Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 7

Kur Moisiu mbaroi ndërtimin e tabernakullit, e vajosi dhe e shenjtëroi me gjithë pajisjet e tij, ai vajosi gjithashtu altarin dhe të gjitha orenditë e tij; kështu ai i vajosi dhe i shenjtëroi.

Pastaj prijësit e Izraelit, të parët e shtëpive të etërve të tyre, që ishin prijësit e fiseve dhe ishin në krye të atyre që u regjistruan, paraqitën një ofertë

dhe e çuan ofertën e tyre para Zotit: gjashtë qerre të mbuluara dhe dymbëdhjetë qe, një qerre për çdo dy prijës dhe një ka për secilin prej tyre; dhe i ofruan para tabernakullit.

Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

"Prano këto gjëra prej tyre për t’i përdorur në shërbim të çadrës së mbledhjes, dhe do t’ua japësh Levitëve, secilit simbas shërbimit që ka".

Moisiu mori, pra, qerret dhe qetë dhe ua dha Levitëve.

Dy qerre dhe katër qe ua dha bijve të Gershonit simbas shërbimit të tyre;

katër qerre dhe tetë qe ua dha bijve të Merarit simbas shërbimit të tyre, nën mbikqyrjen e Ithamarit, birit të priftit Aaron;

por bijve të Kehathit nuk u dha asgjë, sepse ishin ngarkuar me shërbimin e objekteve të shenjta, që ata i mbanin mbi shpatulla.

10 Prijësit e paraqitën ofertën e tyre për kushtimin e altarit, ditën kur u vajos; kështu prijësit paraqitën ofertën e tyre para altarit.

11 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Prijësit do ta paraqesin ofertën e tyre një në ditë për kushtimin e altarit".

12 Ai që e paraqiti ofertën e tij ditën e parë ishte Nahshoni, bir i Aminadabit, nga fisi i Judës;

13 ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim ushqimor,

14 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

15 një dem të vogël, një dash, një qengj motak si olokaust,

16 një dhi si flijim për mëkatin

17 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Nahshonit, djalit të Aminadabit.

18 Ditën e dytë erdhi oferta e Nethaneelit, birit të Tsuarit, princit të Isakarit.

19 Ai paraqiti si ofertë të tij një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim ushqimor,

20 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

21 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

22 një kec si flijim për mëkatin

23 dhe, si flijim falënderimi dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. kjo ishte oferta e Nethaneelit, birit të Tsuarit.

24 Ditën e tretë ishte radha e Eliabit, birit të Helonit, prijësit të bijve të Zabulonit.

25 Oferta e tij qe një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen i vogël shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit;

26 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

27 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

28 një kec si flijim për mëkatin

29 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Eliabit, birit të Helonit.

30 Ditën e katërt ishte radha e Elitsurit, birit të Rubenit.

31 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi me një peshë prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

32 një kupë ari prej dhjetë siklash të mbushur me temjan,

33 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

34 dhe një kec si flijim për mëkatin

35 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e paraqitur nga Elitsuri, bir i Shedeurit.

36 Ditën e pestë qe radha e Shelumielit, birit të Tsurishadait, prijësit të bijve të Simeonit.

37 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim ushqimor,

38 një kupë ari prej dhjetë siklash të mbushur me temjan,

39 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

40 një kec si flijim për mëkatin

41 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo ishte oferta e bërë nga Shelumieli, bir i Curishadait.

42 Ditën e gjashtë ishte radha e Eliasafit, bir i Deuelit, prijësit të bijve të Gadit.

43 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; si pjata ashtu dhe legeni ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

44 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

45 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

46 një kec si flijim për mëkatin

47 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e bërë nga Eliasafi, bir i Deuelit.

48 Ditën e shtatë qe radha e Elishamit, birit të Amihudit, prijësit të bijve të Efraimit.

49 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen me një peshë prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

50 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

51 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

52 një kec si flijim për mëkatin,

53 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e bërë nga Elishama, bir i Amihudit.

54 Ditën e tetë ishte radha e Gamalielit, birit të Pedahtsurit, prijësit të bijve të Manasit.

55 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

56 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

57 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

58 një kec si flijim për mëkatin

59 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e bërë nga Gamalieli, bir i Pedahtsurit.

60 Ditën e nëntë i erdhi radha Abidanit, birit të Gideonit, prijësit të Beniaminit.

61 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi me një peshë prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklave të shenjtërores, që të dy të mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

62 një kupë ari prej dhjetë siklash të mbushur me temjan,

63 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

64 një kec si flijim për mëkatin

65 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Abidanit, birit të Amishadait, prijësit të bijve të Danit.

66 Ditën e dhjetë i erdhi radha Ahiezerit, birit të Amishadait, prijësit të bijve të Danit.

67 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; që të dy ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

68 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

69 një dem i vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

70 një kec si flijim për mëkatin

71 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Ahiezerit, birit të Amishadait.

72 Ditën e njëmbëdhjetë i erdhi radha Pagielit, birit të Okranit, prijësit të bijve të Asherit.

73 Oferta e tij ishte një pjatë argjendi prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi prej shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores; që të dy ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

74 një kupë ari prej dhjetë siklash mbushur me temjan,

75 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

76 një kec si flijim për mëkatin

77 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Pagielit, birit të Okranit.

78 Ditën e dymbëdhjetë i erdhi radha Ahirit, birit të Enanit, prijësit të bijve të Neftalit.

79 Ai ofroi një pjatë argjendi me një peshë prej njëqind e tridhjetë siklash dhe një legen argjendi shtatëdhjetë siklash, simbas siklit të shenjtërores, që të dy ishin mbushur me majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit,

80 një kupë ari prej dhjetë siklash e mbushur me temjan,

81 një dem të vogël, një dash dhe një qengj motak si olokaust,

82 një kec si flijim për mëkatin

83 dhe, si flijim falënderimi, dy qe, pesë desh, pesë cjep dhe pesë qengja motakë. Kjo qe oferta e Ahirit, birit të Enanit.

84 Këto ishin dhuratat për kushtimin e altarit që u bënë nga prijësit e Izraelit kur altari u vajos: dymbëdhjetë pjata argjendi, dymbëdhjetë legena argjendi, dymbëdhjetë kupa ari;

85 çdo pjatë argjendi peshonte njëqind e tridhjetë sikla dhe çdo legen argjendi shtatëdhjetë sikla; shuma e argjendit që përmbanin enët arrinte dy mijë e katërqind sikla, simbas siklit të shenjtërores;

86 të dymbëdhjetë kupat prej ari të mbushura me parfum peshonin dhjetë sikla secila, simbas siklit të shenjtërores; gjithë ari i kupave peshonte njëqind e njëzet sikla.

87 Shuma e kafshëve për olokaustin ishte dymbëdhjetë dema të vegjël, dymbëdhjetë desh, dymbëdhjetë qengja motakë bashkë me blatimet e ushqimit dhe dymbëdhjetë keca si flijim për mëkatin.

88 Shuma e kafshëve si flijim falënderimi ishte njëzet e katër dema të vegjël, gjashtëdhjetë desh, gjashtëdhjetë cjep dhe gjashtëdhjetë qengja motakë. Këto ishin dhuratat për kushtimin e altarit pas vajosjes së tij.

89 Dhe kur Moisiu hynte në çadrën e mbledhjes për të folur me Zotin, dëgjonte zërin e tij që i fliste nga pjesa e sipërme e pajtuesit që ndodhet mbi arkën e dëshmisë midis dy kerubinëve; kështu i fliste Zoti.

Psalmet 42-43

42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.

Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.

Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.

Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".

10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.

Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?

Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.

Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.

Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Kantiku i Kantikëve 5

Hyra në kopshtin tim, o motra ime, nusja ime, mblodha mirrën time me balsamin tim, hëngra huallin tim me mjaltin tim, piva verën time me qumështin tim. Shokë, hani, pini; po, dehuni, o të dashur!

Unë flija, por zemra ime përgjonte. Dëgjoj zërin e të dashurit tim, që troket dhe thotë: "Hapma, motra ime, mikja ime, pëllumbesha ime, e përkryera ime, sepse koka ime është gjithë vesë dhe kaçurrelat e mia gjithë cirka të natës.

E hoqa rrobën time, si mund ta vesh përsëri? I lava këmbët, si mund t’i fëlliq përsëri?

I dashuri im e vuri dorën te vrima e derës, dhe të përbrëndshmet e mia u ngashërryen nga ai.

U ngrita për t’i hapur derën të dashurit tim, dhe nga duart e mia pikoi mirra, nga gishtërinjtë e mi mirra e lëngët, që rridhte mbi dorezën e bravës.

Ia hapa të dashurit tim, por i dashuri im ishte tërhequr dhe kishte ikur; zemra ime ligshtohej kur ai fliste. E kërkova, por nuk e gjeta; e thirra, por ai nuk m’u përgjigj.

Rojet që sillen nëpër qytet më gjetën, më rrahën, më plagosën; rojet e mureve më çorën velin.

Unë ju lutem shumë, o bija të Jeruzalemit, në rast se e gjeni të dashurin tim, çfarë do t’i thoni? I thoni se jam e sëmurë nga dashuria.

Çfarë ka më tepër i dashuri yt se një i dashur tjetër, o më e bukura midis grave? Çfarë ka i dashuri yt më tepër se një i dashur tjetër, përse përgjërohesh kështu?

10 I dashuri im është i bardhë dhe i kuq, ai dallon ndër dhjetë mijë veta.

11 Koka e tij është ar i kulluar, kaçurelat e flokëve të tij janë rica-rica, të zeza korb.

12 Sytë e tij janë si ato të pëllumbit pranë rrëkeve të ujit, të lara në qumësht, të ngallmuara si një gur i çmuar në një unazë.

13 Faqet e tij janë si një lehe balsami, si lehe barërash aromatike; buzët e tij janë zambakë, që nxjerrin mirra të lëngët.

14 Duart e tij janë unaza ari, të stolisura me gurë të çmuar; barku i tij është i fildisht që shndrit, i mbuluar me safire.

15 Këmbët e tij janë kollona mermeri të mbështetura në themele ari të kulluar. Pamja e tij është si Libani, madhështore si kedrat.

16 Goja e tij është vetë ëmbëlsia; po, ai është tërheqës në çdo pikpamje. Ky është i dashuri im, ky është miku im, o bija të Jeruzalemit.

Hebrenjve 5

Sepse çdo kryeprift, që merret prej njerëzve, vihet kryeprift mbi njerëzit për gjërat që kanë të bëjnë me Perëndinë, për të ofruar dhurata dhe flijime për mëkatet;

kështu ai mund të ketë dhembshuri për ata që janë të paditur dhe të gënjyer, sepse edhe ai është i veshur me dobësi,

dhe për këtë arsye është i detyruar të ofrojë flijime për fajet, si për popullin ashtu edhe për veten e tij.

Dhe askush nuk e merr këtë nder prej vetes së tij, po ai që thirret nga Perëndia, sikurse Aaroni.

Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë lavdinë që të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: “Ti je im Bir, sot ti më linde,”

dhe ashtu si thuhet diku gjetiu: “Ti je prift përjetë, sipas rendit të Melkisedekut.”

I cili, në ditët e mishit të tij, me klithma të larta dhe me lot, i ofroi lutje dhe urata atij që mund ta shpëtonte nga vdekja, dhe u dëgjua për shkak të frikës së tij nga Perëndia.

Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi,

dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden,

10 duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndiaa sipas rendit të Melkisedekut,

11 për të cilin kemi shumë gjëra për të thënë, por të vështira për t’u shpjeguar, sepse ju jeni rënduar nga veshët për të dëgjuar.

12 Sepse, ndonëse tashmë duhet të ishit mësues, keni përsëri nevojë që t’ju mësojnë njohuritë e para të orakujve të Perëndisë, dhe keni nevojë për qumësht, dhe jo për ushqime të forta.

13 Sepse kushdo që ushqehet me qumësht nuk ka përvojën e fjalës së drejtësisë, sepse është foshnjë;

14 kurse ushqimi i fortë është për të rriturit, të cilët, nga përvoja, i kanë të zhvilluara vetitë për të dalluar të mirën dhe të keqen.