M’Cheyne Bible Reading Plan
5 Pastaj Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
2 "Urdhëro bijtë e Izraelit të nxjerrin jashtë kampit çdo lebroz, këdo që ka një fluks ose është i papastër nga kontakti që ka pasur me një trup të vdekur.
3 Dëboni jashtë kampit qoftë meshkujt, qoftë femrat; do t’i dëboni jashtë kampit për të mos ndotur kampin në mes të të cilit unë banoj".
4 Dhe bijtë e Izraelit vepruan ashtu dhe i nxorën jashtë kampit. Ashtu si i kishte folur Zoti Moisiut, kështu vepruan bijtë e Izraelit.
5 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
6 "Thuaju bijve të Izraelit: Kur një burrë apo një grua bën çfarëdo lloj fyerje kundër një njeriu, duke vepruar kështu kryen një mëkat kundër Zotit, dhe ky person bëhet fajtor;
7 ai do ta njohë fyerjen që ka bërë dhe do të shpërblejë plotësisht dëmin e bërë, duke i shtuar një të pestën dhe duke ia dhënë personit që ka fyer.
8 Por në rast se ky nuk ka ndonjë të afërm person të një gjaku të cilit mund t’i bëhet shpërblimi për fyerjen e kryer, shpërblimi do t’i shkojë Zotit për priftin, veç dashit fajshlyes, me të cilin do të bëhet shlyerja për të.
9 Çdo ofertë e ngritur e çfarëdo gjëje të shenjtëruar që bijtë e Izraelit i paraqesin priftit, do t’i përkasë këtij.
10 Sendet që dikush shenjtëron do të jenë të priftit; atë që dikush i jep priftit, do t’i përkasë këtij".
11 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
12 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Në qoftë se një grua i dredhon burrit të saj dhe kryen një pabesi kundrejt tij,
13 dhe një burrë ka marrëdhënie seksuale me të, por kjo gjë është bërë fshehurazi nga burri i saj; kur fëlliqësia e saj mbetet e fshehtë, sepse nuk ka asnjë dëshmitar kundër saj dhe nuk është kapur në flagrancë,
14 në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe bëhet xheloz për gruan e tij që është fëlliqur; ose në qoftë se një ndjenjë zilie e zë dhe ai bëhet xheloz për gruan e tij edhe sikur ajo të mos jetë fëlliqur,
15 burri do ta çojë gruan e tij te prifti dhe do t’i japë atij një ofertë për atë: një të dhjetën e një efe miell elbi; nuk do t’i derdhë sipër vaj ulliri as do t’i vërë sipër temjan, sepse është një blatim ushqimor për xhelozi, një blatim përkujtimor, i caktuar për të kujtuar një faj.
16 Prifti do ta afrojë gruan dhe do ta mbajë më këmbë përpara Zotit.
17 Pastaj prifti do të marrë ujë të shenjtë nga një enë prej dheu; do të marrë gjithashtu ca pluhur që ndodhet mbi dyshemenë e tabernakullit dhe do ta hedhë në ujë.
18 pastaj prifti do ta mbajë në këmbë gruan para Zotit, do t’i zbulojë kokën dhe do të vërë në duart e saja blatimin përkujtimor, që është blatimi ushqimor për xhelozinë, ndërsa prifti do të mbajë në dorë ujin e hidhur që sjell mallkimin.
19 Pastaj prifti do ta vërë gruan të betohet dhe do t’i thotë: "Në qoftë se asnjë burrë s’ka rënë në shtrat me ty dhe nuk je larguar nga rruga e drejtë për t’u fëlliqur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, je e përjashtuar nga çdo efekt i dëmshëm i këtij uji të hidhur që sjell mallkimin.
20 Por në se ti je shthurur, ndërsa ishe e martuar me burrin tënd, dhe je fëlliqur me një burrë që nuk është bashkëshorti yt ka pasur marrëdhënie seksuale me ty,"
21 atëherë prifti do ta vërë gruan të betohet me një betim mallkimi dhe do t’i thotë: "Zoti të bëftë objekt mallkimi dhe nëme midis popullit tënd, kur do të bëjë të të dobësohen ijet dhe të fryhet barku yt;
22 dhe ky ujë që sjell mallkimin hyftë në zorrët e tua, të bëftë të fryhet barku yt dhe dobësoftë ijet e tua!". Dhe gruaja do të thotë: "Amen! Amen!".
23 Pastaj prifti do t’i shkruajë këto mallkime mbi një rrotull dhe do t’i zhdukë në ujin e hidhur.
24 Pas kësaj do t’i japë gruas për të pirë ujë të hidhur që sjell mallkimin dhe ky ujë që sjell mallkimin do të hyjë në të për të prodhuar hidhërim;
25 pastaj prifti do të marrë nga duart e gruas blatimin e ushqimit për xhelozinë, do ta tundë blatimin para Zotit dhe do t’ia ofrojë në altar;
26 prifti do të marrë nga duart e gruas një grusht të blatimit ushqimor si kujtim dhe do ta tymosë mbi altar; pastaj do t’i japë gruas ujë për të pirë.
27 Mbas pirjes së ujit, do të ndodhë që, në se ajo është fëlliqur dhe ka kryer një pabesi ndaj burrit të saj, uji që sjell mallkimin do të hyjë në trupin e saj për të prodhuar hidhërim; barku i saj do të fryhet, ijët e saj do të dobësohen dhe ajo grua do të bëhet një mallkim në mes të popullit të saj.
28 Por në qoftë se gruaja nuk është fëlliqur dhe është e pastër, ajo do të njihet si e pafajshme dhe do të ketë fëmijë.
29 Ky është ligji për xhelozinë, në rastin kur gruaja, duke qenë e martuar me një burrë, merr rrugë të keqe dhe fëlliqet,
30 ose në rastin kur ndjenja e xhelozisë e zë një burrë dhe ky bëhet xheloz për gruan e tij; ai do ta paraqesë gruan e tij para Zotit dhe prifti do të zbatojë me të plotësisht këtë ligj.
31 Bashkëshorti nuk do të ketë asnjë faj, por e shoqja do të marrë dënimin e paudhësisë së saj".
39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".
2 Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.
3 Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:
4 "O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.
5 Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)
6 Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!
7 Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.
8 Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.
9 Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.
10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.
11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)
12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.
13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".
3 Mbi shtratin tim gjatë natës kërkova atë që dashuron zemra ime, e kërkova, por nuk e gjeta.
2 Tani do të ngrihem dhe do të shkoj rrotull nëpër qytet, nëpër rrugët dhe nëpër sheshet do të kërkoj atë që do zemra ime. E kërkova, por nuk e gjeta.
3 Rojet që sillen nëpër qytet më takuan. I pyeta ata: "A e patë atë që do zemra ime?".
4 Sapo i kalova, gjeta atë që do zemra ime. E shtrëngova fort dhe nuk kam ndërmend ta braktis deri sa ta çoj në shtëpinë e nënes sime dhe në dhomën e asaj që më ka ngjizur.
5 Ju përgjërohem, o bija të Jeruzalemit, për gazelat dhe sutat e fushave, mos e ngacmoni dhe mos e zgjoni dashurin time deri sa kështu t’i pëlqejë.
6 Kush është ajo që vjen nga shkretëtira, si kollona tymi, e parfumuar me mirrë dhe temjan dhe me lloj-lloj pluhurash aromatikë të tregëtarëve?
7 Ja shtrati i Salomonit, rreth të cilit qëndrojnë gjashtëdhjetë njerëz guximtarë, trima të Izraelit.
8 Të gjithë përdorin shpatën, janë të rrahur në çështjen e luftës; secili mban shpatën në ijë për tmerret e natës.
9 Mbreti Salomon i ka bërë vetes një lektizë me dru Libani.
10 I ka bërë kolonat e saj prej argjendi, shpinzën e saj prej ari, ndenjësen prej purpuri; pjesa e brendëshme e saj është qendisur me dashuri nga bijat e Jeruzalemit.
11 Dilni, bija të Sionit, soditni mbretin Salomon me kurorën me të cilën e ka kurorëzuar e ëma, ditën e dasmës së tij, ditën e gëzimit të zemrës së tij.
3 Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,
2 i cili është besnik ndaj atij që e bëri, ashtu si qe edhe Moisiu në tërë shtëpinë e tij.
3 Sepse Jezusi është i denjë për më shumë lavdi se Moisiu, meqenëse ai që ndërton shtëpinë ka më shumë nder se shtëpia.
4 sepse çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.
5 Dhe Moisiu qe me të vërtetë besnik në shtëpinë e Perëndisë si shërbëtor, për të dëshmuar për të gjitha gjërat që duheshin thënë,
6 por Krishti, si bir, është mbi shtëpinë e tij dhe shtëpia e vet jemi ne, në qoftë se e mbajmë deri në fund guximin dhe mburrjen e shpresës.
7 Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,
8 mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.
10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;
11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”
12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,
13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.
14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,
15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”
16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?
17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?
18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?
19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.