M’Cheyne Bible Reading Plan
4 Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
2 "Numëroni bijtë e Kehathit, midis bijve të Levit, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,
3 nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, të të gjithë atyre që hyjnë në shërbim për të punuar në çadrën e mbledhjes.
4 Ky është shërbimi i bijve të Kehathit në çadrën e mbledhjes, që ka të bëjë me gjërat shumë të shenjta.
5 Kur kampi duhet lëvizur, Aaroni dhe bijtë e tij do të vinë për të hequr velin e ndarjes dhe do të mbulojnë me të arkën e dëshmisë;
6 pastaj do të vënë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, do të shtrijnë mbi të një cohë krejt ngjyrë vjollce dhe do të fusin në të shtizat e saj.
7 Do të shtrijnë një cohë ngjyrë vjollce mbi tryezën e bukëve të paraqitjes dhe do të vënë mbi të pjatat, gotat, legenët dhe kupat e libacioneve; mbi të do të jetë edhe buka e përjetshme.
8 Mbi këto gjëra do të shtrijnë një cohë të kuqe të ndezur dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës, dhe do të fusin në të shtizat.
9 Pastaj do të marrin një mbulesë ngjyrë vjollce, me të cilën do të mbulojnë shandanin e ndriçimit, llambat e tij dhe gërshërët e tij, të gjitha enët e vajit të caktuara për shërbimin;
10 pastaj do ta vënë shandanin me të gjithë veglat e tij në një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do ta vendosin mbi një bartinë.
11 Do të shtrijnë mbi altarin prej ari një pëlhurë ngjyrë vjollce dhe mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat.
12 Pastaj do të marrin të gjitha veglat e shërbimit që përdoren në shenjtëroren, do t’i fusin në një cohë ngjyrë vjollce, do t’i mbështjellin me një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do t’i vendosin mbi një bartinë.
13 Pastaj do të heqin hirin nga altari dhe do të shtrijnë mbi të një cohë të kuqe;
14 mbi të do të vendosen të gjitha veglat që përdoren për shërbimin e tij, mangallet, mashat, lopatëzat, legenat, të gjitha veglat e altarit; do të shtrijnë mbi të një mbulesë prej lëkure të baldosës dhe do të futin në të shtizat.
15 Pasi që Aaroni dhe bijtë e tij të kenë mbaruar së mbuluari shenjtëroren dhe tërë orenditë e saj, kur kampi është bërë gati të niset, bijtë e Kehathit do të vijnë për t’i mbartur, por ata nuk do të prekin gjërat e shenjta, që të mos vdesin. Këto janë gjërat nga çadra e mbledhjes të cilat bijtë e Kehathit duhet të trasportojnë.
16 Eleazari, bir i priftit Aaron, do të ngarkohet me vajin e shandanit, me temjanin aromatik, me ofertën e përjetshme të ushqimit dhe të vajit të vajosjes; ai do të ngarkohet edhe me tërë tabernakullin dhe tërë gjërat që përmban ai, me shenjtëroren dhe pajisjet e saj".
17 Pastaj Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:
18 "Kini kujdes që klani i familjeve të Kehathitëve të mos shfaroset në mes të Levitëve;
19 bëni, pra, këtë për ta, me qëllim që ata të jetojnë dhe të mos vdesin kur u afrohen gjërave shumë të shenjta: Aaroni dhe bijtë e tij do të hyjnë dhe do t’i caktojnë secilit shërbimin e tij dhe detyrën e tij.
20 Por ata nuk do të hyjnë për të parë në kohën kur gjërat e shenjta po mbulohen, që të mos vdesin".
21 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
22 "Numëro edhe bijtë e Gershonit, në bazë të shtëpive të etërve të tyre dhe të familjeve të tyre.
23 Do ta bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë për të bërë shërbimin, për të punuar në çadrën e mbledhjes.
24 Kjo është detyra e familjeve të Gershonitëve, shërbimi që duhet të kryejnë dhe gjërat që duhet të sjellin:
25 do të bartin pëlhurat e tabernakullit dhe çadrën e mbledhjes, mbulesën e saj, mbulesën prej lëkure të baldosës që është sipër dhe perden në hyrje të çadrës së mbledhjes,
26 perdet e oborrit me perden për hyrjen në oborr, perdet që janë rreth tabernakullit dhe altarit, litarët e tyre dhe të gjitha veglat e caktuara për shërbimin e tyre; ç’të jetë e nevojshme të bëhet ata do ta bëjnë.
27 Tërë shërbimi i bijve të Gershonitëve, të gjitha gjërat që duhet të bartin dhe të gjitha gjërat që duhet të kryejnë, do të bëhen me urdhër të Aaronit dhe të bijve të tij; ju do t’u ngarkoni atyre përgjegjësinë për tërë gjërat që duhet të bartin.
28 Ky është shërbimi i familjeve të Gershonitëve në çadrën e mbledhjes; dhe detyrat e tyre do t’i kryejnë nën urdhrat e Ithamarit, birit të priftit Aaron.
29 Do të bësh regjistrimin e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre;
30 do të bësh regjistrimin nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç të të gjithë atyre që hyjnë në çadrën e mbledhjes për të kryer shërbime.
31 Kjo është ajo që i është besuar përgjegjësisë së tyre në pajtim me gjithë shërbimin e tyre në çadrën e mbledhjes; dërrasat e tabernakullit, traversat, shtyllat dhe bazat e tij,
32 shtyllat që ndodhen rreth e rrotull oborrit, bazat e tyre, kunjat e tyre, litarët e tyre, me të gjitha veglat e tyre dhe tërë shërbimet që këto gjëra përmbajnë; dhe do t’i caktoni secilit personalisht objektet që duhet të mbajë.
33 Ky është shërbimi i familjeve të bijve të Merarit, në pajtim me detyrat e tyre në çadrën e mbledhjes, nën urdhërat e Ithamarit, birit të priftit Aaron".
34 Moisiu, Aaroni dhe prijësit e asamblesë kryen, pra, regjistrimin e bijve të Kehathitëve në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,
35 e të gjithë atyre që nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri pesëdhjetë vjeç hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes.
36 Ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë.
37 Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Kehathitëve, të gjithë ata që shërbenin në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni bënë regjistrimin e tyre simbas urdhrit që Zoti kishte dhënë me anë të Moisiut.
38 Ata që u regjistruan nga bijtë e Gershonit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,
39 nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes;
40 ata që u regjistruan në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ishin dy mijë e gjashtëqind e tridhjetë.
41 Këta qenë ata që u regjistruan nga familjet e Gershonit, të gjithë ata që bënin shërbim në çadrën e mbledhjes; Moisiu dhe Aaroni kryen regjistrimin e tyre simbas urdhrit të Zotit.
42 Ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,
43 nga mosha tridhjetë vjeç e lart, deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer në çadrën e mbledhjes;
44 ata që u regjistruan simbas familjeve të tyre ishin tre mijë e dyqind.
45 Këta janë ata që u regjistruan nga familjet e bijve të Merarit; ata që u regjistruan nga Moisiu dhe Aaroni, simbas urdhërit të Zotit të dhënë me anë të Moisiut.
46 Të gjithë ata që u regjistruan nga Levitët, që Moisiu, Aaroni dhe prijësit e Izraelit i regjistruan, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre,
47 nga mosha tridhjetë vjeç e lart deri në moshën pesëdhjetë vjeç, tërë ata që hynin për të shërbyer dhe për të mbajtur pesha në çadrën e mbledhjes;
48 ata që u regjistruan ishin tetë mijë e pesëqind e tetëdhjetë.
49 Ata u regjistruan, simbas urdhrit të Zotit për Moisiun, secili në bazë të shërbimit që duhet të bënte dhe të asaj që duhet të mbante. Kështu ata u regjistruan nga ai, ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.
2 Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.
3 Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.
4 Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.
5 Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.
6 Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,
7 sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.
8 Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.
9 O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.
10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.
11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.
12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.
13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.
14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.
15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".
17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,
18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,
19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.
20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.
21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.
22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.
2 Unë jam trëndafili i Sharonit, zambaku i luginave.
2 Si një zambak midis gjembave, ashtu është mikesha ime midis vajzave.
3 Si një mollë midis pemëve të pyllit kështu është i dashuri im midis të rinjve. Kam dëshëruar shumë të rri në hijen e tij dhe aty jam ulur, fryti i tij ishte i ëmbël në gojën time.
4 Më çoi në shtëpinë e banketit dhe flamuri i tij mbi mua është dashuria.
5 Më mbani me pite rrushi, më përtërini me mollë, sepse unë vuaj nga dashuria.
6 Dora e tij e majtë është poshtë kokës sime, dora e tij e djathtë më përqafon.
7 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurinë time, deri sa kështu t’i pëlqejë
8 Ja zëri i të dashurit tim! Ja, ai vjen duke kërcyer mbi malet, duke u hedhur mbi kodrat.
9 I dashuri im i përngjan një gazele apo një dreri të ri. Ja ku është prapa murit tonë, shikon nga dritaret, hedh vështrime nëpërmjet hekurave të tyre.
10 I dashuri im më ka folur dhe më ka thënë: "Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!
11 Sepse, ja, dimri ka kaluar, shiu pushoi, iku.
12 Lulet duken mbi tokë, koha e të kënduarit erdhi, dhe në vendin tonë dëgjohet zëri i turtulleshës.
13 Fiku nxjerr fiqtë e tij të papjekur, vreshtat në lulëzim përhapin një aromë të këndshme. Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja.
14 O pëllumbesha ime, që rri në të çarat e shkëmbinjve, në strukat e rrëmoreve, ma trego fytyrën tënde, më bëj ta dëgjoj zërin tënd, sepse zëri yt është i këndshëm dhe fytyra jote është e hijshme".
15 I zini dhelprat, dhelprat e vogla që dëmtojnë vreshtat, sepse vreshtat tona janë në lulëzim.
16 I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve.
17 Para se të fryjë flladi i ditës dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet që na ndajnë.
2 Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga.
2 Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë,
3 si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan,
4 ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.
5 Sepse Perëndia nuk e vuri nën pushtet të engjëjve botën që ka për të ardhur, për të cilin po flasim,
6 por dikush dëshmoi diku duke thënë: “Ç’është njeriu, që të bie ndërmend për të? Ose i biri i njeriut që të kujdesesh për të?
7 Ti e bëre për pak kohë më të vogël nga engjëjt, ti e kurorëzove me lavdi dhe me nder dhe e vure përmbi veprat e duarve të tua;
8 Ti i vure të gjitha nën këmbët e tij.” Sepse, mbasi i vuri të gjitha nën pushtetin e tij, nuk la asgjë pa iu nënshtruar. Por tani nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij,
9 por shohim Jezusin të kurorëzuar me lavdi dhe me nder për vdekjen që pësoi; ai u bë për pak kohë më i vogël se engjëjt, që me hirin e Perëndisë të provonte vdekjen për të gjithë njerëzit.
10 Sepse i duhej atij, për të cilin dhe nëpërmjet të cilit janë të gjitha, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve realizuesin e shpëtimit të tyre.
11 Sepse ai që shenjtëron dhe ata që shenjtërohen janë të gjithë prej një; prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër,
12 duke thënë: “Vëllezërve të mi do t’ua shpall emrin tënd, do të të lavdëroj në mes të kishës.”
13 Edhe më: “Do të shpresoj në të.” Dhe përsëri: “Ja unë, dhe fëmijët që m’i dha Perëndia.”
14 Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin,
15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën.
16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.
17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.
18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.