Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 6

Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur një burrë a një grua do të lidhin një kusht të veçantë, kushtin e nazireatit, për t’iu shenjtëruar Zotit,

do të heqin dorë nga vera dhe nga pije të tjera që të dehin, nuk do të pinë uthull të bërë nga vera, as uthull të përgatitur me pije dehëse; nuk do të pinë asnjë lëng rrushi dhe nuk do të hanë rrush, as të freskët as të thatë.

Gjatë gjithë kohës së shenjtërimit të tij, ai nuk do të hajë asnjë prodhim të vreshtit, as kokrrat as lëkurën e rrushit.

Gjatë gjithë kohës së kushtit të shenjtërimit, brisku nuk do të kalojë mbi kokën e tij; deri sa të mbushen ditët për të cilët iu shenjtërua Zotit do të jetë i shenjtë; do t’i lërë flokët e tij të rriten të gjatë mbi kokën e tij.

Për gjithë kohën që i është shenjtëruar Zotit nuk do t’i afrohet ndonjë trupi të vdekur;

as sikur të ishte i ati apo e ëma, i vëllai ose e motra, ai nuk do të ndotet për ta kur vdesin, sepse mban mbi krye shenjën e shenjtërimit të tij Perëndisë.

Për gjithë kohën e shenjtërimit të tij, ai do të jetë i shenjtë për Zotin.

Në rast se dikush vdes papritmas afër tij dhe koka e tij e shenjtëruar mbetet e ndotur, ai do ta rruajë kokën ditën e pastrimit të tij; do ta rruajë ditën e shtatë;

10 ditën e tetë do t’i çojë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj priftit, në hyrje të çadrës së mbledhjes.

11 Prifti do të ofrojë njërin prej tyre si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust dhe do të bëjë shlyerjen për të, sepse ka mëkatuar për shkak të trupit të vdekur; dhe po atë ditë do të shenjtërojë kokën e tij.

12 Do t’i shenjtërojë përsëri Zotit ditët e nazireatit të tij dhe do të çojë një qengj motak si fli shlyerjeje; por ditët e mëparshme nuk do të llogariten më, sepse nazireati i tij është ndotur.

13 Ky është ligji i nazireatit: kur ditët e shenjtërimit të tij do të plotësohen, atë njeri do ta sjellin në hyrjen e çadrës së mbledhjes;

14 dhe ai do t’ia paraqesë ofertën e tij Zotit: një qengj mashkull motak pa të meta për olokaustin, një qengj femër motak pa të meta për flijimin për mëkatin dhe një dash pa të meta për flijimin e falënderimit;

15 një shportë me bukë të ndorme të përgatitura me majë mielli, me kuleç të zëna me vaj, një revani pa maja të lyer me vaj, me ofertat e tyre ushqimore dhe libacionet e tyre.

16 Prifti do t’i paraqesë këto gjëra përpara Zotit dhe do të ofrojë flijimin e tij për mëkatin dhe olokaustin e tij;

17 do të ofrojë dashin si flijim falënderimi ndaj Zotit, bashkë me shportën e bukëve të ndorme; prifti do të ofrojë gjithashtu blatimin e tij ushqimor dhe libacionin e tij.

18 Nazireu do të rruajë kokën e tij të shenjtëruar në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe do të marrë flokët e kokës së tij të shenjtëruar dhe do t’i vërë mbi zjarrin që është nën flijimin e falënderimit.

19 Prifti do të marrë shpatullën e pjekur të dashit, një kulaç pa maja nga shporta dhe një revani pa maja dhe do të vërë në dorë të nazireut, mbasi ky të ketë rruar kokën e tij të shenjtëruar.

20 Prifti do t’i tundë si oferta para Zotit; është një gjë e shenjtë që i përket priftit, bashkë me gjoksin e ofertës së tundur dhe me kofshën e ofertës së ngritur. Pas kësaj nazireu do të mund të pijë verë.

21 Ky është ligji për nazireun që i ka premtuar Zotit një ofertë për shenjtërimin e tij, veç atyre që mjetet e tij do t’i lejojnë të bëjë. Në bazë të kushtit të lidhur, ai duhet të sillet në pajtim me ligjin e shenjtërimit të tij".

22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

23 "Folu Aaronit dhe bijve të tij, dhe u thuaj atyre: Ju do t’i bekoni kështu bijtë e Izraelit, duke u thënë:

24 "Zoti të të bekojë dhe të të ruajë!

25 Zoti të bëjë që të shkëlqejë fytyra e tij mbi trupin tënd dhe të tregohet i mbarë me ty!

26 Zoti të kthejë fytyrën e tij mbi ty dhe të të sjellë paqe!".

27 Kështu do ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit dhe unë do t’i bekoj".

Psalmet 40-41

40 Unë kam pritur me ngulm dhe me durim Zotin, dhe ai u përkul mbi mua dhe dëgjoi britmën time.

Më nxorri jashtë një grope shkatërrimi, nga balta e moçalit, i vendosi këmbët e mia mbi një shkëmb dhe i ka bërë të qëndrueshme hapat e mia.

Ai vuri në gojën time një kantik të ri për të lëvduar Perëndinë tonë; shumë njerëz kanë për ta parë këtë, do të dridhen dhe do t’i besojnë Zotit.

Lum ai njeri që i beson Zotit dhe nuk u drejtohet krenarëve dhe as atyre që marrin rrugë të keqe duke u dhënë pas gënjeshtrës.

O Zot, Perëndia im, të shumta janë mrekullitë që ke bërë, dhe askush nuk mund të numërojë gjërat që ke menduar për ne. Po të duhej t’i shpallja dhe t’i tregoja, do të ishin tepër për t’i radhitur.

Ti nuk kënaqesh as me flijime as me oferta; më ke shpuar veshët. Ti nuk ke kërkuar as olokauste as flijime për mëkatin.

Atëherë unë thashë: "Ja, po vij. Në rrotullin e librit shkruhet për mua.

Perëndia im, unë gëzohem kur zbatoj vullnetin tënd dhe ligji yt është në zemrën time".

E shpalla drejtësinë tënde në kuvendin e madh; ja, unë nuk i mbaj buzët të mbyllura, o Zot, ti e di këtë.

10 Nuk e kam fshehur drejtësinë tënde në zemrën time; kam shpallur besnikërinë tënde dhe shpëtimin tënd; nuk e kam fshehur mirësinë tënde as të vërtetën tënde para kuvendit të madh.

11 Mos më moho, o Zot, mëshirën zemërbutë; mirësia jote dhe e vërteta jote më mbrofshin gjithnjë.

12 Sepse të këqija të panumërta më rrethojnë; paudhësitë e mia më kanë zënë dhe nuk mund të shikoj; janë më të shumta se flokët e kokës sime, dhe zemra po më ligështohet.

13 Prano, o Zot, të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

14 U turpërofshin dhe u pështjellofshin ata që duan të shkatërrojnë jetën time. Rënçin poshtë të mbuluar nga turpi ata që gëzohen me fatkeqësitë e mia.

15 U trëmbshin për turp të tyre ata që më thonë: "Ah, ah…!".

16 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, ata që duan shpëtimin tënd thënçin: "Lëvduar qoftë Zoti".

17 Sa për mua, unë jam i varfër dhe nevojtar, por Zoti kujdeset për mua. Ti je mbështetja ime dhe çlirimtari im; Perëndia im, mos u vono.

41 Lum ai që kujdeset për të varfërin; Zoti do ta çlirojë ditën e fatkeqësisë.

Zoti do ta ruajë dhe do ta mbajë të gjallë; ai do të jetë i lumtur mbi tokë dhe ti nuk do ta lësh në duart e armiqve të tij.

Zoti do ta ndihmojë në shtratin e sëmundjes; gjatë sëmundjes së tij, o Zot, ti do ta transformosh plotësisht shtratin e tij.

Unë kam thënë: "O Zot, ki mëshirë për mua, ma shëro shpirtin, sepse kam mëkatuar kundër teje".

Armiqtë e mi ndjellin të keqen, duke thënë: "Kur do të vdesë dhe kur do të zhduket emri i tij?".

Në rast se dikush prej tyre vjen të më shikojë, gënjen, ndërsa zemra e tij mbledh paudhësi; pastaj del jashtë dhe e përhap rreth e rrotull.

Të gjithë ata që më urrejnë, pëshpëritin bashkë kundër meje; kundër meje kurdisin të keqen,

duke thënë: "Një e keqe e tmerrshme e ka zënë dhe ai nuk do të ngrihet kurrë më nga vendi ku dergjet".

Madje edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim dhe që hante bukën time, ka ngritur kundër meje thembrën e tij.

10 Por ti, o Zot, ki mëshirë për mua dhe më ço në këmbë që të mund t’ua shpaguaj.

11 Nga kjo e di që ti më pëlqen, në rast se armiku im nuk triumfon mbi mua.

12 Sa për mua, më ke përkrahur në ndershmërinë time dhe më ke vendosur në praninë tënde për gjithnjë.

13 Qoftë i bekuar Zoti, Perëndia i Izraelit, përjetë. Amen, amen.

Kantiku i Kantikëve 4

Sa e bukur je, o mikja ime, sa e bukur je! Sytë e tu prapa velit tënd janë si ato të pëllumbeshave; flokët e tu janë si një kope dhish, që kullosin në malin Galaad.

Dhëmbët e tua janë si një kope delesh të qethura, që kthehen nga vendi i larjes; të gjitha kanë binjakët e tyre dhe asnjë prej tyre nuk është shterpë.

Buzët e tua janë si një fije e kuqe flakë, dhe goja jote është e këndshme; tëmthat e tu prapa velit tënd janë si një thelë shege.

Qafa jote është si kulla e Davidit, e ndërtuar për një armëri; mbi të cilën janë varur një mijë mburoja, të gjitha mburojat të njerëzve trima.

Të dy sisët e tua janë si dy kaproj të vegjël, binjake të gazelave, që kullosin midis zambakëve.

Përpara se flladi i ditës të ndihet dhe hijet të ikin, do të shkoj në malin e mirrës dhe në kodrën e temjanit.

Ti je e tëra e bukur, mikja ime, dhe nuk ka në ty asnjë të metë.

Eja me mua nga Libani, o nusja ime, eja me mua nga Libani! Shiko nga maja e Amanas, nga maja e Senirit dhe e Hermonit, nga strofkat e luanëve dhe nga malet e leopardëve.

Ti më ke rrëmbyer zemrën, o motra ime, nusja ime; ti më ke rrëmbyer zemrën me një shikim të vetëm të syve të tu, me një gushore të vetme të qafës sate.

10 Sa e kënaqshme është dashuria jote, o motra ime, nusja ime! Sa më e mirë se vera është dashuria jote dhe aroma e vajrave të tua të parfumuara është më e këndshme se gjithë aromat!

11 Nusja ime, buzët e tua pikojnë si një huall mjaltë, mjaltë dhe qumësht ka nën gjuhën tënde, dhe aroma e rrobave të tua është si aroma e Libanit.

12 Motra ime, nusja ime, është një kopsht i mbyllur, një burim i mbyllur, gurrë e vulosur.

13 Filizat e tua janë një kopësht shegësh me fryte të zgjedhura me bimë të alkanës me nardo,

14 me nardo dhe kroko, kanellë dhe çinamom, me të gjitha llojet e drurëve të temjanit, të mirrës dhe të aloes, me të gjitha aromat më të mira.

15 Ti je një burim lulishtesh, një pus ujërash të freskëta, rrëkesh që dalin nga Libani.

16 Zgjohu, o veri dhe eja, o jugë; fryj mbi kopshtin tim, dhe aromat e tij të përhapen! Le të hyjë i dashuri im në kopshtin e tij dhe të hajë frytet e zgjedhura!

Hebrenjve 4

Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.

Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time,” ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”;

dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

ai cakton përsëri një ditë: "Sot," duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”

Sepse, në qoftë se Jozueu do t’u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.

Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.

10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.

11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.

12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.

13 Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.

14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.

15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.

16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.