M’Cheyne Bible Reading Plan
21 Zoti i tha akoma Moisiut: "Folu priftërinjve, bijve të Aaronit, dhe u thuaj: Asnjë prift të mos ndotet për një të vdekur në mes të popullit të tij,
2 veç se po të jetë një i afërm i tij i një gjaku: nëna, ati, biri, bija, vëllai
3 dhe motra e tij ende e virgjër që jeton me të, dhe që nuk është martuar ende; për atë mund të ndotet.
4 Duke qënë një udhëheqës në mes të popullit të tij, nuk do të ndotet duke përdhosur veten e tij.
5 Priftërinjtë nuk do të bëjnë tonsurën mbi kokën e tyre, nuk do të rruajnë mjekrën e tyre dhe nuk do të bëjnë prerje mbi mishin e tyre.
6 Do të jenë të shenjtë për Perëndinë e tyre dhe nuk do të përdhosin emrin e Perëndisë së tyre, sepse i ofrojnë flijime Zotit, të përgatitura me zjarr dhe bukën Perëndisë së tyre; prandaj do të jenë të shenjtë.
7 Nuk do të marrin për grua një kurvë, as edhe një grua faqenxirë; nuk do të marrin një grua të ndarë nga burri, sepse janë të shenjtë ndaj Perëndisë së tyre.
8 Ti do ta konsiderosh priftin të shenjtë, sepse ai i ofron bukën Perëndisë tënd; ai ka për të qënë i shenjtë për ty, sepse unë, Zoti që ju shenjtëroj, jam i shenjtë.
9 Në rast se bija e një prifti humb nderin duke u bërë kurvë, ajo turpëron të atin: ajo do të digjet me zjarr.
10 Por ai që është kryeprift midis vëllezërve të tij, mbi kokën e të cilit është vënë vaji i vajosjes dhe që është shenjtëruar për të veshur rrobat e shenjta, nuk do të zbulojë kokën dhe nuk do të shqyejë rrobat.
11 Nuk do t’i afrohet asnjë kufome; nuk do të ndotet as për të atin, as për të ëmën.
12 Nuk do të dalë nga shenjtërorja dhe nuk do të përdhosë shenjtëroren e Perëndisë së tij, sepse shenjtërimi i vajosjes nga ana e Perëndisë është mbi të. Unë jam Zoti.
13 Do të marrë për grua një virgjëreshë.
14 Nuk do të marrë as grua të ve, as të ndarë nga burri, as grua faqenxirë, as kurvë; por do të marrë për grua një virgjëreshë nga populli i tij.
15 Nuk do të turpërojë trashëgimtarët e tij në mes të popullit; sepse unë jam Zoti që ju shenjtëron".
16 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
17 "Foli Aaronit dhe i thuaji: Në brezat e ardhshëm asnjë burrë nga fisi yt, që ka ndonjë gjymtim, nuk do të mund të afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij;
18 sepse asnjë njeri që ka ndonjë gjymtim nuk do të mund të afrohet: as i verbri, as i çali as ai që ka një fytyrë të përçudnuar, ose ka një gjymtyrë të deformuar,
19 një thyerje të këmbës apo të dorës,
20 as gungaçi as shkurtabiqi as ai që ka një njollë në sy apo një ekzemë, a zgjeben apo herdhet të shtypura.
21 Asnjë burrë nga fisi i priftit Aaron që ka ndonjë gjymtim nuk do të afrohet për t’i ofruar flijimet e bëra me zjarr Zotit. Ka një gjymtim; të mos afrohet për të ofruar bukën e Perëndisë së tij.
22 Ai do të mund të hajë bukën e Perëndisë së tij, gjëra shumë të shenjta dhe gjëra të shenjta;
23 nuk do t’i afrohet velit as edhe altarit, sepse ka një gjymtim. Nuk do të përdhosë vendet e mia të shenjta, sepse unë jam Zoti që i shenjtëroj".
24 Dhe Moisiu ia tha këto gjëra Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit.
26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.
2 Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3 Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
4 Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.
5 Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.
6 Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,
7 për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.
8 O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.
9 Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.
27 Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? Zoti është kështjella e jetës sime; nga kush do të kem frikë?
2 Kur njerëzit e këqij, armiqtë dhe kundërshtarët e mi më sulmuan për të ngrënë mishin tim, ata vetë u lëkundën dhe ranë.
3 Edhe sikur një ushtri të dilte kundër meje, zemra ime nuk do të kishte frikë; edhe sikur një luftë të pëlciste kundër meje, edhe atëherë do të kisha besim.
4 Një gjë i kërkova Zotit dhe atë kërkoj: të banoj në shtëpinë e Zotit tërë ditët e jetës sime, për të soditur bukurinë e Zotit dhe për të admiruar tempullin e tij.
5 Sepse ditën e fatkeqësisë ai do të më fshehë në çadrën e tij, do të më fshehë në një vend sekret të banesës së tij, do të më lartojë mbi një shkëmb.
6 Dhe tani koka ime do të ngrihet mbi armiqtë e mi që më rrethojnë, dhe do të ofroj në banesën e tij flijime me britma gëzimi; do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e Zotit.
7 O Zot, dëgjo zërin tim, kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu.
8 Zemra ime më thotë nga ana jote: "Kërkoni fytyrën time". Unë kërkoj fytyrën tënde, o Zot.
9 Mos ma fshih fytyrën tënde, mos e hidh poshtë me zemërim shërbëtorin tënd; ti ke qenë ndihma ime; mos më lër dhe mos më braktis, o Përendi e shpëtimit tim.
10 Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte.
11 O Zot, më mëso rrugën tënde dhe më udhëhiq në një shteg të sheshtë, për shkak të armiqve të mi.
12 Mos më braktis në dëshirat e armiqve të mi, sepse kanë dalë kundër meje dëshmitarë të rremë, njerëz që duan dhunën.
13 Oh, sikur të mos isha i sigurt të shoh mirësinë e Zotit në dheun e të gjallëve!
14 Ki besim të madh te Zoti; ji i fortë, ki zemër; ki besim të madh te Zoti.
4 Kështu u ktheva dhe mendova për gjithë shtypjen që ndodhin nën diell; dhe ja, lotët e të shtypurve, të cilët nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë; nga ana e shtypësve të tyre ishte forca, por as ata nuk kanë njeri që t’i ngushëllojë.
2 Prandaj i konsiderova të vdekurit, ata që tashmë kanë vdekur, më të lumtur se të gjallët që jetojnë akoma;
3 por edhe më i lumtur se njera dhe tjetra palë është ai që nuk ka ekzistuar kurrë dhe ende nuk ka parë veprimet e këqija që kryhen nën diell.
4 Pashë gjithashtu që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën njerit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.
5 Budallai rri me duar të kryqezuara dhe ha mishin e vet.
6 Vlen më tepër një grusht me pushim se sa dy grushte, me mundim, duke u përpjekur të kapësh erën.
7 Kam parë edhe një kotësi tjetër nën diell;
8 dikush është krejt vetëm dhe nuk ka as bir as vëlla, megjithatë mundi i tij nuk ka të sosur dhe sytë e tij nuk janë ngopur me pasuri. Por nuk e pyet veten: "Për kë po lodhem dhe e lë veten pa asnjë të mirë?". Edhe kjo është kotësi dhe një mundim i rëndë.
9 Dy vlejnë më mirë se një i vetëm, sepse kanë një shpërblim të mirë për mundin e tyre.
10 Në fakt në se rrëzohen, njeri ngre tjetrin; por mjerë ai që është vetëm dhe rrëzohet, sepse nuk ka njeri që ta ngrerë!
11 Kështu gjithashtu në se dy veta flenë bashkë, ata kanë mundësi të ngrohen; por ai që është vetëm si do t’ia bëjë të ngrohet?
12 Në rast se dikush mund të mposhtë atë që është vetëm, dy veta mund t’i rezistojnë; një litar tresh nuk këputet aq shpejt.
13 Éshtë më mirë një i ri i varfër dhe i urtë se sa një mbret plak dhe budalla, që nuk di më të pranojë qortime.
14 Sepse i riu ka dalë nga burgu për të mbretëruar, megjithëse kishte lindur i varfër në mbretërinë e tij.
15 I pashë tërë të gjallët që ecnin nën diell për t’u bashkuar me të riun, që shkon të zërë vendin e tjetrit.
16 Ishte i panumërt gjithë populli, gjithë ata që kishin qenë para tyre. Megjithatë ata që do të vijnë më pas nuk do të jenë të kënaqur prej tij! Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.
6 Të gjithë skllevërit që janë nën zgjedhë le t’i çmojnë zotërinjtë e tyre të denjë për çdo nderim, që të mos shuhen emri i Perëndisë dhe doktrina.
2 Edhe ata që i kanë zotërinjtë besimtarë, të mos i përbuzin sepse janë vëllezër, por t’u shërbejnë edhe më mirë, sepse ata që kanë dobi nga shërbimi i tyre janë besimtarë dhe të dashur. Mëso këto gjëra dhe i këshillo.
3 Në qoftë se dikush mëson një doktrinë tjetër dhe nuk ndjek fjalët e shëndosha të Zotit tonë Jezu Krisht dhe doktrinën sipas perëndishmërisë,
4 ai mbahet më të madh dhe nuk di asgjë, por vuan nga sëmundja e grindjes dhe e të zënit me fjalë, prej nga lindin smira, grindja, të sharat, dyshimet e këqija,
5 debatet e kota të njerëzve me mendje të prishur dhe të shterur nga e vërteta, sepse mendojnë se perëndishmëria është burim fitimi; largohu prej këtyre.
6 Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.
7 Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete;
8 por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.
9 Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.
10 Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.
11 Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.
12 Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve.
13 Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi,
14 ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht,
15 që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve,
16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.
17 Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar,
18 të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë,
19 duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.
20 O Timote, ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë,
21 të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi. Hiri qoftë me ty! Amen!