M’Cheyne Bible Reading Plan
11 Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë atyre:
2 "Foluni bijve të Izraelit dhe u thoni: Këto janë kafshët që do të mund të hani nga tërë kafshët që janë mbi tokë.
3 Mund të hani çdo kafshë dythundrake që e ka këmbën të ndarë dhe ripërtypet.
4 Por nga ripërtypësit dhe nga dythundrakët nuk do të hani këto: devenë sepse përtypet, por nuk është dythundrake; për ju është e papastër;
5 baldosën, sepse ripërtypet, por nuk është dythundrake; për ju është e papastër;
6 lepurin, sepse ripërtypet, por nuk është dythundrak; për ju është i papastër;
7 derrin, sepse është dythundrak dhe e ka këmbën të ndarë, por nuk është ripërtypës; për ju është i papastër.
8 Nuk do të hani nga mishi i tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të pajetë; për ju janë të papastër.
9 Midis gjithë kafshëve që ndodhen në ujë mund të hani këto: mund të hani të gjithë ato që kanë pendë e luspa në ujë, si në dete ashtu dhe në lumenj.
10 Por të gjitha ato që nuk kanë as pendë as luspa, si në dete, ashtu dhe në lumenj, tërë ato që lëviznin në ujë dhe të gjitha ato që jetojnë në ujë janë të neveritshme për ju.
11 Do të jenë të neveritshme për ju; nuk do të hani mishin e tyre dhe do keni neveri për trupin e tyre të pajetë.
12 Çdo gjë që në ujë nuk ka pendë dhe luspa do të jetë e neveritshme për ju.
13 Midis zogjve do të keni neveri këta; nuk duhet t’i hani, sepse janë të neveritshëm: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan peshkatar;
14 qiftin dhe çdo lloj fajkoi;
15 çdo lloj korbi;
16 strucin, hutën, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë;
17 bufin, karabullakun e detit, ibisin;
18 mjellmën, pelikanin, hutën;
19 lejlekun, çdo lloj çafke, pupëzen dhe lakuriqin e natës.
20 Do të keni neveri për çdo insekt me krahë që ecën me katër këmbë.
21 Por nga të gjitha insektet me krahë që ecin me katër këmbë, mund të hani ato që i kanë kofshët mbi këmbët për të kërcyer në tokë.
22 Nga këta mund të hani çdo lloj karkaleci, çdo lloj bulku dhe çdo lloj akridi.
23 Çdo lloj tjetër insekti me krahë që ka katër këmbë do të jetë i neveritshëm për ju.
24 Këto kafshë do t’ju bëjnë të papastër; kushdo që prek trupin e tyre të pajetë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
25 Kushdo mbart trupat e tyre të pajetë, do të lajë rrobat dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
26 Çdo kafshë dythundrake që nuk e ka këmbën të ndarë dhe nuk ripërtypet është e papastër për ju; kushdo që do ta prekë do të bëhet i papastër.
27 Ndër të gjitha kafshët katërkëmbëshe, ata që ecin mbi shputën e këmbëve janë të papastër për ju; kushdo që prek trupin e tyre të pajetë do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
28 Kushdo që transporton trupin e tyre të pajetë do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Për ju ata janë të papastër.
29 Ndër kafshët që zvarriten mbi tokë, këta janë të papastër për ju: urithi, miu dhe çdo lloj hardhje,
30 gekoja, varani, hardhuca, kërmilli dhe kameleoni.
31 Këto kafshë midis tërë atyre që zvarriten janë të papastra për ju; kushdo që i prek kur kanë ngordhur, do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
32 Çdo gjë mbi të cilën një prej tyre bie kur kanë ngordhur do të jetë e papastër; qoftë kjo një vegël prej druri, apo rroba, apo lëkurë, apo thes apo çfarëdo sendi tjetër i përdorur për punë, duhet të futet në ujë dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje; pastaj do të jetë i pastër.
33 Çdo enë prej argjile brenda të cilës një prej tyre bie, do ta thyeni; dhe gjithçka që ndodhet në të do të jetë i papaster.
34 Çdo ushqim që hahet mbi të cilin bie uji i kësaj ene do të bëhet i papastër; dhe çdo gllënjkë që mund të merret prej tij do të jetë e papastër.
35 Çdo gjë mbi të cilën bie një pjesë e trupit të tyre të ngordhur, qoftë furra apo furnela, do të copëtohet; ata janë të papastër dhe do të konsiderohen të papastër nga ana juaj.
36 Por një burim apo një çisternë, ku mblidhet uji do të jetë i pastër, por çdo gjë që prek trupat e tyre të pajetë do të jetë e papastër.
37 Dhe në rast se një pjesë e trupave të tyre të pajetë bie mbi çfarëdo lloj fare që të mbillet, kjo do të mbetet e pastër;
38 por në rast se vihet ujë mbi farën dhe një pjesë e trupave të pajetë të tyre bie mbi të, ajo është e papastër për ju.
39 Në rast se ngordh një kafshë që ju lejohet ta hani, ai që do të prekë trupin e pajetë të saj do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
40 Ai që ha nga ky trup i ngordhur do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje; po kështu ai që transporton këtë trup të ngordhur do të lajë rrobat e tij dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
41 Çdo gjë që hiqet zvarrë mbi tokë është një gjë e neveritshme; nuk duhet ta hani.
42 Ndër të gjitha kafshët që hiqen zvarrë mbi tokë, nuk do të hani asnjërën prej atyre që ecin mbi bark, që lëvizin me katër këmbë, ose të atyre që kanë shumë këmbë, sepse kjo është e neveritshme.
43 Mos u bëni të neveritshëm me asnjë nga këto kafshë që zvarriten; mos u bëni të papastër me to, në mënyrë që të ndoteni.
44 Sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj; shenjtërohuni, pra, dhe jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë; mos u infektoni me asnjë prej këtyre kafshëve që zvarriten mbi tokë.
45 Sepse unë jam Zoti që ju bëri të dilni nga vendi i Egjiptit, për të qënë Perëndia juaj; jini pra të shenjtë sepse unë jam i shenjtë.
46 Ky është ligji përkatës i katërkëmbëshve, zogjve dhe i çdo qënieje të gjallë që lëviz në ujë, dhe i çdo qënieje që hiqet zvarrë mbi tokë,
47 me qëllim që të dini të dalloni midis asaj që është e pastër dhe asaj që është e papastër, dhe midis kafshës që mund të hahet dhe të asaj që nuk duhet të hahet".
12 Zoti i foli akoma Moisiut, duke thënë:
2 "Folu kështu bijve të Izraelit: Në qoftë se një grua mbetet me barrë dhe lind një mashkull, do të jetë e papastër për shtatë ditë, do të jetë e papastër si në ditët e zakoneve të saj.
3 Ditën e tetë do të rrethpritet mishi i prepucit të djalit.
4 Pastaj ajo do të rrijë akoma tridhjetë e tre ditë për të pastruar gjakun e saj; nuk do të prekë asnjë send të shenjtë dhe nuk do të hyjë në shenjtëroren, deri sa të plotësohen ditët e pastrimit të saj.
5 Por në rast se lind një vajzë, ajo do të jetë e papastër dy javë si në kohën e zakoneve të saj; dhe do të rrijë gjashtëdhjetë ditë për t’u pastruar nga gjaku.
6 Kur të plotësohen ditët e pastrimit të saj, pavarësisht në se është fjala për një djalë apo vajzë, do t’i çojë priftit, në hyrje të çadrës së mbledhjes, një qengj motak si olokaust dhe një pëllumb të ri o një turtull, si flijim për mëkatin.
7 Pastaj prifti do t’i ofrojë para Zotit dhe do të bëjë shlyerjen për të; dhe ajo do të jetë pastruar nga rrjedha e gjakut të saj. Ky është ligji për gruan që lind një mashkull apo një femër.
8 Dhe në rast se i mungojnë mjetet për të ofruar një qengj, do të marrë dy turtuj ose dy pëllumba të rinj, njërin si olokaust dhe tjetrin si flijimin e mëkatit. Prifti do të bëjë shlyerjen për të, dhe ajo do të jetë e pastër".
13 Deri kur do të më harrosh, o Zot? Vallë kështu do të jetë përjetë? Deri kur do të më fshehësh fytyrën tënde?
2 Deri kur do të marr vendime në shpirtin tim dhe do të kem pikëllim në zemrën time tërë ditën? Deri kur do të ngrihet armiku im mbi mua?
3 Shiko me vëmendje dhe përgjigjmu, o Zot, Perëndia im, ndriço sytë e mi, që të mos më zërë gjumi në gjumin e vdekjes,
4 dhe armiku im të mos thotë: "E munda," dhe armiqtë e mi të mos gëzohen kur unë lëkundem.
5 Por unë kam besim në mirësinë tënde dhe zemra ime do të ngazëllojë në çlirimin tënd;
6 unë do t’i këndoj Zotit, sepse ai më ka trajtuar me shumë shpirtmadhësi.
14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.
2 Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?
5 Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.
6 Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.
7 Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.
26 Ashtu si bora nuk i shkon verës as shiu të korrave, kështu nuk i shkon lavdia budallait.
2 Ashtu si harabeli fluturon andej e këtej dhe dallëndyshja fluturon, kështu mallkimi pa arsye nuk ka efekt.
3 Kamxhiku për kalin, kapistra për gomarin dhe shkopi për kurrizin e budallenjve.
4 Mos iu përgjegj budallait simbas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.
5 Përgjigjju budallait simbas budallallëkut të tij, që ai të mos mendojë se është i urtë.
6 Kush dërgon një mesazh me anë të një budallai pret këmbët e tij dhe pi dhunë.
7 Ashtu si këmbët e çalamanit janë pak të qëndrueshme, kështu është një fjalë e urtë në gojën e budallenjve.
8 Kush i jep lavdi një budallai është si ai që lidh një gur te hobeja.
9 Një fjalë e urtë në gojën e budallenjve është si një gjemb që hyn në dorën e një të dehuri.
10 Perëndia i madh që ka krijuar të gjitha gjërat është ai që i jep shpërblimin budallait dhe shkelësve.
11 Ashtu si një qen kthehet në të vjellat e tij, kështu budallai e përsërit budallallëkun e tij.
12 A ke parë një njeri që e pandeh veten të urtë? Ka më tepër shpresë për një budalla se sa për të.
13 Përtaci thotë: "Ka një luan në rrugë, ka një luan nëpër rrugë!".
14 Ashtu si lëviz porta në menteshat e saj, kështu sillet përtaci në shtrat të tij.
15 Përtaci e fut dorën në pjatën e tij, por lodhet edhe ta çojë te goja.
16 Përtaci pandeh se është më i urtë se shtatë persona që japin përgjigje me mend.
17 Kalimtari që përzihet në një grindje që nuk i përket, është si ai që kap nga veshët një qen.
18 Ashtu si një i marrë që gjuan me ura zjarri, me shigjeta dhe me vdekje,
19 kështu është ai që mashtron të afërmin dhe thotë: "E bëra për shaka!".
20 Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet; dhe kur nuk ka një gojë të keqe, grindja merr fund.
21 Ashtu si qymyri jep shpuzën dhe drutë zjarrin, kështu njeriu grindavec i nxit grindjet.
22 Fjalët e gojëkeqit janë si ushqime shumë të shijshme dhe depërtojnë deri në thellësi të zorrëve.
23 Buzët e zjarrta dhe zemra e keqe janë si zgjyra të argjendit të vendosura mbi një enë balte.
24 Ai që urren shtiret me buzët e tij, por në zemër të vet përgatit mashtrimin.
25 Kur ai flet në mënyrë të sjellshme mos i ki besim, sepse ka shtatë gjëra të neveritshme në zemër.
26 Edhe sikur urrejtja e tij të jetë fshehur me tinëzi; ligësia e tij do të dalë hapur në kuvend.
27 Kush hap një gropë do të bjerë brenda dhe kush rrokullis një gur do të bjerë përsëri mbi të.
28 Gjuha gënjeshtare urren ata që ka plagosur, dhe goja lajkatare sjell shkatërrimin.
5 Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,
2 sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.
3 Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.
4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.
6 Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.
7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.
8 Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,
10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.
11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.
12 Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,
13 edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.
14 Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.
15 Vështroni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
16 Jini gjithmonë të gëzuar.
17 Lutuni pa pushim.
18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
19 Mos e shuani Frymën.
20 Mos i përbuzni profecitë.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.
22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
25 Vëllezër, lutuni për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.