Ait, në perëndim të qytetit.
13 Pasi populli zuri pozicion, kampi qendror ishte në pritë në perëndim të qytetit, Jozueu atë natë përparoi në mes të luginës.
14 Kur mbreti i Ait pa këtë gjë, njerëzit e qytetit u ngritën herët me ngut në mëngjes dhe dolën për të luftuar kundër Izraelit: mbreti dhe tërë populli i tij, në pozicionin e caktuar përballë Arabahut; por mbreti nuk e dinte që i kishin zënë pritë në pjesën prapa qytetit.
15 Atëherë Jozueu dhe i tërë Izraeli, duke u shtirur sikur ishin mundur para tyre, ua mbathën këmbëve në drejtim të shkretëtirës.
16 I tërë populli që ndodhej në qytet u thirr të mblidhej për t’i ndjekur; kështu e ndoqën Jozueun dhe shkuan larg qytetit.
17 S’mbeti burrë në Ai dhe në Bethel pa dalë pas Izraelit. E lanë kështu qytetin të hapur dhe iu vunë pas Izraelit.
18 Atëherë Zoti i tha Jozueut: "Shtrije shtizën që ke në dorë në drejtim të Ait, sepse unë do të ta dorëzoj në dorë". Dhe Jozueu e shtriu shtizën që kishte në dorë në drejtim të qytetit.
19 Me të shtrirë dorën, burrat që ishin në pritë u ngritën me të shpejtë nga vendi i tyre, hynë në qytet, e zunë dhe nxituan t’i vënë flakën.
20 Kur njerëzit e Ait shikuan prapa, ja, ata panë tymin e qytetit që ngjitej në qiell; dhe nuk patën asnjë mundësi të iknin as nga një anë, as nga ana tjetër, sepse populli që ikte me vrap në drejtim të shkretëtirës u kthye kundër atyre që e ndiqnin.
21 Kështu, kur Jozueu dhe i tërë Izraeli panë që njerëzit e pritës e kishin pushtuar qytetin dhe që tymi i tij ngrihej lart, u kthyen prapa dhe mundën njerëzit e Ait.
22 Edhe të tjerët dolën nga qyteti kundër tyre; kështu ata të Ait u gjendën të zënë në kurth në mes të forcave të Izraelit, duke pasur nga një anë njërën palë, nga ana tjetër palën tjetër; dhe i mundën deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë apo ikanak.
23 Por mbretin e Ait e zunë të gjallë dhe e çuan tek Jozueu.
24 Kur Izraeli mbaroi së vrari tërë banorët e Ait në fushë dhe në shkretëtirë ku ata e kishin ndjekur, dhe u therën të gjithë deri sa u shfarosën të tërë, gjithë Izraeli u kthye në drejtim të Ait dhe i ra me shpatë.
25 Tërë ata që u vranë atë ditë, burra dhe gra, ishin dymbëdhjetë mijë veta, të gjithë banorë të Ait.
26 Jozueu nuk e uli dorën që mbante shtizën, deri sa i shfarosi të gjithë banorët e Ait.
27 Izraeli mori për vete vetëm bagëtinë dhe plaçkën e atij qyteti, simbas urdhrit që Zoti i kishte dhënë Jozueut.
28 Kështu Jozueu i vuri flakën Ait dhe e katandisi në një grumbull gërmadhash për gjithnjë, një vend të shkretuar deri ditën e sotme.
29 Pastaj e vari mbretin e Ait në një dru dhe e la atje deri në mbrëmje; në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi që kufoma e tij të ulej nga druri, të hidhej në hyrje të portës së qytetit dhe mblodhën mbi të një numër të madh gurësh, që shihen edhe sot.
30 Atëherë Jozueu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal,
31 ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, u kishte urdhëruar bijve të Izraelit, siç shkruhet në librin e ligjit të Moisiut, u ngrit një altar gurësh të palatuar mbi të cilët askush nuk kish kaluar, ndonjë vegël të hekurt; pastaj mbi të bënë olokauste për Zotin dhe flijime falënderimi.
32 Aty Jozueu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit, që Moisiu pati shkruar në prani të bijve të Izraelit.
33 I tërë Izraeli, si të huajt ashtu edhe ata që kishin lindur izraelitë, pleqtë, oficerët dhe gjykatësit e tij, rrinin më këmbë në të dyja anët e arkës, përballë priftërinjve levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar më parë, për të bekuar popullin e Izraelit.
34 Pas kësaj, Jozueu lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjit.
35 Nga të gjitha ato që kishte urdhëruar Moisiu, Jozueu nuk la pa lexuar asnjë fjalë përpara gjithë asamblesë së Izraelit, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre.
139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.
2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.
3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.
4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.
5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.
6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.
7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?
8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.
9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,
10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.
11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:
12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.
13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.
14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.
15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.
16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.
17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!
18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.
19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.
20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.
21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?
22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.
23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.
24 dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.
2 Fjala e Zotit m’u drejtua akoma për të thënë:
2 "Shko dhe bërtit në veshët e Jeruzalemit, duke thënë: Kështu thotë Zoti: Unë të kujtoj ty, kujdesin e dhembshur të rinisë sate, dashurinë në kohën e fejesës sate, kur më ndiqje në shkretëtirë në një tokë të pa mbjellë.
3 Izraeli i ishte shenjtëruar Zotit, prodhimet e para të korrjes së tij; tërë ata që i hanin bëheshin fajtorë dhe fatkeqësia binte mbi ta," thotë Zoti.
4 Dëgjoni fjalën e Zotit, o shtëpi e Jakobit, dhe ju të gjitha familjet e shtëpisë së Izraelit.
5 Kështu thotë Zoti: "Çfarë kanë gjetur të padrejtë tek unë etërit tuaj për t’u larguar nga unë, për të shkuar pas kotësisë dhe për t’u bërë ata vetë kotësi?
6 As nuk kanë thënë: "Ku është Zoti që na nxori nga vendi i Egjiptit, që na udhëhoqi nëpër shkretëtirë, nëpër një vend të thatë dhe me gremina, në një vend të zhuritur dhe me hije të vdekjes, nëpër një vend ku asnjeri nuk kishte kaluar dhe ku asnjeri nuk kishte banuar?".
7 Unë ju kam çuar në një vend pjellor që të hanit frytet e tij dhe të mirat e tij; por kur keni hyrë keni ndotur vendin tim dhe e keni bërë trashëgiminë time një gjë të neveritshme.
8 Priftërinjtë nuk kanë thënë: "Ku është Zoti?," ata që meren me ligjin nuk më njohën, barinjtë ngritën krye kundër meje, profetët profetizuan për Baalin dhe shkuan pas gjërave që nuk vlejnë asgjë.
9 Prandaj do t’ju padis akoma në gjyq," thotë Zoti, "dhe do t’u bëj gjyq bijve të bijve tuaj.
10 Shkoni në ishujt e Kitimit dhe shikoni, dërgoni njerëz në Kedar dhe kqyrni mirë nëse ka ndodhur një gjë e tillë.
11 A ka ndryshuar ndonjë komb perënditë e tij, edhe pse ato nuk janë perëndi? Por populli im e ka ndërruar lavdinë e tij për diçka që nuk vlen asgjë.
12 Habituni, o qiej, me këtë; lebetituni dhe dëshpërohuni shumë," thotë Zoti.
13 "Sepse populli im ka kryer dy të këqija: më ka braktisur mua, burimin e ujit që rrjedh, për të hapur sterna, sterna të prishura, që nuk e mbajnë ujin.
14 Izraeli a është vallë një skllav, o një skllav i lindur në shtëpi? Pse pra, u bë një pre?
15 Luanët e vegjël vrumbullojnë kundër tij, bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre dhe e katandisin vendin e tij në një shkatërrim të plotë; qytetet e tij janë djegur dhe askush nuk banon më në to.
16 Madje dhe banorët e Nofit dhe të Tahpanhesit të hanë kurorën që ke mbi kokë.
17 Mos vallë ti u bëre shkak që të të bjerë kjo mbi krye, sepse ke braktisur Zotin, Perëndinë tënd, ndërsa të udhëhiqte nëpër rrugë?
18 Dhe tani pse ke marrë rrugën që të çon për në Egjipt, për të shkuar të pish ujërat e Shihorit? Ose pse ke marrë rrugën që të çon në Asiri, për të shkuar të pish ujërat e Lumit?
19 Vetë sjellja jote e keqe dhe shmangiet e tua do të të dënojnë. Prano, pra, dhe shiko sa e keqe dhe e hidhur për ty është të braktisësh Zotin, Perëndinë tënd, dhe të mos kesh fare frikë nga unë," thotë Zoti, Zoti i ushtrive.
20 "Sepse prej shumë kohe ke thyer zgjedhën tënde, ke prerë lidhjet e tua dhe ke thënë: "Nuk dua të shërbej më!". Por mbi çdo kodër të lartë dhe nën çdo pemë të gjelbër ti je shtrirë si një prostitutë.
21 Megjithatë të kisha mbjellë si një vresht fisnik i tërë i cilësisë më të lartë; si ke ndryshuar, pra, ndaj meje në degë të degjeneruara vreshti të huaj?
22 Edhe sikur të laheshe me sodë dhe të përdorje shumë sapun, paudhësia jote do të linte një njollë të pashlyeshme para meje," thotë Perëndia, Zoti.
23 "Si mund të thuash: "Nuk jam e ndotur, nuk u kam vajtur pas Baalëve"? Shiko rrugën që ke përshkuar në luginë, prano atë që ke bërë, deve e shpejtë, që vrapon pa fre në rrugët e saj.
24 Gomaricën e egër, që është mësuar në shkretëtirë, që merr frymë në afshin e dëshirës së saj; kush mund ta përmbajë në stinën e dashurisë? Të gjithë ata që e kërkojnë nuk duhet të lodhen: do ta gjejnë në muajin e vet.
25 Pengo që këmba jote të mbetet zbathur dhe që të të thahet gryka. Por ti ke thënë: "Eshtë e kotë. Jo! Unë i dua të huajt dhe dëshiroj të shkoj pas tyre".
26 Ashtu si mbetet i hutuar vjedhësi kur kapet në flagrancë, kështu janë të hutuar ata të shtëpisë së Izraelit, ata vetë, mbreti i tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre,
27 të cilët i thonë drurit: "Ti je ati im" dhe gurit: "Ti na ke dhënë jetën". Po, ata më kanë kthyer kurrizin dhe jo fytyrën. Por në kohën e fatkeqësisë së tyre thonë: "Çohu dhe na shpëto!".
28 Po ku janë perënditë e tua që ti ke sajuar? Le të ngrihen po qe se mund të të shpëtojnë në kohën e fatkeqësisë sate. Sepse të shumtë si qytetet e tua janë perënditë e tua, o Judë.
29 Pse grindeni me mua? Ju të gjithë keni ngritur krye kundër meje," thotë Zoti.
30 "Më kot i kam goditur bijtë tuaj; nuk e pranuan korrigjimin. Shpata juaj i ka përpirë profetët tuaj si një luan shkatërrimtar.
31 O brezni, ki parasysh fjalën e Zotit! A kam qenë vallë një shkretëtirë për Izraelin ose një vend me errësirë të dendur? Sepse populli im thotë: "Ne endemi lirisht, nuk do të kthehemi më te ti"?
32 A mund t’i harrojë një vajzë stolitë e saj ose një nuse brezin e saj? Megjithatë populli im më ka harruar nga një numër shumë i madh ditësh.
33 Sa bukur di t’i përdorësh mënyrat e tua për të siguruar dashurinë! Kështu ua ke mësuar mënyrat e tua madje edhe grave të këqija.
34 Bile edhe në cepat e rrobës sate gjendet gjaku i të pafajmëve të mjerë, që nuk u kapën duke bërë vjedhje me thyerje. Por me gjithë këto gjëra,
35 ti thua: "Jam e pafaj; me siguri zemërimi i tij është tërhequr nga unë". Ja, unë do të hyj në gjyq me ty sepse ke thënë: "Nuk kam mëkatuar".
36 Pse endesh poshtë e përpjetë, duke ndryshuar rrugën tënde? Do të mbetesh e zhgënjyer edhe nga Egjipti, ashtu siç u zhgënjeve nga Asiria.
37 Edhe prej këtij do të dalësh me duart mbi kokë, sepse Zoti ka hedhur poshtë ata te të cilët ti ke besim, dhe ti nuk do të realizosh me anë të tyre qëllimet e tua.
16 Pastaj iu afruan farisenjtë dhe saducenjtë dhe, për ta tunduar, i kërkuan që t’u tregojë një shenjë nga qielli.
2 Por ai iu përgjigj atyre dhe tha: “Në mbrëmje ju thoni: "Do të jetë mot i mirë, sepse qielli është i kuq".
3 Dhe në mëngjes thoni: "Sot do të jetë stuhi, sepse qielli është i kuq dhe i vranët". Hipokritë, pra, ju dini të dalloni dukuritë e qiellit, por nuk arrini të kuptoni shenjat e kohës?
4 Një brez i mbrapshtë dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së profetit Jona.” Dhe i la ata dhe shkoi.
5 Kur dishepujt e vet arritën në bregun tjetër, ja që kishin harruar të marrin bukë me vete.
6 Dhe Jezusi u tha atyre: “Kini kujdes dhe ruhuni nga majaja e farisenjve dhe e saducenjve!.”
7 Dhe ata arsyetuan ndërmjet tyre duke thënë: “Se nuk kemi marrë bukë.”
8 Por Jezusi i vuri re e iu tha atyre: “O njerëz besimpakë, përse diskutoni ndërmjet jush që nuk keni marrë bukë?
9 Nuk e keni kuptuar akoma dhe nuk kujtoni të pesë bukët për pesë mijë burrat dhe sa kosha keni mbledhur?
10 Dhe të shtatë bukët për katër mijë bu-rra dhe sa kosha keni mbushur?
11 Si nuk kuptoni që nuk e kisha fjalën për bukën kur ju thashë të ruheni nga majaja e farisenjve dhe saducenjve?.”
12 Atëherë ata e kuptuan se ai nuk u kishte thënë të ruheshin nga majaja e bukës, por nga doktrina e farisenjve dhe të saducenjve.
13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: “Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?.”
14 Dhe ata thanë: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.”
15 Ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam unë?.”
16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”
17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.”
20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.
21 Që nga ai çast Jezusi filloi t’u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë.
22 Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: “O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë.”
23 Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: “Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s’ke ndër mënd punët e Perëndisë, por punët e njerëzve.”
24 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në qoftë se dikush don të vijë pas meje, ta mohojë vetveten, ta marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.
25 Sepse ai që do të dojë ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë jetën e vet për hirin tim, do ta gjejë atë.
26 Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet? Ose çfarë do të japë njeriu si shkëmbim të shpirtit të vet?
27 Sepse Biri i njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e tij; dhe atëherë ai do të shpërblejë secilin sipas veprës së tij.
28 Në të vërtetë ju them se disa nga ata që janë të pranishëm këtu nuk do të vdesin pa e shikuar më parë Birin e njeriut duke ardhur në mbretërinë e vet.”