Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Levitiku 5

"Në qoftë se dikush kryen një mëkat, pasi të jetë betuar botërisht se do të dëshmojë, kur ai është dëshmitar, sepse e ka parë faktin ose i është bërë i njohur, po të jetë se nuk e kallëzon, do të mbajë fajin.

Ose kur dikush prek diçka të papastër, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, si kërmën e një kafshe të papastër ose kërmën e një kafshe shtëpiake të papastër apo kërmën të një rrëshqanori të papastër, do të mbetet ai vetë i papastër dhe fajtor.

Ose kur prek një papastërti njerëzore, qoftë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme, çfarëdo gjë me anë të të cilit njeriu bëhet i papastër kur e pranon, është fajtor.

Ose në se dikush në mënyrë të pandërgjegjshme, duke folur pa u menduar thellë me buzët e tij, betohet se do të bëjë një të mirë apo një të keqe, çfarëdo gjë që një njeri mund të thotë me mëndjelehtësi me një betim, kur e pranon gabimin, është fajtor për secilën nga këto gjëra.

Prandaj në se dikush është bërë fajtor në një nga këto gjëra, do të pranojë mëkatin që ka kryer;

do t’i çojë pra Zotit, si fli të fajit të tij për mëkatin që ka kryer, një femër të kopesë, një dele apo një dhi, si flijim për mëkatin; dhe prifti do të bëjë për të shlyerjen për shkak të mëkatit të tij.

Në qoftë se nuk ka mjetet për të siguruar një dele, do t’i çojë Zotit, si fli për mëkatin e kryer, dy turtuj ose dy pëllumba të rinj: njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust.

Do t’ia çojë priftit, i cili do të ofrojë së pari atë të mëkatit; do t’i këpusë kokën pranë qafës, por pa e ndarë plotësisht;

pastaj do të spërkasë pak gjak të flijimit për mëkatin mbi faqen e altarit, dhe mbetja e gjakut do të derdhet në bazën e altarit. Ky është një flijim për mëkatin.

10 Me zogun tjetër do të bëjë një olokaust, simbas normave të caktuara. Kështu prifti do të bëjë për atë person shlyerjen e mëkatit që ka kryer, dhe ai do t’i falet.

11 Por në rast se i mungojnë mjetet për të siguruar dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, atëherë kush ka mëkatuar do të sjellë si ofertë të dhjetën pjesë të një efe në majë mielli, si flijim për mëkatin; nuk do të vërë mbi të as vaj as temjan, sepse është një flijim për mëkatin.

12 Do ta çojë miellin te prifti dhe ky do të marrë një grusht prej tij si kujtim, dhe do ta tymosë mbi altarin sipër flijimeve të bëra me zjarr për Zotin. Éshtë një flijim për mëkatin.

13 Kështu prifti do të shlyejë për të mëkatin që ai ka kryer në një nga këto gjëra, dhe ai do t’i jetë falur. Mbetja do t’i takojë priftit, si në blatimin e ushqimit".

14 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:

15 "Në qoftë se dikush kryen ndonjë shkelje dhe mëkaton nga padituria kundër gjërave të shenjta të Zotit, atëherë do t’i çojë Zotit ofertën e tij për shkeljen, një dash pa të meta të marrë nga kopeja, të cilin ti e çmon në sikla argjendi, simbas siklit të shenjtërores, si ofertë për shkeljen.

16 Dhe do ta lajë dëmin e shkaktuar ndaj gjësë së shenjtë, duke shtuar një të pestën e vlerës, dhe do t’ia japë priftit; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen me dashin e ofertës për shkeljen, dhe shkelja do t’i falet.

17 Në qoftë se dikush mëkaton dhe, në mënyrë të pandërgjegjshme, kryen një diçka që Zoti ka ndaluar të bëhet, është gjithashtu fajtor dhe i detyruar të vuajë dënimin.

18 Ai do t’i sjellë priftit si ofertë për shkeljen, një dash pa të meta, të marrë nga kopeja, sipas vlerësimit tënd. Kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen për mëkatin e tij nga padituria, të cilin e ka kryer në mënyrë të pandërgjegjshme dhe ky do t’i jetë falur.

19 Kjo është një ofertë për shkeljen; ai është me siguri fajtor përpara Zotit".

Psalmet 3-4

O Zot, sa të shumtë janë armiqtë e mi! Shumë ngrihen kundër meje.

Shumë thonë për mua: "Nuk ka shpëtim për të pranë Perëndisë". (Sela)

Por ti, o Zot, je një mburoje rreth meje; ti je lavdia ime dhe ai më larton kokën.

Me zërin tim i thirra Zotit dhe ai m’u përgjigj nga mali i tij i shenjtë. (Sela)

Unë rashë e fjeta; pastaj u zgjova, sepse Zoti më përkrah.

Unë do të kem frikë nga mizëri njerëzish që kanë fushuar rreth e qark kundër meje.

Çohu, o Zot, më shpëto, o Perëndia im; sepse ti i ke goditur tërë armiqtë e mi në nofull; u ke thyer dhëmbët të pabesëve.

Shpëtimi i përket Zotit, bekimi yt qoftë mbi popullin tënd. (Sela)

Kur thërras, përgjigjmu, o Perëndi i drejtësisë sime; kur isha në fatkeqësi, ti më ke ndihmuar; ki mëshirë për mua dhe plotësoje lutjen time.

Deri kur, o bij të njerëzve, do të fyhet rëndë lavdia ime? Deri kur do të jepeni pas kotësisë dhe do të shkoni pas gënjeshtrës? (Sela)

Por dijeni se Zoti ka zgjedhur një që është i shenjtë; Zoti do të më plotësojë dëshirën kur do t’i thërras atij.

Zemërohuni dhe mos mëkatoni; në shtratin tuaj mendohuni shumë në zemër tuaj dhe qëndroni në heshtje. (Sela)

Ofroni flijime drejtësie dhe kini besim te Zoti.

Shumë thonë: "Kush do të na tregojë të mirën?". O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne.

Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë.

Në paqe do të bie dhe në paqe do të fle, sepse ti vetëm, o Zot, më mban në siguri.

Fjalët e urta 20

20 Vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

Frika e mbretit është si ulërima e luanit; kush ia nxit zemërimin mëkaton kundër vetë jetës së vet.

Éshtë një lavdi për njeriun t’u shmanget grindjeve, por çdo budalla përzihet në to.

Përtaci nuk lëron për shkak të të ftohtit; për pasojë do të lypë në kohën e vjeljeve, por nuk do të ketë asgjë.

Këshilla në zemrën e njeriut është si uji i thellë, por njeriu me mend do të dijë të mbushë nga ai ujë.

Shumë njerëz shpallin mirësinë e tyre; por kush mund të gjejë një njeri besnik?

I drejti ecën në ndershmërinë e tij; bijtë e tij do të bekohen pas atij.

Një mbret që ulet mbi fronin e gjyqit davarit me vështrimin e tij çdo të keqe.

Kush mund të thotë: "Pastrova zemrën time, jam i pastruar nga mëkati im"?

10 Peshimi i dyfishtë dhe matja e dyfishtë janë që të dyja gjëra të neveritshme për Zotin.

11 Edhe fëmija me veprimet e tij tregon në se ajo që bën është e pastër dhe e ndershme.

12 Veshin që dëgjon dhe syrin që sheh i ka bërë që të dy Zoti.

13 Mos e duaj gjumin që të mos varfërohesh; mbaji sytë hapur dhe do të kesh bukë sa të ngopesh.

14 "Éshtë i keq, është i keq," thotë blerësi; por mbasi ai ka ikur, lavdërohet për blerjen.

15 Ka flori dhe margaritarë të shumtë, por buzët e pasura me dije janë një xhevahir i çmuar.

16 Merr rroben e atij që është bërë garant për një të huaj, dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

17 Buka e nxjerrë me hile është e ëmbël për njeriun, por pastaj goja e tij do të mbushet me zaje.

18 Planet bëhen të qëndrueshme nga këshilla; prandaj bëje luftën me këshilla të urta.

19 Ai që shkon poshtë e lart duke përfolur tregon sekretet; prandaj mos u shoqëro me atë që flet tepër.

20 Atij që mallkon të atin dhe të ëmën, llamba do t’i shuhet në terrin më të madh.

21 Trashëgimia e fituar me nxitim në fillim, nuk do të bekohet në fund.

22 Mos thuaj: "Do t’i përgjigjem së keqes me të keqen"; ki shpresë te Zoti dhe ai do të të shpëtojë.

23 Peshimi i dyfishtë është i neveritshëm për Zotin dhe peshorja e pasaktë nuk është një gjë e mirë.

24 Hapat e njeriut vijnë nga Zoti; si mund ta njohë, pra, njeriu rrugën e vet?

25 Éshtë një kurth për njeriun të marrë një zotim pa e matur mirë dhe, mbasi ta ketë marrë, të mendohet.

26 Një mbret i urtë i shpartallon njerëzit e këqij dhe kalon mbi ta rrotën.

27 Shpirti i njeriut është llamba e Zotit, që vëzhgon tërë skutat më të fshehta të zemrës.

28 Mirësia dhe besnikëria ruajnë mbretin; ai e bën të qëndrueshëm fronin e tij me anë të mirësisë.

29 Lavdia e të rinjve është forca e tyre, nderi i pleqve janë thinjat e tyre.

30 Të rrahurat që lënë plagë të thella e heqin të keqen, ashtu si goditjet që vijnë në pjesën më të brendshme të zorrëve.

Kolosianëve 3

Në qoftë se ju jeni ringjallur me Krishtin, kërkoni ato që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë.

Kini në mend gjërat që janë atje lart, jo ato që janë mbi tokë,

sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë.

Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.

Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja që janë mbi tokë: kurvërinë, ndyrësinë, pasionet, dëshirat e këqija dhe lakminë, që është idhujtari;

për këto gjëra zemërimi i Perëndisë vjen përmbi bijtë e mosbindjes,

midis të cilëve dikur ecët edhe ju, kur rronit në to.

Por tani hiqni edhe ju të gjitha këto gjëra: zemërim, zemëratë, ligësi, e mos të dalë sharje e asnjë e folur e pandershme nga goja juaj.

Mos gënjeni njeri tjetrin, sepse ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tij,

10 edhe veshët njeriun e ri, që përtërihet në njohurinë sipas shëmbullit të atij që e krijoi.

11 Këtu nuk ka më Grek e Jud, rrethprerje dhe parrethprerje, Barbar e Skithas, shërbëtor e i lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.

12 Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin,

13 duke duruar njeri tjetrin dhe duke falur njeri tjetrin, nëqoftëse dikush ankohet kundër një tjetri; dhe sikundër Krishti ju ka falur, ashtu bëni edhe ju.

14 Dhe, përmbi të gjitha këto gjëra, vishni dashurinë, që është lidhja e përsosmërisë.

15 Dhe paqja e Perëndisë, për të cilin ju u thirrët në një trup të vetëm, të mbretërojë në zemrat tuaja; dhe jini mirënjohës!

16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet; në çdo dituri, mësoni dhe këshilloni njeri tjetrin me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar Zotit me hir në zemrat tuaja!

17 Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar Perëndinë Atë nëpërmjet tij.

18 Ju bashkëshorte, jini të nënshtruara bashkëshortëve tuaj, ashtu si ka hije në Zotin.

19 Ju bashkëshortë, duaini bashkëshortet tuaja dhe mos u bëni të ashpër ndaj tyre.

20 Ju bij, binduni prindërve në çdo gjë, sepse kjo është e pranueshme për Zotin.

21 Ju etër, mos provokoni për zemërim bijtë tuaj, që të mos i lëshojë zemra.

22 Ju shërbëtorë, binduni në çdo gjë zotërinjve tuaj sipas mishit, duke u shërbyer jo vetëm kur ju shohin, sikurse të doni t’u pëlqeni njerëzve, por me thjeshtësinë e zemrës, duke druajtur Perëndinë.

23 Dhe çdo gjë që të bëni, ta bëni me dëshirë të mirë, si për Zotin dhe jo për njerëzit,

24 duke ditur se nga Zoti do të merrni shpërblimin e trashëgimisë, sepse ju i shërbeni Krishtit, Zotit.

25 Por ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë, dhe nuk do të ketë anësi për asnjë.