Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Gjyqtarët 9

Abimeleku, bir i Jerubaalit, shkoi në Sikem te vëllezërit e nënes së tij dhe foli me ta dhe me gjithë familjen e atit të nënes së tij, duke thënë:

"U thoni gjithë banorëve të Sikemit: "Ç’është më e mirë për ju, që të gjithë shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit të mbretërojnë mbi ju, apo të mbretërojë mbi ju vetëm një?". Dhe mos harroni që unë rrjedh nga kocka dhe mishi juaj".

Vëllezërit e nënes së tij i përhapën këto fjalë të tij tërë banorëve të Sikemit; dhe zemra e tyre anoi në dobi të Abimelekut, sepse thanë: "Éshtë vëllai ynë".

Kështu i dhanë shtatëdhjetë sikla argjendi, që i tërhoqën nga tempulli i Baal-Berithit, me të cilat Abimeleku rekrutoi njerëz pa kurrfarë vlere, por trima; dhe ata i shkuan pas.

Pastaj ai shkoi në shtëpinë e atit të tij në Ofrah dhe vrau mbi po atë gur vëllezërit e tij, të shtatëdhjetë bijtë e Jerubaalit. Por Jothami biri më i vogël i Jerubaalit, shpëtoi sepse ishte fshehur.

Atëherë tërë banorët e Sikemit dhe tërë shtëpia e Milos u mblodhën dhe shkuan ta shpallin mbret Abimelekun, pranë lisit të monumentit që gjendet në Sikem.

Kur Jothami u informua për këtë gjë, shkoi dhe zuri në majën e malit Gerezim dhe, duke ngritur zërin, thirri: "Dëgjomëni, banorë të Sikemit, dhe Perëndia të mund t’ju dëgjojë!

Një ditë drurët u nisën për të vajosur një mbret që të mbretëronte mbi ta; dhe i thanë ullirit: "Mbretëro mbi ne".

Por ulliri u përgjegj me këto fjalë: "A duhet të heq dorë nga vaji im metë cilin Perëndia dhe njerëzit nderohen, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

10 Atëherë drurët i thanë fikut: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

11 Por fiku iu përgjegj atyre: "A duhet të heq dorë nga ëmbëlsia ime dhe nga fruti im shumë i shijshëm dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

12 Atëherë drurët iu drejtuan hardhisë: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

13 Por hardhia u përgjegj kështu: "A duhet të heq dorë nga vera ime e ëmbël që gëzon Perëndinë dhe njerëzit, dhe të shkoj të shqetësohem për drurët?".

14 Atëherë tërë drurët i thanë ferrës: "Eja ti të mbretërosh mbi ne".

15 Ferra iu përgjegj me këto fjalë drurëve: "Në rast se doni me të vërtetë të më vajosni si mbret për të sunduar mbi ju, ejani të strehoheni nën hijen time; përndryshe daltë një zjarr nga ferra dhe përpiftë kedrat e Libanit!".

16 Por ju nuk u suallët me besnikëri dhe me ndershmëri duke e shpallur mbret Abimelekun, nuk mbajtët një qëndrim të mirë ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij dhe nuk e keni trajtuar siç e meritonte,

17 sepse im atë ka luftuar për ju, ka rrezikuar jetën e vet dhe ju ka çliruar nga sundimi i Madianit.

18 Kurse sot ju keni ngritur krye kundër shtëpisë së atit tim, keni vrarë të shtatëdhjetë bijtë e tij mbi po atë gur dhe keni shpallur mbret të Sikemitëve Abimelekun, birin e shërbëtores, sepse është vëllai juaj.

19 Në rast se sot keni vepruar me besnikëri dhe ndershmëri ndaj Jerubaalit dhe shtëpisë së tij, atëherë e gëzofshi Abimelekun dhe ai u gëzoftë me ju!

20 Por në rast se punët nuk janë kështu, le të dalë nga Abimeleku një zjarr që të gllabërojë banorët e Sikemit dhe shtëpinë e Milos, dhe le të dalë nga banorët e Sikemit dhe nga shtëpitë e Milos një zjarr që të gllabërojë Abimelekun".

21 Pastaj Jothemi iku, ia mbathi dhe shkoi të banojë në Beer nga frika e vëllait të tij Abimelek.

22 Abimeleku sundoi tre vjet mbi Izraelin.

23 Pastaj Perëndia dërgoi një frymë të keq midis Abimelekut dhe banorëve të Sikemit, dhe banorët e Sikemit e tradhtuan Abimelekun,

24 me qëllim që dhuna e ushtruar kundër të shtatëdhjetë bijve të Jerubaalit të zgjidhej dhe gjaku i tyre të binte mbi vëllanë e tyre Abimelek, që i kishte vrarë dhe mbi banorët e Sikemit, që e kishin ndihmuar të vriste vëllezërit e tij.

25 Banorët e Sikemit vunë njerëz në pritë kundër tij në majën e maleve, dhe këta plaçkitën tërë ata që kalonin në rrugë afër tyre. Abimeleku u informua për këtë.

26 Pastaj Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij erdhën dhe u transferuan në Sikem, dhe banorët e Sikemit krijuan besim tek ai.

27 Ata dolën në ara, mblodhën rrushin në vreshtat e tyre, e shtypën dhe bënë festë. Pastaj hynë në shtëpinë e zotit të tyre, hëngrën, pinë dhe mallkuan Abimelekun.

28 Gaali, bir i Ebedit, tha: "Kush është Abimeleku dhe çfarë përfaqëson Sikemi, pse duhet t’i shërbejmë? A nuk është vallë bir i Jerubaalit, dhe a nuk është Zebuli mëkëmbësi i tij? Më mirë u shërbeni njerëzve të Hamorit atit të Sikemit! Po pse u dashka që ne t’i shërbejmë këtij njeriu?

29 Po ta kisha këtë popull nën urdhrat e mia, unë do ta kisha dëbuar Abimelekun!". Pastaj i tha Abimelekut: "Forcoje ushtrinë tënde dhe më dil përpara!".

30 Kur Zebuli, qeveritar i qytetit, dëgjoi këto fjalë të Gaalit, birit të Ebedit, u zemërua shumë,

31 dhe i dërgoi fshehurazi lajmëtarë Abimelekut për t’i thënë: "Ja, Gaali, bir i Ebedit, dhe vëllezërit e tij kanë ardhur në Sikem; ata po e ngrenë qytetin kundër teje.

32 Prandaj çohu natën, ti dhe njerëzit e tu, dhe zëru pritë në fushë;

33 dhe nesër në mëngjes, sa të lindë dielli do të ngrihesh dhe do t’i sulesh qytetit. Kur pastaj Gaali me gjithë njerëzit që janë me të do të dalë kundër teje, ti do t’i bësh atë që beson se është më e përshtatshme".

34 Abimeleku dhe tërë njerëzit që ishin me të u ngritën natën dhe zunë një pritë kundër Sikemit, të ndarë në katër grupe.

35 Kur Gaali, bir i Ebedit, doli dhe u ndal në hyrjen e portës së qytetit, Abimeleku doli nga prita me gjithë njerëzit që ishin me të.

36 Duke i parë ata njerëz, Gaali i tha Zebulit: "Ja, disa njerëz që zbresin nga maja e maleve". Por Zebuli iu përgjegj: "Hijet e maleve të duken ty si njerëz".

37 Gaali nisi përsëri të flasë, duke thënë: "Shiko, ka njerëz që zbresin nga majat e lartësive të vendit, dhe një grup tjetër po vjen nga rruga e lisit të shortarëve".

38 Atëherë Zebuli i tha: "Ku e ke kapadaillëkun, kur thoje: "Kush është Abimeleku, pse duhet t’i shërbejmë?". A nuk është ky popull që ti përçmoje? Dil, pra, përpara dhe lufto kundër tij!".

39 Atëherë Gaali doli në krye të banorëve të Sikemit dhe i nisi betejën kundër Abimelekut.

40 Por Abimeleku e ndoqi dhe ai iku me vrap para tij; shumë njerëz ranë për tokë të plagosur për vdekje deri në hyrje të portës.

41 Abimeleku u ndal pastaj në Arumah, dhe Zebuli dëboi Gaalin dhe vëllezërit e tij, që nuk qëndruan dot më në Sikem.

42 Të nesërmen populli i Sikemit doli nëpër fusha; Abimeleku u informua për këtë.

43 Atëherë ai mori njerëzit e tij, i ndau në tre grupe dhe zuri pritë në fusha; kur pa që populli po dilte nga qyteti, ai u hodh kundër tij dhe bëri kërdinë.

44 Pastaj Abimeleku dhe njerëzit që ishin me të u sulën përpara dhe zunë hyrjen e portës së qytetit, kurse dy grupet e tjera u sulën mbi tërë ata që ishin nëpër fusha dhe bënë kërdinë.

45 Abimeleku e pushtoi me sulm po atë ditë qytetin dhe vrau popullin që gjendej në të; pastaj e sheshoi qytetin dhe aty hodhi kripë.

46 Kur të gjithë banorët e kalasë së Sikemit dëgjuan këtë ngjarje, u tërhoqën në kullën kryesore të tempullit të perëndisë Berith.

47 Kështu i thanë Abimelekut që tërë banorët e kalasë së Sikemit ishin mbledhur bashkë.

48 Atëherë Abimeleku u ngjit në malin Tsalmon, ai vetë bashkë me njerëzit e tij; pastaj Abimeleku kapi një sëpatë, preu degën e një druri, e ngriti dhe e vuri mbi shpatullat e tij; padstaj u tha njerëzve që ishin me të: "Atë që patë që unë bëra, bëjeni shpejt edhe ju!".

49 Kështu secili prej tyre preu një degë dhe shkoi pas Abimeleku; i vendosën degët përballë kullës kryesore dhe e dogjën atë. Kështu gjetën vdekjen gjithë njerëzit e kalasë së Sikemit, pothuajse një mijë veta, gra e burra.

50 Pastaj Abimeleku shkoi në Thebets, e rrethoi dhe e pushtoi.

51 Në mes të qytetit kishte një kullë të fortifikuar, ku ishin strehuar tërë njerëzit e qytetit, gra e burra; u mbyllën brenda dhe hipën mbi çatinë e kullës.

52 Kështu Abimeleku arriti në këmbët e kalasë dhe e sulmoi; iu afrua pastaj portës së kalasë për t’i vënë flakën.

53 Por një grua hodhi poshtë pjesën e sipërme të një mokre mbi kokën e Abimelekut dhe i theu kafkën.

54 Ai thirri menjëherë të riun që i mbante armët dhe i tha: "Nxirre shpatën dhe më vrit, që të mos thonë: "E vrau një grua!"". Kështu i riu e shpoi tejembanë dhe ai vdiq.

55 Kur Izraelitët panë që Abimeleku kishte vdekur, secili u kthye në shtëpinë e tij.

56 Kështu Perëndia ia shkarkoi Abimelekut të keqen që kishte bërë kundër atit të tij, duke vrarë shtatëdhjetë vëllezërit e tij.

57 Perëndia bëri që të binte mbi kokën e njerëzve të Sikemit tërë e keqja e bërë; kështu kundër tyre u realizua mallkimi i Jothamit, birit të Jerubaalit.

Veprat e Apostujve 13

13 Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kireneas, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli.

Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: “M’i ndani veç Barnabën dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur.”

Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën.

Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro.

Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e Judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës.

Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus,

i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnabën dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë,

por Elimas, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi.

Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha:

10 “O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëvë të drejta të Zotit?

11 Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe.” Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore.

12 Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.

13 Dhe Pali dhe shokët e vet hipën në anije nga Pafo dhe arritën nëpër det në Pergë të Panfilisë; por Gjoni u nda prej tyre dhe u kthye në Jeruzalem.

14 Por ata, duke vazhduar rrugën nga Perga, arritën në Antioki të Pisidisë; dhe, mbasi hynë në sinagogë ditën e shtunë, u ulën.

15 Mbas leximit të ligjit dhe të profetëve, krerët e sinagogës dërguan atyre për t’u thënë: “Vëllezër, në qoftë se keni ndonjë fjalë këshilluese për popullin, ia thoni.”

16 Atëherë Pali u ngrit dhe, mbasi bëri shenjë me dorë, tha: “Izraelitë dhe ju që druani Perëndinë, dëgjoni!

17 Perëndia e këtij populli të Izraelit i zgjodhi etërit tanë, dhe e bëri të madh popullin gjatë qëndrimit në vendin e Egjiptit; pastaj, me krahë të fuqishëm, e nxori që andej.

18 Dhe për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë.

19 Pastaj shkatërroi shtatë kombe në vendin e Kanaanit dhe ua shpërndau atyre në trashëgimi vendin e tyre.

20 Dhe pastaj, për afro katërqind e pesëdhjetë vjet, u dha Gjyqtarë deri te profeti Samuel.

21 Më pas ata kërkuan një mbret; dhe Perëndia u dha atyre Saulin, birin e Kisit, një burrë nga fisi i Beniaminit, për dyzet vjet.

22 Pastaj Perëndia e hoqi dhe u ngjalli atyre si mbret Davidin, për të cilin dha dëshmi duke thënë: "Kam gjetur Davidin, birin e Jeseut, njeri sipas zemrës sime, i cili do të zbatojë të gjitha vullnetet e mia".

23 Prej farës së këtij Perëndia, sipas premtimit të vet, i ka ngjallur Izraelit Shpëtimtarin Jezus.

24 Para ardhjes së tij, Gjoni predikoi një pagëzim pendimi për gjithë popullin e Izraelit.

25 Dhe, kur Gjoni po e përfundonte misionin e tij, tha: "Cili pandehni se jam unë? Unë nuk jam Krishti; por ja, pas meje vjen një, të cilit unë nuk jam i denjë t’i zgjidh sandalet e këmbëve".

26 Vëllezër, bij të pasardhësve të Abrahamit, dhe ata prej jush që druajnë Perëndinë, juve ju është dërguar fjala e këtij shpëtimi.

27 Sepse banorët e Jeruzalemit dhe krerët e tyre, duke mos e njohur Këtëjezus, duke e dënuar, kanë përmbushur fjalët e profetëve që lexohen çdo të shtunë.

28 Dhe, ndonëse nuk i gjetën asnjë faj që të meritonte vdekjen, i kërkuan Pilatit që ai të vritet.

29 Dhe mbasi u kryen të gjitha gjërat që janë shkruar për të, atë e zbritën nga druri dhe e vunë në varr.

30 Por Perëndia e ringjalli prej të vdekurve;

31 dhe ai u pa për shumë ditë nga ata që ishin ngjitur me të nga Galilea në Jeruzalem, të cilët tani janë dëshmitarë të tij para popullit.

32 Dhe ne po ju shpallim lajmin e mirë të premtimit që u qe bërë etërve,

33 duke ju thënë se Perëndia e ka përmbushur për ne, bij të tyre, duke ringjallur Jezusin, ashtu si dhe është shkruar në psalmin e dytë: "Ti je Biri im, sot më linde".

34 Dhe mbasi e ka ringjallur prej të vdekurve për të mos e kthyer në kalbje, ai ka thënë kështu: "Unë do t’ju jap premtimet e sigurta të bëra Davidit".

35 Për këtë ai thotë edhe në një psalm tjetër: "Ti nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbje".

36 Sepse Davidi, mbasi zbatoi këshillën e Perëndisë në brezin e tij, vdiq dhe u bashkua me etërit e vet dhe pa kalbje,

37 por ai, që e ka ringjallur Perëndia, nuk ka parë kalbje.

38 Le ta dini, pra, o vëllezër, se nëpërmjet tij ju është shpallur falja e mëkateve,

39 dhe se, me anë të tij, ai që beson është shfajësuar nga të gjitha gjërat, që nuk mund të shfajsohej me anë të ligjit të Moisiut.

40 Kini kujdes, pra, që të mos ju ndodhë ajo që është thënë në profetët:

41 "Shikoni, o përbuzës, mrekullohuni dhe do të treteni, sepse unë po kryej një vepër në ditët tuaja, një vepër, të cilën ju nuk do ta besonit, po t’jua tregonte dikush".”

42 Dhe kur Judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t’u flisnin përsëri për këto gjëra.

43 Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga Judenjtë dhe nga prozelitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnabën, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë.

44 Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë.

45 Por Judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar.

46 Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: “Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t’ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve.

47 Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut".”

48 Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan.

49 Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend.

50 Por Judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabës dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre.

51 Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon.

52 Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.

Jeremia 22

22 Kështu thotë Zoti: "Zbrit në shtëpinë e mbretit të Judës dhe aty shqipto këto fjalë,

duke thënë: Dëgjo fjalën e Zotit, o mbret i Judës, që rri ulur mbi fronin e Davidit, ti, shërbëtorët e tu dhe populli yt, që hyni nëpër këto porta.

Kështu thotë Zoti: Veproni me ndershmëri dhe drejtësi, çlirojeni atë që e kanë vjedhur nga dora e shtypësit, mos i bini më qafë dhe mos ushtroni dhunë kundër të huajit, jetimit dhe gruas së ve dhe mos derdhni gjak të pafajmë në këtë vend.

Sepse, po t’u përmbahemi tërësisht këtyre fjalëve, atëherë mbretërit e ulur mbi fronin e Davidit do të hyjnë nëpër portat e kësaj shtëpie, të hipur mbi qerre dhe mbi kuaj, ata vetë, shërbëtorët e tyre dhe populli i tyre.

Por në rast se nuk do të dëgjoni këto fjalë, unë betohem për veten time," thotë Zoti, "që kjo shtëpi do të shkretohet".

Sepse kështu thotë Zoti për shtëpinë e mbretit të Judës: "Ti ishe për mua si Galaadi, si maja e Libanit. Por unë do të të katandis me siguri në një vend të shkretë, në një qytet pa banorë.

Po përgatis kundër teje shkatërrues, secili me armët e tij; ata do të rrëzojnë kedrat e tu më të mirë dhe do t’i hedhin në zjarr.

Shumë kombe do të kalojnë pranë këtij qyteti dhe do t’i thonë njëri tjetrit: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë qytet të madh?".

Dhe do të përgjigjen: "Sepse e kanë braktisur besëlidhjen me Zotin, Perëndinë e tyre, dhe kanë rënë përmbys para perëndive të tjera dhe u kanë shërbyer".

10 Mos qani për të vdekurin, mos mbani zi për të, por qani me hidhërim të madh për atë që niset, sepse nuk do të kthehet më dhe nuk e ka për të parë më vendin ku ka lindur.

11 Sepse kështu thotë Zoti për Shalumin, birin e Josias, mbret i Judës, që mbretëron në vend të Josias atit të tij dhe që ka dalë nga ky vend: "Ai nuk do të kthehet më,

12 por do të vdesë në vendin ku e kanë çuar në robëri dhe nuk ka për ta parë më këtë vend".

13 Mjerë ai që e ndërton shtëpinë e tij pa drejtësi dhe dhomat e saj të sipërme me paanësi, që e vë tjetrin të punojë për asgjë dhe nuk ia shpërblen punën e tij,

14 dhe thotë: "Do të ndërtoj një shtëpi të madhe me dhoma të sipërme të gjëra," dhe hap në të dritare, e vesh me dru kedri dhe e lyen me të kuq.

15 "Mendon vallë se je mbret, sepse je i rrethuar nga kedra? Ati yt nuk hante dhe pinte? Por vepronte me ndershmëri e drejtësi dhe gjithshka i shkonte mbarë.

16 Ai mbronte çështjen e të varfrit dhe të nevojtarit dhe gjithshka i shkonte mbarë. A nuk do të thotë kjo të më njohësh mua?," thotë Zoti.

17 "Por sytë e tu dhe zemra jote nuk shikojnë veçse fitimin tënd të padrejtë, të derdhin gjak të pafajmë dhe të kryejnë shtypje dhe dhunë".

18 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, birin e Josias, mbreti i Judës: "Nuk do të mbajnë zi për të, duke thënë: "Vaj medet, vëllai im! Vaj medet, motër!". Nuk do të mbajnë zi për të duke thënë: "Vaj medet, zot! Vaj medet, madhëri e tij!".

19 Do të varroset ashtu si varroset një gomar, që e heqin dhe e hedhin larg portave të Jeruzalemit.

20 Ngjitu në Liban dhe bërtit, ngrije zërin në Bashan dhe bërtit nga Abarimi, sepse të gjithë dashnorët e tu janë shkatërruar.

21 Të fola në kohën e begatisë sate, por ti më the: "Nuk do të dëgjoj". Kjo ka qenë sjellja jote qysh në rininë tënde: nuk e dëgjove kurrë zërin tim.

22 Tërë barinjtë e tu do të gllabërohen nga era dhe dashnorët e tu do të shkojnë në robëri; atëherë do të jesh e turpëruar dhe e shushatur për gjithë ligësinë tënde.

23 Ti që banon në Liban, që ke ngritur folenë në mes kedrave, sa do të rënkosh kur do të të zënë dhembjet, dhembjet si ato të gruas që është gati të pjellë!

24 Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, "edhe sikur Konjahu, biri i Jehojakimit, mbret i Judës, të ishte një unazë vulosjeje në dorën time të djathtë, unë do të të shkulja që andej.

25 Unë do të të jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën tënde, në dorë të atyre prej të cilëve ke frikë, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të Kaldeasve.

26 Do të të hedh ty dhe nënën tënde që të ka lindur në një vend të huaj, ku nuk keni lindur dhe aty do të vdisni.

27 Por në vendin ku dëshirojnë fort të kthehen, nuk do të kthehen.

28 A është vallë ky njeri, Konjahu, një poç pa vlerë, i thyer, ose një send që nuk prodhon asnjë kënaqësi? Pse, pra, janë përzënë ai dhe pasardhësit e tij dhe janë hedhur në një vend që ata nuk e njohin?

29 O vend, o vend, o vend, dëgjo fjalën e Zotit!

30 Kështu thotë Zoti: "Regjistrojeni këtë njeri si pa fëmijë, një njeri që nuk do të begatohet në ditët e tij, sepse asnjë nga pasardhësit e tij nuk do të ketë mbarësi, duke arritur të ulet mbi fronin e Davidit dhe të mbretërojë akoma në Judë"".

Marku 8

Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s’kishin ç’të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:

“Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç’të hajë.

Dhe po t’i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg.”

Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: “Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?.”

Dhe ai i pyeti: “Sa bukë keni?.” Ata i thanë: “Shtatë.”

Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.

Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t’i shpërndahen turmës.

Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.

Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.

10 Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.

11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.

12 Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: “Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë.”

13 Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.

14 Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s’kishin asgjë përveç një buke.

15 Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!.”

16 Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: “Nuk kemi bukë.”

17 Jezusi e vuri re dhe u tha: “Përse dis-kutoni që s’keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?

18 Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?

19 Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?.” Ata thanë: “Dymbëdhjetë.”

20 “Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?.” Dhe ata thanë: “Shtatë.”

21 Dhe ai u tha atyre: “Po si, ende nuk po kuptoni?.”

22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.

23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.

24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin.”

25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.

26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat.”

27 Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: “Kush thonë njerëzit se jam unë?.”

28 Ata u përgjigjën: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët.”

29 Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?.” Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti.”

30 Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.

31 Pastaj nisi t’u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.

32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.

33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!.”

34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,

35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.

36 Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?

37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?

38 Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”