M’Cheyne Bible Reading Plan
14 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Ky është ligji lidhur me lebrozin për ditën e pastrimit të tij. Ai do t’i çohet priftit.
3 Prifti do të dalë nga kampi dhe do ta vizitojë atë dhe në qoftë se plaga e lebrës i është shëruar të lebrosurit,
4 prifti do të urdhërojë të merren për atë që do të pastrohet dy zogj të gjallë dhe të pastër, dru kedri, nga skarlati dhe hisopi.
5 Prifti do të urdhërojë që të theret një nga zogjtë në një enë prej argjili me ujë të rrjedhshëm.
6 Pastaj do të marrë zogun e gjallë, drurin e kedrit, skarlatin dhe hisopin, dhe do t’i zhytë, me zogun e gjallë, në gjakun e zogut të therur në ujë të rrjedhshëm.
7 Do ta spërkatë pastaj shtatë herë mbi atë që duhet të pastrohet nga lebra; do ta shpallë atë të pastër dhe do ta lërë të shkojë të lirë zogun e gjallë nëpër fusha.
8 Ai që duhet të pastrohet do të lajë rrobat e tij, do të rruajë tërë qimet e tij, do të lahet në ujë dhe do të jetë i pastër. Pas kësaj mund të hyjë në kamp, por do të qëndrojë shtatë ditë jashtë çadrës së tij.
9 Ditën e shtatë do të rruajë tërë qimet e kokës së tij, të mjekrës së tij dhe të vetullave të tij; do të rruajë shkurt të gjitha qimet e tij. Do të lajë rrobat e tij dhe do të lajë trupin e tij në ujë dhe do të jetë i pastër.
10 Ditën e tetë do të marrë dy qengja pa të meta, një qengj femër njëvjeçar pa të meta, tri të dhjeta efe majë mielli, të përziera me vaj, si një ofertë ushqimi, dhe një log vaji;
11 dhe prifti që kryen pastrimin do të paraqesë atë që duhet të pastrohet dhe të gjitha këto gjëra para Zotit në hyrje të çadrës së mbledhjes.
12 Pastaj prifti do të marrë një qengj dhe do ta ofrojë si flijim riparimi, me logun e vajit, dhe do t’i tundë si një ofertë e tundur para Zotit.
13 Do ta therë pastaj qengjin në vendin ku theren flijimet për mëkatin dhe olokaustet, në vendin e shenjtë, sepse si flijim riparimi i përket priftit, kështu është flijimi për mëkatin; është gjë shumë e shenjtë.
14 Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi i riparimit dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
15 Pastaj prifti do të marrë pak vaj nga logu dhe do ta derdhë mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë;
16 pastaj prifti do të ngjyejë gishtin e dorës së tij të djathtë në vajin që ka në dorën e majtë dhe me gishtin do të spërkatë shtatë herë pak vaj përpara Zotit.
17 Dhe nga mbetja e vajit që ka në dorë, prifti do të vërë pak në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të riparimit.
18 Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit.
19 Pastaj prifti do të ofrojë flijimin për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për atë që do të pastrohet nga papastërtia e tij; pas kësaj do të therë olokaustin.
20 Prifti do të ofrojë olokaustin dhe blatimin e ushqimit mbi altar; kështu ai do të ketë mundësi të bëjë për të shlyerjen dhe ai do të jetë i pastër.
21 Në rast se ky person është i varfër dhe nuk mund t’i sigurojë këto gjëra, do të marrë vetëm një qengj për ta ofruar si flijim për shkeljen e kryer, si një ofertë të tundur, për të bërë shlyerjen për të, dhe një të dhjetë të efës majë mielli të përzier me vaj si blatim ushqimor, një log vaji,
22 dhe dy turtuj apo dy pëllumba të rinj, sipas mundësive të tij; njëri do të jetë për flijimin për mëkatin dhe tjetri për olokaustin.
23 Ditën e tetë do t’i çojë, për pastrimin e tij, këto gjëra priftit në hyrje të çadrës së mbledhjes përpara Zotit.
24 Dhe prifti do të marrë qengjin e flijimit për shkeljen dhe logun e vajit, dhe do t’i tundë si një ofertë e tundur përpara Zotit.
25 Pastaj do të therë qengjin e flijimit për shkeljen e kryer. Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për shkeljen dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që do të pastrohet mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë.
26 Prifti do të derdhë pak vaj mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë.
27 Dhe me gishtin e dorës së tij të djathtë, prifti do të spërkasë shtatë herë pak nga vaji që ka në dorën e tij të majtë përpara Zotit.
28 Pastaj prifti do të vërë pak nga vaji që ka në dorë mbi skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e tij të madh të dorës së djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të shkeljes.
29 Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që do të pastrohet, për të bërë shlyerjen për atë përpara Zotit.
30 Pastaj do të ofrojë një nga turtujt a një nga të dy pëllumbat e rinj, sipas mundësive të tij;
31 do të ofrojë atë që ka mundur të sigurojë, njërin si flijim për mëkatin dhe tjetrin si olokaust, bashkë me blatimin e ushqimit; kështu prifti do të bëjë shlyerjen përpara Zotit për atë që do të pastrohet.
32 Ky është ligji për atë që është prekur nga plaga e lebrës dhe nuk ka mjetet për të siguruar atë që kërkohet për pastrimin e tij".
33 Zoti u foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke thënë:
34 "Kur do të hyni në vendin e Kanaanit që unë ju jap në pronësi, në rast se dërgoj plagën e lebrës në një shtëpi të vendit që është prona juaj,
35 i zoti i shtëpisë do të shkojë t’ia deklarojë priftit, duke thënë: "Më duket se ka një farë plage në shtëpinë time".
36 Atëherë prifti do të urdhërojë që të zbrazet shtëpia para se ai të hyjë për të shqyrtuar plagën, me qëllim që gjithçka që ndodhet në shtëpi të mos bëhet e papastër. Pastaj prifti do të hyjë për të ekzaminuar shtëpinë.
37 Do të ekzaminojë pastaj plagën; në qoftë se plaga që ndodhet mbi muret e shtëpisë ka disa zgavra të gjelbëra apo të kuqërreme që duken më të thella se sipërfaqja e mureve,
38 prifti do të dalë nga shtëpia, te porta dhe do ta mbyllë shtëpinë për shtatë ditë.
39 Ditën e shtatë prifti do të kthehet dhe do ta ekzaminojë shtëpinë; në rast se plaga është përhapur në muret e shtëpisë,
40 prifti do të urdhërojë që të hiqen gurët mbi të cilët ndodhet plaga dhe t’i hedhin në një vend të papastër jashtë qytetit.
41 Pastaj do të urdhërojë që të kruhet pjesa e brendshme e shtëpisë rreth e qark, dhe do ta hedhin suvanë që kanë rrëzuar jashtë qytetit, në vend të papastër.
42 Pastaj do të marrin gurë të tjerë dhe do t’i vënë në vendin e të parëve, dhe do të marrin gëlqere tjetër për të suvatuar shtëpinë.
43 Por në rast se plaga shpërthen përsëri në shtëpi, mbasi janë hequr gurët dhe mbasi shtëpia është kruar dhe është suvatuar përsëri,
44 prifti do të hyjë për të kontrolluar shtëpinë; në qoftë se plaga është e përhapur në shtëpi, kemi një lebër të keqe në shtëpi; kjo është e papastër.
45 Prandaj do ta shëmbë shtëpinë dhe do t’i çojë gurët, lëndën e drurit dhe suvanë jashtë qytetit, në një vend të papastër.
46 Përveç kësaj kushdo që hyn në shtëpi gjatë gjithë kohës që mbeti e mbyllur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
47 Kush fle në shtëpi, do të lajë rrobat e tij; po kështu ai që ha në shtëpi do të lajë rrobat e tij.
48 Por në qoftë se prifti hyn në shtëpi dhe e kontrollon, dhe plaga nuk është përhapur në shtëpi pasi është suvatuar, prifti do ta shpallë atë të pastër, sepse plaga është shëruar.
49 Pastaj, për të pastruar shtëpinë, do të marrë dy zogj, dru kedri, skarlat dhe hisop;
50 do të therë pastaj një nga zogjtë në një enë argjili me ujë të rrjedhshëm;
51 dhe do të marrë drurin e kedrit, hisopin, skarlatin dhe zogun e gjallë, dhe do t’i zhytë në gjakun e zogut të therur dhe në ujë të rrjedhshëm, dhe do ta spërkatë shtëpinë shtatë herë.
52 Kështu do ta pastrojë shtëpinë me gjakun e zogut, me ujin e rrjedhshëm, me zogun e gjallë, me drurin e kedrit, me hisopin dhe me skarlatin;
53 por do ta lërë zogun të ikë i lirë jashtë qytetit, nëpër fusha; kështu do të bëjë shlyerjen, për shtëpinë, dhe kjo do të jetë e pastër.
54 Ky është ligji për çdo plagë të lebrës dhe të qeres,
55 për lebrën e rrobave dhe të shtëpisë,
56 për ënjtjet, puçrrat me qelb dhe njollat e shndritshme,
57 për të mësuar kur një gjë është e papastër dhe kur është e pastër. Ky është ligji për lebrën".
17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.
5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.
6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.
10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.
11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.
12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.
13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.
14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.
15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.
28 I pabesi ikën me vrap edhe në se askush nuk e ndjek, por i drejti është i sigurt si një luan.
2 Për shkak të mëkatit të një vendi, shumë janë të parët e tij, por me një njeri me mend që ka dituri qëndrueshmëria e tij vazhdon gjatë.
3 Një i varfër që shtyp të mjerët është si një shi me shtamba që nuk jep bukë.
4 Ata që braktisin ligjin lëvdojnë të pabesët; por ata që zbatojnë ligjin i luftojnë ata.
5 Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë drejtësinë, por ata që e kërkojnë Zotin kuptojnë çdo gjë.
6 Më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur.
7 Kush zbaton ligjin është një bir me mend, por shoku i grykësve turpëron atin e tij.
8 Kush i shton pasuritë e tij me fajde dhe me fitime të padrejta, i mbledh për atë që i vjen keq për të varfërit.
9 Në rast se dikush e kthen veshin gjetiu për të mos dëgjuar ligjin, vetë lutja e tij do të jetë një gjë e neveritshme.
10 Kush i fut njerëzit e drejtë në një rrugë të keqe, do të bjerë vetë në gropën e tij; por njerëzit e ndershëm do të trashëgojnë të mirën.
11 I pasuri mendon se është i matur, por i varfëri që është i zgjuar e kqyr fund e krye.
12 Kur të drejtët triumfojnë, ka lavdi të madhe, por kur mbizotërojnë të pabesët njerëzit fshihen.
13 Kush i fsheh shkeljet e tij nuk do të ketë mbarësi; por ai që i rrëfen dhe i braktis ato, ka për të fituar mëshirën.
14 Lum ai njeri që ka frikë vazhdimisht nga Zoti, por ai që e fortëson zemrën e tij do të bjerë në fatkeqësi.
15 Një i pabesë që sundon mbi një popull të varfër është si një luan që ulërin dhe një ari i uritur.
16 Një princ pa mend zhvat shumë, por ai që urren fitimin e pandershëm ka për t’i zgjatur ditët e tij.
17 Njeriu mbi të cilin rëndon një vrasje do të turret deri në varr; asnjë të mos e ndihmojë!
18 Ai që ecën me ndershmëri do të shpëtohet, por njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugë dredha-dredha do të rrëzohet befas.
19 Kush punon tokën e tij do të ketë bukë me bollëk, por kush jepet pas kotësive do të ketë varfëri të madhe.
20 Njeriu besnik do të mbushet me bekime, por ai që nxiton të pasurohet nuk do të jetë pa faj.
21 Nuk është mirë të kesh preferenca vetiake; njeriu kryen mëkat për një copë bukë.
22 Njeriu me sy të keq dëshiron të pasurohet shpejt, por nuk e kupton se do ta pllakosë varfëria.
23 Kush qorton dikë ka për të gjetur pastaj favor më të madh se ai që i bën lajka me fjalë.
24 Kush vjedh atin e tij dhe nënën e tij dhe thotë: "Nuk është mëkat," është shok i atij që shkatërron.
25 Kush e ka zemrën të fryrë nga krenaria nxit grindje, por ai që ka besim te Zoti do të ketë mbarësi.
26 Kush i beson zemrës së tij është budalla, por ai që ecën me urtësi do të shpëtojë.
27 Ai që i jep të varfërit nuk do të ketë kurrë nevojë, por ai që i mbyll sytë e vet do të ketë shumë mallkime.
28 Kur të pabesët lartohen, njerëzit fshihen; por kur vdesin, të drejtët shumohen.
2 Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,
2 të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.
3 Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,
4 kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.
5 A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?
6 Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.
7 Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.
8 Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.
9 Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,
10 dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.
11 E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës,
12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!
13 Por ne duhet ta falënderojmë vazhdimisht Perëndinë për ju, o vëllezër të dashur nga Zoti, sepse Perëndia ju zgjodhi që në fillim për t’ju shpëtuar, me anë të shenjtërimit të Frymës dhe të besimit në të vërtetën;
14 tek e cila ju thirri me anë të ungjillit tonë, që të arrini të merrni lavdinë e Zotit tonë Jezu Krisht.
15 Prandaj, vëllezër, qëndroni dhe mbani porositë që mësuat, me anë të fjalës ose me anë të letrës sonë.
16 Dhe vetë Zoti jonë Jezu Krisht dhe Perëndia Ati ynë, që na deshi dhe na dha me anë të hirit një ngushëllim të përjetshëm dhe një shpresë të mirë,
17 ngushëlloftë zemrat tuaja dhe ju forcoftë në çdo fjalë e punë të mirë.