M’Cheyne Bible Reading Plan
7 Jerubaali, pra, (domethënë Gedeoni) dhe gjithë njerëzit që ishin me të u ngritën herët në mëngjes dhe fushuan pranë burimit të Harodit. Kampi i Madianit ndodhej në veri të tyre, pranë kodrës së Morehut, në luginë.
2 Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Madianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: "Éshtë dora ime që më ka shpëtuar".
3 Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: "Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit"". Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë.
4 Zoti i tha Gedeonit: "Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t’i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: "Ky të vijë me ty," ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: "Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur".
5 Gedeoni i vuri njerëzit të zbrisnin në ujë; dhe Zoti tha: "Tërë ata që do të lëpijnë ujin me gjuhë, ashtu siç e lëpinë qeni, do t’i vësh mënjanë; dhe kështu do të veprosh edhe me të gjithë ata që do të gjunjëzohen për të pirë ujë".
6 Numri i atyre që lëpinë ujin duke e çuar në gojë me dorë arriti në treqind veta; gjithë të tjerët u gjunjëzuan për të pirë ujë.
7 Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t’ju shpëtoj dhe do t’i jap Madianitët në duart e tua. Gjithë të tjerat le të kthehen në shtëpitë e tyre".
8 Atëherë treqind burrat morën në duart e tyre ushqimet dhe boritë e tyre; kështu Gedeoni i ktheu tërë burrat e tjerë të Izraelit, secilin në çadrën e tij, por mbajti me vete treqind burrat. Kampi i Madianit gjendej poshtë tij, në luginë.
9 Po atë natë Zoti i tha Gedeonit: "Çohu dhe bjeri kampit, sepse unë ta kam lënë ty në dorë.
10 Por në rast se ke frikë ta bësh, zbrit në kamp me Purahun, shërbëtorin tënd,
11 dhe do të dëgjosh çfarë thonë; mbas kësaj, duart e tua do të forcohen dhe do të jesh në gjendje të sulmosh kampin". Ai zbriti, pra, deri në pozicionet e përparuara të kampit bashkë me Purahun, shërbëtorin e tij.
12 Por Madianitët, Amalekitët dhe tërë bijtë e lindjes ishin shpërndarë në luginë si një mori karkalecash dhe devetë e tyre të panumërta ishin si rëra që ndodhet mbi bregun e detit.
13 Kur arriti Gedeoni, një burrë po i tregonte një shoku të vet një ëndërr që kishte parë dhe thoshte: "Sapo pashë një ëndërr; më dukej sikur kisha përpara një bukë prej elbi që rrokullisej në drejtim të kampit të Madianit, arrinte në çadër dhe e godiste duke e përmbysur dhe duke e rrëzuar".
14 Atëherë shoku i tij iu përgjegj dhe i tha: "Kjo nuk është tjetër veçse shpata e Gedeonit, birit të Joashit, burrë i Izraelit; në duart e tij Perëndia e ka lënë Madianin dhe tërë kampin".
15 Mbasi dëgjoi tregimin e ëndrrës dhe interpretimin e saj, Gedeoni ra përmbys në shenjë adhurimi; pastaj u kthye në kampin e Izraelit dhe tha: Çohuni se Zoti ka dhënë në duart tuaja kampin e Madianit!!".
16 Pastaj i ndau të treqind burrat në tre grupe dhe i dorëzoi secilit prej tyre bori dhe enë boshe me nga një pishtar brenda;
17 dhe u tha: "Shikomëni mua dhe veproni ashtu si do të veproj unë; kur të kem arritur në kufijtë e kampit, ju do të veproni pikërisht si unë.
18 Kur do t’i bie borisë, unë dhe të gjithë ata që janë me mua, edhe ju do t’i bini borive rreth e qark gjithë kampit dhe do të bërtisni: "Për Zotin dhe për Gedeonin"".
19 Gedeoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në buzë të kampit në prag të mesnatës, fill pas ndërrimit të rojeve. Ata u ranë borive dhe thyen enët që mbanin në dorë.
20 Atëherë të tre grupimet u ranë borive dhe thyen enët duke mbajtur me dorën e majtë pishtarët dhe me atë të djathtë boritë, dhe filluan të bërtisnin: "Shpata e Zotitt dhe e Gedeonit!".
21 Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij rreth kampit; e tërë ushtria armike përkundrazi filloi të rendë, të bërtasë dhe të ikë me vrap.
22 Ndërsa treqind burrat u binin borive, Zoti e ktheu shpatën e secilit kundër shokut të tij në tërë kampin. Ushtria armike ia mbathi në Beth-Shitah në drejtim të Tserahut, deri në buzë të Abel-Meholahut pranë Tabathit.
23 Atëherë Izraelitët e Neftalit, të Asherit dhe të tërë Manasit u mblodhën dhe i ndoqën Madianitët.
24 Gedeoni dërgoi pastaj lajmëtarë në të gjithë krahinën malore të Efraimit për të thënë: "Zbrisni kundër Madianitëve dhe shtini në dorë vatë e lumenjve deri në Beth-Barah dhe në Jordan". Kështu tërë burrat e Efraimit u mblodhën dhe zunë vatë e lumenjve deri në Beth-Barah dhe në Jordan.
25 Dhe zunë dy princa të Madianit, Orebin dhe Zeebin; Orebin e vranë në shkëmbin e Orebit dhe Zeebin në grykën e Zeebit. I ndoqën Madianitët dhe ia çuan kokat e Orebit dhe të Zeebit Gedeonit në krahun tjetër të Jordanit.
11 Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude morën vesh se edhe johebrenjtë kishin pranuar fjalën e Perëndisë.
2 Dhe, kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë haheshin me të,
3 duke thënë: “Ti hyre në shtëpi të njerëzve të parrethprerë dhe hëngre me ta!.”
4 Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, u shpjegoi atyre me radhë ngjarjet duke thënë:
5 “Unë po lutesha në qytetin e Jopes, kur u rrëmbeva në ekstazë dhe pashë një vegim: një send, që i ngjante një çarçafi të madh të kapur në të katër cepat, po zbriste si të ulej poshtë prej qiellit dhe arriti deri tek unë.
6 Duke shikuar me vëmendje brenda, dallova dhe pashë katërkëmbësha, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë të qiellit.
7 Dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Pjetër, çohu, ther dhe ha!".
8 Por unë thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse nuk më ka hyrë kurrë në gojë asgjë e papastër ose e ndotur".
9 Por zëri m’u përgjigj për të dytën herë nga qielli: "Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra!".
10 Dhe kjo ndodhi tri herë; pastaj gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.
11 Në po atë moment tre njerëz, që i pata dërguar në Cezare, u paraqitën në shtëpinë ku ndodhesha unë.
12 Dhe Fryma më tha të shkoj me ta, pa pasë kurrfarë ngurrimi. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe kështu hymë në shtëpinë e atij njeriu.
13 Ai na tregoi se si kishte parë një engjëll që u paraqit në shtëpinë e tij dhe i tha: "Dërgo njerëz në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër.
14 Ai do të të thotë fjalët, me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote".
15 Sapo kisha filluar të flas, kur Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta, sikurse kishte zbritur në fillim mbi ne.
16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotit që thoshte: "Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë".
17 Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre të njëjtën dhuratë që kemi marrë ne, që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t’i kundërvihesha Perëndisë?.”
18 Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: “Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t’u dhënë jetën!.”
19 Ndërkaq ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi me Stefanin, arritën deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke mos ia shpallur fjalën asnjë tjetri, përveç Judenjve.
20 Por disa prej tyre me origjinë nga Qipro dhe nga Kirenea, kur arritën në Antioki, filluan t’u flasin Grekëve, duke shpallur Zotin Jezus.
21 Dhe dora e Zotit ishte me ta; dhe një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti.
22 Lajmi i kësaj arriti në vesh të kishës që ishte në Jeruzalem; dhe ata dërguan Barnabën, që të shkonte deri në Antioki.
23 Kur ai arriti, shikoi hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiti të gjithë t’i qëndrojnë besnikë Zotit, me dëshirën e zemrës,
24 sepse ai ishte njeri i mirë, plot me Frymë të Shenjtë dhe besim. Dhe një numër i madh personash iu shtua Zotit.
25 Pastaj Barnaba u nis për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki.
26 Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë.
27 Në ato ditë disa profetë zbritën nga Jeruzalemi në Antioki.
28 Dhe një nga ata, me emër Agab, u ngrit dhe nëpërmjet Frymës parathoshte se do të ndodhte në mbarë botën një zi e madhe buke; dhe kjo ndodhi më vonë në kohën nën Klaud Cezarit.
29 Atëherë dishepujt, secili sipas mundësive të tij, vendosën t’u çojnë një ndihmë vëllezërve që banonin në Jude.
30 Dhe këtë ata e bënë, duke ua dërguar pleqve me anë të Barnabës dhe të Saulit.
20 Pashhuri, bir i Imerit, prift dhe shef i kryeintendentëve në shtëpinë e Zotit, dëgjoi Jeremian që profetizonte këto gjëra.
2 Atëherë Pashhuri rrahu profetin Jeremia dhe e futi në burgun që ndodhej në portën e sipërme të Beniaminit pranë shtëpisë të Zotit.
3 Të nesërmen Pashhuri e nxori nga burgu Jeremian. Jeremia i tha: "Zoti nuk të quan më Pashhur, por Magor-Misabib.
4 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë do të të braktis ty dhe tërë shokët e tu në dorë të tmerrit; ata do të bien nga shpata e armiqve të tyre dhe sytë e tu kanë për ta parë. Do ta jap tërë Judën në duart e mbretit të Babilonisë, që do t’i çojë në robëri në Babiloni dhe do t’i godasë me shpatë.
5 Përveç kësaj tërë pasuritë e këtij qyteti, tërë prodhimin e mundit të tij dhe të gjitha sendet e tij të çmuara, po, do t’i jap tërë thesaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre që do t’i plaçkisin, do t’i marrin dhe do t’i çojnë në Babiloni.
6 Dhe ti, Pashhur, dhe tërë ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri; do të shkosh në Babiloni, aty ke për të vdekur dhe aty ke për t’u varrosur, ti dhe tërë miqtë e tu të cilëve u ke profetizuar gënjeshtra".
7 Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.
8 Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: "Dhunë dhe plaçkitje!". Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.
9 Atëherë unë thashë: "Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij". Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.
10 Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: "Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!". Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thonin: "Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij".
11 Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t’ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.
12 Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.
13 Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.
14 Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!
15 Mallkuar qoftë njeriu që i shpuri lajmin atit tim, duke thënë: "Të ka lindur një bir mashkull," gjë që e mbushi me gëzim.
16 Qoftë ai njeri si qytetet që Zoti ka shkatërruar pa kurrfarë keqardhje. Dëgjoftë klithmën në mëngjes dhe zhurmat e luftës në mesditë,
17 sepse nuk më kanë bërë të vdes në bark të nënës; kështu nëna ime do të ishte varri im dhe barku i saj i ngarkuar për gjithnjë.
18 Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t’i mbaruar ditët e mia me turp?
6 Pastaj doli prej andej dhe erdhi në vendlindjen e tij, dhe dishepujt e vet e ndiqnin.
2 Dhe kur erdhi e shtuna, filloi t’i mësojë në sinagogë. Dhe shumë, kur e dëgjonin, habiteshin dhe thoshnin: “Nga i vijnë këtij këto? Vallë ç’dituri është kjo që i është dhënë? Dhe si kryhen këto vepra të mëdha nëpërmjet dorës së tij?
3 A s’është ky zdrukthëtar i biri Marisë, vëllai i Jakobit, i Joses, i Judës dhe i Simonit? Dhe nuk janë këtu midis nesh motrat e tij?.” Dhe skandalizoheshin për shkak të tij.
4 Por Jezusi u tha atyre: “Asnjë profet s’është i përbuzur përveç në vendlindjen e tij, në farefisin e vet dhe në shtëpinë e vet.”
5 Dhe nuk mundi të kryejë aty asnjë vepër të pushtetshme, përveçse shëroi disa të lëngatë, duke vënë mbi ta duart.
6 Dhe çuditej për mosbesimin e tyre; dhe dilte nëpër fshatra përreth e i mësonte.
7 Pastaj ai i thirri te vetja të dymbëdhjetët dhe filloi t’i dërgojë dy nga dy; dhe u dha pushtet mbi frymët e ndyra.
8 Dhe i urdhëroi të mos marrin asgjë tjetër udhës, përveç një shkop vetëm: as trasta, as bukë, as denar në brez;
9 dhe të mbathin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë tunika.
10 U tha akoma: “Kudo që të hyni në një shtëpi, rrini aty derisa të largoheni nga ai vend.
11 Në qoftë se disa nuk ju presin dhe nuk ju dëgjojnë, kur të largoheni që andej, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre. Në të vërtetë ju them se ditën e gjyqit Sodoma dhe Gomorra do të trajtohen me më shumë tolerancë se sa ai qytet.”
12 Kështu ata shkuan dhe u predikonin njerëzve që të pendoheshin;
13 dhe dëbonin shumë demonë dhe vajosnin me vaj shumë të lëngatë dhe i shëronin.
14 Tani mbreti Herod dëgjoi të flitej për Jezusin, sepse emri i tij ishte bërë i njohur, dhe ai tha: “Ky Gjoni që pagëzonte u ngjall së vdekuri; prandaj në të po veprojnë pushtete çudibërëse.”
15 Disa të tjerë thonin: “Éshtë Elia”; dhe disa të tjerë: “Éshtë një profet, ose si një nga profetët.”
16 Por kur i dëgjoi Herodi të gjitha këto, tha: “Ky Gjoni, të cilit ia pata prerë kokën, u ngjall së vdekuri!.”
17 Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua.
18 Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!”
19 Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte.
20 Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë.
21 Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë.
22 Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.”
23 Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!.”
24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!.”
25 Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.”
26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve.
27 Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit.
28 Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës.
29 Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.
30 Tani apostujt u mblodhën tek Jezusi dhe i treguan të gjitha ato që kishin bërë dhe i kishin mësuar.
31 Dhe ai u tha atyre: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak.” Sepse njerëzit që vinin dhe shkonin ishin aq shumë, sa s’u dilte koha as për të ngrënë.
32 U nisën, pra, me një barkë drejt një vend të vetmuar e të mënjanuar.
33 Porsa turma i pa që u nisën, dhe shumë veta e njohën; dhe nga të gjitha qytetet erdhën aty me këmbë dhe mbërritën përpara tyre; dhe u mblodhën rreth tij.
34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe dhe iu dhimbs, sepse ishin si delet pa bari; dhe nisi t’u mësojë shumë gjëra.
35 Duke qenë se u bë vonë, dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë, dhe tashmë është vonë.
36 Lejoi këta njerëz që të shkojnë në fushat dhe në fshatrat rreth e qark që të blejnë bukë, se s’kanë gjë për të ngrënë.”
37 Por ai, duke iu përgjigjur, u tha atyre: “U jepni ju të hanë!” Ata i thanë: “A duhet të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë dhe t’u japim të hanë?.”
38 Dhe ai u tha atyre: “Sa bukë keni? Shkoni e shikoni.” Ata, mbasi shikuan, thanë: “Pesë bukë e dy peshq.”
39 Atëherë ai i urdhëroi ata që t’i rregullojnë të gjithë, ulur në grupe, mbi barin e njomë.
40 Kështu ata u ulën në grupe nga njëqind e nga pesëdhjetë.
41 Pastaj ai mori pesë bukët dhe dy peshqit, i ngriti sytë nga qielli, i bekoi; i theu bukët dhe ua dha dishepujve të vet, që t’ua shpërndanin atyre; ua ndau gjithashtu dy peshqit të gjithëve.
42 Të gjithë hëngrën sa u ngopën.
43 Dhe mblodhën dymbëdhjetë shporta me copa buke dhe me mbetje peshku.
44 Ata që hëngrën nga ato bukë ishin pesë mijë burra.
45 Menjëherë Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t’i prijnë në bregun tjetër drejt Betsaidas, derisa ai ta lejonte turmën.
46 Sapo e lejoi, ai iu ngjit malit për t’u lutur.
47 U ngrys, barka ishte në mes të detit dhe ai ishte i vetëm fare në tokë.
48 Dhe kur i pa dishepujt që po mundoheshin duke vozitur, sepse era ishte kundër tyre, aty nga roja e katërt e natës, ai u nis drejt tyre duke ecur përmbi det dhe donte t’i kalonte.
49 Por ata, kur e panë që po ecte mbi det, menduan se ishte një fantazmë dhe filluan të bërtasin,
50 sepse e kishin parë të gjithë dhe ishin trembur; por ai menjëherë filloi të flasë me ta dhe tha: “Merrni zemër, jam unë, mos kini frikë!”
51 Pastaj hipi në barkë me ta dhe era pushoi; dhe ata mbetën jashtëzakonisht të habitur në veten e tyre dhe u mrekulluan,
52 sepse nuk e kishin kuptuar ndodhinë e bukëve, sepse zemra e tyre ishte ngurtësuar.
53 Mbasi kaluan, arritën në krahinën e Gjenasaretit dhe aty e lidhën barkën.
54 Dhe kur dolën nga barka, njerëzit e njohën menjëherë
55 dhe, duke përshkuar me vrap mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se gjendej;
56 dhe kudo ku ai vinte, në fshatra, në qytete a në lagje, njerëzit i vendosnin të lënguarit në sheshe dhe e lutnin që të paktën të mund të preknin cepin e rrobes së tij; dhe të gjithë ata që e preknin, shëroheshin.