M’Cheyne Bible Reading Plan
22 Pastaj Jozueu thirri Rubenitët, Gaditët dhe gjysmën e fisit të Manasit dhe u tha atyre:
2 "Ju keni zbatuar të gjitha ato që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju kishte urdhëruar dhe i jeni bindur zërit tim lidhur me ato që ju kam porositur.
3 Ju nuk keni braktisur vëllezërit tuaj gjatë kësaj kohe të gjatë deri më sot dhe keni zbatuar urdhrat që Zoti, Perëndia juaj, ju ka porositur.
4 Dhe tani që Zoti, Perëndia juaj, i ka lënë të pushojnë vëllezërit tuaj, ashtu siç u kishte premtuar, kthehuni dhe shkoni në çadrat tuaja në vendin që ju përket, dhe që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka caktuar matanë Jordanit.
5 Vetëm kini kujdes të zbatoni urdhërimet dhe ligjin që Moisiu, shërbëtori i Zotit, ju ka dhënë, duke e dashur Zotin, Perëndinë tuaj, duke ecur në të gjitha rrugët e tij, duke zbatuar të gjitha urdhërimet e tij, duke qendruar sa më afër tij dhe duke i shërbyer me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt".
6 Pastaj Jozueu i bekoi dhe u dha urdhër të largohen, dhe ata u kthyen në çadrat e tyre.
7 Moisiu i kishte dhënë gjysmës së fisit të Manasit një trashëgimi në Bashan, kurse Jozueu i dha gjysmës tjetër një trashëgimi midis vëllezërve të tyre, nga kjo anë e Jordanit, në perëndim. Kështu, kur Jozueu i ktheu në çadrat e tyre, i bekoi,
8 dhe u foli atyre, duke thënë: "Ju po ktheheni në çadrat tuaja me pasuri të mëdha, me një numër të madh bagëtish, me argjend, me flori, me bronz, me hekur e një numër të madh rrobash; ndani me vëllezërit plaçkën e armiqve tuaj".
9 Kështu bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u kthyen, duke i lënë bijtë e Izraelit në Shilon, në vendin e Kanaanit, për të shkuar në vendin e Galaadit, pronë e tyre dhe që e kishin marrë simbas urdhrit të dhënë nga Zoti me anë të Moisiut.
10 Pasi arritën në brigjet e Jordanit që ndodhet në vendin e Kanaanit, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit ndërtuan një altar, pranë Jordanit, një altar me pamje të madhërishme.
11 Bijtë e Izraelit dëgjuan se thuhej: "Ja, bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit kanë ndërtuar një altar në kufijtë e vendit të Kanaanit, në brigjet e Jordanit, në anën e pushtuar nga bijtë e Izraelit".
12 Kur bijtë e Izraelit e mësuan këtë gjë, tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shilon për të bërë luftë kundër tyre.
13 Atëherë bijtë e Izraelit u dërguan bijve të Rubenit, bijve të Gadit dhe gjysmës së fisit të Manasit, në vendin e Galaadit, Finehasin, birin e priftit Eleazar,
14 dhe bashkë me të dhjetë princa, një princ për çdo shtëpi atërore të fiseve të ndryshme të Izraelit; secili prej tyre ishte kreu i një shtëpie atërore midis ndarjeve të Izraelit.
15 Ata shkuan te bijtë e Rubenit, te bijtë e Gadit dhe te gjysma e fisit të Manasit në vendin e Galaadit dhe folën me ta, duke thënë:
16 "Kështu thotë tërë asambleja e Zotit: "Ç’është kjo shkelje që keni kryer kundër Perëndisë së Izraelit, duke mos e ndjekur më sot Zotin, duke ndërtuar një altar për të ngritur krye sot kundër Zotit?
17 Mos qe vallë gjë e vogël paudhësia e Peorit, nga e cila nuk jemi larë ende deri më sot dhe që solli një fatkeqësi mbi asamblenë e Zotit,
18 që ju shtyn sot të mos e ndiqni Zotin? Sepse, po të jetë se sot ngreni krye kundër Zotit, nesër ai do të zemërohet kundër tërë asamblesë së Izraelit.
19 Në qoftë se e konsideroni të papastër vendin që zotëroni, mund të kaloni në vendin që është pronë e Zotit, ku ndodhet tabernakulli i Zotit, dhe të banoni midis nesh; por mos ngrini krye kundër Zotit dhe kundër nesh, duke ndërtuar një altar përveç atij të Zotit, Perëndisë tonë.
20 Kur Akani, bir i Zerahut, kreu një shkelje në gjërat e caktuara të shfarosen, a nuk tërhoqi vallë zemërimin e Zotit mbi gjithë asamblenë e Izraelit? Dhe ai njeri nuk qe i vetmi që gjeti vdekjen në paudhësinë e tij"".
21 Atëherë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe gjysma e fisit të Manasit u përgjegjën dhe u thanë krerëve të ndarjeve të Izraelit:
22 "Zoti Perëndia i perëndive, Zoti Perëndia i perëndive! Ai e di, bile edhe Izraeli do ta mësojë. Në qoftë se e bëmë për rebelim ose për mosbesnikëri ndaj Zotit, mos na kurseni në këtë ditë.
23 Në rast se kemi ndërtuar një altar për të mos e ndjekur më Zotin ose për të ofruar mbi të olokaustet apo blatime ushqimore, ose për të bërë mbi të flijime falënderimi, le të na kërkojë llogari vetë Zoti!
24 Por në të vërtetë ne e bëmë këtë me frikë, për një arësye, duke menduar që në të ardhmen pasardhësit tuaj mund t’u thonin pasardhësve tanë: "Çfarë ju lidh me Zotin, Perëndinë e Izraelit?
25 Zoti e ka vënë Jordanin si kufi midis jush dhe nesh, o bij të Rubenit, o bij të Gadit; ju nuk keni asnjë pjesë te Zoti". Kështu pasardhësit tuaj mund t’i largojnë pasardhësit tanë nga frika e Zotit.
26 Prandaj thamë: "Le të ndërtojmë një altar, jo për olokauste as për flijime,
27 por që të shërbejë si dëshmi midis jush dhe nesh dhe midis pasardhësve tanë pas nesh, në mënyrë që të mund të kryejmë shërbimin e Zotit përpara tij, me olokaustet tona, flijimet tona dhe ofertat tona të falënderimit, me qëllim që pasardhësit tuaj të mos u thonë një ditë pasardhësve tanë: Ju nuk keni asnjë pjesë tek Zoti".
28 Prandaj thamë: Në rast se ndodh që një ditë të na thonë këtë neve ose pasardhësve tanë, atëherë do të përgjigjemi: Shikoni formën e altarit të Zotit që ndërtuan etërit tanë, jo për olokauste as për flijime, por që të shërbejë si dëshmitar midis nesh dhe jush.
29 Nuk na ka shkuar mendja të ngremë krye kundër Zotit dhe as të heqim dorë nga bindja ndaj Zotit, duke ndërtuar një altar për olokaustet, për blatimet e ushqimit ose për flijimet, përveç altarit të Zotit, Perëndisë tonë, që ndodhet përpara tabernakullit të tij!".
30 Kur prifti Finehas dhe princat e asamblesë, krerët e ndarjeve të Izraelit që ishin me të, dëgjuan fjalët që thanë bijtë e Rubenit, bijtë e Gadit dhe bijtë e Manasit, mbetën të kënaqur.
31 Atëherë Finehasi, bir i priftit Eleazar, u tha bijve të Rubenit, të Gadit dhe të Manasit: "Sot pranojmë që Zoti është midis nesh, sepse ju nuk keni kryer këtë shkelje ndaj Zotit; kështu i keni shpëtuar bijtë e Izraelit nga dora e Zotit".
32 Pastaj Finehasi, bir i priftit Eleazar dhe princat i lanë bjtë e Rubenit dhe të Gadit, dhe vendin e Galaadit, dhe u kthyen në vendin e Kanaanit pranë bijve të Izraelit, të cilëve u treguan ngjarjen.
33 Kjo gjë u pëlqeu bijve të Izraelit, dhe bijtë e Izraelit bekuan Perëndinë, dhe nuk folën më të shkojnë për të luftuar kundër bijve të Rubenit dhe të Gadit dhe të shkatërronin vendin në të cilin ata banonin.
34 Dhe bijtë e Rubenit dhe të Gadit e quajtën "Dëshmitar" këtë altar, sepse thanë: "Ai është dëshmitar midis nesh që Zoti është Perëndia".
2 Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend.
2 Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin.
3 Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre.
4 Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin.
5 Por në Jeruzalem banonin disa Judenj, njerëz të perëndishëm, nga të gjitha kombet nën qiell.
6 Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet.
7 Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshnin njëri-tjetrit: “Ja, a nuk janë të gjithë Galileas këta që flasin?
8 Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare?
9 Ne Partët, Medët, Elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë,
10 të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë përballë Kirenës, dhe ne të ardhur nga Roma, Judenj dhe prozelitë,
11 Kretas dhe Arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!.”
12 Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thonin njëri-tjetrit: “Ç’do të thotë kjo?.”
13 Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thonin: “Janë plot me verë të ëmbël!.”
14 Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: “Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia.
15 Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës.
16 Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel:
17 "Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra.
18 Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë.
19 Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi.
20 Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit.
21 Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet".
22 Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,
23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.
24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.
25 Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.
26 Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.
27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.
28 Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".
29 Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.
30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij;
31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.
32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!
33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.
34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
35 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!".
36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.”
37 Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: “Vëllezër, ç’duhet të bëjmë?.”
38 Atëherë Pjetri u tha atyre: “Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.
39 Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t’i thërrasë.”
40 Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: “Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!.”
41 Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta.
42 Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.
43 Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve.
44 Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët.
45 Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.
46 Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre,
47 duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.
11 Kjo është fjala që iu drejtua Jeremias nga ana e Zotit, duke thënë:
2 "Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhje dhe foluni njerëzve të Judës dhe banorëve të Jeruzalemit.
3 U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: I mallkuar qoftë ai njeri që nuk dëgjon fjalët e kësaj besëlidhjeje,
4 që unë u urdhërova etërve tuaj ditën që i nxora nga Egjipti, nga furra prej hekuri, duke thënë: "Dëgjoni zërin tim dhe i bëni këto gjëra në bazë të atyre që ju komandoj; atëherë ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj,"
5 me qëllim që unë të mund të plotësoj betimin që u kam bërë etërve tuaj, t’u jap atyre një vend ku të rrjedhë qumësht dhe mjaltë, ashtu si po ndodh sot". Unë u përgjigja dhe thashë: "Kështu qoftë, o Zot!".
6 Atëherë Zoti më tha: "Shpalli tërë këto fjalë në qytetet e Judës dhe nëpër rrugët e Jeruzalemit, duke thënë: Dëgjoni fjalët e kësaj besëlidhjeje dhe zbatojini në praktikë.
7 Sepse i kam nxitur me insistim etërit tuaj që nga dita që i nxora nga vendi i Egjiptit e deri më sot, i kam nxitur me urgjencë duke thënë: Dëgjoni zërin tim!!".
8 Por ata nuk e dëgjuan as ia vunë veshin, por secili eci sipas kryeneçësisë së zemrës së keqe të tij; prandaj unë do të bëj që të goditen nga të gjitha gjërat e përmendura në këtë besëlidhje, për të cilat kisha urdhëruar t’i respektonin, por që ata nuk i respektuan".
9 Pastaj Zoti më tha: "U zbulua një komplot midis njerëzve të Judës dhe midis banorëve të Jeruzalemit.
10 Janë kthyer në paudhësitë e etërve të tyre të lashtë, të cilët nuk pranuan të dëgjojnë fjalët e mia, dhe u shkuan pas perëndive të tjera, për t’u shërbyer; shtëpia e Izraelit dhe shtëpia e Judës kanë shkelur besëlidhjen që unë kisha lidhur me etërit e tyre".
11 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell mbi ta një gjëmë, nga e cila nuk do të mund të shpëtojnë. Ata do të më klithin, por unë nuk do t’i dëgjoj.
12 Atëherë qytetet e Judës dhe banorët e Jeruzalemit do të shkojnë t’u klithin perëndive të cilave u kanë djegur temjan, por këta nuk do t’i shpëtojnë në kohën e gjëmës së tyre.
13 Sepse o Judë perënditë e tua janë të shumta si qytetet e tua, dhe altarët që keni ngritur për atë gjë të turpshme, altarët për t’i djegur temjan Baalit, janë të shumtë si rrugët e Jeruzalemit.
14 Prandaj mos u lut për këtë popull dhe mos ngri për të asnjë britmë a lutje, sepse unë nuk do t’i kënaq kur do të më klithin mua për fatkeqësinë e tyre".
15 Çfarë bën i preferuari im në tempullin tim, kur ka kryer shumë veprime të kobshme? A do të mundin mishrat e shenjtëruara të largojnë prej teje ligësinë tënde, me qëllim që ti të mund të gëzohesh?
16 Zoti të kishte thirrur me emrin Ulli i gjelbëruar i bukur, me fryte të shijshme. Në zhurmën e një rrëmuje të madhe, ai do t’i vërë zjarr dhe degët e tij do të shkatërrohen.
17 Zoti i ushtrive që të kishte mbjellë ka dekretuar fatkeqësinë kundër teje, për shkak të ligësisë sate në dëm të vetë shtëpisë së Izraelit dhe të shtëpisë së Judës, duke provokuar zemërimin tim dhe duke i djegur temjan Baalit".
18 Zoti ma bëri të ditur dhe unë e mësova; atëherë ti më tregove veprimet e tyre.
19 Unë isha si një qengj i butë që e çojnë në thertore dhe nuk dija që kurdisnin intriga kundër meje, duke thënë: "Të shkatërrojmë drurin bashkë me frytin e tij dhe ta zhdukim nga toka e të gjallëve, me qëllim që emri i tij të mos kujtohet më".
20 Por, o Zot i ushtrive, gjykatës i drejtë, që shqyrton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse unë të bëra të njohur çështjen time.
21 Prandaj kështu thotë Zoti përsa i përket njerëzve të Anathothit që kërkojnë jetën tënde, duke thënë: "Mos bëj profecira në emër të Zotit, që të mos vdesësh nga dora jonë".
22 Kështu, pra, thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do t’i dënoj; të rinjtë do të vdesin nga shpata, bijtë e tyre dhe bijat e tyre do të vdesin nga uria.
23 Nuk ka për të mbetur asnjë prej tyre, sepse unë do të sjell një gjëmë mbi njerëzit e Anathothit, në vitin e ndëshkimit të tyre".
25 “Atëherë mbretëria e qiejve do t’u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit.
2 Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka.
3 Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin;
4 kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre.
5 Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi.
6 Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!".
7 Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre.
8 Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken".
9 Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini".
10 Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll.
11 Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna".
12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh".
13 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut.”
14 “Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta.
15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill.
16 Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë.
17 Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë.
18 Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet.
19 Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta.
20 Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë".
21 Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
22 Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë".
23 Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
24 Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë,
25 prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej".
26 Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë;
27 Ti duhet t’ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes.
28 Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta.
29 Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.
30 Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".”
31 “Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet.
32 Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë.
33 Dhe delet do t’i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën.
34 Atëherë Mbreti do t’u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gatii për ju që nga krijimi i botës.
35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët,
36 isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë".
37 Atëherë të drejtët do t’i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë?
38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm?
39 Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?".
40 Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t’u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua.
41 Pastaj ai do t’u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.
42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,
43 isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni".
44 Atëherë edhe ata do t’i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?".
45 Atëherë ai do t’u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua".
46 Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme.”