M’Cheyne Bible Reading Plan
4 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në rast se dikush kryen mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi, duke bërë diçka që nuk duhet të bënte,
3 në rast se mëkaton prifti që ka qënë vajuar, duke e bërë kështu popullin fajtor, t’i ofrojë Zotit për mëkatin e kryer një dem të vogël pa të meta, si flijim për mëkatin.
4 Do ta çojë demin e vogël në hyrje të çadrës së mbledhjes përpara Zotit; do të vërë dorën e tij mbi kokën e demit të vogël dhe do ta therë demin e vogël përpara Zotit.
5 Pastaj prifti që ka qënë vajosur do të marrë gjak nga demi i vogël dhe do ta çojë atë në çadrën e mbledhjes;
6 prifti do të ngjyejë gishtin e tij në gjak dhe do të spërkasë pak nga ky gjak shtatë herë para Zotit, përballë velit të shenjtërores.
7 Pastaj prifti do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit të temjanit të parfumuar para Zotit, që ndodhet në çadrën e mbledhjes; do të derdhë mbetjen e gjakut të demit të vogël mbi bazën e altarit të olokausteve, që ndodhet në hyrje të çadrës së mbledhjes.
8 Do të heqë prej tij tërë dhjamin e flisë së mëkatit të demit të vogël: dhjamin që mbulon zorrët dhe tërë dhjamin që rri ngjitur me zorrët,
9 të dy veshkat dhe dhjamin që ndodhet mbi ta rreth ijeve, por do të shkëputë bulën e majme të mëlçisë mbi veshkat,
10 ashtu siç veprohet për demin e vogël të flijimit të falënderimit; pastaj prifti do t’i tymosë ato mbi altarin e olokausteve.
11 Por lëkurën e demit të vogël dhe tërë mishin e tij, së bashku me kokën e tij, këmbët e tij, zorrët e tij dhe fëlliqësirat e tij,
12 gjithë demin e vogël, do ta çojë jashtë kampit, në një vend të pastër, ku hidhet hiri; dhe do ta djegë mbi dru me zjarr; do të digjet aty ku hidhet hiri.
13 Në rast se gjithë asambleja e Izraelit kryen mëkat nga padituria, dhe kjo gjë mbahet e fshehtë nga sytë e asamblesë, ajo ka bërë diçka që Zoti e ka ndaluar të bëhet dhe kështu është bërë fajtore;
14 kur mëkati i bërë do të bëhet i njohur, asambleja do të ofrojë si fli për mëkatin një dem të vogël dhe do ta çojë përpara çadrës së mbledhjes.
15 Pleqtë e asamblesë do të vënë duart e tyre mbi kokën e demit të vogël përpara Zotit; pastaj demi i vogël do të theret përpara Zotit.
16 Pastaj prifti që ka qënë vajuar do të sjellë pak gjak nga demi i vogël në çadrën e mbledhjes;
17 pas kësaj prifti do të ngjyejë gishtin e tij në gjak dhe do ta spërkasë atë shtatë herë përpara Zotit, përballë velit.
18 Do të vërë pak nga ai gjak mbi brirët e altarit që është përpara Zotit, në çadrën e mbledhjes; dhe do të derdhë mbetjen e gjakut në bazën e altarit të olokaustit, që është në hyrjen e çadrës së mbledhjes.
19 Së këtejmi do të heqë tërë dhjamin dhe do ta tymosë mbi altar.
20 Do të veprojë me këtë dem të vogël ashtu siç pat vepruar me demin e vogël të ofruar për mëkatin; do të bëjë të njëjtën gjë. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për anëtarët e asamblesë dhe këta do të jenë të falur.
21 Pastaj do ta çojë demin e vogël jashtë kampit dhe do ta djegë ashtu siç ka djegur demin e parë të vogël. Ky është flijimi i mëkatit për asamblenë.
22 Në rast se një ndër krerët ka kryer një mëkat dhe nga padituria ka bërë një nga gjërat që Zoti, Perëndia e tij, e ka ndaluar të bëhet, duke u bërë, pra, fajtor,
23 kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të çojë si ofertë të tij një cjap mashkull, pa të meta.
24 Do të vërë dorën mbi kokën e cjapit dhe do ta therë në vendin ku theren olokaustet përpara Zotit. Éshtë një flijim për mëkatin.
25 Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të olokausteve, dhe do të derdhë gjakun e cjapit mbi bazën e altarit të olokaustit;
26 pastaj do të tymosë tërë dhjamin e tij mbi altar, si dhjamin e flijimit të falënderimit. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen për atë, dhe mëkati do t’i falet.
27 Në rast se dikush nga populli kryen një mëkat nga padituria kundër çfarëdo urdhërimi të Zotit, duke bërë një diçka që nuk duhet të bënte, duke u bërë, pra, fajtor,
28 kur ai bëhet i vetëdijshëm për mëkatin që ka kryer, do të sjellë si ofertë një dhi femër, pa të meta, për mëkatin e kryer.
29 Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë flinë për mëkatin në vendin e olokaustit.
30 Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak nga gjaku i tij dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të olokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.
31 Do të marrë tërë dhjamin e tij, ashtu si mori dhjamin nga flijimi i falënderimit; pastaj prifti do ta tymosë atë mbi altar si një erë të këndshme për Zotin. Kështu prifti do të bëjë shlyerjen dhe ai do të falet.
32 Në qoftë se ai sjell një qengj si fli të tij për mëkatin, duhet të sjellë një femër pa të meta.
33 Do të vërë dorën mbi kokën e flisë për mëkatin dhe do ta therë si fli për mëkatin në vendin ku theren olokaustet.
34 Pastaj prifti do të marrë me gishtin e tij pak gjak nga gjaku i flisë për mëkatin dhe do ta vërë mbi brirët e altarit të olokaustit, dhe do të derdhë mbetjen e gjakut të tij mbi bazën e altarit.
35 Do të marrë tërë dhjamin, siç merret dhjami i qengjit të flijimit të falënderimit; pastaj prifti do ta tymosë mbi altar, mbi flijimet e bëra me zjarr për Zotin. Kështu prifti do të kryejë shlyerjen për shkak të mëkatit që ka kryer, dhe ai do të jetë falur".
1 Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës të të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit,
2 por që gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit, dhe që mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.
3 Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën e tij dhe të cilit gjethet nuk i fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.
4 Të tillë nuk janë të pabesët; janë si byku që era e shpërndan.
5 Prandaj të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin, as mëkatarët në kuvendin e të drejtëve.
6 Sepse Zoti njeh rrugët të drejtëve, por rruga e të pabesëve të çon në shkatërrim.
2 Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?
2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,
3 duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".
4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.
5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,
6 dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.
19 Éshtë më i mirë një i varfër që ecën në ndershmërinë e tij se sa ndonjë që është i çoroditur nga buzët dhe që është budalla.
2 Përveç kësaj nuk është mirë që një shpirt të jetë pa dije; kush ecën me hapa të shpejta gabon rrugë.
3 Budallallëku i njeriut e bën rrugën e tij të rrëshqitshme dhe zemra e tij pezmatohet kundër Zotit.
4 Pasuritë sigurojnë një numër të madh miqsh, por i varfëri ndahet nga vet miku i tij.
5 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar dhe ai që thotë gënjeshtra nuk do të ketë shpëtim.
6 Të shumtë janë ata që kërkojnë favorin e princit dhe të gjithë janë miq të atij që bën dhurata.
7 Të gjithë vëllezërit e të varfërit e urrejnë atë, aq më tepër largohen prej tij miqtë e vet. Ai mund t’u shkojë pas me fjalë, por ata nuk gjenden më.
8 Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën.
9 Dëshmitari i rremë nuk do të mbetet pa u ndëshkuar, dhe ai që thotë gënjeshtra do të humbasë.
10 Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.
11 Mënçuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t’i kapërcejë fyerjet.
12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.
13 Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.
14 Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mënçur vjen nga Zoti.
15 Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.
16 Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.
17 Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t’ia kthejë ato që i ka dhënë.
18 Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty deri sa të shkaktosh vdekjen e tij.
19 Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.
20 Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
21 Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.
22 Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
23 Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.
24 Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.
25 Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mëndjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.
26 Kush përdor dhunë me të atin dhe dëbon nënen e tij, është një faqenxirë dhe me turp.
27 Biri im, mos dëgjo më mësimet, dhe do të largohesh nga fjalët e diturisë.
28 Dëshmitari i lig tallet me drejtësinë dhe goja e të pabesëve gëlltit padrejtësinë.
29 Ndëshkimet janë përgatitur për tallësit dhe goditjet për kurrizin e budallenjve.
2 Sepse dua që të dini ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata që janë në Laodice dhe për të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time personalisht,
2 që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarësisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit,
3 ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.
4 Dhe po ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse,
5 sepse, edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
6 Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të,
7 duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.
8 Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit,
9 sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.
10 Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti,
11 në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit:
12 të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.
13 Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.
14 Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq;
15 dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të.
16 Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna;
17 këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit.
18 Askush të mos përvetësojë prej jush çmimin me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve, duke u përzier në gjëra që nuk i ka parë, i fryrë nga një krenari e kotë për shkak të mendjes së tij mishore,
19 dhe nuk mbahet te kryet, prej të cilit gjithë trupi, i ushqyer mirë dhe i lidhur i tëri me anë të nyjeve dhe të gjymtyrëve rritet me rritjen e Perëndisë.
20 Pra, në qoftë se vdiqët me Krishtin nga elementet e botës, përse u nënshtroheni disa rregullave, a thua se jetoni ende në botë, si:
21 “Mos prek, mos shijo, mos merr,”
22 të gjitha gjërat që prishen nga përdorimi, sipas urdhërimeve dhe mësimeve të njerëzve?
23 Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përunjësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit.