M’Cheyne Bible Reading Plan
18 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
3 Nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Egjiptit, ku keni banuar, dhe nuk do të bëni siç bëjnë në vendin e Kanaanit ku po ju çoj; ju nuk do të ndiqni zakonet e tyre.
4 Do të zbatoni dekretet e mia dhe do të respektoni statutet e mia, duke iu përmbajtur atyre. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.
5 Do të respektoni statutet dhe dekretet e mia, me anën e të cilave, kushdo që i zbaton në praktikë, ka për të jetuar. Unë jam Zoti.
6 Asnjë nga ju nuk do t’i afrohet ndonjë të afërmi nga gjaku për të zbuluar lakuriqësinë e tij. Unë jam Zoti.
7 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e atit tënd apo lakuriqësinë e nënës sate; ajo është nëna jote; nuk do të zbulosh lakuriqësinë e saj.
8 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së atit tënd; ajo është lakuriqësia e atit tënd.
9 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës sate, bijë e atit tënd ose bijë e nënës sate, qoftë e lindur në shtëpi ose jashtë saj.
10 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së birit tënd apo të bijës së bijës sate, sepse lakuriqësia e tyre është vetë lakuriqësia jote.
11 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e bijës së gruas të atit tënd, e lindur nga ati yt; është motra jote; mos zbulo lakuriqësinë e saj.
12 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së atit tënd; është një e afërme e ngushtë e atit tënd.
13 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e motrës së nënës sate, sepse është një e afërme e ngushtë e nënës sate.
14 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e vëllait të atit tënd; nuk do t’i afrohesh gruas së tij; ajo është halla jote.
15 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e nuses së birit tënd; ajo është gruaja e djalit tënd; mos zbulo lakuriqësinë e saj.
16 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e gruas së vëllait tënd; është lakuriqësia e vëllait tënd.
17 Nuk do të zbulosh lakuriqësinë e një gruaje dhe të bijës së saj; nuk do të marrësh bijën e birit të saj, as bijën e bijës së saj për të zbuluar lakuriqësinë; janë të afërm të ngushtë të saj; është një incest.
18 Nuk do të marrësh një grua bashkë me të motrën për ta bërë shemër, duke zbuluar lakuriqësinë e saj ndërsa tjetra është akoma gjallë.
19 Nuk do t’i afrohesh një gruaje për të zbuluar lakuriqësinë e saj në periudhën e papastërtisë së saj të shkaktuar nga zakonet.
20 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me gruan e fqinjit tënd për t’u ndotur me të.
21 Nuk do të lejosh që asnjë prej trashëgimtarëve të tu t’i ofrohet Molekut; dhe nuk do të përdhosësh emrin e Perëndisë tënd. Unë jam Zoti.
22 Nuk do të kesh marrëdhënie seksuale me një burrë, ashtu si bëhet me një grua; është një gjë e neveritshme.
23 Nuk do të bashkohesh me asnjë kafshë duke u ndotur me të; gjithashtu asnjë grua të mos i afrohet një kafshe për t’u bashkuar me të; është një degjenerim i neveritshëm.
24 Mos u ndotni me asnjë nga këto gjëra, sepse me gjithë këto gjëra janë ndotur kombet që po bëhem gati t’i përzë përpara jush.
25 Vendi është ndotur; prandaj unë do ta dënoj për paudhësinë e tij, dhe vendi do të vjellë banorët e tij.
26 Ju, pra, do të respektoni statutet dhe dekretet e mia dhe nuk do të kryeni asnjë nga ato gjëra të neveritshme, as ai që ka lindur në vend ashtu edhe i huaji që banon midis jush,
27 (sepse të gjithë këto gjëra të neveritshme i kanë bërë banorët e vendit që ishin para jush, dhe vendi është ndotur),
28 që edhe ju, po të jetë se e ndotni, vendi të mos ju vjellë ashtu si ka vjellë kombin që ishte para jush.
29 Sepse cilido që kryen ndonjë prej këtyre gjërave të neveritshme, personat që i kryejnë do të shfarosen në mes të tyre.
30 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia, nuk do të ndiqni asnjë nga zakonet e neveritshme që janë para jush dhe nuk do të ndoteni me to. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?
2 O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.
3 Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.
4 Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.
5 Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.
6 Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.
7 Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,
8 duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".
9 Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.
10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.
11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.
12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;
13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.
14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.
15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.
16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.
17 Unë mund t’i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.
18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.
19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.
22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.
30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.
31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.
1 Fjalët e Predikuesit, e birit të Davidit, mbretit të Jeruzalemit.
2 "Kotësi e kotësive," thotë Predikuesi;
3 "Kotësi e kotësive; gjithçka është kotësi". Çfarë përfitimi ka njeriu nga gjithë mundi i tij, kur mundohet nën rrezet e diellit?
4 Një brez shkon, një brez vjen, por toka mbetet përjetë.
5 Edhe dielli lind e pastaj perëndon, dhe shpejtohet në drejtim të vendit nga del përsëri.
6 Era fryn në drejtim të jugut, pastaj kthehet nga veriu; kthehet dhe rikthehet vazhdimisht dhe bën po ato rrotullime.
7 Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.
8 Tërë gjërat kërkojnë mund, më tepër nga sa mund të thotë njeriu; syri nuk ngopet kurrë duke parë, po kështu veshi nuk ngopet kurrë duke dëgjuar.
9 Ajo që ka qenë është ajo që do të jetë; ajo që është bërë është ajo që do të bëhet; nuk ka asgjë të re nën diell.
10 A ka diçka për të cilën mund të thuhet: "Shiko, kjo është e re!". Kjo gjë ekzistonte që në shekujt që na kanë pararendur.
11 Nuk mbetet asnjë kujtim nga gjërat e kaluara, dhe kështu nuk do të mbetet asnjë kujtim nga gjërat që do të ndodhin midis atyre që do të vijnë më pas.
12 Unë, Predikuesi, kam qenë mbret i Izraelit në Jeruzalem,
13 dhe kam kërkuar me zemër të zbuloj dhe të hetoj me dituri çdo gjë që ndodh nën qiell; kjo është një punë e rëndë që Perëndia u ka dhënë bijve të njerëzve që ata të lodhen.
14 Unë i kam parë tërë gjërat që bëhen nën diell; dhe ja, të gjitha janë gjëra të kota dhe një kërkim për të kapur erën.
15 Ajo që është e shtrëmbër nuk mund të drejtohet dhe ajo që mungon nuk mund të numërohet.
16 Unë kam folur me zemrën time, duke thënë: "Ja, kam fituar madhështi dhe dituri më të madhe se të gjithë ata që kanë mbretëruar para meje në Jeruzalem dhe zemra ime ka parë shumë dituri dhe njohuri".
17 Dhe ia kushtova zemrën time për të njojtur diturinë si dhe njohjes së marrëzisë dhe budallallëkut; dhe kuptova që edhe kjo është një kërkim për të kapur erën.
18 Sepse aty ku ka shumë dituri ka edhe shumë shqetësim dhe kush shton diturinë shton dhembjen.
3 Kjo fjalë është e sigurt: Në qoftë se dikush dëshiron të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë."
2 Duhet, pra, që peshkopi të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje të vetme, të jetë i përmbajtur, i arsyeshëm, i matur, mikpritës, i zoti të mësojë të tjerët,
3 të mos jepet pas verës, të mos jetë i dhunshëm, të mos jetë koprac, por i butë, jo grindavec, të mos lakmojë paranë;
4 njeri që e qeveris mirë familjen e vet dhe i ka fëmijët të bindur me çdo lloj mirësjellje;
5 (sepse në qoftë se dikush nuk di të qeverisë familjen e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë?).
6 Të mos jetë i posakthyer në besim, që të mos i rritet mendja dhe të bjerë në gabimet e djallit.
7 Madje duhet që ai të ketë dëshmim të mirë edhe ndër të jashtmit, që të mos shahet dhe të bjerë në lakun e djallit.
8 Gjithashtu dhjakët duhet të jenë dinjitozë, jo me dy faqe në fjalë, të mos jepen pas verës së tepërt, të mos lakmojnë fitime të paligjshme,
9 dhe ta ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër.
10 Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën e tyre po të jenë të patëmetë.
11 Edhe bashkëshortet e tyre të kenë dinjitet, jo shpifarake, por të përmbajtura dhe besnike në gjithçka.
12 Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje të vetme, t’i drejtojnë mirë fëmijët dhe familjet e veta.
13 Sepse ata që e kanë kryer mirë shërbesën, fitojnë reputacion të mirë dhe siguri të madhe në besimin në Jezu Krishtin.
14 Po t’i shkruaj këto gjëra duke shpresuar që të vij së shpejti te ti,
15 por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës.
16 Dhe s’ka asnjë dyshim se misteri i mëshirës është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër johebrenj, u besua në botë, u ngrit në lavdi.