Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Levitiku 27

27 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një njeri lidh një kusht të rëndësishëm për t’i shenjtëruar Zotit një person dhe mendon t’i japë një barasvlerë,

në rast se vlerësimi yt ka të bëjë me një mashkull njëzet vjeç e lart, deri në gjashtëdhjetë vjeç, atëherë vlerësimi yt do të jetë pesëdhjetë sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores.

Po të jetë se ka të bëjë me një grua, vlerësimi yt do të jetë tridhjetë sikla.

Për ata që janë pesë vjeç e lart, deri njëzet vjeç, vlerësimi yt do të jetë njëzet sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

Nga një muajsh e lart deri në pesë vjeç, vlerësimi yt do të jetë pesë sikla argjendi për një mashkull dhe tri sikla argjendi për një femër.

Nga gjashtëdhjetë vjeç e lart vlerësimi yt do të jetë pesëmbëdhjetë sikla për një mashkull dhe dhjetë sikla për një femër.

Por në se ai është tepër i varfër për të paguar shumën e kërkuar nga vlerësimi yt, atëherë do të paraqitet para priftit dhe ky do të bëjë vlerësimin. Prifti do ta bëjë vlerësimin duke pasur parasysh mjetet që ka ai që ka lidhur kushtin.

Në rast se është puna për kafshë që mund t’i paraqiten si ofertë Zotit, çdo kafshë e ofruar Zotit do të jetë gjë e shenjtë.

10 Ai nuk do të mund as ta zëvendësojë, as ta këmbejë, as një të mirë me një të keqe, as një të keqe me një të mirë; por, edhe sikur të këmbente një kafshë me një tjetër, që të dyja do të jenë gjë e shenjtë.

11 Por në qoftë se është puna për një kafshë të papastër, që mund t’i ofrohet Zotit, atëherë ai do ta paraqesë kafshën para priftit;

12 dhe prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë kafsha e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti, ai do të vlejë.

13 Por në qoftë se dikush dëshiron ta shpengojë, duhet të shtojë një të pestën e vlerësimit.

14 Në rast se dikush shenjtëron shtëpinë e tij për ta bërë gjë të shenjtë për Zotin, prifti do të bëjë vlerësimin, qoftë ajo e mirë apo e keqe; çfarëdo vlerësimi të bëjë prifti ai do të vlejë.

15 Dhe në se ai që ka shenjtëruar shtëpinë e tij dëshiron ta shpengojë, duhet t’i shtojë një të pestën e vlerësimit dhe ajo do të bëhet e tij.

16 Në qoftë se dikush i shenjtëron Zotit një arë, pronë e tij, vlerësimi i saj do të bëhet në bazë të farës së nevojshme për të: pesëdhjetë sikla argjendi për një omer farë elbi.

17 Në rast se e shenjtëron arën e tij nga viti i jubileut, çmimi do të mbetet ai i caktuar nga vlerësimi yt;

18 por në rast se e shenjtëron arën e tij pas jubileut, prifti do të vlerësojë çmimin e saj duke llogaritur vitet që mbeten deri në jubile, duke pasur parasysh vlerësimin tënd.

19 Dhe në qoftë se ai që ka shenjtëruar arën do ta shpengojë, duhet t’i shtojë një të pestën vlerësimit tënd dhe ajo do të mbetet e tij.

20 Por në rast se nuk dëshiron ta shpengojë arën e tij ose ia ka shitur një tjetri, nuk do të mund ta shpengojë më;

21 dhe ara, kur shpengohet në jubile, do të jetë e shenjtë për Zotin si një arë që i është caktuar Perëndisë, dhe do të bëhet pronë e priftit.

22 Në rast se dikush i shenjtëron Zotit një arë të blerë prej tij dhe që nuk bën pjesë në pronën e tij,

23 prifti do të caktojë vlerësimin e tij për të deri në vitin e jubileut, dhe ai person do të paguajë po atë ditë çmimin e caktuar, si një gjë të shenjtë për Zotin.

24 Vitin e jubileut ara do t’i kthehet atij që i qe blerë dhe pasurisë së cilës ajo bënte pjesë.

25 Të gjitha vlerësimet e tua do të bëhen në sikla të shenjtërores; një sikël vlen njëzet gere.

26 Por asnjeri nuk mund t’i shenjtërojë pjelljet e para të bagëtisë, sepse si të parëlindur i përkasin Zotit; qoftë ka apo qengj, ai i takon Zotit.

27 Në rast se është puna për një kafshë të papastër, do ta shpengojë simbas çmimit të caktuar nga vlerësimi yt, duke i shtuar një të pestën; në rast se nuk shpengohet, do të shitet me çmimin e caktuar simbas vlerësimit tënd.

28 Megjithatë nuk do të mund të shitet a të shpengohet asgjë nga ato që i janë caktuar Zotit dhe që dikush ka caktuar për Zotin, midis tërë gjërave që i përkasin, qoftë një person, një kafshë o një copë toke nga pasuria e tij; çdo gjë e caktuar Perëndisë është një gjë shumë e shenjtë për Zotin.

29 Asnjë person i caktuar të shfaroset nuk mund të shpengohet; ai duhet të vritet.

30 Çdo e dhjetë e tokës, qoftë nga prodhimet e tokës, qoftë nga pemët e drurëve, i takon Zotit; është një gjë e shenjtëruar Zotit.

31 Në se dikush do të shpengojë një pjesë të së dhjetës së vet, do t’i shtojë një të pestën.

32 Dhe për të dhjetën e bagëtive të trasha dhe të imta, koka e dhjetë e të gjitha kafshëve që kalojnë nën shufrën do t’i shenjtërohet Zotit.

33 Nuk do të bëjë dallim midis së mirës dhe të keqes, as do të bëjë këmbime; dhe po të këmbejë njërën me tjetrën, të dyja do të jenë gjë e shenjtë; nuk do të mund të shpengohen.

34 Këto janë urdhërimet që Zoti i dha Moisiut për bijtë e Izraelit në malin Sinai.

Psalmet 34

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Predikuesi 10

10 Mizat e ngordhura e qelbin vajin e parfumierit; kështu pak marrëzi prish vlerën e diturisë dhe të lavdisë.

Zemra e të urtit është në të djathtë të tij, por zemra e budallait është në të majtë të tij.

Edhe kur budallai ecën rrugës, arsyeja i mungon dhe u tregon të gjithëve se është budalla.

Në qoftë se zemërimi i një mbreti ndizet kundër teje, mos e lër vendin tënd, sepse gjakftohtësia i fashit fyerjet edhe kur janë të rënda;

Éshtë një e keqe që kam parë nën diell, një gabim që vjen nga ai që qeveris;

marrëzia është vënë në detyra të larta, ndërsa të pasurit ulen në vënde të ulëta.

Kam parë shërbëtorë mbi kuaj dhe princa të ecin më këmbë si shërbëtorë.

Kush çel një gropë mund të bjerë brënda dhe kush rrëzon një mur mund të kafshohet nga një gjarpër.

Kush zhvendos gurë mund të plagoset dhe kush çan drutë vihet në rrezik.

10 Në qoftë se sëpata topitet dhe nuk mprehet, duhet të përdoret me më tepër forcë; por dituria ka epërsinë t’ia dalë gjithnjë mbarë.

11 Në qoftë se gjarpëri kafshon sepse nuk është magjepsur, magjistari bëhet i kotë.

12 Fjalët e gojës të të urtit janë plot hir, por buzët e budallait e shkatërrojnë.

13 Fillimi i ligjëratës së tij është budallallëk dhe fundi është marrëzi e dëmshme.

14 Edhe sikur budallai t’i shumojë fjalët e tij, njeriu nuk di se çfarë do të ndodhë; kush mund t’i thotë çfarë do të ndodhë pas tij?

15 Lodhja e budallait e rraskapit, sepse ai nuk di as si të shkojë në qytet.

16 Mjerë ti, o vend, mbreti i të cilit është një fëmijë dhe princat e tij ia shtrojnë që në mëngjes!

17 Lum ti, o vend, që ke mbret nga një soj fisnik, dhe princa që hanë në kohën e duhur për të vënë në vend forcat e tyre dhe jo për t’u dehur!

18 Për shkak të përtacisë trarët e shtëpisë rrëzohen dhe gjerbon për shkak të plogështisë së duarve.

19 Një banket shtrohet për t’u dëfryer dhe vera i jep gaz jetës, por paraja i përgjigjet çdo nevojtari.

20 Mos mallko mbretin as me mend dhe mos mallko të pasurin në dhomën tënde të fjetjes, sepse një zog i qiellit mund ta çojë larg zërin tënd, dhe një zog që fluturon mund ta bëjë të ditur këtë gjë.

Titi 2

Por ti shpall ato që përkojnë me doktrinën e shëndoshë:

pleqtë të jenë të përmbajtur, dinjitozë, të urtë, të shëndoshë në besim, në dashuri, në durim.

Gjithashtu edhe gratë e moshuara të kenë sjellje ashtu si u ka hije shenjtoreve, jo shpifëse, jo robinja ndaj verës së shumtë, por mësuese të së mirës,

që t’i mësojnë të rejat të duan burrat e tyre, të duan bijtë e tyre,

të jenë fjalëpakë, të dlira, t’i kushtohen punëve të shtëpisë, të mira, të bindura ndaj burrave të tyre, që fjala e Perëndisë të mos blasfemohet.

Nxiti gjithashtu të rinjtë që të jenë të matur,

duke e nxjerrë në çdo gjë veten tënde si shembull veprash të mira, duke treguar në mësim pastërti, dinjitet, paprishshmëri,

një e folur e shëndoshë e të paqortueshme, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë të flasë asgjë të keqe për ju.

Shërbëtorët t’u binden zotërinjve të tyre, të mundohen t’i kënaqin në të gjitha gjërat, të mos i kundërshtojnë me fjalë,

10 të mos përvetësojnë gjënë e huaj, por të tregojnë një besnikëri të plotë, që në çdo gjë të nderojnë mësimin e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë.

11 Sepse hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq gjithë njerëzve,

12 dhe na mëson të mohojmë pabesinë dhe lakmitë e botës, sepse ne rrojmë me urtësi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë,

13 duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht,

14 i cili e dha veten për ne, për të na shpenguar nga çdo paudhësi dhe për të pastruar për vete një popull të veçantë, të zellshëm në vepra të mira.

15 Mësoju këto gjëra, këshillo dhe qorto me çdo pushtet! Askush mos të përçmoftë.